Sureja Llokman 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 14 

“Ne njeriun e kemi këshilluar që të sillet mirë ndaj prindërve të tij... bëhu mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj prindërve. Kthimi është vetëm tek Unë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Prindërit e këtij ymmeti janë Resulullahu (s.a.v.) dhe Aliu (a.s)! Sepse, të dytë ua kanë mësuar njerëzve dituri dhe urtësi!”

 

Shpjegim:

Sikur që njeriu i ka prindërit e tij natyror ashtu i ka edhe prindërit e tij shpirtëror. Prindërit shpirtëror të ymmetit islam janë i Dërguari (s.a.v.) dhe Imam Aliu (a.s). Njeriu nuk ka ardhur deri në këtë kohë vetëm përmes plotësimit të nevojave botërore të jetë së tij. Ai ka mbërritur deri në këtë kohë edhe përmes edukatës morale të cilën e ka marrë nga liderët fetar. I Dërguari (s.a.v.) ka ardhur për ta plotësuar e përkryer moralin. Dhe, kjo është edukata më e madhe.

Ne nuk duhet që të harrojnë se shkaku më kryesor i tërë ekzistencës dhe i fillimit të krijimit është i Dërguari (s.a.v.) dhe Ehli Bejti i tij. Allahu i Madhëruar ka thënë në një hadith kudsi: “Sikur të mos ishte nderi yt, nuk do t’i kisha krijuar botët”. Njëri prej shkaqeve kryesore të ekzistencës është nderi i Pejgamberit. Nderi i tij është edhe nderi i të besueshmit të tij, Imam Aliut (a.s).

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 20 

“Allahu plotësoi ndaj jush begatitë e Tij të dukshme e të fshehta”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Begatia e Tij e dukshme është Resulullahu (s.a.v.), i cili ka ardhur me marifetin dhe tevhidin e Allahut! Begatia e fshehtë është përqafimi i dashurisë dhe i nënshtrimit ndaj Ehli Bejtit!”

 

I Dërguari (s.a.v.) i ka treguar të gjitha begatitë gjatë kohës sa ishte në jetë. Begatinë e fshehtë e kishte treguar gjatë kohës së haxhit lamtumirës përpara dhjetëra mijëra personave nga ymmeti i tij. Aty i kishte komunikuar ymmetit se mbas tij, kalifi dhe Imami i ymmetit është Imam Aliu. Begatia e fshehtë është velajeti i Imam Aliut.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 22 

“E kush ia dorëzon veten Allahut duke qenë edhe bamirës, ai është kapur për dorëzën më të sigurt. Vetëm tek Allahu është përfundimi i çështjeve”

 

Imam Musa el-Kazimi ka thënë: 

“Dorëza më e sigurt është dashuria ndaj neve, Ehli Bejtit”.

Me dorëz këtu nënkuptojmë një vend për t’u kapur apo për të varë ndonjë gjë.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 27 

“Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t'i shtohen edhe shtatë dete, e të jenë me ngjyrë të shkrimit, nuk do të mbaronin fjalët e Allahut. Allahu është Ngadhënjyesi i Urtë”

 

Imam Hasan Askeri ka thënë:

“Ne jemi fjalët që nuk mbarojnë. Ato janë fjalët e diturisë sonë! Realiteti i virtytit tonë nuk mund të kaplohet dhe nuk mund të përshkruhet!”

 

Se Ehli Bejti janë fjalët e Allahut ekzistojnë edhe dy ajete të qarta:

1) “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë dhe Allahu ia pranoi pendimin...” (Bekare, 37)

2) “Kur Zoti i vet, Ibrahimin e provoi me disa fjalë...” (Bekare, 124)

 

Ne kemi shpjeguar edhe më herët se fjalët që përmenden në këto ajete kanë të bëjnë me pesë personat e bekuar të Ehli Bejtit.

Që të mund të kuptojnë këtë sa më lehtë njerëzit, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë në këtë mënyrë:

“Sikur detet të ishin bërë ngjyrë e shkrimit dhe drutë të ishin bërë lapsa, njerëzit dhe xhinët të bënin llogari, prapëseprapë nuk do të mund t’i numëronin virtytet e vëllait tim Ali bin Ebi Talibit!”

Abdullah bin Abbasi ka thënë:

“Dituria ime dhe i të gjithë sahabeve pranë diturisë së Ali bin Ebi Talibit është sa një pikë prej shtatë deteve!”

Të lumtë për neve nëse mund t’ju prezantojmë një pikë nga këto shtatë dete. 

 

Me ndihmën e Allahut këtu përfundon sureja Llokman. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin tonë (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.