Sureja Vakia
Tevili dhe tefsiri i ajetit 75
“Dhe, ata që janë në ballë, që i kanë kaluar të gjithë. Ata pra, janë më të afruarit te Zoti i tyre”
Imam Hasani ka thënë:
“Ata që i janë afruar më së shumti Allahut të Madhëruar janë babai im (Hz Aliu) dhe i dërguari i Tij. Ai është më i afruari i Allahut dhe i të dërguarit të Tij!”
E pyetën Resulullahun në lidhje me këtë ajet dhe ai tha:
“Mua më ka informuar Xhebraili se ata që janë në ballë të Xhenetit dhe që janë afruar më së shumti Allahut janë Aliu dhe shiitët e tij. Allahu ua ka dhënë atyre këtë pozitë për shkak të mirësisë së tyre”
Në një vend tjetër ka thënë:
“Më të afruarit janë tre persona: Ai që më së shumti i është afruar Musës është Hazkili, i cili ishte një besimtar nga familja e Faraonit; i dyti është pronari i Jasinit, Habibi Nexhxhari, i cili është prej të parëve që i është afruar Isës; dhe, i treti është Ali bin Ebi Talibi, i cili i është afruar Muhamedit më së pari dhe ky është më i virtytshmi prej të gjithëve!”
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 17-18
“Atyre u shërbejnë djelmosha të rinj. Me gastare, me ibrikë dhe me gota të mbushura plot me pije prej burimit”
Resulullahu (s.a.v.) u drejtua kah ata që e duan Ehli Bejtin e tij dhe tha: “Kurejshët do të ushtrojnë dhunë e presion mbi ju. Si kundërpërgjigje për këtë, ju duhet që të duroni përderisa të takoheni me mua te burimi i Kevtherit.
Do të shihni se uji i Kevtherit është më i ëmbël se mjalti, më i bardhë se kosi, më i ftohtë se bora dhe më i butë se yndyra. Ju jeni ata persona që Allahu i Madhëruar i ka përshkruar si “Atyre u shërbejnë djelmosha të rinj. Me gastare, me ibrikë dhe me gota të mbushura plot me pije prej burimit”
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 83-85
“Kur arrin shpirti në fyt, e ju në atë moment shikoni, ndërsa ne jemi më afër tek ai se ju, por ju nuk shihni”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Betohem në Allah se miku dhe armiku im do të më shoh tri herë! Herën e parë, gjatë momentit të vdekjes; herën e dytë, në urën e Siratit; dhe, herën e tretë, te vendi i ndarjes!” Njëri prej të pranishmëve e pyeti: “Çka nënkuptohet me vendin e ndarjes?” Imami i nderuar u përgjigj: “Aty ku do t’i ndajë ata që do të shkojnë në Xhehenem. Aty do të them: ky është miku im, ky është armiku im!”
Gjegjësisht, kriteri vendimtar i atyre që do të shkojnë në Xhenet dhe në Xhehenem është lidhja e tyre për Imam Aliun. Imami i nderuar do t’i dërgojë miqtë e tij në Xhenet dhe armiqtë e tij në Xhehenem!
Këtu përfundon sureja Vakia. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.