Sureja Ahzab

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 4 

“Allahu nuk krijoi dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu...”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s), ka thënë: 

“Në zemrën e çdo robi, të cilën Allahu e sprovon me iman, sigurisht ka dashuri dhe sinqeritet ndaj neve. Në zemrën e çdonjërit, me të cilin Allahu nuk është i kënaqur, sigurisht ka urrejtje ndaj neve. Prandaj, ne kemi gdhirë të lumtur për dashurinë e atyre që na dashurojnë dhe me kërkimin e faljes për ata. Dhe, ne i urrejmë ata që na urrejnë neve.

Ata që na dashurojnë neve, e arrijnë mëngjesin duke shpresuar në mëshirën e Allahut dhe ata i shohin dyert e mëshirës duke u hapur! Ndërsa, ata që na urrejnë e arrijnë mëngjesin duke qëndruar buzë greminës së zjarrit dhe shikojnë se si janë duke u rrëzuar brenda zjarrit.

Të lumtë për përfituesit të mëshirës që i kanë fituar ato grada dhe të lumtë për banorët e zjarrit që dënimi i tyre për shkak të bërave të tyre është me vend! Allahu i Madhëruar ka thënë në lidhje me këta: “Andaj, hyni në dyert e xhehenemit, aty do të jeni përjetë: sa vend i keq është vendi i kryelartëve!” (Nahl, 29). 

 

Kurrë nuk munden me qenë të njëjtë te Allahu ata që na duan neve dhe që na urrejnë neve. Nuk është e mundur që te një rob të ekzistojë njëkohësisht dashuria dhe urrejtja ndaj neve! Allahu nuk krijoi dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu, që me njërin të dashurojë dhe me tjetrin të urrejë!

Ata që na duan, le ta bazojnë dashurinë e tyre në sinqeritet, njëjtë sikur ari që shkrihet në zjarr dhe që pastrohet prej materialeve të tepërta. Ata që na urrejnë janë sikur këto materiale që ndahen nga ari. Ne jemi persona të zgjedhur dhe familja jonë është nga familja e pejgamberëve. Dhe, unë jam i besueshmi i besueshmëve! Grupi i ngatërrestarëve (Muavija dhe përkrahësit e tij) është pret grupit të shejtani. Dhe, shejtani është prej tyre.

Kush dëshiron që ta dijë dashurinë tonë, le ta sprovojë zemrën e tij. Nëse e bën ortak dashurinë tonë me dashurinë e armiqve tanë, ai nuk është prej neve dhe ne nuk jemi prej tij. Allahu, Xhebraili dhe Mikaili janë armiqtë e tij! Padyshim, Allahu është armiku i jobesimtarëve!”

 

Tani, do të përmendim edhe një rrëfim që do ta mbështesë këtë: Njëri shkoi te Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, dhe tha:

“Në zemrën time ndjejë dashuri për ty dhe për Muavijen!” Imami tha: “Betohem në Allah se ti je mynafik! Betohem në Allah që në zemrën e një besimtari nuk mund të qëndrojnë bashkë dashuria ndaj meje dhe ndaj armikut tim!”

 

Njëra prej çështjeve themelore të ndarjes që eksiton në mes synnitëve dhe alevitëve-shiit është se synnitët ndjejnë dashuri njëkohësisht edhe për Imam Aliun edhe për armiqtë e tij. Ndërsa, shiitët ndjejnë dashuri vetëm për Imam Aliun dhe për sahabet që janë miqtë e tij. Tani, besojmë se të dy grupet janë qartësuar.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 6 

“Pejgamberi është më i afërt për besimtarët se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre, (ai është poseduesi i velajetit dhe i urdhrit mbi ata)... ndërsa të afërmit, sipas dispozitave të Allahut, kanë më tepër përparësi ndaj njëri-tjetrit se sa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët...”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Më i afërmi i besimtarëve mbas pejgamberit është Aliu (a.s)!”

E kanë pyetur Imam Xhafer Sadikun: “Për kënd ka zbritur ky ajet?”

Imami iu përgjigj: “Për fëmijët e Hysejnit!”

Ai person e pyeti edhe një herë: “Shpirti im u flijoftë për ty, a janë ata më të afërt në lidhje me obligimet?” Imami iu përgjigj: “Jo”.

Personi e pyeti: “A ka të bëjë në lidhje me trashëgiminë?”

Imami iu përgjigj: “Jo, ata janë më të afërt ndaj vetë besimtarëve në lidhje me çështjen e urdhrit.

Kur zbriti ky ajet, Imam Hysejni e pyeti të Dërguarin (s.a.v.) në lidhje me tevilin e këtij ajeti, dhe i Dërguari (s.a.v.) u përgjigj:

“Betohem në Allah se ky ajet ka të bëjë vetëm me ju dhe me asnjërin tjetër. Ju jeni më të afërmit e njëri tjetrit. Mbasi që të ndërrojë jetë unë, më i afërmi i pozitës sime do të jetë babai yt, Aliu. Mbas tij, më i afërmi i kësaj pozite do të jetë vëllai yt Hasani.

Mbasi që të shkojë Hasani, ti do jesh më i afërmi i asaj pozite”.

Imam Hysejni e pyeti: “O Resulullah! Kush do të jetë më i afërmi i kësaj pozite mbas meje?”

Resulullahu (s.a.v.) tha:

 

“Mbas teje, më i afërmi i kësaj pozite do të jetë djali yt, Aliu (Zejnelabidini)!

Mbas tij, më i afërmi do të jetë djali i tij Muhamedi (Bakiri).

Mbasi që të kalojë koha e Muhamedit, më i afërmi i kësaj pozite do të jetë djali i tij, Xhaferi (Sadiku)! Mbasi që të shkojë Xhaferi, më i afërmi i kësaj pozite do të jetë djali i tij Musa (Kazimi)!

Mbasi që të shkojë Musa, djali i tij Aliu (Riza) do të jetë më i afërmi i kësaj pozite!

Mbas Aliu, do të vijë Muhamedi (Xhevadi) që do të jetë më i afërmi i kësaj pozite!

Mbas Muhamedit, më i afërmi i kësaj pozite do të jetë djali i tij Aliu (Hadi)!

Mbas Aliut, më i afërmi i kësaj pozite do të jetë djali i tij, Hasani!

Mbasi që të shkojë Hasani, koha e fshehtësisë do të fillojë me pasardhësin tënd të nëntë. Numri i këtyre Imamëve është nëntë dhe të gjithë janë pasardhësit e tuaj të drejtpërdrejt! Allahu i Madhëruar ua ka dhënë atyre diturinë dhe mirëkuptimin tim. Krijimi i tyre është krijimi im! Çfarë po ndodhë me popullin që janë duke më shkaktuar vështirësi? Allahu mos ua mundësoftë ndërmjetësimin tim!”

 

Gjatë haxhit lamtumirës, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: 

“O njerëz! A e dini se unë jam më i afërmi i juaj sesa ju vetë (poseduesi i velajetit dhe i urdhrit mbi ata)?” Të pranishmit thanë: “Po, e dimë o Resulullah!” Atëherë, Resulullahu (s.a.v.) e ngriti dorën e Imam Aliut dhe tha: “I afërmi i kujt jam unë, edhe ky Aliu është më i afërmi i tij”.

 

Është e palogjikshme që ta ndërrojmë kuptimin e fjalës i afërmi (mevla), që përmendet këtu. Kuptimi i kësaj fjalie që përmendet këtu është se Imam Aliu është poseduesi i velajetit dhe i urdhrit ndaj të gjithë besimtarëve.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 25 

“Allahu i mjaftoi besimtarëve gjatë luftës. Allahu është i Fuqishëm, i Lartësuar”

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Abdullah bin Mesudi, këtë ajet e lexonte në këtë mënyrë: “Allahu i mjaftoi besimtarëve gjatë luftës përmes Aliut. Allahu është i Fuqishëm, i Lartësuar”

Po ashtu, ekziston edhe një rrëfim i ngjashëm nga Imam Xhafer Sadiku. Sipas pikëpamjes së historisë, shkaku i zbritjes së këtij ajeti është ky:

 

“Për t’u mbrojtur nga sherri i armiqve, Resulullahu (s.a.v.) kishte pranuar propozimin e Selman Farisiut për të hapur një hendek përreth qytetit të Medines dhe kishte dhënë urdhër për një gjë të tillë. Prej kësaj rrjedh edhe emri i kësaj lufte, lufta e Hendekut. Kur mbërritën paganët në Medine, ata nuk mundën ta kalonin atë hendek.

Njëri prej luftëtarëve të paganëve që ishte si zëvendësim për njëmijë luftëtar, me emrin  Amr bin Abduvedd, bashkë me disa njerëz të tij arritën që të kalojnë në anën tjetër të hendekut. Amri ishte ndalur përpara grupit të myslimanëve dhe kërkonte një kandidat për dyluftim, duke thënë: 

 

“O grupi i myslimanëve!

Sipas pikëpamjes tuaj, ata që vdesin në luftë do të shkojnë në Xhenet. Kush nga mesi i juaj dëshiron që të shkojë atje, le të dalë përpara meje në mënyrë që ta dërgojë atje menjëherë!” 

 

Ai ishte duke shëtitur i hipur mbi kalë në mejdanin e luftës dhe ishte duke i ngacmuar myslimanët por asnjëri prej sahabeve nuk kishte guxim që të dilte përpara Amrit. Autori i Sijretu-ul Halebijjes transmeton në këtë mënyrë: “Sahabet qëndronin si të ngrirë dhe nuk lëshonin asnjë zë”.

 

Ata e njihnin shumë mirë atë që qëndronte përpara tyre; Amri, që ishte zëvendësim për njëmijë ushtar! Duke qenë në një situatë të tillë, Imam Aliu u ngrit në këmbë dhe kërkoi leje që të luftojë kundër Amrit, edhe pse ishte shumë i ri në moshë. Sipas disa rrëfimeve, këtë leje e kërkoi tri herë dhe herën e tretë i Dërguari (s.a.v.) ia dha leje; ia dha shpatën e tij Zylfikarin dhe ia vendosi në kokën e Aliut sarëkun e tij. Pastaj, i ngriti duart kah qielli dhe e bëri këtë lutje:

 

“O Zoti im! Në luftën e Bedrit e more Ubejden prej meje, në ditën e Uhudit e more Hamzën. O Zoti im! Më fal mua vëllanë tim Aliun që të mos mbetem i vetëm. Ti je më i mbari i trashëgimtarëve!”

 

Kur doli Imam Aliu në mejdanin e luftës, Amri nuk pranoi që të luftojë me të, duke thënë se është shumë i ri. Në vend të tij, kërkoi ndonjërin prej axhallarëve të tij. Imam Aliu i tha se dëshiron që të luftojë me të dhe ta derdhi gjakun e tij, kështu që Amri u zemërua dhe zbriti nga kali i tij dhe vrapoi drejt Imam Aliut. Ata filluan që të luftojnë dhe përreth tyre u qua aq shumë pluhur sa që nuk shihej asgjë. Pastaj, u dëgjua tekbiri nga goja e Imam Aliut dhe të njëjtën e përsëriti edhe Resulullahu (s.a.v.) dhe të gjithë sahabet. Sipas një rrëfimi, Imam Aliu e kishte ndarë Amrin në dy pjesë dhe sipas një rrëfimi tjetër, ia kishte prerë kokën dhe e kishte sjellë te i Dërguari (s.a.v.).

I Dërguari (s.a.v.) ishte gëzuar për këtë dhe kishte thënë:

“O Ali! Më qoftë përgëzimi për mua që sikur të ishte peshuar kjo vepër e jote, ajo do të peshonte më shumë sesa të gjitha veprat e ymmetit të Muhamedit! Me këtë vepër, ka hyrë frika në të gjitha shtëpitë e idhujtarëve dhe ka hyrë krenaria në të gjitha shtëpitë e myslimanëve!”

 

Në një rrëfim tjetër, ai ka thënë:

“Luftimi i Aliut kundër Amrit dhe goditja e tij për vdekje është më e virtytshme sesa të gjitha veprat e ymmetit deri në ditën e Kiametit”

 

Mbasi që vdiq Amri, idhujtarët pësuan disfatën e thellë. Allahu kishte dërguar mbi idhujtarët një fuqi që ata nuk e shihnin dhe ata nuk dinin se çka i kishte gjetur ata. Të gjitha grupet aleate të idhujtarëve kishin pësuar disfatë të thellë nga Aliu. Allahu është i Fuqishëm, i Lartësuar. Resulullahu (s.a.v.) tha: “O Allahu im! Jepja Aliut një virtyt të tillë që nuk ia ke dhënë asnjërit para tij dhe që nuk do ta japësh asnjërit mbas tij!”

Atëherë, zbriti Xhebraili (a.s) dhe ia dha të Dërguarit (s.a.v.) një pjepër nga Xheneti, duke thënë: “Allahu të dërgon selam dhe të thotë: Përshëndete Aliu bin Ebi Talibin me këtë pjepër dhe me lutjen Time”. Resulullahu (s.a.v.) ia dha pjeprin Imam Aliut, i cili u nda në dy pjesë dhe nga brenda doli një copë mëndafshi, mbi të cilën shkruante: “Dhuratë Ali bin Ebi Talibit prej Talibit (Kërkuesit) dhe Galibit (Ngadhënjyesit)!”

 

Imam Aliu kishte dëshmuar në shumë vende se është më i epërm sesa sahabet tjerë në fushëbetejë. Imam Aliu nuk ishte frikësuar asnjëherë dhe në çdo luftë e kishte treguar trimërinë e tij në formën më të lartësuar. Allahu i Madhëruar i ka bërë më të virtytshëm luftëtarët sesa ata që nuk luftojnë. Për këtë arsye, nuk është e mundur që të flasim për trimërinë e Ebu Bekrit, Ymerit, Osmanit dhe të tjerëve. Kjo është një vërtetë historike. Sipas rrëfimeve më autentike, Ebu Bekri dhe Ymeri kishin ikur nga lufta e Hendekut. Osmani kishte ikur në luftën e Uhudit dhe vetëm mbas tre dite ishte paraqitur në mesin e njerëzve. Së fundi, dëshirojmë që të prezantojmë atë që ka shkruar autori i Sijret-ul Halebijjes në librin e tij: 

“Ai që i shpërndau aleatët dhe që ua shkaktoi humbje atyre, ishte ALIU”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 33 

“O Ehli Bejt! Allahu dëshiron të largojë papastërtinë e mëkateve dhe t'ju pastrojë deri në skaj”

 

Në lidhje me tefsiri e këtij ajeti, vëllezërit tanë synnit kanë bërë shpjegime të shumta e të gjera në librat e tyre të tefsirëve dhe të haditheve. E përbashkëta e të gjitha rrëfimeve, përafërsisht është kjo:

“Mbasi që zbriti ky ajet, Resulullahu (s.a.v.) e mori Imam Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Hysejnin nën gunën e tij dhe tha: “O Allah! Këta janë të zgjedhurit e mijë dhe Ehli Bejti im! Largoji prej tyre të gjitha llojet e papastërtive dhe pastroji deri në skaj!”

 

Sipas disa rrëfimeve tjera që i kanë përcjellë, Resulullahu (s.a.v.) kishte shkuar për nëntë muaj me radhë te dera e nënës sonë Fatime dhe kishte thënë:

“Ejani në namaz, o Ehli Bejt! Mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi ju! “O Ehli Bejt! Allahu dëshiron të largojë papastërtinë e mëkateve dhe t'ju pastrojë deri në skaj”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Allahu i Madhëruar na ka falur epërsi mbi të gjithë. Si nuk është kjo kështu kur Allahu ka thënë në librin e Tij: O Ehli Bejt! Allahu dëshiron të largojë papastërtinë e mëkateve dhe t'ju pastrojë deri në skaj. Allahu na ka pastruar prej çdo sjelljeje të pahijshme! Ne jemi duke shkuar në rrugën e drejtë!”

 

Umme Selemja, në shtëpinë e të cilës kishte zbritur ajeti, rrëfen në këtë mënyrë:

“Ky ajet ka zbritur në shtëpinë time dhe aty gjendeshin shtatë veta: “Xhebraili, Mikaili, Resulullahu (s.a.v.), Aliu, Fatimja, Hasani dhe Hysejni! Unë isha duke pritur te dera dhe i thashë Resulullahut (s.a.v.): ‘O Resulullah! A nuk jam edhe unë nga Ehli Bejti yt?’ Resulullahu (s.a.v.) më tha: ‘Ti je e mbara për mua! Ti je prej grave të pejgamberit’. Mua nuk më tha: ‘Ti je prej Ehli Bejtit tim!”

 

Njëri prej sahabeve, Ebu Said el Hudri, rrëfen:

“Ky ajet ka zbritur në lidhje me pesë persona: Resulullahu (s.a.v.), Aliu, Fatimja, Hasani dhe Hysejni!”

Një numër i madh i librave burimore të dijetarëve synnit përcjellin se numri i këtyre personave ishte pesë, në një mënyrë të bukur e të saktë. Disa prej tyre janë:

 

1- Muslimi në librin e tij “Sahih”.

2- Tirmiziu në librin e tij “Sahih”.

3- Ebu Davudi në librin e tij “Musned”.

4- Autori i Sahihut në librin e tij “Hasais”.

5- Imami i mez-hebit Hanbelî, Ahmed bin Hanbeli, në librin e tij “Musned”.

6- Hakim en-Nishaburi në librin e tij “Mustedrek”.

7- Tabarani në librin e tij “Kebir” dhe “Evsat” 

8- Bejhaki në librin e tij “Sunen”.

9- Ibn Asakiri në librin e tij “Tarih-i Damashk”.

10- Ibn-i Xherir et-Tabari në tefsirin “Xhami-ul Bejan”.

11- Sujuti në tefsirin “Durrel Mensur”.

 

Si edhe këta: Bezzari, Ebu Ja’la, Ibn-i Haxheri, Tahavi, Ibn Ebi Shejbe, Ibn-ul Esiri, Muhib et-Tabari, Ibn Marduvejh, Hatib  el-Bagdadi, Ibn Ebi Hatimi, Ibn Munziri, Ebu Nu’ajm el-Isfahani, Ebul Hajr el-Kazvini, Muttaki el-Hindi, Hejsemi, Fahrettin Raziu, Zamahsheri dhe shumë të tjerë...

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka folur për vlerat esenciale të Ehli Bejtit në këtë mënyrë: 

“O Njerëz! Ehli Bejtin e të Dërguarit (s.a.v.) Allahu e nderoi me fisnikërinë e Tij, i lartësoi me udhëzimin e Tij dhe i zgjodhi ata për fenë e Tij.

Ata i bëri më të epërm mbi të gjithë përmes diturisë së Tij dhe diturinë e Tij e caktoi te ata si një gradë.

Atyre ua zbuloi edhe diturinë e fshehtë.

Ata janë shtyllat e fesë, dëshmitarët e Tij, baraspeshat e sipërfaqes së Tokës dhe, sipas urdhrit të Tij, ata që qëndrojnë në këmbë (kaim).

Ata i kishte vendosur në anën e djathtë të Arshit para se t’i krijojë krijesat tjerë.

Ata janë të zgjedhurit e diturisë së Tij, ata i ka zgjedhur sipas vullnetit të Tij dhe me kënaqësinë e Tij.

Ata i ka caktuar si maja më e lartë e diturisë për robërit dhe udhëzuesit e rrugës së Tij të drejtë.

Ata janë Imamët që bëjnë thirrje kah feja dhe e vërteta, dhe që gjykojnë sipas drejtësisë.

Ata janë sikur yjet që duhet që të ndiqen.

Ata janë falur si pasardhës të pastër dhe ata janë Imamët e rrugës së mesme.

Ata janë rruga më e qartë, rruga më e drejtë, stolia e atyre që janë të zgjedhur, trashëguesit e pejgamberëve, pasardhësit që vijnë njëri nga tjetri, shpella mbrojtëse e besimtarëve, drita e syve të atyre që e kanë arritur udhëzimin dhe mbrojtësi i atyre që kërkojnë strehë te ata. 

Ata janë vendi i besueshëm i atyre që i dorëzohen atyre.

Ata janë shpëtimi i atyre që lidhen për ta. Do të shpëtojnë ata që lidhen për ta dhe do të shkatërrohen armiqtë e tyre. Padyshim që do të shpëtojnë ata që kapen për ta. Dhe padyshim do të dalin nga feja ata që lidhen për të tjerët.

Ata janë dyert për të cilat kapen njerëzit, kush hyn brenda asaj dere do të shpëtojë dhe kush e mohon atë derë, do të shkatërrohet.

Ata janë vendi i shpëtimit; do të shpëtojë dhe do të kalojë te imani ai që ka hyrë në atë vend.

Ata janë dëshmitë kundërt atyre që heqin dorë prej tyre.

Ata thirrin te Allahu, veprojnë sipas urdhrit të Tij, gjykojnë sipas librit të tij dhe udhëzojnë sipas ajeteve të Tij. Atyre ka zbritur pejgamberllëku. Përpara tyre zbresin engjëjt dhe Xhebraili që është Ruh-ul Emini. Atyre u është dhënë ajo që nuk është dhënë asnjërit më herët. Falënderimi qoftë për Allahun që te ata ekziston dituria nga drita, që është rruga e shpëtimit, me të cilën do të shpëtojë nga devijimi çdonjëri dhe për të cilën ka nevojë çdonjëri. Me atë dritë do të mund të shpëtojnë ata që janë në errësira.

Ata janë trungu më i bukur, druri më i bekuar, miniera e diturisë, vendi i qëndrimit të butësisë, vendi i zbritjes së pejgamberllëkut dhe vendi ku zbresin dhe prej nga ngrihen në qiell engjëjt.

Ata janë Ehli Bejti i mëshirës dhe i bereqetit. Allahu i ka larguar prej tyre të gjitha papastërtitë dhe i ka pastruar deri në skaj”.

 

Imam Hasan el-Muxhteba ka thënë:

“O Njerëz! Ata që më njohim, e dinë kush jam unë, ndërsa ata që nuk më njohim: unë jam Hasani, djali i Aliut! Unë jam djali i përgëzuesit dhe i qortuesit (s.a.v.)! Unë jam djali i atij që bën thirrje drejt Tij, me lejen e Allahut! Unë jam djali i kandilit që shpërndan dritë! Unë jam prej atij Ehli Bejti që Allahu i ka larguar prej tyre të gjitha papastërtitë dhe i ka pastruar deri në skaj!”

 

Mbas ngjarjes së Kerbelasë, Imam Ali Zejnel Abidini ishte dërguar në Siri dhe kishte dalë përpara Jezidit. Njëri prej atyre që ishin prezent në xhami filloi që ta fyejë atë dhe Ehli Bejtin, dhe Imami i tha atij: A e ke lexuar ajetin e sures Ahzab, ku Allahu thotë:

“O Ehli Bejt! Allahu dëshiron të largojë papastërtinë e mëkateve dhe t'ju pastrojë deri në skaj”. Siriani e pyeti: A jeni ju ata?” dhe Imami u përgjigj: “Po, ne jemi ata!”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Neve, Ehli Bejtin, Allahu na ka falur të pastër deri në skaj. Ne jemi Ehli Bejti, që vijmë nga familja e të dërguarve, vendi i zbritjes së komunikimit hyjnor, shtëpia e mëshirës në të cilën engjëjt zbresin në tokë dhe ngrihen në qiell! Ne jemi miniera e diturisë!”

 

Sipas gjykimit të qartë të ajetit, me vullnetin e Allahut, Imamët e Ehli Bejtit janë pastruar prej çdo papastërtie: përshkrimi i ortakut ndaj Allahut, dyfytyrësia, mëkatet, gënjeshtra, shpifjet, etj. Prej sahabeve, këto tipare i zotëronte vetëm Selman Faresiu. Në lidhje me të, gjatë luftës së Hendekut, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Selmani është prej neve, Ehli Bejtit!”.

 

Të gjitha sahabet tjerë janë të ekspozuar ndaj të gjitha papastërtive materiale dhe shpirtërore. Duke qenë gjithçka e qartë dhe e përzgjedhur, dyshimi në lidhje me Imamatin dhe kalifatin e Imam Aliut është neglizhenca më e madhe. Gjatë haxhit lamtumirës, i Dërguari (s.a.v.) kishte kompletuar atë çka është dashur ta kompletojë. Ai ua kishte lënë amanet ymmetit vetëm e vetëm Kuranin dhe Ehli Bejtin e tij. Nuk ekziston asnjë rrëfim në të cilën thuhet se është përmendur edhe ndonjëri tjetër në atë vend! Kundërshtimi i një vendimi të tillë është vetëm punë e shejtanit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 56 

“Me të vërtetë, Allahu dhe engjëjt e Tij e lavdërojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, lavdërojeni edhe ju atë dhe kërkoni lutje (salavat) për të”

 

Njëri prej sahabeve e kishte pyetur Resulullahun (s.a.v.) 

“O Resulullah! Ne kemi mësuar se si të përshëndesim ty por si të lutemi për ty (të bëjmë salavat për ty) ne nuk e dimë”.

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Thoni: O Allahu im! Sikur që ia ke falur salavat (lutje) Ibrahimit dhe Ehli Bejtit të tij ashtu edhe falja salavatin Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij. Ti je i denjë për t’u lavdëruar dhe je i lartësuar.

O Allahu im! Sikur që e ke falur të shenjtë Ibrahimin dhe Ehli Bejtin e tij ashtu edhe falja shenjtëri Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij. Ti je i denjë për t’u lavdëruar dhe je i lartësuar!”

 

Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) i tha Urdhëruesit të Besimtarëve, Imam Aliut:

“A do një myzhde prej meje?”

Imami i tha: “Babai dhe nëna ime u flijofshin për ty, ti gjithmonë e ke dhënë myzhde të mbarën”. Resulullahu (s.a.v.) tha: “Sapo shkoi Xhebraili dhe ai më tregoi disa gjëra të çuditshme”.

Imami tha: “Çka të ka treguar, o Resulullah?” 

Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Ai më tha: Nëse ndonjëri prej ymmetit sjellë salavat për mua dhe mbas meje edhe për Ehli Bejtin tim, atij do t’i hapen të gjitha dyert e qiellit! Edhe nëse ai është mëkatar, engjëjt do t’ia kthejnë përgjigjen duke kërkuar shtatëdhjetë salavate për të dhe mëkatet do të bien e largohen prej tij sikur fletët që bien nga drurët.

Dhe, Allahu i Madhëruar do të thotë: O robi im! Shqiptoje dëshirën tënde, të uroj ty lumturi! O engjëj! Ju keni kërkuar shtatëdhjetë salavate për të ndërsa Unë ia kam falur atij shtatëqind salavate”.

 

Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) vazhdoi:

“Nëse ai person më sjellë salavat mua dhe pastaj nuk ia sjellë salavat Ehli Bejtit tim, në mes tij dhe qiellit do të vendosen shtatëdhjetë perde dhe Allahu i Madhëruar i thotë atij: “As mos e shqipto dëshiron tënde, as mos u bë i lumtur! O engjëjt e Mijë! Mos më kërkoni pranimin e lutjes së këtij robi përderisa të sjellë salavat pejgamberit dhe Ehli Bejtit të tij!”

Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) tha: “Lutja e tij do të mbetet e parealizuar përderisa të sjellë salavat ndaj meje dhe Ehli Bejtit tim”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Pa i sjellë salavat Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij, lutjet nuk do të lartësohen në qiell!”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Mos më sillni salavate të mangëta!” Njëri prej sahabeve e pyeti: “O Resulullah! Si mundet me qenë salavati i mangët?” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Nëse më sillni salavat mua dhe e harroni Ehli Bejtin tim, ai salavat do të jetë i mangët!”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Vepra më e virtytshme e ditës së Premte është sjellja e salavatit ndaj Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij!”

Në një vend tjetër, Imami ka thënë:

“O ju që besoni! Sillni salavate Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij dhe dorëzoni Aliut urdhrin e velajetit!”

 

E pyetën Imam Muhamed el-Bakirin:

“Si i sillet salavat Pejgamberit?”

Imami iu përgjigj: “Mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.), xhenazen e tij e ka larë Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Ai e mbështjelli me qefin dhe mbasi që e shtriu në tokë brenda shtëpisë së tij, i thirri brenda dhjetë persona. Të gjithë u vendosën përreth xhenazes së pejgamberit ndërsa Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu qëndroi në mes tyre, dhe tha: “”O ju që besoni! “Me të vërtetë, Allahu dhe engjëjt e Tij e lavdërojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, lavdërojeni edhe ju atë dhe kërkoni lutje (salavat) për të”. Ata dhjetë persona e përsëritën të njëjtën dhe në këtë mënyrë e falën namazin e xhenazes. Të gjithë banorët e Medinës e falen në këtë mënyrë namazin e xhenazes së të Dërguarit (s.a.v.)”

 

Në një vend tjetër, Imami ka thënë:

“Mbasi që ndërroi jetë i Dërguari (s.a.v.) engjëjt, muhaxhirët dhe ensarët i sillnin atij salavate në grupe”.

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Kam dëgjuar prej Resulullahut (s.a.v.) gjatë kohës sa ishte në jetë të ketë thënë: ‘Ajeti i salavatit ka zbritur për mua për kohën mbasi që të ndërrojë jetë”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Në shtatë vitet e para mbas fillimit të shpalljes së Kuranit, pa e falur ende asnjëri namazin, engjëjt më sillnin salavat mua dhe Aliut”.

 

Të mos harrojmë se çdo mysliman i sjellë salavat pejgamberit dhe Ehli Bejtit të tij gjatë faljes së çdo namazi. Asnjëri prej sahabeve nuk e ka arritur një pozitë të tillë. Përmendja e tyre gjatë çdo namazi deri në ditën e Kiametit është një virtyt i mjaftueshëm për ata që mendojnë.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 57-58 

“E s'ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm. E ata që i fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh”

 

Resulullahu (s.a.v.) e vendosi dorën mbi flokët e Aliut, dhe tha:

“O Ali! Ai që e fyen vetëm një fije të flokëve tuaj, më ka fyer mua! Dhe, ai që më ka fyer mua, padyshim e ka fyer Allahun. Mallkimi i Allahut qoftë mbi atë që e fyen Allahun”

 

Imam Hasan el-Askeri ka thënë: 

“Resulullahu (s.a.v.) e kishte dërguar ushtrinë myslimane në një luftë. Kur mbërritën atje, ata luftuan dhe fituan një pre të madhe. Imam Aliu kishte ndarë një robëreshë për vete. Kjo nuk i pëlqeu disa ushtarëve dhe kur u kthyen në Medine, njëri prej sahabeve me emrin Burejde, i tha Resulullahut (s.a.v.): “O Resulullah! A nuk po e sheh se çka ka bërë Aliu, djali i Ebu Talibit?

Ai ka ndarë për vete një robëreshë më shumë sesa për ushtarët tjerë!” Resulullahu (s.a.v.) e kthehu fytyrën nga Burejde, por ai e përsëriti ankesën e njëjtë edhe një herë. Atëherë, Resulullahu (s.a.v.) iu drejtua Burejdes me një fytyrë të zemëruar që asnjëherë më herët nuk ishte parë, dhe tha:

“O Burejde! Sot e ke fyer Resulullahun!

A nuk ke dëgjuar se Allahu ka thënë: “E s'ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm. E ata që i fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh”

Burejde tha: “Nuk e di që fyerja është drejtuar kah ti!” Resulullahu (s.a.v.) tha: “O Burejde! A po mendon se me fyerjet që i drejton drejt meje, më fyen vetëm mua? Aliu është prej meje dhe unë jam prej Aliut. Ai që e fyen Aliun më ka fyer mua dhe a nuk e di se ai që më fyen mua padyshim e ka fyer Allahun?

 

Dhe, ai që e fyen Allahun, a nuk e di se ai do të vuajë një dënim të dhembshëm në zjarrin e Xhehenemit nga ana e Allahut? O Burejde! A e di ti më mirë apo Allahu? A e di ti më mirë apo ata që e lexojnë Levhi Mahfuzin? A e di ti më mirë apo engjëlli, të cilit i është i besuar detyra e mitrave?”

Burejde iu përgjigj: “Jo, ata dinë më mirë”. Atëherë, Resulullahu (s.a.v.) tha: “O Burejde! A e di ti më mirë apo engjëjt që qëndrojnë afër Ali bin Ebu Talibit?”

Burejde tha: “Engjëjt që qëndrojnë afër Ali bin Ebu Talibit e dinë më mirë”. 

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Atëherë, a po mundohesh ta fajësosh Aliun për shkak të asaj që ka bërë? Xhebraili më ka informuar prej engjëjve që qëndrojnë pranë Aliut se, prej ditës që ka lindur e deri më sot, ata nuk e kanë parë Aliun të ketë bërë ndonjë gabim!

Edhe engjëjt, të cilëve u është besuar detyra e mitrave, më kanë informuar se prej asaj dite që është vendosur në mitrën e nënës së tij, ka ekzistuar gjykimi për Aliun se nuk do të ketë asnjë mëkat! Kur shkova në Miraxh, ata që qëndronin përreth Levhi Mahfuzit më kanë thënë: ‘Aliu është i mbrojtur prej të gjitha gabimeve dhe poshtërimeve!’

O Burejde! Si mund ta akuzosh e ta fajësosh Aliun kur Allahu dhe engjëjt më të afërm të Tij e kanë konfirmuar pafajësinë e tij?

O Burejde! Ruaju nga sjellja e keqe ndaj tij, sepse ai është Urdhëruesi i Besimtarëve, zotëria e të sinqertëve, luftëtari më trim në mesin e myslimanëve, lideri i atyre që kanë duart dhe këmbët e pastër dhe ndarësi i xhenetit dhe i xhehenemit. Xhenetit do të thotë: ‘Mere, ky është i yti!’, dhe Xhehenemit do të thotë: ‘Mere, ky është i yti!’

O Burejde! A e di hakun e Aliut mbi myslimanët? Mos e kundërshtoni atë, mos u inatosuni me të dhe mos e kaloni vijën të cilën e ka tërhequr ai! Grada e Aliut është aq e lartë te Allahu, sa që ju nuk mund ta dini këtë. Ai është shumë lart mbi ju, a dëshironi t’ju informojë në lidhje me të?” Burejde dhe sahabet që ishin bashkë, i thanë: “Po, na informo o Resulullah!” 

 

Resulullahu (s.a.v.) tha:

“Në ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të thërras një grup dhe do të kërkojë llogari prej tyre. Gabimet e tyre do t’i vendos në njërën anë të peshores dhe do t’u thotë: ‘Të gjitha këto janë gabimet tuaja. Ku i keni veprat e mira? Nëse nuk i keni ato, do të shkatërroheni!’ Ata do të përgjigjen: ‘O Zoti im! Nuk i dimë veprat tona të mira’ Atëherë, Allahu do t’u thotë: ‘Ju nuk i dini veprat tuaja të mira ndërsa Unë i di ato dhe tani do t’ju shpërblejë për ato’.

Atëherë, në anën tjetër të peshores do të vendoset një copë pëlhure, pesha e së cilës do të jetë më e rëndë se pesha e të gjitha gabimeve që gjenden në mes qiejve dhe tokës! Atij grupi do të thuhet: ‘Mere me dorën tënde babanë, nënën, vëllezërit, të zgjedhurit, të afërmit, shokët dhe ata që të kanë qenë bamirës ndaj teje dhe shkoni në Xhenet!’ 

 

Kur ta shohin këtë të tjerët, do të thonë: ‘O Zoti ynë! Ne i kemi parë gabimet e këtij grupi, por cilat janë veprat e tyre të mira?’ Allahu i Madhëruar do të thotë: ‘O robërit e mijë! Në mesin e këtij grupi ka pasur njerëz të tillë që kur donin ta paguanin borxhin e njërit shkonin te ai dhe i thoshin: ‘Mere këtë borxh dhe ktheja atij që i ke borxh, unë të dua të për shkak të dashurisë që ke ndaj Ali bin Ebu Talibit!’

 

Ai e merrte këtë dhe shkonte te ai, të cilit i kishte borxh, dhe ky i fundit i thoshte: ‘Edhe unë po ta fali ty atë borxh për hir të dashurisë ndaj Ali bin Ebu Talibit dhe jam i gatshëm që të japi ty nga malli im atë çka të nevojitet ty’. Për shkak të këtyre veprave të tyre Allahu i shpërbleu ata dhe ua shtoi veprat e mira në peshore dhe në librat e tyre. Atyre dhe prindërve të tyre ua ka bërë obligim Xhenetin. O Burejde! Numri i atyre që do të hyjnë në zjarrin e xhehenemit për shkak të urrejtjes ndaj Ali bin Ebi Talibit është më i madh sesa numri i gurëve që gjuhen gjatë pelegrinazhit të haxhit në xhemre (duke e gjuajtur me gurë shejtanin)! Ke kujdes që të mos bëhesh prej tyre!”

 

Ky hadith është përmendur shkurtimisht edhe në këta libra burimor të synnitëve: ‘Sahih’-i i Buhariut; ‘Sahih’-i Tirmiziut; ‘Musned’-i i Ahmed bin Hanbel, Ebu Nu’ajm në ‘Hilje’ si dhe në shumë libra tjerë të vëllezërve tanë synnit.

 

Kur të hulumtohet historia islame mund të vërejmë se padrejtësitë dhe fyerjet që u janë bërë Ehli Bejtit janë aq të shumtë sa që mund të shkruajmë një libër të tërë në lidhje me këtë. Janë bërë shumë pak shpjegime në lidhje me identitetin e atyre që ia kanë shkaktuar padrejtësi Ehli Bejtit, të cilin e kishte rekomanduar aq shumë i Dërguari (s.a.v.) ymmetit të tij. Edhe pse një numër i madh i tyre e dinë se Allahu i ka mallkuar ata në Kuranin e zbritur nga ana e Tij, prapëseprapë mundohen që t’i mbulojnë e maskojnë ata. Sikur që na tregon qartë ajeti, janë të mallkuar në këtë dhe në botën tjetër ata që e fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Mallkimi i tyre në këtë botë bëhet mbas çdo namazi të robërve të sinqertë ndërsa në botën tjetër ata i pret një dënim i ashpër.

 

Sikur që na përcjellin Taberi dhe Ibn-ul Esiri, kur Muavija e mori pushtetin në Siri, ai dha urdhër që të mallkohet Imam Aliu prej mimberëve të xhamive. Mallkimi i Imam Aliut ishte bërë traditë në të gjitha vendbanimet e myslimanëve. Sigurisht që ka pasur edhe të tillë që e kanë kundërshtuar këtë urdhër djallëzor. Njëri prej tyre ishte edhe një sahabe i njohur me emrin Huxhr bin Udej.

 

Ky e kishte kundërshtuar mallkimin e Imam Aliut prej mimberit të xhamisë në Kufe dhe ai bashkë me disa shokë ishte arrestuar e dërguar te Muavija në Siri. Rrugës, me urdhrin e Muavijes, i ishte prerë koka e Huxhrit dhe e shokëve të tij në një vend afër Sirisë. Atyre u kishin thënë se do të lirohen vetëm nëse e mallkojnë Imam Aliun, por Huxhri dhe një pjesë e shokëve nuk e pranuan këtë dhe mbasi që e falën namazin iu prenë kokat.

Ne po ua lëmë ndërgjegjes së lexuesve që të mendojnë se në cilën logjikë bazohet rrethi i vëllezërve tanë synnit kur e  përmendin me dashuri mëkatarin Muavije. Kanosja në ajet është e qartë. Mos të harrojmë se u janë nënshtruar mallkimit të Allahut në këtë dhe në botën tjetër ata që i fyejnë besimtarët. Të mendojmë pak për ata që e kanë përgatitur terrenin për ardhjen e ngatërrestarit Muavije në krye të shtetit. Sikur të mos ishin ata, as nuk do të përmendej emri i Muavijes në qytetet islame. Por, ata që e kanë uzurpuar të drejtën e Ehli Bejtit kanë vepruar para Muavijes dhe ua kanë përgatitur terrenin Muavijes dhe të ngjashmëve.

 

Ne ia drejtojnë Allahut ankesën tonë ndaj atyre që e kanë grabitur në mënyrë të padrejtë pozitën e imametit dhe të kalifatit nga Ehli Bejti. Islami është shtrembëruar nga ana e tyre dhe ne jemi duke parë se në çfarë gjendje ndodhen sot myslimanët. Të gjithë janë ndarë në grupe dhe janë bërë armiq të njëri tjetrit. Gjaku që derdhet në mes tyre është më i madh sesa gjaku që derdhet nga ana e armiqve të tyre! Shkaku i vetëm i kësaj është mosrespektimi i urdhrit të Allahut dhe të dërguarit të Tij.

 

Allahu dhe i dërguari i Tij janë bërë armiq të atyre që i kanë uzurpuar të drejtat e Ehli Bejtit dhe të bashkëfajtorëve të tyre. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “O Allah! Ndihmoje atë që e pranon velajetin e Aliut dhe bëhu armiku i atij që e mohon velajetin e Aliut!” Të mos harrojmë se një pjesë e madhe e myslimanëve i dashurojnë dhe i lartësojnë deri në qiell personat e parë që e kanë grabitur velajetin e Imam Aliut!

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 66-68

“Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: ‘Të mjerët ne, sikur të ishim nënshtruar Allahut dhe të dërguarit!’ Dhe thonë: ‘Zoti ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tanë dhe të parët tanë, por ata na shmangën nga rruga e drejtë’. Zoti ynë, jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoi ata me një mallkim të madh”

 

Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan:

“Ata që do të thonë ‘sikur të ishim nënshtruar Allahut dhe të dërguarit’ janë ata që e kanë grabitur hakun e Ehli Bejtit. Gjegjësisht, ata do të thonë: ‘Sikur të ishim nënshtruar Imam Aliut, ashtu si ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij’ dhe do të thonë: ‘Ne u jemi nënshtruar të parit dhe të dytit dhe pastaj udhëheqësve që i kanë bërë padrejtësi Ehli Bejtit. Dhe, ata na kanë devijuar nga rruga e Xhenetit që është rruga e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut’.

Dhe, do të thonë: ‘O Allahu im! jepu atyre (të parit, të dytit dhe atyre që kanë qenë në rrugën e tyre) dënim të dyfishtë dhe mallkoi ata me një mallkim të madh”

 

Nuk është e drejtë për besimtarët që të mashtrohen prej fjalëve të atyre që janë në krye. Sigurisht që ata nuk janë zgjedhur në atë mënyrë sikur që zgjidhen kryetarët në ditët e sotme. Këta janë përfaqësuesit e fesë që vijnë në pozita udhëheqëse dhe të tillët janë që e kanë nxjerrë ymmetin nga rruga e drejtë. Ata i mashtrojnë nëpërmes fesë. Ndërsa, feja ka ardhur për t’i rregulluar çështjet sociale dhe mirëqenien e njerëzve. Sa i përket identitetit të parit dhe të dytit që përmenden në këtë rrëfim, për ata kemi folur edhe më herët. I pari është Ebu Bekri dhe i dyti është Ymeri.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 69 

“O ju që keni besuar, mos u bëni si ata që e ofenduan Musën. Allahu e pastroi atë nga ajo që i thanë ata. Ai ishte me vlerë te Allahu”

 

Në një rrëfim që vjen nga Imamët e Ehli Bejtit, thuhet:

“O ju që keni besuar! Mos u bëni sikur ata që e ofenduan Resulullahun, Aliun dhe Imamët tjerë, sikur që e kanë ofenduar Musën! Sepse, Allahu e pastroi atë nga ajo që i thanë ata. Dhe, ai ishte me vlerë te Allahu”

 

Shpjegim:

Populli i Musës (a.s) e kishte ofenduar atë në lidhje me të drejtën e kalifatit të tij. O ju besoni! Mos e ofendoni edhe ju kalifin e caktuar nga ana e Resulullahut (s.a.v.) sikur që  e ka ofenduar Musën populli i tij. Beni Israeli ka vepruar sipas mendjeve të tyre mbas Musës (a.s) dhe ky ymmet e ka bërë të njëjtën. Është braktisur Imam Aliu dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit, të cilët ishin lënë vasiet nga ana e Resulullahut (s.a.v.), dhe u janë nënshtruar të tjerëve.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 71 

“... kush i nënshtrohet Allahut dhe të dërguarit të Tij, ai ka shpëtuar me një shpëtim të madh”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Kush mbahet për velajetin e Aliut dhe të Imamëve tjerë të Ehli Bejtit, padyshim i është nënshtruar Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe ka shpëtuar me një shpëtim të madh”.

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Ai që i nënshtrohet Aliut, më është nënshtruar mua. Ai që më është nënshtruar mua, padyshim i është nënshtruar Allahut”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 72 

“Me të vërtetë, Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete. Ai i bëri padrejtësi vetes dhe u bë shumë i padijshëm”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Amaneti që përmendet në këtë ajet është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s). Njerëzit nuk i mbetën besnik ndaj tij, i shkaktuan padrejtësi vetes dhe u bënë të padijshëm”.

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Kur shkova në Miraxh dhe u afrova te Zoti im, e pashë Atë me zemër, dhe jo me sy. Dëgjova ezanin e ikametin dhe një zë më erdhi te veshi im: ‘O engjëjt e Mijë, o ju që jeni të qetë mbi sipërfaqen e tokës dhe në qiej, o ju që e bartni arshin Tim!

Bëhuni dëshmitar se Unë jam Zoti tek dhe që nuk kam asnjë ortak’. Të gjithë që e dëgjuan këtë zë, thanë: ‘Po dëshmojmë dhe po e pranojmë’. Atëherë, u dëgjua edhe një herë zëri i njëjtë: ‘O engjëjt e mijë, o ju që jeni të qetë mbi sipërfaqen e tokës dhe në qiej, o ju që e bartni arshin Tim!

Bëhuni dëshmitar se Muhamedi është robi im!’ Të gjithë që e dëgjuan këtë zë, thanë: ‘Po dëshmojmë dhe po e pranojmë’. Atëherë, u dëgjua edhe një herë zëri i njëjtë: ‘O engjëjt e mijë, o ju që jeni të qetë mbi sipërfaqen e tokës dhe në qiej, o ju që e bartni arshin Tim!

Bëhuni dëshmitar se Aliu është i afërmi Im dhe i të dërguarit Tim, dhe se mbas të Dërguarit do të bëhet i afërmi i të gjithë besimtarëve!’ Të gjithë thanë: Dëgjuam dhe pranuam”.

 

Me ndihmën e Allahut këtu përfundon kjo sure. Paqja dhe përshëndetja e përhershme qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejt e tij të pastër.