Sureja Kadr
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-5
“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. Nata e Kadrit është më e mbarë se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre, në atë natë zbresin engjëjt dhe Shpirti për çdo urdhër. Ajo natë është paqe deri në agimin e mëngjesit”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Nata është Fatimja! Kadri është Allahu! Kush e njeh Fatimen sipas hakut, do ta kuptojë vlerën e vërtetë të natës së Kadrit. Kuptimi i Nata e Kadrit është më e mbarë se njëmijë muaj është se Fatimja është më e mbarë se njëmijë besimtar, ajo është nëna e tyre. Engjëjt janë besimtarët që e bartin diturinë e Ehli Bejtit të Muhamedit. Shpirti është Fatimja! Paqja deri në agimin e mëngjesit është koha që do të vazhdojë deri te paraqitja e Mehdiut”
Imam Muhamed Bakiri ka thënë:
“Shtëpia e Aliut dhe e Fatimes është e ngjitur me shtëpinë e Resulullahut (s.a.v.). Mbi shtëpitë e tyre është Arshi i Rrahmanit. Në mes të shtëpive është një vend që të qon te Arshi dhe që aty zbret shpallja. Engjëjt zbresin në shtëpitë e tyre çdo mëngjes e mbrëmje dhe çdo orë. Një grup zbret dhe një grup lartësohet. Shikimi i Ibrahimit fitoi fuqi kur Allahu i Madhëruar e kishte larguar prej syve të tij perden e qiejve dhe ia kishte treguar Arshin.
Në mënyrë të njëjtë i fuqizoi shikimet e Muhamedit, Aliut, Fatimes, Hasanit dhe Hysejnit. Aq shumë sa që ata mund ta shikonin Arshin e Zotit të tyre nga tavani i shtëpive së tyre. Shtëpitë e tyre ishin të mbuluara me Arshin e Rrahmanit dhe ishte vendi i zbritjes dhe i lartësimit të engjëjve. Shpirti i zbriste atyre pandërprerë. Në shtëpitë e Ehli Bejtit zbritnin engjëjt në grupe”.
Këtu përfundon sureja Kadr. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.