Sureja Munafikun 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-6

“Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: ‘Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i Allahut!’ Padyshim, Allahu e di se ti je i dërguari i Tij. Allahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtar. Ata betimin e tyre e kanë bërë si mburojë, andaj ata penguan nga rruga e Allahut. Me të vërtetë, veprimi që bënë ata është shumë i keq. Ngase ata besuan dhe pastaj mohuan, andaj zemrat e tyre u vulosën dhe ata nuk kuptojnë. Me të vërtetë, ata janë një grup që nuk kuptojnë. E kur t'i shohësh ata, trupat e tyre të mahnitin, e kur të flasin, fjalës së tyre i vë veshin. Po ata janë si trungjet e zgavruara e të mbështetur. Për çdo britmë ata mendojnë se është kundër tyre. Ata janë armiq, pra ruaju prej tyre! 

Allahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta! E kur u thuhet: ‘Ejani te i dërguari i Allahut që ai të kërkojë prej Tij falje për ju’, ata tundin kokat e tyre dhe i sheh se si ta kthejnë shpinën duke e mbajtur veten të madh. Sa u përket atyre, është krejt njësoj: si kërkove për ta falje, si nuk kërkove për ta falje (nga Zoti), sepse Allahu kurrsesi nuk do t'i falë dhe është e sigurt se Allahu nuk ia ofron udhëzimin popullit arrogant”

 

Në lidhje me këto ajete, Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Allahu i Madhëruar i kishte urdhëruar të dërguarit të tij që t’i emërojë si mynafik ata që nuk i nënshtrohen Imam Aliut. Dhe, ata që e kanë mohuar Imametin e Imam Aliut i ka konsideruar si ata që e kanë mohuar nubuvetin e të Dërguarit (s.a.v.). Për shkak se mynafikët i besojnë nubuvetit të Dërguarit (s.a.v.) dhe e mohojnë velajetin e të besueshmit të tij, Aliut, ata janë quajtur gënjeshtar nga ana e Allahut. Duke e bërë si mburojë fjalën që e kanë dhënë, ata e kanë nxjerrë popullin nga velajeti i Aliut; sa e keqe është kjo vepër e tyre.

Padyshim që ata janë bërë prej atyre që e kanë besuar nubuvetin tënd dhe pastaj e kanë mohuar Aliun, të cilin e kishte lënë si amanet. Pastaj, i Dërguari (s.a.v) u tha atyre që nëse kthehen kah velajeti i Aliut, ai do të kërkojë falje për ju, por ata i tundën kokat e tyre dhe e kthyen shpinën nga velajeti i Aliut. Si kërkove për ta falje, si nuk kërkove falje për ata që i kanë bërë padrejtësi kalifatit të Aliut, Allahu kurrsesi nuk do t’i falë ata. Nuk ka dyshim se Allahu nuk ia ofron udhëzim popullit arrogant”

 

Këtu përfundon sureja Munafikun. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.