Sureja Neml
Tevili dhe tefsiri i ajetit 60
“... A mos ka ndonjë zot tjetër pos Allahut? Jo, por ata janë popull që këmbëngulin në devijim”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Kuptimi i ajetit është ky: A munden me qenë brenda një kohe një imam i vërtetë (hak) dhe jo i vërtetë (batil)?”
Shpjegim:
Imami hak është imami të cilin e ka zgjedhur Allahu. Ndjekja e ndonjërit tjetër përveç këtij imami i ngjan adhurimit të një zoti tjetër, sepse Imami i vërtetë të qon te Allahu ndërsa i pavërteti të qon te shejtani.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 82
“E kur të bëhet realitet fjala që kemi folur kundër tyre, ne do të nxjerrim një krijesë të gjallë nga toka që do t'ju flasë atyre njerëzve që nuk ishin të bindur në argumentet Tona”
Resulullahu (s.a.v.) hyri në xhami dhe aty e pa të shtrirë Imam Aliun mbi rërë. U afrua te ai dhe tha: “Qohu, o ti që do ta dalësh nga toka i gjallë”. Njëri prej sahabeve që ndodhej aty, tha: “O Resulullah! A mund të thërrasim njëri tjetrin me këtë emër?”
Resulullahu (s.a.v.) tha: “Jo, Betohem në Allah se ky emër vlen vetëm për Aliun! Allahu i Madhëruar ka thënë në lidhje me këtë: “E kur të bëhet realitet fjala që kemi folur kundër tyre, ne do të nxjerrim një krijesë të gjallë nga toka që do t'ju flasë atyre njerëzve që nuk ishin të bindur në argumentet Tona”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Unë jam robi i Allahut. Unë jam krijesa e gjallë që do të dalë nga toka! Unë jam vëllai i pejgamberit sipas premtimit dhe drejtësisë!” Pastaj, u drejtua njërit prej atyre që gjendeshin afër tij, dhe tha: “A dëshiron që të tregojë ty në lidhje me formën e hundës dhe të syve të Mehdiut?” Ai person iu përgjigj: “Po, më trego!”. Imami e vendosi dorën e tij te gjoksi dhe tha: “Unë jam ai!”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Me argumentet e Allahut nënkuptohet Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu dhe Imamët që vijnë mbas tij”.
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë njërit prej sahabeve të tij, Hejsem bin Xhufit:
“O Hejsem! Përcille selamin tonë atyre që na duan neve dhe thuaju që të presin nga Allahu vetëm përmes veprave të tyre. Velajetin tonë mund ta arrijnë vetëm përmes devotshmërisë! Nuk do të shohin kurrfarë dobie ata që nuk lidhen për marifetin dhe velajetin tonë! Betohem në Allah, se krijesa e gjallë që do të dalë nga toka do t’i flasë çdonjërit, qoftë ai besimtar apo jobesimtar. Dhe, ai do të dalë nga shtëpia e Allahut (Qabja)! Nëse nuk do t’i besojnë velajetit tonë ata që do të dalin përpara tij dhe nëse nuk na pranojnë neve, padyshim ata do të jenë prej jobesimtarëve!
O Hejseme! Vetë Allahu ka thënë me fjalët e Tij se Ai ka Iman (Mumin). Ne jemi njohësit dhe të denjët e Tij! Imani njihet dhe vjen në krye përmes neve! Ne jemi Islami! Ligjet e Islamit mund të njihen vetëm përmes neve.
O Hejseme! Kush e njeh imanin dhe lidhet për të, padyshim që papastërtitë nuk do ta njollosin atë. Njëjtë, sikur drita që del nga kandili dhe që nuk humb nga drita e tij. Ai që na njeh neve dhe ai që e pranon velajetin tonë gjenden në pozitën e njëjtë dhe Allahu do t’i falë mëkatet e tyre”
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 89 - 90
“Kush vjen me një mirësi, atij do t'i takojë edhe më i mirë se ajo. Ata do të jenë të siguruar prej tmerrit të asaj dite. E kush vjen me një të keqe, ai do të hidhet i përmbysur me fytyrën e tij në zjarr. A do të dënoheni me ndonjë gjë tjetër pos me atë që punuat?”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Mirësia, është dashuria ndaj neve, Ehli Bejtit. E keqja është urrejtja ndaj neve”.
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Mirësia është njohja e imamit dhe nënshtrimi ndaj tij. Nënshtrimi ndaj tij do të thotë nënshtrimi ndaj Allahut”.
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Mirësia është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s)”.
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Mirësia është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s). E keqja është armiqësia dhe urrejtja ndaj tij”.
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Sikur ymmeti yt të ishte bërë si harku prej agjërimit të shumtë dhe të ishte shtrembëruar prej faljes së shumtë, dhe njëkohësisht të kishte ndierë urrejtje ndaj teje, padyshim Allahu do t’i kishte hidhur të përmbysur me fytyrë në zjarrin e Xhehenemit”
Nuk është e mjaftueshme që ymmeti t’i kryejë vetëm gjërat që dihen si obligim (farz). Për të qenë ato vepra të drejta, kushti është që të gjitha ato vepra duhet të kryhen në mënyrën që na kanë mësuar Imamët. Përndryshe, çdonjëri do të mund të shpifë diçka nga vetvetja dhe çdonjëri do të kishte ndryshuar atë që nuk e pëlqen. Kjo nuk është një gjë që i shkon për shtati një feje si Islami. Mbas të Dërguarit (s.a.v.), feja islame mund të merret vetëm prej Imamëve të Ehli Bejtit, që i ka lënë si amanet. Jashtë kësaj nuk ka asnjë të vërtetë.
Se nuk ka ndonjë të vërtetë tjetër, këtë mund ta shohim edhe nga gjendja e ymmetit. Ymmeti nuk ka ndonjë mundësi e zgjidhje tjetër veçse të lidhet me velajetin e zotërisë së Ehli Bejtit, Imam Aliut. Përndryshe, të gjitha veprat që kryhen janë të kota. Një vepër pa velajet do të thotë një iman pa pejgamber. Këto po i themi duke u bazuar në urdhrat e Imamëve të Ehli Bejtit. Asgjë nuk po shtojmë nga vetja jonë. Rrëfimet i kemi në duart tona ndërsa të menduarit dhe ndërgjegjen e kemi në brendësinë tonë.
Falënderimet qofshin për Allahun që na ka drejtuar kah shpëtimi. Këtu përfundon sureja Neml. Paqja dhe përshëndetja qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi anijen tonë shpëtuese të pastër, Ehli Bejtin.