Sureja Xhuma

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 9

“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, nxitoni aty ku përmendet Allahu dhe lëreni shitblerjen. Kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse e dini”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Shkaku i dhënies së këtij emri ditës së Xhumasë është ky: “Në këtë ditë, Allahu i Madhëruar i ka mbledhur të gjitha krijesat dhe e ka marrë betimin e tyre për atë se Zoti i tyre është Allahu, i dërguari i tyre është Resulullahu (s.a.v.) dhe për velajetin e Urdhëruesit të Besimtarëve. Për shkak të kësaj mbledhjeje të të gjithë krijesave, kësaj dite i është dhënë emri Xhuma (mbledhja, tubimi).

 

Pastaj, kuptimi i thirrjes për namaz në këtë ditë është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut; sepse, velajeti i tij është namazi më i madh! Në këtë ditë dhe në këtë moment janë mbledhur të gjithë pejgamberët, të dërguarit, engjëjt, njerëzit dhe xhinët, qiejt e toka dhe të gjithë ata që besojnë për të shprehur nënshtrimin e tyre ndaj urdhrit të Allahut. Ky tubim është për zikrin (përmendjen) e Allahut, Aliun. Lënia e tregtisë do të thotë heqja dorë nga i pari. Dhe, nëse e dini, velajeti i Aliut është më i mbarë sesa betimi ndaj të parit”.

 

Nuk është e drejtë që të konsiderojmë si teprim apo ekzagjerim fjalët e Imamit të nderuar. Sepse, i dërguari ynë Muhamedi (s.a.v.) ka thënë: 

“Përmendja e Aliut është ibadet!”

Dhe, në një vend tjetër, ka thënë:

“Shikimi i fytyrës së Aliut është adhurim (ibadet)”

Këto dy hadithe mund t’i gjeni në librat më burimor të dijetarëve synnit.

 

Disa prej tyre janë këto:

1- Hakim në librin e tij “Mustedrik”

2- Ebu Nu’ajm el-Isfahani në librin e tij “Hilje”.

3- Tabarani në librin e tij “Mu’xhem”

4- Hatib el-Bagdadi në librin e tij “Tarih”

5- Ibn Asakir në librin e tij “Tarih”

6- Ibn Haxher në librin e tij “Isabe”

7- Hejsemi në librin e tij “Mexhma’uz-Zevaid”

8- Muttaki el-Hindi në librin e tij “Kenz”

9- Munavi në librin e tij “Kunuz”

10- Muhib et-Tabari në librin e tij “Rijad-un Nadara”

11- Dejlemi në librin e tij “Firdevs”

12- Ibn Haxher el-Hejtemi në librin e tij “Sava’ik”

13- Munavi në librin e tij “Fajd-ul Kadir”

 

Dhe, disa prej tyre që e kanë përmendur shkurtimisht këto hadithe janë:

Ebu’l Hajr el-Hakimi, Halili, Ibn Ebi el-Furati, Ibn es-Summani, el-Huxhandi, Ebu’l Hasan el-Harbi, el-Abhari…

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Shkaku i dhënies së këtij emri ditës së Xhumasë është ky: në këtë ditë janë mbledhur të gjithë besimtarët për të pranuar velajetin e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut”

Po, namazi i Xhumasë është i drejtë vetëm nën velajetin e Imam Aliut. Në të kundërtën, nuk është asgjë tjetër veçse lodhje dhe zahmet.

 

Këtu përfundon sureja Xhuma. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.