Sureja Haxh

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 9

“Ai që e shtrembëron qafën (në shenjë mendjemadhësie), e përpiqet t'i humbë njerëzit nga rruga e Allahut. Atij do t'i takojë poshtërimi në këtë jetë, ndërsa në ditën e Kiametit atij do t'ia shtojmë dënimin e djegies së zemrës”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë në lidhje me tefsirin e brendshëm të këtij ajeti:

“Ky ajet është shpallur në lidhje me të dytin. Kur Resulullahu (s.a.v.) i njoftoi njerëzit se kush është Imami, i dyti i tha shokut të tij: Betohem në Allah se nuk do t’ia japim kurrë Aliut këtë hak”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 45

“...sa bunarë kanë mbetur shkret e sa pallate të rrënuara!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Pallati është Pejgamberi (s.a.v.) ndërsa bunari i shkretë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s)”

Në një vend tjetër, Imami ka thënë:

“Pallati i shkretë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Bunari, të cilit i është ndërprerë uji, janë djemtë e Fatimes. Pozitat e tyre janë uzurpuar”.

Imam Musa el-Kazimi ka thënë:

“Bunari të cilit i është ndërprerë uji është imami që hesht. Pallati i rrënuar është imami që flet”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 50-51

“Ata që besuan dhe që bënë vepra të mira, do të kenë falje dhe furnizim të begatshëm. Ndërsa, ata që u përpoqën t'i mposhtin argumentet Tona, të tillët janë banues të xhehenemit”. 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira është Al-i Muhamedi (s.a.v.). Ndërsa banorët e xhehenemit janë ata që mundohen ta ndërpresin dashurinë ndaj Al-i Muhamedit dhe t’i shkaktojnë dhunë. Ata janë katër persona: Timi, Adevi dhe dy Emevi”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 67

“Çdo ymmeti Ne i përshkruam adhurime (ibadete), të cilët duheshin zbatuar. Pra, le të mos polemizojnë me ty për këtë çështje, e ti thirri te Zoti yt. Padyshim, ti je në një rrugë të drejtë”.

 

Resulullahu (s.a.v.) i tuboi muhaxhirët dhe ensarët dhe tha:

“O grupi muhaxhirëve dhe ensarëve! Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo ymmeti Ne i përshkruam adhurime (ibadete), të cilët duheshin zbatuar”. Këtu, me ibadet nënkuptojmë imamin e zgjedhur që do të vijë mbas një pejgamberi, përderisa të vijë pejgamberi tjetër. Dijeni mirë që nënshtrimi ndaj Imamit dhe ndjenja e nevojës për të është vetë feja dhe adhurimi, dhe ai është Ali bin Ebi Talibi! Ai është Imami juaj mbas meje. Unë po ju bëjë thirrje që të mbaheni për udhëzimin e tij, dhe vetë ai është në rrugën e drejtë”.

 

Disa prej mesit të tyre thanë:

“Betohem në Allah se kurrë nuk do të jemi të kënaqur me Imametin e Aliut dhe se do të polemizojmë me të në lidhje me këtë. Resulullahu (s.a.v.) është i dhënë mbas Aliut”.

Atëherë, Allahu i Madhëruar e zbriti këtë ajet:

“Ti thirri te Zoti yt, se padyshim ti je në një rrugë të drejtë. E nëse ata të kundërshtojnë ty, ti thuaju: Allahu di më së miri për këtë që ju po veproni. Allahu do të gjykojë mes juve në ditën e kiametit për atë që kundërshtoheni”. (Ajetet 68 dhe 69 të kësaj sureje)

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 72

“E kur u lexohen atyre ajetet tona të qarta, në fytyrat e atyre që nuk besuan u vëren urrejtje. Gati iu vërsulen atyre që ua lexojnë ajetet tona. Thuaj: A t'ju tregoj për një gjë më të keqe se kjo? Zjarri. Allahu e caktoi atë për ata që nuk besuan. Sa i keq është ai vend ku do të shkojnë”. 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Kur zbritën ajetet në lidhje me nënshtrimin dhe virtytet e Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun (a.s), një grup nuk dëshironin që të dëgjojnë në lidhje me këtë dhe ndjenin urrejtje. Ata shkuan aq larg, sa që dëshironin ta hedhin në greminë Resulullahun (s.a.v.) në natën e Akabes. Allahu i Madhëruar i zbriti këto ajete në lidhje me ata”

 

Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Haxh. Falënderimet qofshin për Allahun dhe paqja e selami i Tij qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.