Sureja Sebe
Tevili dhe tefsiri i ajetit 18
“Dhe, në mes tyre dhe mes qyteteve të bekuara, ju bëmë qytete që mund të shihen. Dhe ju bëmë vende të përshtatshme për udhëtim. Udhëtoni të sigurt nëpër to natën e ditën”
Mehdiu (a.s) i kishte shkruar shiitëve në një letër në lidhje me këtë ajet:
“Betohem në Allah se qytetet e bekuara jemi ne Ehli Bejti! Ndërsa, qytetet që mund të shihen jeni ju, shiitët tanë!”
Një ditë, Hasan ul-Basri shkoi te Imam Muhamed el-Bakiri dhe Imami e pyeti atë:
“Sipas asaj që jam i informuar, ti je duke i interpretuar ajetet e Kuranit shumë larg prej kuptimit të tyre të vërtetë! Nëse me të vërtetë je duke vepruar në këtë mënyrë, atëherë ti je shkatërruar dhe bashkë me ty edhe ata që të ndjekin!”
Hasan ul-Basri iu përgjigj: “Prindërit e mijë u flijofshin për ty, për cilin ajet e keni fjalën?”
Imami i tha: “Për këtë fjalë të Allahut: “Dhe, në mes tyre dhe mes qyteteve të bekuara, ju bëmë qytete që mund të shihen. Dhe ju bëmë vende të përshtatshme për udhëtim. Udhëtoni të sigurt nëpër to natën e ditën”.
Mjerë për ty o Hasan! Si e interpreton këtë si largësinë në mes Mekes dhe Medinës, kur në mes këtyre dy qyteteve janë duke i plaçkitur mallrat e udhëtarëve dhe disa prej tyre edhe i vrasin?”
Mbasi që heshti për një kohë, e vendosi dorën e tij mbi gjoksin e tij dhe tha: “Ne jemi qytetet që Allahu i ka bekuar!”
Hasan ul-Basri pyeti: “U flijoftë shpirti im për ty, a e ke gjetur në librin e Allahut që qytetet të jenë njerëzit (rixhal)?”
Imami iu përgjigj: “Po, kam gjetur! Allahu thotë në këtë ajet: “Sa qytete janë që ishin kryeneçë ndaj urdhrit të Zotit të vet dhe ndaj të dërguarve të Tij, dhe që Ne i kemi shpërblyer me një llogari të ashpër dhe i kemi ndëshkuar me një dënim të papërshkrueshëm (Talak, 8).
O Hasan! A janë muret e qyteteve që i kanë kundërshtuar urdhrat e Allahut, apo shtëpitë, apo rixhalët që gjenden brenda tyre?”
Hasani iu përgjigj: “U flijoftë shpirti im për ty, më jep edhe shembuj tjerë!”
Imami tha: “A e ke dëgjuar fjalën e Allahut në suren Jusuf, ku thotë: “Ti pyete qytetin në të cilin kemi qenë, po ashtu edhe karvanin me të cilin kemi ardhur. Dhe, padyshim që jemi duke e thënë të vërtetën” (Jusuf, 82). A është qyteti, që duhet pyetur, karvani apo rixhalët që gjenden aty?”
Hasani tha: “U flijoftë shpirti im, më trego për qytetet që mund të shihen”.
Imami tha: “ Ata janë të dijetarët prej mesit të shiitëve tanë dhe udhëtoni të sigurt nëpër to natën e ditën! Gjegjësisht: vetëm në mesin e dijetarëve shiitë të Imamëve të Ehli Bejtit munden me qenë të sigurt myslimanët”
Në shumë vende të Kuranit, emri i rixhalëve përmendet në mënyrë simbolike, njëjtë sikur që përmendet në mënyrë simbolike Ehli Bejti i Resulullahut (s.a.v.) përmes anijes së Nuhut (a.s) dhe derës së shpëtimit (hitta) të beni Israelëve. Përfundimi që del nga kjo është e qartë: kush dëshiron që të shpëtojë prej mospajtimeve e kundërshtimeve duhet që mbas Resulullahut (s.a.v.) të mbahet për Ehli Bejtin e tij. Përndryshe, nuk kemi të bëjmë me ndonjë përmbytje mbas Resulullahut (s.a.v.), sikur që përmendet në hadithin e tij. Me përmbytje këtu nënkuptojmë mosmarrëveshjet dhe kundërshtimet që do të dalin sipas pikëpamjes së dallimeve në mendime. Zgjidhja e vetme e shpëtimit për këtë është lidhja për Imamët e Ehli Bejtit
Tevili dhe tefsiri i ajetit 20
“Me të vërtetë, Iblisi realizoi mendimin e vet ndaj tyre, ndaj edhe e dëgjuan atë, përpos një grupi besimtarësh”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Në Gadir Hum, Resulullahu (s.a.v.) e ngriti dorën e Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliut, dhe tha: ‘I epërmi i kujt jam unë dhe mbi të cilin vlen velajeti im, edhe Aliu është i epërmi i tij dhe do të vlejë velajeti i Aliut’.
Aty gjendeshin Iblisi (Mallkimi i Allahut qoftë mbi të) dhe ushtarët e tij.
Ushtarët i thanë atij: ‘Me të vërtetë, ti nuk na ke dhënë një lajm të tillë! Ti na ke thënë se mbas ndërrimit jetë të Resulullahut, sahabet nuk do ta zbatojnë këtë urdhër të tij (nuk do t’ia japin kalifatin Aliut), se do ta marrin prej dorës së tij dhe se do të kalojë prej njërit te tjetri’
Iblisi u tha atyre: ‘Shpërndahuni, sahabet e Resulullahut më kanë dhënë fjalën se nuk do të zbatojnë urdhrin (kalifatin) e tij!’
Këtë na e vërteton fjala e Allahut nga Kurani: “Me të vërtetë, Iblisi realizoi mendimin e vet ndaj tyre, ndaj edhe e dëgjuan atë, përpos një grupi besimtarësh”. Grupi që nuk iu nënshtrua Iblisit ishin shiitët e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut.
Mbas të dërguarit, disa sahabe kishin bërë marrëveshje në mes veti që ta largojnë Imam Aliun prej kalifatit dhe që ta përcjellin kalifatin prej njëri te tjetri. Këtë e kishte parë Iblisi dhe i kishte thënë ushtarëve të tij: “O populli im! Gëzohuni që përderisa të paraqitet Imami i vërtetë, nuk do t’i nënshtrohen Allahut”. Gjegjësisht, Imami i vërtetë është Imam Aliu dhe përderisa të paraqitet Imam Mehdiu (a.s), ymmeti do të gjykojë sipas gjykimeve të imamëve të pavërtetë. Deri në atë kohë, nuk do t’i nënshtrohet Allahut në mënyrë të duhur.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 23
“Dhe ndërmjetësimi nuk bën dobi te Ai, përveç i atij të cilit i jep leje”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Në ditën e Kiametit nuk do t’i jepet leje për ndërmjetësim asnjë pejgamberi para se t’i jepet leje Muhamedit (s.a.v.), sepse atij i ishte dhënë leja e ndërmjetësimit edhe në këtë botë. Leja për ndërmjetësim do të jepet së pari Resulullahut (s.a.v.), pastaj Imam Aliut (a.s) dhe pastaj Imamëve tjerë të Ehli Bejtit dhe pejgamberëve tjerë!”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Allahu mos ua mundësoftë ndërmjetësimin atyre që të mohojnë e të përgënjeshtrojnë ty!”
Kush shpreson në ndërmjetësimin e Resulullahut (s.a.v.), së pari le t’i nënshtrohet Imamëve të Ehli Bejtit. Përndryshe, kot do të pres ndërmjetësimin.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 46
“Thuaj: Unë ju këshilloj që të mendoni mirë për një gjë: Të mbeteni dy nga dy ose një nga një për hir të Allahut, e pastaj të kuptoni se shoku juaj nuk ka ndonjë çmendje. Ai nuk është tjetër veçse njëri që ju tërheq vërejtjen për një dënim të ashpër”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Kur Resulullahu (s.a.v.) e caktoi Imam Aliun si kalif të ymmetit në ditën e Gadir Humit, disa prej sahabeve biseduan në mes veti në këtë mënyrë: ‘Muhamedi po na thirr çdo ditë dhe po na jep urdhra të reja në lidhje me Ehli Bejtin e tij, duke i caktuar si udhëheqës mbi neve!’ Dhe, si pasojë e kësaj, Resulullahu (s.a.v.) na ka këshilluar velajetin e Imam Aliut. Të mbeteni dy nga dy për hir të Allahut do të thotë nënshtrimi ndaj Resulullahut (s.a.v.) dhe Aliut; të mbeteni një nga një për hir të Allahut do të thotë nënshtrimi ndaj Imamëve që do të vijnë mbas tyre”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Këshilla e Allahut në këtë ajet është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s)!”
Disa prej sahabeve kishin shkuar aq larg sa që i thoshin ‘i çmenduri’ të Dërguarit (s.a.v.) për shkak të interesimit të posaçëm që shfaqte në lidhje me Ehli Bejtin e tij. Këta sahabe nuk e kishin pëlqyer aspak caktimin e Imam Aliut nga ana e të Dërguarit (s.a.v.) si kalif dhe Imam. Dhe, këta e uzurpuan kalifatin prej personave të denjë, duke iu nënshtruar epshit të tyre.
Për ata lexues që nuk dëshirojnë që të pranojnë se sahabet nuk kanë folur fjalë të tilla, do të përmendim një informatë të mjaftueshme e të qartë në lidhje me këtë. Kjo informatë është marrë prej librave më burimor të dijetarëve synnit:
Disa ditë para se të ndërrojë jetë i Dërguari (s.a.v), ai shtrihej i sëmurë dhe iu drejtua sahabeve dhe Ehli Bejtit të tij: “Më sillni diçka për të shkruar, në mënyrë që të mund ta lë testamentin dhe të mos devijoni mbas meje!” Ehli Bejti dëshiroi që të sjellë atë që kërkoi i Dërguari (s.a.v) por Ymeri që ishte prezent aty, tha: “Pejgamberi është në agoni dhe nuk di se çka po flet!
Në dorë e kemi librin e Allahut dhe ai na mjafton neve!”
Nëse Ymeri, që ishte i njohur me drejtësinë e tij, i thotë para të Dërguarit (s.a.v.) se nuk di se çka po flet atëherë, nuk duhet që të mohojmë e të çuditemi se ka pasur të ngjashëm si ai, që mbrapa shpinës së të Dërguarit (s.a.v.) i thoshin atij ‘i çmendur ‘.
Këtë rrëfim mund ta lexoni në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit.
Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Sebe. Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dërguarin tonë Muhamed dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.