Sureja Zuhruf
Tevili dhe tefsiri i ajetit 4
“Ai është në librin amzë te Ne, gëzon famë të lartë dhe është plot urtësi”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Rruga e drejtë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, dhe ai është në librin amzë, gëzon famë të lartë dhe është plot urtësi”
E pyetën Imam Ali er-Ridanë:
“Ku është përmendur Ali bin Ebi Talibi në librin amzë (suren Fatiha)?” Imami u përgjigj: “Në librin amzë shkruan: Udhëzona në rrugën e drejtë dhe këtu i drejtohet me lutje Aliut”
Asbag bin Nabate rrëfen:
“Kishim shkruar bashkë Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun, për ta vizituar Sa’sa’a bin Suhanin, i cili ishte i sëmurë. Kur mbërriti në shtëpinë e tij, e pamë se ai ishte i shtrirë. Kur na pa neve, Sa’sa na priti i gëzuar sikur të ishte pakësuar sëmundja e tij. Urdhëruesi i Besimtarëve tha: ‘Betohem në Allah se ty të njoh si njërin që i jep pak rëndësi gojës së tij dhe që i jep më shumë rëndësi ndihmës’.
Sa’sa tha: ‘O Urdhëruesi i Besimtarëve! Betohem në Allah, se unë ty të njoh si njërin të dijshëm te Allahu dhe që me syrin e tij e sheh Allahun si të Madhëruar. Ti gëzon famë të lartë dhe urtësi në librin e Allahut! Ti je i mëshirshëm dhe falës ndaj besimtarëve”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 28
“Dhe ai e la të përjetshme atë fjalë të bashkimit ndër pasardhësit e vet, me shpresë që ata të kthehen prej rrugës së gabuar në rrugën e drejtë”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Resulullahu (s.a.v.) është prej pasardhësve të Ibrahimit. Ndërsa, ne Ehli Bejti jemi pasardhësit edhe të Ibrahimit (a.s) edhe të Muhamedit (s.a.v.)”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Fjala e bashkimit është Imameti. Imameti do të qëndrojë te pasardhësit e Imam Hysejnit deri në ditën e Kiametit. Do të kalojë nga babai te djali dhe në asnjë kohë nuk do të kalojë te vëllai apo axha. Kur të ndahen prej kësaj bote, padyshim që Imamët do ta lënë një fëmijë në vendin e tyre”.
Mufaddal bin Umari, njëri prej sahabeve më të afërm të Imam Xhafer Sadikut, e kishte pyetur Imamin në lidhje me këtë ajet, dhe ai u përgjigj:
“Fjala e bashkimit që e ka lënë te pasardhësit e tij është Imameti! Allahu ia ka dhënë Imametin pasardhësve të Imam Hysejnit deri në ditën e Kiametit”. Mufaddali e pyeti: “O Djali i Resulullahut! A mund të më shpjegosh se si Imameti do të mbetet vetëm te pasardhësit e Imam Hysejnit duke i përjashtuar pasardhësit e Imam Hasanit?
Sepse, Hasani dhe Hysejni janë djemtë e Resulullahut, pasardhësit e tij dhe zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit”.
Imami u përgjigj: “O Mufaddal! Allahu e zgjodhi si pejgamber Musën dhe Harunin por pasardhësit vazhduan prej Harunit. A është e drejtë që ndonjëri të pyet se pse ka vepruar kështu Allahu? Edhe çështja e Imametit është e njëjtë. Ky është kalifati i Allahut të Madhëruar që asnjëri nuk ka drejtë të pyes se pse ia ka dhënë këtë pasardhësve të Hysejnit dhe pse nuk ia ka dhënë pasardhësve të Imam Hasanit.
Sepse, vetëm Allahu pyetet për të bërat e Tij. “Ai nuk pyetet se çka punon, po ata pyeten për të bërat e tyre” (Enbija, 23)
Resulullahun (s.a.v.) e pyetën në lidhje me këtë ajet, dhe ai tha:
“Allahu i Madhëruar ia ka falur kalifatin pasardhësve të Hysejnit. Prej tyre do të dalin nëntë Imam dhe Mehdiu i këtij ymmeti do të jetë i fundit prej tyre. Nëse njëri vdes në rrethinën e Bejtullahut dhe del përpara Allahut me urrejtje kundër Ehli Bejtit tim, ai do të hidhet në Xhehenem”
Imam Xhafer Sadikun e pyetën:
“A është më i virtytshëm Hasani apo Hysejni?” Imami u përgjigj: “Hasani është më i virtytshëm sesa Hysejni”.
Pastaj, e pyetën: “Atëherë, pse Imameti po vazhdon prej pasardhësve të Hysejnit dhe jo prej pasardhësve të Hasanit?” Imami u përgjigj: “Allahu i Madhëruar e ka vazhduar synnetin e Musës e të Harunit përmes Hasanit dhe Hysejnit. A nuk e sheh se sikur që Musa dhe Haruni ishin ortak në profetësi ashtu edhe Hasani dhe Hysejni ishin ortak në imamet?
Por, Allahu i Madhëruar e vazhdoi profetësinë prej pasardhësve të Harunit dhe jo prej pasardhësve të Musës.
Kjo u bë kështu sepse Musa ishte më i virtytshëm sesa Haruni”. Pastaj, e pyetën: “A është e mundur që të dytë të bëhen Imam njëkohësisht?” Imami tha: “Jo, vetëm nëse njëri hesht dhe e fal namazin mbrapa tij. Por, nuk është e mundur që njëkohësisht të dytë të jenë pronarë të Imametit dhe të fjalës”.
Pastaj, e pyetën: “A do t’i takojë Imameti të dy vëllezërve mbas Hasanit dhe Hysejnit?”
Imami tha: “Jo, Imameti do të vazhdojë vetëm prej pasardhësve të Hysejnit. Sikur që ka thënë Allahu i Madhëruar: Dhe ai e la të përjetshme atë fjalë të bashkimit ndër pasardhësit e vet. Kjo do të vazhdojë kështu deri në ditën e Kiametit!”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 39
“Dhe sot, për shkak se ishit zullumqarë, pendimi i juaj nuk do t'ju bëjë dobi. Padyshim që do të jeni ortak në ndëshkim”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Kuptimi i ajetit është ky:
Dhe sot, për shkak se ishit zullumqarë dhe kishit bërë zullum kalifatit të Al-i Muhamedit (s.a.v.), pendimi i juaj nuk do t'ju bëjë dobi. Padyshim që do të jeni ortak në ndëshkim”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 41
“E, nëse të tërheqim ty prej tyre, Ne patjetër do t'u hakmerremi atyre”
Xhabir bin Abdullahu rrëfen:
“Gjatë Haxhit lamtumirës, unë qëndroja më së afërmi të Dërguarit (s.a.v.). Unë e dëgjova atë duke thënë: “Keni kujdes që mbas meje të mos bëheni jobesimtar dhe të mos i goditni qafat e njëri tjetrit!
Nëse e bëni këtë, atëherë do të më shihni në mesin e një grupi që do të luftojë kundër juve!”
Pastaj, shikoi mbrapa dhe vazhdoi: “Ose, do ta shihni Aliun, do ta shihni Aliun, do ta shihni Aliun!”. E pamë se Xhebraili (a.s) ia bëri me shenjë të Dërguarit (s.a.v.). Atëherë, Allahu i Madhëruar tha: “E, nëse të tërheqim ty prej tyre, Ne patjetër do t'u hakmerremi atyre”. Gjegjësisht, do të hakmerremi përmes Ali bin Ebi Talibit”
Në një rrëfim tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Xhebraili më ka njoftuar se hakmarrja do të bëhet përmes Aliut”
Abdullah bin Abbasi rrëfen:
Njëri prej shkaqeve më të mëdha të shfaqjes së xhelozisë ndaj Aliut (a.s) ishte kur Resulullahu (s.a.v.) iu drejtua Kurejshëve përpara Aliut (a.s) me këto fjalë: “O grupi i Kurejshëve! Nëse devijoni në pabesim mbas meje, do të më gjeni në mesin e një grupi të ushtarëve që do të luftojnë kundër juve duke i goditur fytyrat e juaja me shpata”.
Sapo e tha këtë, zbriti Xhebraili (a.s) dhe tha: “O Muhamed! Thuaj: Inshallah unë ose Aliu do të luftojmë kundër juve!”
Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) e përsëriti edhe një herë: “Inshallah, unë ose Aliu”.
Resulullahu (s.a.v.) kishte bërë me dije se mbas tij Aliu do të luftojë për tevilin e Kuranit. Njëjtë sikur që vetë ka luftuar kundër idhujtarëve gjatë zbritjes së Kuranit. Duke qenë prezent të gjitha këto hadithe që na e qartësojnë këtë çështje, ne çuditemi se si vëllezërit tanë synnit nuk mund ta shohin të vërtetën. Janë të njohur emrat e të gjithë atyre që kanë luftuar kundër Imam Aliut gjatë historisë.
Askush nuk dyshon në identitetin e tyre. Përkundër kësaj qartësie nuk është e mundur që të kuptojmë se si është dhënë arsyetimi i ixhtihadit për ata që kanë luftuar kundër Imam Aliut. Padyshim se kanë luftuar kundër pejgamberit ata që kanë luftuar kundër Imam Aliut mbas pejgamberit tonë Muhamedit (s.a.v.). Pejgamberi ynë ka thënë në një hadith sahih: “O Ali! Ai që ka luftuar kundër teje, ka luftuar kundër meje. Dhe, ai që ka luftuar kundër meje, do të hidhet në Xhehenem nga ana e Allahut”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 43
“Andaj, ti përmbaju asaj që po të shpallet, e s'ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Allahu i Madhëruar ia shpalli Resulullahut (s.a.v.): “O Muhamed! Përmbaju asaj që po të shpallet në lidhje me e hakun e Ali bin Ebi Talibit. Padyshim se ti je në rrugën e drejtë përmes velajetit të Ali bin Ebi Talibit. Rruga e drejtë është Ali bin Ebi Talibi!”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 44
“Më e drejta është ky: është një lëvdatë për ty dhe për popullin tënd. Për këtë do të përgjigjeni më vonë”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Në këtë ajet bëhet fjalë për neve. Ne jemi të denjë për lëvdatë dhe ju do të përgjigjeni në lidhje me këtë”.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 45
“E ti pyeti ata të dërguarit që i dërguam para teje”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“Kur shkova në Miraxh, një engjëll erdhi dhe më tha: O Muhamed! Pyeti të dërguarit që janë dërguar para teje se me çfarë baze janë dërguar! Unë i pyeta dhe të gjithë ata u përgjigjën njëzëri: Ne jemi dërguar në bazën tënde dhe të velajetit të Ali bin Ebi Talibit”
Imam Ali er-Rida ka thënë:
“Velajeti i Aliut është shkruar në të gjitha librat e pejgamberëve. Të gjithë pejgamberët që janë dërguar, janë dërguar në bazë të profetësisë së Resulullahut dhe të velajetit të Aliut”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Velajeti ynë është velajeti i Allahut. Në bazë të këtij velajeti janë dërguar të gjithë pejgamberët."
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë.
“O Xhabir! Cila vëllazëri është më e virtytshme?” Xhabiri u përgjigj: “Vëllazëria prej nënës dhe babës së njëjtë është më e virtytshme”. Resulullahu (s.a.v.) tha: “Ne, i gjithë grupi i pejgamberëve jemi vëllezër. Unë jam më i virtytshmi prej mesit të tyre.
Prej mesit të vëllezërve, më i dashuri për mua është Ali bin Ebi Talibi. Për mua, ai është më i virtytshëm sesa të gjithë të dërguarit! Kush thotë se të dërguarit janë më të virtytshëm sesa Aliu, ai e ka poshtëruar pozitën time. Kush e poshtëron pozitën time, është bërë jobesimtar. Sepse, unë e kam bërë vëlla Aliun, sipas urdhrit të Aliut, kur u bë i njohur për mua virtyti i Aliut”
Në një vend tjetër, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Unë jam pejgamberi i Allahut që i kumton urdhrat e Allahut. Ndërsa, ti je fytyra e përkryer plotësuese e Allahut. Nuk ekziston askush tjetër që është i barabartë me mua, përveç teje, dhe nuk ekziston askush tjetër që është i barabartë me ty, përveç meje”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 57
“Kur iu përmend popullit tënd si shembull biri i Merjemes, ata brohoritën”
Resulullahu (s.a.v.) ishte ulur bashkë me sahabet dhe tha:
“Së shpejti do të vijë në mesin tonë njëri që i ngjashëm me Isën, birin e Merjemes (a.s), e ymmetit tim!” Mbas pak erdhi Ebu Bekri dhe ata pyetën: “A është ky ai person” dhe Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Jo’. Pastaj erdhi Ymeri dhe ata pyetën: “A është ky ai person” dhe Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Jo’. Më vonë erdhi Imam Aliu dhe ata prapë pyetën: “A është ky ai person” dhe Resulullahu (s.a.v.) tha: “Po, ky është ai!” Sahabet e pranishëm thanë: “Më mirë që ta adhurojmë Latin dhe Uzatin sesa këtë person!”. Atëherë, u shpallë ky ajet nga ana e Allahut: “Kur iu përmend popullit tënd si shembull biri i Merjemes, ata brohoritën”
Një ditë, shkuan te Resulullahu (s.a.v.) një grup i njerëzve dhe i thanë:
“O Muhamed! Isa, i biri i Merjemes, në kohën e tij i ringjallte njerëzit. Na i ringjall edhe ti njerëzit që të mund të shohim”. Resulullahu (s.a.v.) i pyeti: “Cilin dëshironi që ta ringjalli?”
Ata thanë: “Njërin që ka vdekur para një kohe të shkurtër” Resulullahu (s.a.v.) e thirri Imam Aliun dhe i foli atij disa fjalë që të pranishmit nuk kuptuan asgjë nga ajo që i tha, dhe pastaj tha: “Shko bashkë me këta te vendi ku është varrosur personi që ka vdekur dhe thirre sipas emrit të nënës dhe babait të tij”. Imam Ali shkoi me ata te varri i atij personi dhe e thirri me emrat e prindërve të tij.
Sapo e dëgjoi këtë, i vdekuri u qua në këmbë. Ata i parashtruan disa pyetje personit të vdekur dhe pastaj i vdekuri u shtri prapë në varr. Duke u kthyer mbrapa, grupi njerëzve thanë: “Këta djem të Abdyl Myttalibit merren me punë të çuditshme”. Atëherë, Allahu e shpalli ajetin e mësipërm."
Në një vend tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Ti ke ngjashmëri me Isën, djalin e Merjemes. Sikur të mos kisha frikë se ndonjë grup brenda ymmetit tim të mos thonë ty atë çka i kanë thënë krishterët Isës, birit të Merjemes, unë do të kisha folur për ty disa fjalë sa që çdo grup i njerëzve që do të kishin kaluar afër teje do të kishin marrë dheun nën këmbët e tua si mjet të bereqetit!”
Disa prej sahabeve që ishin të pranishëm biseduan në mes veti dhe pastaj i thanë të Dërguarit (s.a.v.): “A nuk ke mundur që të gjesh ndonjë gjë tjetër për djalin e axhës tënde përveç se të marrësh si shembull të bijve të Israelit?”
Atëherë, zbriti ky ajet:
“Kur iu përmend popullit tënd si shembull biri i Merjemes, ata brohoritën. Dhe thanë: A janë më të mirë zotat tanë apo ai? Ata nuk të kanë thënë kështu vetëm për të bërë polemikë. Por ata janë një popull ngatërrestarë. Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob, të cilin e bëmë pejgamber dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm si përvojë për Beni Israilët. Sikur të duam Ne, do të bënim prej jush (Beni Hashimit) engjëj që do t'ju zëvendësonin në tokë”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 61
“Zbritja e tij nga qielli është parashenjë e kiametit, pra kurrsesi mos dyshoni në lidhje me kiametin dhe tregoni bindje ndaj meje; kjo është rruga e drejtë”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Ai që do ta bëjë të njohur afrimin e Kiametit, është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s)”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Ti je dituria e këtij ymmeti. Do të shpëtojë ai që të ndjek ty dhe do të shkatërrohet ai që heq dorë prej teje”
Askush të mos dyshojë në atë se para Kiametit do ta shohim Ehli Bejtin. Sepse, ky urdhër ka filluar me ata dhe do të përfundojë me ata”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 66
“A nuk janë duke pritur tjetër përveç orës (kiametit), që do t'u vijë befas duke mos e hetuar fare”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ora që pritet që të vijë befas është Mehdiu (a.s)”
Allahu i Madhëruar na tregon për gjendjen e asaj ore:
“Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të devotshëm”
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 74-76
“Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehenemit. Atyre nuk u lehtësohet vuajtja dhe aty do të mbesin plotësisht të pashpresë. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë të padrejtë”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Ata që nuk e pranojnë velajetin e Ehli Bejtit do ta shijojnë vuajtjen e Xhehenemit. Dhe, kur do të thonë se kjo është një padrejtësi për ata nga ana e Allahut, atyre do t’u thuhet: “Ju keni bërë padrejtësi vetvetes duke hequr dorë nga velajeti i Ehli Bejtit të pejgamberit”
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 79-80
“A mos vendosët për ndonjë çështje? Por edhe Ne kemi vendosur. A mendojnë se Ne nuk i dëgjojmë fshehtësitë dhe bisedën e fshehta midis tyre? Jo nuk është ashtu dhe të dërguarit tanë që janë pranë tyre, shkruajnë”
Resulullahu (s.a.v.) i tha disa sahabeve:
“Jepjani betimin dhe përshëndeteni Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve!” Njëri prej sahabeve tha: “Betohem në Allah se profetësia dhe kalifati nuk do të bashkohen në asnjë kohë te Ehli Bejti”. Atëherë, zbritën dy ajete. Sipas një rrëfimi sahih, Ymer bin Hattabi i kishte thënë Abdullah bin Abbasit: “A e di se pse nuk kemi dhënë kalifatin juve (Aliut)! Sepse, ata nuk mundën të durojë që profetësia dhe kalifati të bashkohen te ju, Beni Hashimi!”
Këtu Ymeri nuk e ka përfshirë veten me ‘ata’. Por, ai ka qenë në krye të tyre dhe këtë na e dëshmon historia. Sepse, premtimin e Ebu Bekrit e ka siguruar Ymeri!
Abdullah bin Abbasi rrëfen:
“I Dërguari (s.a.v.) kishte kërkuar prej ymmetit që tij që të betohen dy herë në lidhje me kalifatin e Aliut (a.s). Herën e parë i kishte thënë sahabeve: “ A e dini se kush do të jetë prijësi i juaj mbas meje?” Sahabet i thanë: “Këtë e di më së miri Allahu dhe i dërguari i Tij” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Prijësi i juaj mbas meje është Ali bin Ebi Talibi”. Herën e dytë kishte emëruar Ali bin Ebi Talibin si kalif në një vend të quajtur Gadir Hum, duke thënë: “Prijësi i kujt jam unë, edhe Aliu është prijësi i tij”.
Disa sahabe që ndodheshin aty, u përbetuan në mes veti në këtë mënyrë: “Sigurisht që këtë çështje nuk do t’ia japim pronarit të tij (Imam Aliut dhe pasardhësve të tij). Edhe dhënien e një të pestës së mallit që u takon atyre do ta ndërpresim!” Për t’ia me dije të Dërguarit (s.a.v.) gjendjen e tyre, Allahu i Madhëruar shpalli:
“A mos vendosët për ndonjë çështje? Por edhe Ne kemi vendosur. A mendojnë se Ne nuk i dëgjojmë fshehtësitë dhe bisedën e fshehta midis tyre? Jo nuk është ashtu dhe të dërguarit tanë që janë pranë tyre, shkruajnë”
Me ndihmën e Allahut këtu përfundon sureja Zuhruf. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.