Sureja Muhamed
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: “Në suren Muhamed janë dy ajete që vijnë njëra mbas tjetrës. E para është në lidhje me neve dhe e dyta në lidhje me Emevitët”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 1
“Ata të cilët vetë nuk besuan dhe penguan edhe të tjerët nga rruga e Allahut, Ai ua ka asgjësuar veprat e tyre”
Mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit, Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, shkoi në mesxhid, hipi në mimber dhe me zë të lartë tha: “
Ata të cilët vetë nuk besuan dhe penguan edhe të tjerët nga rruga e Allahut, Ai ua ka asgjësuar veprat e tyre”.
Aty ndodhej Abdullah bin Abbasi, i cili tha: “O babai i Hasanit! Cili është shkaku i leximit të këtij ajeti?”
Imami e pyeti: “A nuk e ke lexuar Kuranin?”
Abdullahu iu përgjigj: “Më shumë se një herë”.
Imami iu përgjigj: “Allahu i Madhëruar ka thënë: Pranoni nga pejgamberi atë që ju ka thënë dhe largohuni nga ajo që ju ka ndaluar! A mund të bëhesh dëshmitar se pejgamberi e ka lënë mbas veti Ebu Bekrin si kalif të tij?” Abdullahu tha: “Unë e di se Resulullahu (s.a.v.) ka lënë vasiet vetëm ty!”.
Imami tha: “Atëherë, a ma ke dhënë betimin”.
Abdullahu tha: “Populli ia dha betimin dhe unë iu bashkova atyre”.
Imami tha: “Ju jeni mbledhur përreth lopës së ymmetit sikur që janë mbledhur Beni Israelët përreth lopës dhe nxitja e juaj qëndron këtu! Shembulli i juaj është sikur i atyre njerëzve që Allahu ua ka marrë dritën e të shikuarit, mbasi që është djegur zjarri dhe është ndriçuar rrethina. Allahu i ka lënë ata në errësira, duke mos qenë në gjendje që të shohin dhe të dëgjojnë. Dhe, ata nuk do të kthehen mbrapa!”
Imami ua kishte dhënë shembull të bërat e bijve të Israelit kundër Musës (a.s). Musa (a.s) kishte lënë vasiet Harunin (a.s) ymmetit të tij dhe ai kishte shkuar te mali i Sinasë ndërsa një person me emrin Samirri i kishte mbledhur gjësendet prej ari dhe kishte formuar figurën e lopës. Ymmetit ia bëri thirrje që ta adhurojnë atë dhe bijtë e Israelit iu nënshtruan Samirrit mbasi që kishin besuar më herët.
Edhe në mesin e ymmetit tonë ishte shfaqur rasti i njëjtë. Pejgamberi e kishte emëruar vëllanë e tij, Imam Aliun, si kalif për ymmetin e tij. Mbas ndërrimit jetë të tij, Samirri i ymmetit, Ymeri, i bëri thirrje popullit që ta adhurojnë lopën (Ebu Bekrin). Edhe një person si Abdullah bin Abbasi ishte nënshtruar një thirrjeje të tillë!
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Rruga e Allahut është Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu! Jobesimtarët që penguan nga ajo rrugë ishin Emevitët”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 2-3
“Ndërsa atyre që besuan, bënë vepra të mira dhe e besuan atë që iu shpall Muhamedit, e ajo është e vërtetë prej Zotit të tyre, Ai atyre ua shlyen të këqijat dhe ua përmirëson gjendjen. Kjo është kështu, ngase ata që nuk besuan ndoqën të pavërtetën, e ata që besuan ndoqën të vërtetën që u erdhi prej Zotit të tyre. Kështu Allahu ua sjell njerëzve shembujt e tyre”
Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan:
“Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira janë Ebu Zeri, Selmani, Mikdadi dhe Ammari. Këta kanë mbetur besnik kalifatit të Aliut (a.s), i cili iu bë i njohur pejgamberit nga ana e Allahut. Kështu, Allahu ua shlyen të këqijat dhe ua përmirëson gjendjen. Ndërsa, jobesimtarët e pasojnë të pavërtetën, gjegjësisht, kjo e ka kuptimin se ata u janë nënshtruar rrugës së armiqve të pejgamberit dhe të Ehli Bejtit të tij”.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 9
“Këtë për shkak se ata e panë si të shëmtuar atë që e zbriti Allahu. Edhe Ai ua ka bërë të kota veprat e tyre”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ata e panë si të shëmtuar atë që e zbriti Allahu në lidhje me Aliun. Edhe Ai ua ka bërë të kota veprat e tyre”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 15
“Shembulli i xhenetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm), në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar. Aty kanë edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre. A është e njëjtë kjo me atë që është përgjithmonë në zjarr dhe që i shuhet etja me ujë të valë, që ua copëton zorrët e tij?”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Fillimi i këtij ajeti ka zbritur në lidhje me Aliun, pasardhësit dhe shiitët e tij. Sepse, ata janë të ruajturit dhe që janë falë nga ana e Allahut”
Fundi i ajetit ka zbritur në lidhje me armiqtë e tyre.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 16
“Prej tyre (sahabeve) ka të tillë që vijnë të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u drejtohen atyre që kanë dije dhe u thonë: ‘Çka tha ai më parë?’ Ata janë zemrat e të cilëve i ka vulosur Allahu dhe ata udhëhiqen pas dëshirave të veta”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ka thënë:
“Ne rrinim përpara Resulullahut (s.a.v.) dhe e dëgjonim atë në lidhje me shpalljen por asnjëri përveç meje nuk i mbante në mend atë që tregonte ai. Kur dilnin jashtë, ata më pyetnin: Çka tha ai më parë?”
A keni parë ndonjë hadith nga Ebu Bekri apo Ymeri të cilën e transmetojnë Ebu Bekri dhe Ymeri?
Tevili dhe tefsiri i ajetit 17
“Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton më shumë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe ua jep devotshmëri”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Dashuria e jonë ua jep frymëzim zemrave të shiitëve të Ehli Bejtit. A nuk e shihni se çka pëson një person që nuk na sheh e dëgjon neve për shkak të qëndrimit të tij ndaj dashurisë dhe tërësisë sonë? Por, në lidhje me këta persona ka zbritur ky ajet: “Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton më shumë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe ua jep devotshmëri” Gjegjësisht, atyre që jetojnë në kohën tonë, që na shohin e dëgjojnë, atyre ua shton edhe më tepër udhëzimin.
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 22-23
“A pritet prej jush që nëse e merrni sundimin të bëni trazira në tokë dhe të ndërpritni lidhjet farefisnore? Të tillët janë që Allahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verboi të parit e tyre”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ymer bin Hattabi u takua me Aliun (a.s) gjatë rrugës, dhe i tha: ‘Ti paske lexuar njerëzve disa ajete duke thënë se ato ajete kanë të bëjnë me mua dhe pronarin tim (Ebu Bekrin)’ Imam Aliu iu përgjigj: ‘Po ta lexoj një ajet për Emevitët dhe ti mbaje mend këtë: A pritet prej jush që nëse e merrni sundimin të bëni trazira në tokë dhe të ndërpritni lidhjet farefisnore? Ymeri tha: ‘Po gënjen! Emevitët janë ende në lidhje farefisnore me ju, Hashimitët. Por, kjo ka të bëjë vetëm me armiqësinë tënde ndaj Timovitëve, Udejitëve dhe Emevitëve”
Shpjegim:
Timovitët janë fisi i Ebu Bekrit. Udejitët janë fisi i Ymerit dhe Emevitët janë fisi i Muavijes. Ajo që na tërheq vëmendjen këtu është se Ymeri mundohet që t’i tregojë Emevitët si më të virtytshëm sesa Hashmitët. Ndërsa, sipas rrëfimeve sahih, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë se Hashimitët janë të zgjedhurit e Kurejshëve. Edhe i Dërguari (s.a.v.) ishte nga Hashimitët. Për Ymerin ka kuptim dhënia e epërsisë Emevitëve idhujtar ndaj Hashimitëve që besonin në një Zot sepse edhe ai bashkë me ata ishte armiku i Hashimitëve.
Në lidhje me këtë ajet Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në lidhje me Beni Hashimin dhe Beni Umejjen”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 25
“Nuk ka dyshim se i mashtroi shejtani ata që u kthyen prapa pasi që u ishte sqaruar rruga e drejtë dhe ua kishte dhënë shpresë atyre”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Udhëzimi është rruga e Aliut (a.s)! Rruga e dytë është rruga e Shejtanit. Sepse, ai e largoi kalifatin nga Imam Aliu dhe ua dha shpresë Emevitëve që të vijnë te kalifati mbas tij”
Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “
Tre të parët (Ebu Bekri, Ymeri dhe Osmani) janë kthyer nga imani i tyre për ta braktisur Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun (a.s)”
Këtu, kthimi nga imani, na bën me dije se Ehli Bejti është anija e vetme shpëtuese dhe vendstrehimi i ymmetit. Sipas rrëfimeve sahih të të Dërguarit (s.a.v.), Ehli Bejtin e tij e ka krahasuar me anijen e Nuhut (a.s). Sigurisht, se ata që nuk kanë hipur në atë anije janë kthyer nga imani i tyre. Po ashtu, Imam Aliun (a.s) ia ka paraqitur këtij ymmeti sikur Harunin (a.s). Sigurisht, se ai që e braktis Harunin (a.s) është kthyer nga imani dhe është bërë prej atyre që e adhurojnë lopën. Askush të mos dyshojë në lidhje me këtë sepse ne jemi duke folur në bazë të rrëfimeve sahih.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 26
“Kjo është kështu. Ndërsa, ata që e konsideruan si të shëmtuar atë që e ka zbritur Allahu, thanë: Ne do t'ju dëgjojmë juve për disa çështje! Po Allahu i di fshehtësitë e tyre”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ata që deshën ta braktisin velajetin e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (tre të partë dhe sahabet e tyre), e dinin se edhe Emevitët e shihnin velajetin e Aliut (a.s) si të shëmtuar, prandaj ia kishin dhënë fjalën atyre se edhe ata do ta marrin hisen e tyre në këtë çështje. Kështu që Emevitët kishin kuptuar se nuk do t’ia japin hakun e dhënë Ehli Bejtit nga ana e Allahut si dhe një të pestën e fitimit”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 28
“Sepse, ata e ndoqën rrugën e cila e zemëron Allahun dhe i pëlqyen gjërat të cilat i pëlqen Ai. Prandaj, Ai ua asgjësoi veprat e tyre”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ata e panë si të shëmtuar urdhrin që zbriti në lidhje me velajetin e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s). Por, lidhja për velajetin e Aliut është një urdhër që e nxit pëlqimin e Allahut dhe të pejgamberit të Tij. Edhe Pejgamberi (s.a.v.) ka bërë me dije në shumë vende për kalifatin e Aliut”.
Në këtë ajet, Allahu i drejtohet një grupi të myslimanëve. Ajeti nuk ka të bëjë me idhujtarët, krishterët apo hebrenjtë. Nëse mendojnë në këtë mënyrë atëherë do të kuptojmë rëndësinë e këtij ajeti.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 29
“A menduan ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje, se Allahu nuk do të zbulojë urrejtjen e tyre?”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Në ditën e Gadir Humit, Resulullahu (s.a.v.) e emëroi Imam Aliu (a.s) si kalifin e tij dhe disa sahabe biseduan në mes veti: ‘Çka po mendon se është duke bërë ky me ngritjen e dorës së djalit të axhës së tij, athua po e emëron atë si kalif?’ Për këtë arsye zbriti ky ajet”
Në një rrëfim të shquar, i Dërguari (s.a.v.) ishte duke shëtitur me Imam Aliun (a.s) në një kopsht dhe përnjëherë filloi që të vajtojë. Imami e pyeti për shkakun e vajtimit dhe ai tha:
“Më ra ndër mend për ata nga ymmeti im që janë duke ushqyer urrejtje ndaj teje, që këtë urrejtje kundër teje do ta tregojnë vetëm mbas meje!” Imami tha: “A do të bëhet kjo për shkak të qëndrimit tim në fe”. I Dërguari (s.a.v.) tha ‘Po’.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 30
“E sikur të kishim dashur Ne, do t'i tregonim ty se kush janë ata (që kanë sëmundje në zemrat e tyre), e do t'i njihje nga fytyrat e tyre. Me të vërtetë, ti do t'i njohësh përmes mënyrës së fjalës së tyre, e Allahu i di veprat tuaja”
Një person i tha Imam Xhafer Sadikut:
“Huzejfe el Jemmani i njihte dymbëdhjetë mynafikët!” Imami iu përgjigj: “Në kohën e tij Huzejfe i njihte vetëm dymbëdhjetë prej tyre ndërsa në këtë kohë ti i njeh dymbëdhjetë mijë. Sepse, mynafikët për të cilët bëhet fjalë në këtë ajet, njiheshin përmes urrejtjes së tyre kundër Ali bin Ebi Talibit. Kjo është kështu, për hakun e Zotit të kësaj Qabeje!”
Gjegjësisht, mynafikët që kanë jetuar në kohën e të Dërguarit (s.a.v.) njiheshin përmes urrejtjes që kishin kundër Imam Aliut (a.s). Sikur që na bën të qartë edhe ajeti, këta mynafik ishin personat që ndodheshin afër tij. Përndryshe, i Dërguari (s.a.v.) nuk do të mund t’i njihte ata përmes mënyrës së fjalës së tyre!
Sikur që treguam edhe më herët, pejgamberi e kishte dërguar Imam Aliun me një ushtri në Jemen, në mesin e të cilit ishte edhe Halidi. Në librat e synnitëve Halidi njihet si “Shpata e Allahut”. Halidi është ai person që e dërgoi Burejden në Medine për t’u ankuar në lidhje me Imam Aliun dhe sahabet e pritën atë në Medine. Të gjithë i thanë atij që të shkojë te i Dërguari (s.a.v.) dhe t’i ankohet në lidhje me Imam Aliun, ashtu që t’i dalë nga syri i tij. A mund të përputhet kërkesa e tyre me dashurinë ndaj Imam Aliut?
A mund të përputhet kërkesa e Halidit me dashurinë ndaj Imam Aliut, i cili dërgoi në Medine një person në mënyrë të fshehtë nga ai? Sikur që dashuria ndaj Imam Aliut është shenja e imanit ashtu edhe urrejtja ndaj tij është shenja e dyfytyrësisë. Duhet të dimë mirë se sahabet kanë pasur kaq shumë dyfytyrësi mbi vete! Ka pasur shumë sahabe që edhe gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.) nuk ushqenin aspak dashuri ndaj tij. Kjo është një e vërtetë historike.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 33
“O ju besimtarë, nënshtrohuni Allahut dhe nënshtrohuni pejgamberit, e mos i çoni kot veprat tuaja!”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“A mund të shkojnë kot veprat e atyre që i nënshtrohen Allahut dhe të dërguarit të Tij? Padyshim që armiqësia e ushqyer ndaj neve mund t’i çojë kot të gjitha veprat e tyre”
Edhe gjendja e ditëve të sodit është e njëjtë. Myslimanët janë duke garuar për të treguar nënshtrimin e tyre ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Por, kësaj gare janë duke iu bashkuar nën emrat e atyre që janë armiqtë e Ehli Bejtit. Sigurisht që në një rast të tillë, të gjitha veprat e tyre do të shkojnë kot. Zaten, janë duke shkuar kot; a nuk jeni duke e parë?
Këtu përfundon sureja Muhamed. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë dhe mbi Ehli Bejt e tij të pastër.