Sureja Kasas
Tevili dhe tefsiri i ajetit 5
“E Ne duam të gjendemi në mirësi ndaj të pafuqishmëve, t'i bëjmë udhëheqës dhe t'i bëjmë trashëgues”
Imam Muhamed el-Bakiri shikoi kah djali i tij, Imam Xhafer Sadiku, dhe tha:
“A po e shihni këtë? Në lidhje me të, Allahu ka thënë: “E Ne duam të gjendemi në mirësi ndaj të pafuqishmëve, t'i bëjmë udhëheqës dhe t'i bëjmë trashëgues”
Imam Muhamed el-Bakiri i ka thënë njërit prej sahabeve të tij, me emrin Mufadal, i ka thënë:
“O Mufaddal! Një ditë, duke e shikuar Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Hysejnin, Resulullahu tha: ‘Ju do të konsideroheni prej të pafuqishmëve’. Mufaddali tha: ‘Çka do të thotë kjo?’.
Imami iu përgjigj: ‘Kjo do të thotë se ju jeni imamët udhëheqës mbas meje dhe Allahu i Madhëruar ka thënë në lidhje me këtë: “E Ne duam të gjendemi në mirësi ndaj të pafuqishmëve, t'i bëjmë udhëheqës dhe t'i bëjmë trashëgues”.
Gjykimi i këtij ajeti do të vlejë mbi neve deri në ditën e Kiametit.
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s), ka thënë:
“Ky ajet ka zbritur në lidhje me neve!”
Dhe, në një vend tjetër, ka thënë:
“Kjo botë do të përmallohet për Ehli Bejtin sikur deveja për të voglin e saj!”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 6
“...e Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së këtyre dyve t'ua tregojmë atë (Ehli Bejtin) që i ruheshin”
Imam Ali Zejnelabidini ka thënë:
“Betohem me Atë, që e ka dërguar Muhamedin me hak si përgëzues e qortues, se ne Ehli Bejti jemi të pastër në çdo çështje! Shiitët tanë janë sikur shiitët e Musës. Armiqtë tanë dhe shiitët e armiqve tanë janë sikur shiitët e Faraonit”.
Kur ia dhanë betimin, Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, iu drejtua popullit me këto fjalë:
“Në këtë moment, Allahu e ka shkatërruar Faraonin e Hamanin, dhe e ka larguar Karunin, duke e poshtëruar!”
Imam Muhamed el-Bakiri dhe Imam Xhafer Sadiku kanë thënë:
“Faraoni dhe Hamani që përmenden në ajet janë dy persona të vrazhda. Allahu i Madhëruar do të hakmerret për Ehli Bejtin prej këtyre dy personave të vazhdë në kohën kur do të paraqitet Mehdiu”.
Shpjegim: Allahu i Madhëruar ka dhënë shembuj këtij ymmeti përmes ndodhive që janë paraqitur në mes Beni Israelit dhe Faraonit. Ky lajm që përmendet në këtë ajet ka të bëjë me ymmetin tonë. Këtu na bëhet me dije për Faraonët, hamanët dhe Karunët brenda ymmetit tonë. Më parë u ishte bërë padrejtësi Beni Israilit ndërsa tani Ehli Bejtit. Duhet të mendojmë mirë për ngjashmërinë që i Dërguari (s.a.v.) ka bërë në lidhje me Imam Aliun dhe Harunin (a.s). Kjo ngjashmëri na tregon në mënyrë indirekte për skenarin e ndodhive të mëhershme që do të përsëriten brenda ymmetit tonë, por personazhet do të kenë emrat e ndryshme. Prandaj, nuk kemi nevojë që të mendojmë shumë për atë se kush janë Faraonët, Hamanët dhe Karunët e këtij ymmeti. Mjafton që të mendoni vetëm për ata tre persona që e kanë marrë hakun e kalifatit prej Ehli Bejtit.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 35
“Tha: Ne do ta forcojmë ty me vëllanë tënd. Me argumentet Tona do t'ju japim fuqi të dyve ashtu që ata të mos mund t'u afrohen juve”
Hafëz Shejh el-Bersi në librin e tij ka shkruar:
“Faraoni (Mallkimi i Allahut qoftë mbi të), kur e pa Harunin (a.s) dhe Musën (a.s) që kishin ardhur para tij, zemra e tij u kaplua nga një frikë. Sepse, përpara tyre qëndronte një person i hipur mbi kalë dhe rrobat e shpatën e kishte nga ari. Faraoni ishte dhënë shumë mbas arit. Kalorësi i tha faraonit: ‘Lëshoji këta dy persona (Musën a.s dhe Harunin a.s), në të kundërtën do të vras”.
Faraoni u frikësua nga kalorësi dhe i dha leje Musës (a.s) dhe Harunit (a.s) që të dalin jashtë. Sapo dolën ata dy, Faraoni i thirri rojtarët dhe i dënoi ata. Rojtarët u betuan se nuk kishte hyrë askush tjetër brenda përveç Harunit (a.s) dhe Musës (a.s).
Ky kalorës ishte shembulli i Imam Aliut (a.s). Përmes tij, Allahu i madhëruar i kishte ndihmuar e përforcuar pejgamberët e mëhershëm në mënyrë të fshehtë ndërsa të Dërguarin (s.a.v.) tonë haptas. Ai ishte prej argumenteve më të mëdha të Allahut që përmes tij i kishte ndihmuar shumë të afërm të Tij. Ata i kishte ndihmuar me atë pamje. Të afërmit e Tij bënin lutje me atë emër të madh dhe lutjet e tyre pranoheshin si dhe kur ishin në vështirësi ata shpëtoheshin përmes përmendjes së tij. Këtë, na e ka bërë të ditur Allahu në këtë mënyrë: Me argumentet Tona do t'ju japim fuqi të dyve ashtu që ata të mos mund t'u afrohen juve”. Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Argumenti që përmendet këtu ishte ai kalorës!”
Një ditë, përpara Resulullahut (s.a.v.) ishte një xhin. Ai ishte duke ia parashtruar pyetje në lidhje me disa çështje të rënda. Kur e pa Imam Aliun (a.s) duke ardhur drejt Pejgamberit (s.a.v.), xhini u frikësua aq shumë sa që u shndërrua në formën e një zogu dhe filloi që të dridhet. Pastaj, tha: “O Resulullah! Më mbro!” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Prej kujt të të mbroj?” Xhini tha: “Prej këtij të riu që është duke ardhur drejt teje”. Resulullahu e pyeti: “Çka të ka bërë ky i ri që po kërkon mbrojtje prej tij?” Xhini iu përgjigj: “Kur ndodhi përmbysja gjatë kohë së Nuhut (a.s), unë e kisha zgjatur dorën time për ta fundosur anijen e Nuhut (a.s) dhe ky i ri më goditi e ma preu dorën”. Xhini ia tregoi vendin ku ishte prerë dora e tij. Atëherë, Resulullahu (s.a.v.) tha: “Po, e ke thënë të vërtetën, ky është ai i riu!”
Një ditë tjetër, një xhin ishte duke biseduar me Resulullahun (s.a.v.) dhe kur e pa se ishte duke u afruar Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s), xhini u frikësua dhe tha: “O Resulullah! Më mbro prej këtij të riu që është duke ardhur!” Resulullahu e pyeti: “Çka të ka bërë ky i ri?” Xhini iu përgjigj: “Kur luftuam kundër Sylejmanit (s.a.v.), ai kishte dërguar xhinë kundër meje. Duke luftuar me ata xhin, erdhi ky i ri në formën e kalorësit dhe më plagosi e robëroi. Ky është vendi në të cilën më ka goditur dhe ende nuk është shëruar!”
I Dërguari (s.a.v.) e kishte dërguar Imam Aliun (a.s) kundër një populli të rebeluar e ngatërrestar. Imam Aliu e kishte shpërndarë atë popull, i kishte zënë robër pasardhësit e tyre dhe ishte kthyer në Medine. I Dërguari (s.a.v.) kishte dalë jashtë Medinës për ta pritur atë. Kur mbërriti, e përshëndeti dhe tha: “O Allah! Më përforco mua me të sikur që e kishe përforcuar Musën me Harunin! U flijofshin për ty babai dhe nëna ime!”
Resulullahu (s.a.v.) e dinte se, nga ana e jashtme, ajeti kishte zbritur për Musën (a.s) dhe Harunin (a.s) por në kuptimin e brendshëm ishte fjala për Imam Aliun. Ai e kishte marrë si shembull Musën (a.s) dhe Harunin (a.s) por ata që me të vërtetë përmendeshin ishin Pejgamberi dhe Imam Aliu. Zaten, në një hadith sahih, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Pozita e Aliut kundrejt meje është sikur pozita e Harunit kundrejt Musës. Vetëm që mbas meje nuk do të ketë pejgamber!” Sikur që mund të kuptojmë edhe nga hadithi sahih, Imam Aliu është në pozitën e pejgamberit por ai nuk është një pejgamber. Pejgamberi e ka ditur shumë mirë se Imam Aliu do të jetojë mbas tij dhe se ai nuk do jetë pejgamber, pra na ka qartësuar se mbas tij nuk do të vijë më asnjë pejgamber.
Rëndësia e këtij hadithi qëndron në atë se Imam Aliu zotëronte tiparet e një pejgamberi të lartësuar. Ai e zotëronte diturinë, zemërbutësinë, devotshmërinë, asketizmin, durimin dhe fuqinë e një pejgamberi. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Çokush që dëshiron që ta shikojë diturinë e Ademit, të kuptuarit e Nuhut, butësinë e Ibrahimit, asketizmin e Jahjas dhe fuqinë e Musës, le ta shikojë Ali bin Ebi Talibin”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 50
“... e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur udhëzim prej Allahut, ndjek epshin e vet? S'ka dyshim se Allahu nuk e udhëzon popullin zullumqar”
Imam Ali er-Rida ka thënë:
“Kuptimi i ajetit është ky: Çdokush që dëshiron që ta jetojë fenë sipas mendjes së tij, pa u udhëzuar prej Imamëve të drejtë, nuk ka më të devijuar se ai!”
Sigurisht që Imamët e drejtë që përmenden këtu janë Imamët e Ehli Bejtit. Allahu është një, pejgamberi është një, libri është një dhe Imamët e Ehli Bejtit janë një. Në mes tyre nuk ka dallime në pikëpamje. Të gjithë janë të lidhur njëri me tjetrin dhe janë njëri prej tjetrit. Por kjo nuk vazhdoi në këtë mënyrë dhe ymmeti erdhi në këtë gjendje që është tani. Çdonjëri është në kundërshtim me tjetrin dhe asnjëri nuk e pranon tjetrin. Burimi i kësaj mosmarrëveshjeje të ymmetit është moslidhja e tyre për imamët e njëjtë. Sepse, askush nuk ka ndonjë mosmarrëveshje në lidhje me Allahun, Pejgamberin dhe librin!
Tevili dhe tefsiri i ajetit 85
“S'ka dyshim se Ai që ta bëri obligim Kuranin, Ai do të kthejë ty aty kah erdhe...”
Imam Xhafer Sadiku a pyetën në lidhje me këtë ajet dhe ai tha:
“Betohem në Allah se para se të përfundojë e të shkatërrohet kjo botë, Resulullahu (s.a.v.) dhe Aliu (a.s) do të bashkohen prapë në këtë botë dhe do të ndërtojnë një xhami në Kufe me dymbëdhjetë dyer!”
Imam Ali Zejnelabidini ka thënë:
“Pejgamberi do të kthehet mbrapa te ju”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Mëshira e Allahut qoftë mbi Xhabirin (bin Abdullah el-Ensarin). Me të vërtetë, ai ishte prej fakihëve (juristëve) tanë dhe ai e ka ditur se ky ajet ka zbritur në lidhje me kthimin mbrapa”
Shpjegim:
Sipas informatave që vijnë nga Imamët tanë, i Dërguari (s.a.v.) dhe Imam Aliu (a.s) do të paraqiten edhe një herë para se të shkatërrohet kjo botë. Allahu i Madhëruar ka thënë në lidhje me pejgamberin tonë: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, përgëzues dhe qortues, por shumica e njerëzve nuk e dinë” (Sebe, 28) Sikur që na shihet qartë edhe nga ajeti, Pejgamberi (s.a.v.) i është dërguar tërë njerëzve. Po, çka do të bëhet me ata njerëz që nuk e dinë se i Dërguari (s.a.v.) ishte dërguar para 1400 vitesh të gjithë njerëzve si mëshirë? Një pjesë e madhe e njerëzve në Afrikë, në Amerikën Jugore dhe Australi nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë; si do të bëhet puna e tyre?
A do të hidhen në Xhehenem të gjithë ata që nuk kanë kurrfarë njohurie për Pejgamberin (s.a.v.) tonë? Assesi, Allahu qëndron larg prej një padrejtësie e zullumi të tillë dhe Ai është i pastër e pa të meta. Allahu i Madhëruar do t’ua japë rastin të gjithë njerëzve që ta njohin të vërtetën dhe pastaj do të kërkojë llogari prej tyre. Kjo thirrje e hapur do të bëhet në ditët e fundit të kësaj bote. Atëherë, asnjë njeri nuk do të mund të thotë se unë nuk kam ditur apo nuk kam dëgjuar.
Atë ditë çdokush do ta sheh dhe do ta dëgjojë vetë të vërtetën. Pa marrë parasysh fenë apo gjuhën e tyre, të gjitha do ta dëgjojnë gjënë e njëjtë. Pastaj, do të besojë ai që do dhe do të vazhdojë në pabesim ai që do. Por, është gabim që të mendojmë se gjendja dhe pozita e atyre që kanë besuar në momentin e fundit do të jetë e njëjtë me ata që kanë besuar më herët. Vendi i çdonjërit do të jetë sipas gradës së imanit të tyre. Sidoqoftë, më mirë është një iman me çfarëdo një gradë sesa cilado gradë e pabesimit.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 88
“Çdo send do të zhduket përveç fytyrës së Tij. Vetëm Atij i takon gjykimi dhe vetëm te Ai do të ktheheni!”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Ne jemi fytyrat që nuk do të zhduken!”
Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Në ajet me fytyrë nënkuptohet vendi nga i cili arrihet deri te Allahu, dhe ai vend jemi ne!”
Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Ne jemi dëshmia e Allahut, ne jemi dyert e Allahut, ne jemi gjuha e Allahut, ne jemi fytyra e Allahut, ne jemi syri i Allahut mbi robërit e Tij dhe ne jemi pronarët e urdhrit të Allahut mbi robërit e Tij!”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë. “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës. Allahu është më i lartësuar sesa përshkrimi i Tij me fytyrë. Por, kuptimi i kësaj është kjo: Çdo gjë do të zhduket, përveç fesë, me të arrihet te Allahu”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Kush vjen i nënshtruar ndaj Muhamedit (s.a.v.) dhe Imamëve të Ehli Bejtit që vijnë mbas tij sipas mënyrës që ka urdhëruar Allahu për t’u nënshtruar, ai ka ardhur drejt fytyrës që nuk do të zhduket. Çdokush që i nënshtrohet Resulullahut (s.a.v.), i është nënshtruar Allahut”.
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Fytyra që nuk do të zhduket është fytyra e Allahut dhe e Aliut (a.s)”
Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë suren Kasas. Falënderimi qoftë për Allahun. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.