Sureja Kamer 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 42

“Ata i përgënjeshtruan të gjitha argumentet Tona”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Gjegjësisht, ata i përgënjeshtruan të gjithë të besueshmit”.

Të besueshmit janë Imamët e Ehli Bejtit, që i Dërguari (s.a.v.) ia ka lënë ymmetit të tij si Imam dhe kalif mbas tij. Me të vërtetë, ata janë përgënjeshtruar nga ana e të gjithë ymmetit dhe kjo është duke vazhduar ende.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 54-55

“Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në xhenete e në lumenj. Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i Plotfuqishëm”

 

Resulullah (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Padyshim që do të jenë bashkë me neve ata që të duan ty dhe që të pranojnë si urdhërues të tyre. Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në xhenete e në lumenj. Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i Plotfuqishëm”

 

Xhabir bin Abdullah el-Ensari rrëfen:

Një ditë, sahabet ishin mbledhur përreth Resulullahut (s.a.v.) dhe ishin duke folur për Xhenetin. Në lidhje me këtë, i Dërguari (s.a.v.) tha: “I pari që do të hyjë në Xhenet është Ali bin Ebi Talibi”.

Ebu Duxhxhane tha: “O Resulullah! Më herët ke thënë se para se të hysh ti në Xhenet askush nuk do të hyjë në Xhenet dhe para se të hyjë ymmeti yt në Xhenet nuk do të hyjë asnjë ymmet në Xhenet”.

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Po, ashtu është! Por, a nuk e di se Allahu e ka falur flamurin dhe shtyllën nga drita? Madje, këto i ka krijuar para se ta krijojë tokën e qiellin dhe mbi të ka shkruar: ‘Nuk ka Zot përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij. Më i mbari i njerëzve është Al-i Muhamedi, pronari i flamurit është Aliu dhe ai është Imami i njerëzve’.

 

Imam Aliu, që ishte i pranishëm aty, tha:

‘O Resulullah! Falënderimi qoftë për Allahun që na ka drejtuar në rrugën e drejtë përmes teje dhe që na ka nderuar përmes kësaj!’

Atëherë, Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘O Ali! Myzhde qoftë prej meje që Allahu do ta vendos bashkë me neve atë që të do ty dhe që dashurinë ndaj teje e bën rrugë për vete!

Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në xhenete e në lumenj. Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i Plotfuqishëm”

 

Ne jemi duke pritur me mall ditën kur të gjithë njerëzit e botës do të bashkohen nën flamurin e Ehli Bejtit. Ne besojmë se njerëzit mund ta jetojnë dashurinë dhe drejtësinë vetëm duke u lidhur për Ehli Bejtin.

 

Këtu përfundon sureja Kamer. Paqja dhe përshëndetja e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë dhe mbi Ehli Bejtin të tij të pastër .