Sureja Kalem

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 1-7

“Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! Ti, me dhuntinë e Zotit tënd, nuk je i çmendur! Dhe se ti, pa dyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! Më vonë ti do të shohësh, e edhe ata do të shohin se cili prej jush është i çmendur. S'ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit”

 

Imam Musa el-Kazimi ka thënë:

“Nun është njëri prej emrave të Pejgamberit. Ndërsa, penda është njëri prej emrave të Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut!

 

Në një rrëfim tjetër thuhet:

“I Dërguari (s.a.v.) ka lënë amanet Imam Aliun si Imam dhe kalif të ymmetit dhe këtë e ka përsëritur shumë herë por mynafikët brenda ymmetit thanë se i Dërguari (s.a.v.) kishte tepruar në lidhje me të drejtën e Aliut, madje thanë se ishte çmendur. Për këtë arsye, zbriti ky ajet. Rruga e drejtë që përmendet në këtë ajet nuk është askush tjetër veçse Imam Aliu”.

 

Nëse e vështrojmë historinë e botës, do të shohim se gjatë tërë kohës dy gjëra kanë qenë të rëndësishme për personat që kanë qenë në pushtet: penda dhe shpata. Në këtë drejtim, mbas të Dërguarit (s.a.v.), në botën islame nuk kishte më të epërm sesa Imam Aliu. Imam Aliu e ka dëshmuar veten në çdo fushë të diturisë dhe ka lënë fjalë të paharrueshme e shumë të vlefshme. Trimëritë që i ka treguar gjatë luftës, kanë mbërritur deri në kohën tonë në formë të librit.

 

Dituria e Imamit ishte shumë e thellë dhe ai ka thënë: “Dituria është një pikë por i padituri e shumon atë”. Vlerën e diturisë së pikës është e mundur që ta shpjegojmë gjerësisht. A mund të paramendoni një shkrim apo tekst që është i shkruar pa pikë? Këtë tekst që jeni duke e lexuar e kemi tubuar në një vend përmes pikave. Imam Aliu është si një pikë brenda ekzistencës. Pa qenë ai, asgjë nuk mundet me qenë dhe çdo gjë bëhet përmes tij.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 51-52

“E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukën ty me shikimet e tyre, kur e dëgjuan përmendjen (ziqr), dhe nga inati thanë: ‘Ai është i marrë!’ Ndërsa, ai nuk është tjetër vetëm se këshillë për botët”

 

Rrëfen Hasan el Xhemali, i cili e drejtonte devenë e Imam Xhafer Sadikut gjatë sezonit të haxhit:

“Isha duke udhëtuar bashkë me Imamin e nderuar prej Mekës në Medine dhe mbërritëm në një vend të quajtur Gadir Hum. Kur mbërritëm aty, Imami shikoi përreth dhe pastaj tha: ‘Ja, këtu është vendi ku i Dërguari (s.a.v.) ka qëndruar dhe ka thënë: I afërmi (urdhëruesi) i kujt jam unë edhe Aliu është i afërmi (urdhëruesi) i tij. O Allahu im!

Ndihmoje atë që e pranon dhe e ndihmon atë, dhe bëhu armiku i atij që e mohon dhe që bëhet armiku i tij’. Dhe, këtu është vendi i çadrës së Ebu Bekrit, Ymerit, Salimit, që ishte shërbëtori i Huzejfes, dhe i Ebu Ubejde bin Xherrahit. Kur i Dërguari (s.a.v.) e ngriti dorën e Aliut dhe i foli ato fjalë, këta persona thanë në mes veti: ‘Shikoni se çka është duke folur! Sytë e tij janë duke u rrotulluar si të një çmenduri’. Mbas këtyre fjalëve zbriti ky ajet”.

 

Këtu përfundon sureja Kalem. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.