Sureja Sexhde

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 24 

“Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ishin të durueshëm. Ata i njihnin mirë argumentet tona”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Ky ajet ka zbritur në lidhje me fëmijët e Fatimes”. Gjegjësisht, për dymbëdhjetë Imamët.

Imam Ali Zejnel Abidini ka thënë: “Ekzistojnë dy lloje të udhëzuesve që përmenden në Kuran: Njëri gjykon sipas drejtësisë dhe i dyti sipas padrejtësisë.

Udhëzuesit që gjykojnë sipas drejtësisë veprojnë sipas urdhrit të Allahut. Ndërsa, udhëzuesit që udhëzojnë sipas padrejtësisë nuk e ndjekin urdhrin e Allahut por veprojnë sipas dëshirave dhe epsheve të tyre, dhe në lidhje me ata Allahu ka thënë: “Ata i kemi falur si udhëzues të zjarrit të Xhehenemit. Këtë e kemi bërë për arsye se e kanë kundërshtuar urdhrin e Allahut!”

 

Udhëzuesit që gjykojnë sipas drejtësisë janë Imamët e Ehli Bejtit. Udhëzuesit që gjykojnë sipas padrejtësisë janë imamët që i kundërshtojnë ata! Më i shquari prej katër imamëve që i kundërshtonin Imamët e Ehli Bejtit ishte Ebu Hanifja, i cili nuk përmendet as në librat e hadithit as në librat e tefsirit në vetë rrethinën e synnitëve. Me të vërtetë, vëllezërit synnit duhet që të mendojnë për mospërmendjen e tij në dituritë më të rëndësishme. Nëse një imam nuk përmendet në këto degë të rëndësishme, si mund të pranohet një person i tillë si imam?

 

Sa i përket Imamëve të Ehli Bejtit, në lidhje me ata ekzistojnë aq shumë vasiete të qarta e të vlefshme, sa që nuk është e mundur për asnjë mysliman që t’i mohojë ata. Në haxhin lamtumirës, i Dërguari (s.a.v.) kishte porositur Kuranin një herë dhe Ehli Bejtin e tij tri herë. Ebu Hanifja dhe tre imamët tjerë nuk janë përmendur e porositur në asnjë hadith të të Dërguarit (s.a.v.).

Dijetarët e njohur synnit të hadithit, Hatib el-Bagdadi dhe Ibn Hubban el-Busti, nuk e konsiderojnë Ebu Hanifen si person të besueshëm të hadithit. As nuk kemi hasur në ndonjë hadith që përcillet nga Ebu Hanifja. Vlerësimin e këtyre dy grupeve po ua lënë ndërgjegjes së lexuesve. 

 

Këtu përfundon sureja Sexhde. Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.