Sureja Shuara
Tevili dhe tefsiri i ajetit 4
“Sikur të duam Ne, do të zbritnim një argument nga qielli për ata dhe qafat e tyre do të mbeteshin të shtrembër”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ky ajet ka zbritur në lidhje me Mehdiun (a.s) e Al-i Muhamedit (s.a.v.). Kur të paraqitet ai, emri i tij do të thirret me zë të lartë nga qielli”.
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Kur të vijë ajo ditë, do të paraqitet fytyra e Ali bin Ebi Talibit që është i fshehur brenda diellit, dhe do të bëhet e qartë se kush është ai. Qafat e armiqve të tij do të mbesin të shtrembëta atë ditë”.
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 100 - 101
“E tash për ne nuk ka ndonjë ndërmjetësues. Nuk ka as ndonjë mik të sinqertë”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ky ajet ka zbritur në lidhje me virtytin tonë dhe të shiitëve tanë. Sikur që ne do të bëhemi ndërmjetësues, ashtu edhe shiitët tanë do të bëhen ndërmjetësues. Kur të shohin ndonjërin që nuk është prej tyre, do të thonë: Ne nuk do të bëhemi as ndërmjetësuesi, as miku i tyre!”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Betohem në Allah se ne dhe shiitët tanë do të bëhemi ndërmjetësues. Kur t’i shohin këta armiqtë e tyre, do të thonë: Tani nuk kemi asnjërin që mund të ndërmjetësojë për neve dhe një mik të ngushtë!”
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 193-196
“Atë e solli Shpirti Besnik. (Ruh-ul Emin); Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen. Në gjuhën e kulluar arabe. Dhe, ai është i përmendur edhe në librat e të mëparshmëve”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Këto ajete na bëjnë me dije për velajetin e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s)”
Imam Ali er-Rida ka thënë:
“Velajeti i Aliut është shkruar në të gjitha librat e pejgamberëve të mëhershëm. Çdo pejgamber që e ka dërguar Allahu, e ka dërguar në bazë të pejgamberllëkut të Muhamedit (s.a.v.) dhe të velajetit të trashëgimtarit të tij, Aliut”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 214
“Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit tënd më të afërt”
Resulullahu (s.a.v.) i tuboi djemtë e Abdylmuttalibit në një vend, dhe tha:
“O djemtë e Abdylmuttalibit! Betohem në Allah se asnjë i ri prej mesit të arabëve nuk ia ka sjellë fisit të tij diçka më të lartësuar sesa kjo që ju kam sjellë unë. Padyshim, që unë ju kam sjellë të mbarën e kësaj dhe të botës së ardhshme. Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar t’ju bëjë thirrje kah Ai.
Ju jeni farefisi im më i afërm dhe në mesin e juaj ka që më pasojnë. Çdo pejgamberi që e ka dërguar Allahu ia ka dhënë edhe një vëlla, trashëgimtar, vezir dhe të besueshëm prej të afërmve të tij. Cili prej juve dëshiron që të qohet në këmbë e të betohet se do të bëhet vëllai, veziri dhe trashëgimtari im; mbas meje i besueshmi; kalifi i të afërmve dhe paguesi i borxhit tim?”
Të gjithë të pranishmit heshtën dhe Imam Aliu u qua në këmbë dhe tha: “Unë do ta bëjë atë betim, o Resulullah!” Resulullahu (s.a.v.) e vendosi dorën e tij mbi supet e Aliut dhe tha: “Ky është kalifi, i besueshmi dhe vëllai prej mesit tuaj! Nënshtrohuni atij”
Shpjegim:
Ky ajet na bën me dije se Imam Aliu është emëruar si kalifi i të gjithë të afërmve dhe trashëgimtari i tërë ymmetit nga ana e Pejgamberit (s.a.v.). Kjo ngjarje është shumë e shquar dhe është përmendur në librat më burimore synnit. Por, dijetarët synnit bëhen sikur nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj ngjarjeje ose e shtjellojnë si një ngjarje të rëndomtë. Shembullin më mbresëlënës të kësaj ngjarjeje do ta japim nga ana e historianit synnit të njohur me famë botërore, Taberiu.
Ai në librin e tij Tarih thotë se i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Ky është i besueshmi dhe kalifi im! Dëgjojeni dhe nënshtrohuni atij!” Po ky Taberi në librin e tij të tefsirit Xhami-ul Bejan ka thënë: “Ky Ali është i dashuri në mesin tuaj, i dashuri dhe vëllai im!” Nderin dhe drejtësinë të cilin e kishte treguar në librin e historisë, ai e kishte prishur në librin e historisë. Kur bëhen shpifje të tilla për hadithin e të Dërguarit (s.a.v.) nga ana e dijetarëve aq të mëdhenj, atëherë do ta marrim si mjaft normale shpifjet e profesorëve dhe të docentëve në lidhje me historinë dhe hadithin. Si do të bëhet gjendja e atyre që nuk janë të kënaqur me atë që ishte i kënaqur i Dërguari (s.a.v.). Këtë çështje po ua lëmë Allahut.
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 217 - 219
“Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshiruesin. I cili të sheh kur të ngrihesh në këmbë. Edhe kur je në mesin e atyre që bëjnë sexhde”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Kuptimi i ajetit është ky: Allahu i Madhëruar e ka përcjellë pejgamberin tonë prej pasardhësve të pejgamberëve të mëparshëm. Prej një pejgamberi në tjetrin, përderisa ka mbërritur te pasardhësit e babait të tij. Atë e ka sjellë në këtë botë në një gjendje të pastër dhe përmes një martese të pastër!”
Shpjegim: të gjithë paraardhësit e Pejgamberit (s.a.v.) kanë qenë të martuar në mënyrë të lejuar (hallall) sipas urdhrit të Allahut. Te paraardhësit e Pejgamberit (s.a.v.) nuk ka pasur në asnjë kohë ndonjë martesë jashtëligjore dhe të gjitha martesat kanë qenë të bazuara në sheriat. Drita e Pejgamberit (s.a.v.) ka vazhduar prej Ademit (a.s) deri te Abdylmuttalibi. Drita e Pejgamberit (s.a.v.) dhe e Imam Aliut ishte një dhe e vetme.
Ebu Talibi ishte njëri prej atyre që e kishte bartur këtë dritë. Ai radhitet në krye të atyre që i kanë bërë tevhid Allahut. Këtu dëshirojmë që të prezantojmë një rrëfim në lidhje me Ebu Talibin. Një ditë, gjatë kohës kur ishte kalifi i myslimanëve, Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, gjendej në një mëhallë me emrin Rahbe të Nexhefit, dhe një person nga mesi i qytetarëve u qua në këmbë dhe tha:
“O Urdhëruesi i Besimtarëve! A është duke u dënuar babai yt, Ebu Talibi, përderisa ti je në një pozitë të nderit e të lavdit?” Urdhëruesi i Besimtarëve tha: “Allahu t’i nxjerrtë dhëmbët nga goja jote! Betohem në Atë, i cili e ka dërguar Muhamedin si pejgamber, se sikur të kishte ndërmjetësuar babai im për të gjithë fajtorët, Allahu do ta kishte pranuar ndërmjetësimin e tij! Duke qenë unë ndarësi i zjarrit, a është e mundur që babai im do të qëndrojë në zjarr?
Betohem në Atë, i cili e ka dërguar Muhamedin se përveç këtyre pesë dritave; Muhamedi, unë, Fatimja, Hasani dhe Hysejni dhe dritave që vijnë nga pasardhësit e imamëve, të gjitha dritat e të tjerëve dhe të Ebu Talibit nuk do të shuhen deri në ditën e Kiametit. Sepse, drita e tij është prej dritës sonë dhe atë dritë e ka krijuar Allahu njëmijë vjet përpara Ademit!”
Ose, nëse duam që ta themi këtë në mënyrë më të qartë, këtë do ta tregojmë sipas rrëfimeve që vijnë nga Imamët e Ehli Bejtit. Imam Musa el-Kazimi ka thënë:
“Allahu i Madhëruar e ka krijuar Resulullahun (s.a.v.) prej dritës së Tij, të cilin e ka marrë nga madhështia e Tij. Kjo është prej dritës së Tij hyjnore të cilën e ka filluar prej botës shpirtërore dhe prej dinjitetit të Tij. Me atë dritë i ishte shfaqur Musës (a.s) në malin Turi Sina dhe ai nuk kishte mundur ta durojë atë dritë, prandaj u alivanos dhe u rrëzua në tokë! Ajo dritë ishte drita e Muhamedit (s.a.v.)!” Kur Allahu e krijoi Muhamedin (s.a.v.), atë dritë e ndau në dy pjesë.
Një pjesë ia dha Muhamedit dhe një pjesë Aliut. Prej kësaj drite janë krijuar edhe të tjerët.
Ata i ka krijuar me dorën e Tij dhe ua ka fryrë shpirtrat (nefs) prej shpirtit të Tij. Formën dhe përshkrimin e tyre ua ka dhënë prej pamjes së Tij.
Ata i ka caktuar si urdhërues dhe dëshmitar mbi njerëzit.
Ata i caktoi si mëkëmbës të Tij mbi njerëzit, syrin me të cilin shikon Ai dhe gjuhën me të cilën flet Ai.
Diturinë e Tij ua dha atyre dhe ua mësoi kuptimin e saj.
Ata i mësoi edhe për botën e padukshme. Njërin e fali si nefsi i Tij dhe të dytin si shpirti (ruh) i Tij, dhe të dytë qëndrojnë në këmbë vetëm përmes pronarit të tyre! Pamja e tyre e jashtme është njerëzore ndërsa ana e tyre e padukshme është hyjnore.
Ata u janë dukur njerëzve vetëm në formën që ata kanë mundur t’i durojnë ata, në formën e njeriut. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Sikur ta bënim Ne të dërguarin engjëll, prapë atë do ta bënim në formën njeriu dhe ata nuk do të mund të shpëtonin nga dyshimi në të cilën kanë rënë” (Enam, 9)
Ata janë grada e Zotit të botëve dhe perdja e të gjitha krijesave të Krijeusit! Ai e filloi krijimin përmes tyre dhe përmes tyre do të përfundojë vlerësimi dhe zotërimi. Pastaj, nga drita e Muhamedit e nxori Fatimen, njëjtë sikur që e kishte nxjerrë Muhamedin prej dritës së Tij. Prej dritës së Fatimes dhe Aliut e nxori Hasanin dhe Hysejnin njëjtë sikur drita që del nga qiriu. Këta janë krijuar prej dritës dhe janë përcjellë prej një shpine në tjetrin, prej një gjenerate në tjetrin, prej një mitre në tjetrin, në shtresën më të lartë dhe në formën më të pastër.
Ata nuk kanë qëndruar si çdo krijesë tjetër në ujë (në mitrën e nënës) dhe si një pikë uji.
Ata janë përcjellë prej pasardhësve më të pastër në mitra më të pastra në formë të dritës. Sepse, ata janë esenca e esencës dhe të zgjedhurit e nefsit të Tij.
Ata i fali si përcjellës të diturisë së Tij ndaj krijesave të Tij. Sepse, Ai nuk mund të shihet dhe të kaplohet me mendje. Fuqia dhe përmbajtja (kejfijet) e Tij nuk mund të dihen.
Ata janë që flasin dhe i bëjnë thirrje në vend të Tij.
Ata veprojnë në bazë të urdhrit dhe të ndalesës së Tij. Përmes tyre Ai e shfaq fuqinë e Tij dhe përmes tyre shihen argumentet dhe çudirat (muxhize) e Tij. Përmes tyre dhe prej tyre ua ka bërë të njohur njerëzve nefsin e Tij! Përmes tyre bëhet nënshtrimi ndaj urdhrit të Tij. Sikur të mos ishin ata, Allahu nuk do të mund të njihej dhe nuk do të kishim ditur se si adhurohet Rahmani. Urdhri i Allahut do të zbatohet në mënyrën që do Ai dhe përmes atyre që do Ai. “Ai nuk pyetet për atë se çka punon, por ata do të pyeten” (Enbija, 23).
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 224 - 227
“E për sa u përket poetëve, ata i ndjekin të humburit. A nuk sheh se ata bredhin nëpër lugina si të pamend. Dhe, me të vërtetë, ata janë që flasin atë çka nuk punojnë. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që e përmendin shumë Allahun dhe që e korrin fitoren mbasi që iu është bërë padrejtësia. E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se si do të shkatërrohen”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Poetët që përmenden në ajet janë ata që e ndërrojnë fenë e Allahut dhe që e kanë braktisur urdhrin e Allahut. A nuk e keni parë grupin e njerëzve që i pasojnë ata?
Me poet nënkuptohen ata persona që e themelojnë një fe duke u bazuar në pikëpamjet e tyre dhe pastaj njerëzit i ndjekin ata. Të tillët nuk veprojnë sipas fjalëve që dalin nga goja e tyre, nuk ua vënë veshin asaj që flasin vetë, e ndalojnë të keqen dhe vetë nuk heqin dorë prej saj, e urdhërojnë të mirën dhe vetë nuk e praktikojnë atë. Në lidhje me ata, Allahu i Madhëruar ka thënë:
A nuk sheh se ata bredhin nëpër lugina si të pamend. Gjegjësisht, janë duke shkuar mbas çdo mez-hebi. Ndërsa, ata që kanë besuar dhe të cilëve u është bërë padrejtësia nga ana e poetëve, janë Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, dhe fëmijët e tij. Allahu i Madhëruar na ka bërë me dije se si do të shkatërrohen ata që i kanë bërë padrejtësi hakut të Al-i Muhamedit. Këta zullumqar e kanë ndërruar fenë dhe gjykimet e Allahut. Ata i kanë lënë mbas dore kufijtë e Allahut dhe e kanë uzurpuar kalifatin padrejtësisht!”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“Kush dëshiron të kapet për fenë time dhe të hipi në anijen shpëtuese mbas meje, le ta bëjë Ali bin Ebi Talibin lider për vete. Le t’i pranojë armiqtë e Aliut si armiqtë e tij dhe miqtë e Aliut si miq të tij. Aliu është kalifi dhe i besueshmi im gjatë kohës sa jam në jetë dhe mbasi që të ndërrojë jetë. Ai është urdhëruesi i të gjithë myslimanëve dhe i besimtarëve mbas meje. Fjala e tij është fjala ime, ndalesa e tij është ndalesa ime. Ai që e pason atë, më ka pasuar mua; ai që e ndihmon atë, më ka ndihmuar mua; ai që e poshtëron atë, më ka poshtëruar mua.
Kush heq dorë nga Aliu mbas meje, ai do të më sheh mua në ditën e Kiametit dhe unë nuk do ta shoh atë në ditën e Kiametit. Allahu do ta ndalojë Xhenetin për ata që e kanë kundërshtuar Aliun dhe vendi i qëndrimit të tyre do të jetë zjarri.
Kush e poshtëron Aliun, ai do të poshtërohet në ditën e Kiametit përpara Allahut.
Kush i ndihmon Aliut, Allahu do ta ndihmojë atë kur të vijë në ditën e Kiametit dhe do ta shpëtojë kur të pyetet për dëshminë. Hasani dhe Hysejni janë dy Imamët e ymmetit mbas babait të tyre. Ata janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit.
Nëna e tyre do të vijë në krye të gjitha grave, ndërsa babai i tyre është zotëria i të gjithë të besueshmëve. Prej pasardhësve të Hysejnit do të vijnë nëntë Imam dhe Imami i fundit do të jetë Mehdiu. Të gjithë janë djemtë e mijë. Nënshtrimi ndaj tyre është nënshtrimi ndaj meje dhe rebelimi ndaj tyre do të thotë rebelimi ndaj meje. Unë do të ankohem te Allahu në lidhje me ata që mbas meje i kanë mohuar virtytet e tyre dhe që i kanë marrë të drejtat (kalifatin) e tyre.
Neve na mjafton Allahu, si miku dhe ndihmësi më i mirë që do të hakmerret kundër atyre që i kanë mohuar të drejtat e Imamëve, prej pasardhësve të mijë. E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se si do të shkatërrohen”
O Resulullah!
O predikuesi i Allahut dhe më i zgjedhuri e më i virtytshmi prej mesit të robërve. Zotëria ynë, Muhamed! Paqja dhe përshëndetja më e lartësuar qoftë mbi ty dhe mbi Ehli Bejtin tënd të pastër.
O Resulullah!
Ne po ta drejtojmë ty ankesën tonë.
Pasardhësit e tuaj të pastër janë harruar, braktisur dhe janë larguar prej të gjitha të drejtave. Ata që i duan pasardhësit tuaj, i trajtojnë me armiqësi e neveri dhe i pasojnë ata që i urrejnë e i bëjnë zullum atyre. Ata nuk lejojnë që të flasin dhe i heshtin ata që e tregojnë të vërtetën në lidhje me vëllanë, të besueshmin dhe të dashurin tënd, Aliun (a.s), të cilin e ke lënë si amanet aq shumë dhe të cilin e mohojnë aq shumë.
Nëse ne kemi ndonjë faj, atëherë ajo është dashuria ndaj juve dhe pasimi i Ehli Bejtit, të cilin e ke lënë amanet. Ti ke urdhëruar dhe ne jemi bindur ndaj teje. Urdhëruesin e Besimtarëve, Imam Aliun (a.s) e kemi pranuar si urdhëruesin dhe mikun tonë. Inshallah ne do t’i durojmë padrejtësitë dhe ofendimet për shkak të kësaj përderisa të takohemi me ty.
Ne jemi duke shkuar mbas gjurmëve të Imamëve të Ehli Bejtit, që të mund të jemi të denjë për ndërmjetësimin tënd. Diturinë dhe moralin (ahlak) tonë jemi duke e zbukuruar përmes tyre. I mallkojmë mbas çdo namazi dhe qëndrojmë larg prej atyre që i kanë uzurpuar e mohuar të drejtat e Ehli Bejtit. Mbrojtësi, miku dhe ndihmuesi më i bukur është Allahu dhe vetëm te Ai mbështetemi.
Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Shuara.