Sureja Tin 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-5

“Pasha fikun dhe ullirin! Dhe kodrën Turi Sina! Dhe këtë qytet të sigurisë! Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ulëtin e të ulëtëve”

 

Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Fiku, në të cilën betohet Allahu i Madhëruar, është Imam Hasani ndërsa ulliri është Imam Hysejni! Kodra e Sinasë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. qyteti i sigurisë është Resulullah Muhamedi (s.a.v.). Sepse, çdokush që i nënshtrohet profetësisë së tij do të jetë i sigurt prej zjarrit të Xhehenemit. Njeriu që përmendet këtu është ai që e ka marrë hakun e Ehli Bejtit prej dorës së tij sepse, ky njeri ishte zotuar në fillim se zoti i tij është Allahu, i dërguari i tij është Muhamedi dhe velajeti i tij është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut. Përkundër kësaj, ai nuk e ka mbajtur fjalën e tij dhe ka rënë në vendin më të ulët të Xhehenemit”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 7-8

“E pas gjithë kësaj, ç'të shtyri të përgënjeshtrosh fenë? A nuk është Allahu më i urti i gjykuesve?”

 

Një sahabe ishte duke e lexuar këtë ajet dhe Imam Ali er-Rida i tha atij:

“Bëhu serioz! Nëse e lexon kështu ajetin, padyshim do të bëhesh jobesimtar! Betohem në Allah se Resulullahu (s.a.v.) nuk e ka përgënjeshtruar as për një moment fenë e Allahut!” Personi që ishte duke lexuar, pyeti: “Atëherë, si duhet që ta lexojë?” Imami iu përgjigj: “Kush të përgënjeshtron ty në fe? Sepse, feja është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s)”

 

Pra, sikur që na ka thënë Imami i nderuar, pejgamberi ynë nuk e ka përgënjeshtruar as për një moment të vetëm fenë. Një gjë e tillë nuk mund të përputhet me logjikën e fesë dhe i bën hije madhërisë së Allahut. Në kuptimin e vërtetë, feja nuk është asgjë tjetër veçse velajeti i Imam Aliut. Sepse, besimi dhe pabesimi definohen sipas qëndrimit kundrejt Imam Aliut. Dashuria ndaj tij është iman dhe urrejtja ndaj tij është vetë pabesimi. Nëse është kështu atëherë ne mund të themi me siguri se Imam Aliu është feja. Sepse, në kuptimin e vërtetë, feja nuk është asgjë tjetër veçse dashuria. A mund të lidhemi për fenë e Allahut pa e dashur Atë?

 

Pra, dashuria qenka në krye të çdo gjëje dhe fillon me Imam Aliun. Nëse fillon me diçka tjetër atëherë kjo do të thotë devijimi në rrugën e Iblisit. Për të konfirmuar këtë do ta përmendim hadithin e të Dërguarit (s.a.v.), i cili thotë:

“O Ali! Sikur të ishin bashkuar njerëzit në bazë të dashurisë tënde, Allahu nuk do ta krijonte Xhehenemin!”

 

Këtu përfundon sureja Tin. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.