Sureja Kaf
Tevili dhe tefsiri i ajetit 21
“E do të vijë secili njeri e bashkë me të edhe grahësi edhe dëshmitari”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Grahësi është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Dëshmitari është Resulullahu (s.a.v.)!”
Gjegjësisht, në ditën e dhënies së llogarisë çdonjëri do të vijë i shoqëruar me të Dërguarin (s.a.v.) dhe Imam Aliun. Sigurisht që në këtë mënyrë do të vijnë vetëm ata që janë të afërm me Pejgamberin dhe Imamin. Dhe, ata që janë larg prej tyre, do të pikëllohen.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 24
“Ju të dy hidheni në xhehenem secilin mohues kryeneç”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“Në ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të më thotë mua dhe Aliut: Hidheni në Xhehenem secilin mohues kryeneç”
Në një vend tjetër ka thënë:
“O Ali! Ky ajet ka zbritur në lidhje me neve! Në ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të na caktojë neve si ndërmjetësues. Atë që do të më japë mua, të njëjtën do të jap edhe ty. Pastaj, do të na thotë të dyve: “Hidheni në Xhehenem ata që ju urryen dhe futeni në Xhenet ata që ju duan. Juve ju duan vetëm besimtarët”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Në ditën e Kiametit, Muhamedi (s.a.v.) dhe Aliu do të presin te ura e Siratit. Do të mund të kalojnë vetëm ata që kanë leje për të kaluar!”
Njëri prej të pranishmëve e pyeti Imamin: “Çfarë leje është ajo?”
Imami iu përgjigj: “Ajo leje është lidhja ndaj Ali bin Ebi Talibit dhe ndaj djemve të tij që janë Imam.
Në atë moment do të dëgjohet një zë: O Muhamed dhe Ali! Kush e ka mohuar profetësinë e Muhamedit dhe Imametin e Aliut dhe të djemve të tij, hidheni në Xhehenem!”
Gjatë kohës kur ishte i sëmurë A’meshi, njëri prej mbledhësve të shquar të hadithit, njerëzit shkonin për ta vizituar. Në mesin e tyre ishin edhe Ebu Hanife Numan bin Sabiti dhe Ibn Kajsi. Mbasi që kaluan disa ditë A’meshi bashkë me djalin e tij dolën në mesin e njerëzve dhe A’meshi tha:
‘O populli i Kufes!
Një ditë erdhën për të më vizituar Ebu Hanifja bashkë me Ibn Kajsin dhe më thanë: ‘Ti ke përcjellë disa hadithe në lidhje me Ali bin Ebi Talibin dhe ne jemi të mendimit se më mirë do të ishte për ty nëse heq dorë nga ato hadithe. Sa më shpejt që të heqësh dorë nga ky gabim aq më mirë do të jetë për ty.
Sepse, ti mund të pendohesh vetëm përderisa shpirti gjendet brenda trupit!’ Dhe, unë i thashë atyre: ‘Athua këtë po më thonë personat si ju? O populli i Kufes! Bëhuni dëshmitar se unë jam duke e jetuar ditën e fundit të kësaj bote dhe ditën e parë që do ta shoh ahiretin.
Kam dëgjuar prej Ata bin Rijahut të ketë thënë: E kam pyetur Resulullahun (s.a.v.) në lidhje me ajetin “Ju të dy hidheni në Xhehenem çdo mohues kryeneç”, dhe ai (s.a.v.) më ka thënë: “Unë dhe Aliu do ta gjuajmë në Xhehenem çdonjërin që ushqen armiqësi ndaj neve” Kur e dëgjoi këtë Ebu Hanifja, i tha Ebu Kajsit: ‘Të shkojmë sa më shpejt nga këtu para se të shkojë më i zemëruar sesa që kam ardhur’ Dhe, të dytë u larguan nga aty.
Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Abdullah bin Mesudi, rrëfen:
“Një ditë shkova te Resulullahu (s.a.v.) dhe i thashë: ‘O Resulullah! Më trego të vërtetën që të mund ta shoh me sy dhe t’i nënshtrohem asaj’. Resulullahu (s.a.v.) më tha: ‘O djali i Mesudit! Shko në dhomën që është afër teje dhe më trego se çka ke parë?’
Unë hyra në atë dhomë dhe e pashë Ali bin Ebi Talibin duke qëndruar në ruku dhe duke thënë: ‘O Allahu im! Për hakun e Muhamedit fali gabimet e mëkatet të shiitëve të mijë!’ Pastaj, u ktheva te Resulullahu (s.a.v.) për t’ia treguar se çka pashë brenda asaj dhome.
Kur u ktheva e pashë Resulullahun (s.a.v.) duke qenë në sexhde dhe duke e bërë këtë lutje: “O Allahu im! Për hakun e veliut tënd, Aliut fali mëkatarët brenda ymmetit tim!”
Kur i dëgjova këto, unë u shqetësova së tepërmi. Mbasi që e fali namazin e tij, Resulullahu (s.a.v.) më tha: ‘O djali i Mesudit! A do të devijosh në pabesim mbas imanit?’ Unë i thashë: ‘Për hakun e jetës tënde, kjo nuk më ka kaluar asnjëherë nga mendja.
Por, kur e shikova Aliun, ai gjendej në lutje për hakun e nderit tënd ndërsa, kur u ktheva, ti ishe duke bërë lutje për hakun e nderit të Aliut. Tani, unë nuk po e di se cili jeni më i lartësuar te Allahu’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘O djali i Mesudit! Allahu më krijoi mua dhe Aliun, Hasanin e Hysejnin prej një drite të shenjtë! Kur Allahu deshi që ta krijojë botën e krijesave, qiejt dhe tokën i krijoi prej dritës sime.
Betohem në Allah se Aliu është më i lartësuar se Arshi dhe Kursi! Pastaj, nga drita e Hasanit Ai e krijoi të bardhën dhe të zezën e syrit dhe engjëjt. Betohem në Allah se Hasani është më i lartësuar se bardhësia dhe e zeza e syrit dhe nga engjëjt! Pastaj, nga drita e Hysejnit e krijoi Levhin (pllaka ose libri që është i ruajtur dhe në të cilën janë shkruar të gjitha ndodhitë që do të paraqiten në këtë botë) dhe Kalemin! Betohem në Allah se Hysejni është më i lartësuar se Levhi dhe Kalemi.
Pastaj, Lindja dhe Perëndimi kishin mbetur në errësirë dhe engjëjt thirrën në këtë mënyrë: O Zoti ynë! Na ndriço për hir të këtyre personave që i ke krijuar nga drita jote e shenjtë. Atëherë, Allahu i foli disa fjalë dhe prej tyre krijoi shpirtin! Dritën e vendosi mbi atë shpirt dhe e krijoi Fatimet’uz Zehranë! Atë e vendosi përpara Arshit dhe përmes saj u ndriçua Lindja dhe Perëndimi. Për këtë arsye, Fatimes iu dha emri Zehra (ajo që ndriçon).
O djali i Mesudit! Kur të vijë dita e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të më thotë mua dhe Aliut: Vendosni të dashurit tuaj në Xhenet dhe ata që i urreni hidhni në Xhehenem! Si dëshmi për këtë është ky ajet: “Ju të dy hidheni në xhehenem secilin mohues kryeneç” Unë thashë: ‘O Resulullah! Kush është mohuesi kryeneç?’ Ai tha: ‘Mohuesi është ai që e mohon profetësinë time ndërsa kryeneç është ai që e kundërshton Ali bin Ebi Talibin’
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Unë jam ndarësi i Xhenetit dhe Xhehenemit!”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Në ditën e kiametit, ti do të ndash ata që do të hynë në Xhehenem dhe Xhenet. Xhenetit do t’i thuash, merre ky është i yti dhe Xhehenemit do t’i thuash, merre ky është i yti!”
Me ndihmën e Allahut këtu përfundon sureja Kaf. Paqja dhe përshëndetja e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij të pastër.