Sureja Enbija

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 3

“...zullumqarët janë duke biseduar fshehtas”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Zullumqarë janë ata që e kanë uzurpuar hakun (kalifatin) e Al-i Muhamedit (s.a.v.)!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 10

“Ne ju shpallëm librin në të cilin gjendet përkujtimi (ziqr) juaj. A nuk po kuptoni ende?”

 

Imam Musa el-Kazimi ka thënë:

“Me përkujtim (ziqr) nënkuptohet nënshtrimi ndaj Imamit që do të vijë mbas të Dërguarit (s.a.v.)”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 24

“Thuaj: Silleni argumentin tuaj! Ky është përkujtimi i atyre që janë bashkë me mua dhe të atyre që ishin para meje”

 

Imam Musa el-Kazimi ka thënë:

“Me përkujtimi i atyre që janë bashkë me mua nënkuptohet Aliu (a.s). Me përkujtimin përpara Pejgamberit (s.a.v.) nënkuptohet pejgamberët e mëhershëm dhe të besueshmit e tyre”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 47

“Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Peshojat e drejta janë Pejgamberi (s.a.v.) dhe Imamët e Ehli Bejtit”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 73

“Dhe ata i bëmë Imamë që udhëzonin për në rrugën e drejtë sipas urdhrit Tonë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Imamët që i udhëzonin njerëzit për në rrugën e drejtë janë Imamët e Ehli Bejtit”.  

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 87

“...Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetes!”

 

Ai që e bëri këtë lutje ishte Junusi (a.s).

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Allahu i Madhëruar ia prezantoi tokës dhe qiellit velajetin e Ehli Bejtit. Ata e pranuan përveç Junusit, djalit të Mattas. Allahu e futi atë në barkun e peshkut përderisa e pranoi velajetin e Aliut (a.s)”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 89

“Zoti im, mos më lë të vetmuar. Ti je më i miri prej trashëguesve”

 

Në luftën e Hendekut, Resulullahu (s.a.v.) e dërgoi Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun (a.s) për të luftuar kundër trupmadhit të idhujtarëve, Amr bin Abduvedit, dhe e bëri këtë lutje:

‘O Allah! Në luftën e Bedrit e ke marrë Ubejde bin Harisin, në luftën e Hendekut e ke marrë Hamzën. Ky është Aliu, mos më lë të vetmuar. Ti je më i miri prej trashëguesve”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 101 - 102

“Sigurisht që ka të tillë që më herët kanë marrë prej neve premtimin e të bukurës, të tillët janë larg prej tij (xhehenemit). Ata nuk do ta dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë”

 

I Dërguari (s.a.v.) ka folur prej mimberit:

”O Ali! Ti dhe shiitët tuaj jeni prej atyre që e flasin të vërtetën dhe të zgjedhurit prej robërve të Allahut! O Ali! Unë do ta dridhi i pari tokën dhe ti do të jesh bashkë me mua. Të tjerët do të vijnë më vonë. O Ali! Ti dhe shiitët do të pritni te burimi i Kevtherit, do të ofroni ujë të dashurve tuaj dhe do t’i largoni ata që janë të padëshiruar. Në ditën më të frikshme, ju do të qëndroni nën hijen e Arshit brenda sigurisë. Njerëzit do të jenë të frikësuar ndërsa ju nuk do të pikëlloheni.

Në lidhje me ju ka zbritur ky ajet: “Sigurisht që ka të tillë që më herët kanë marrë prej neve premtimin e të bukurës, të tillët janë larg prej tij (xhehenemit)”. Në lidhje me ju ka zbritur edhe ky ajet: “Ata nuk do t'i shqetësojë as frika më e madhe. Ata do t'i presin engjëjt duke i uruar: Kjo është dita juaj që ju premtohej” (Ajeti 103). 

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

 

“O Ali! Allahu të ka dhënë ty dashurinë e të varfërve dhe të dobëtëve. Ti i ke pranuar ata si vëllezër dhe ata të kanë pranuar si Imam. Të lumtë për ata që të duan e të pranojnë ty dhe sa të këqij janë ata që të përgënjeshtrojnë e urrejnë ty.

O Ali! Ti je një dituri për këtë ymmet. Ai që të ka dashur ty, më ka dashur mua ndërsa është shkatërruar ai që të urren ty.

O Ali! Unë jam qyteti i diturisë ndërsa ti je dera e saj. A mund të hyhet në qytet veçse nga dera e saj?

O Ali! Ata që të duan ty dhe që lidhen me ty janë sikur një arkë e mbrojtur dhe e sigurt, brenda të cilës ruhen drithërat. Nëse i luten Allahut, sigurisht që lutja e tyre do të pranohet.

O Ali! Këta persona që janë vëllezërit tuaj, dashurojnë dhe urrejnë me ty. Në mesin e njerëzve pozita e tyre është e ulët por te Allahu pozita e tyre është e lartësuar.

O Ali! Ata që të duan ty janë fqinjët e Allahut te shtëpia e Kudsit. Atyre nuk u vjen rëndë fare për atë që janë lënë mbas dore në këtë botë.

O Ali! Unë jam miku i atij që është miku yt dhe armiku i atij që është armiku yt.

O Ali! Vëllezërit tuaj janë të njohur si të ata me fytyra të zbehura dhe që kanë hequr dorë prej lezeteve të kësaj bote.

O Ali! Vëllezërit tuaj do të gëzohen në tre gjëra: Kur të vdesin dhe të dalin shpirtrat prej trupave të tyre, unë dhe ti do të jemi dëshmitar në atë moment, kur të merren në pyetje natën e varrit dhe kur të japin llogari duke kaluar nëpër Sirat. Aty njerëzit nuk do të mund të përgjigjen kur të pyeten në lidhje me imanin e tyre.

O Ali ! Lufta jote është lufta ime, paqja jote është paqja ime. Grupi yt është grupi im dhe grupi im është sigurisht grupi i Allahut. 

O Ali! Thuaj vëllezërve tuaj: Allahu i Madhëruar do të jetë i kënaqur që unë të bëhem lideri juaj dhe që ju të më pranoni si urdhëruesin tuaj.

O Ali! Ti je Urdhëruesi i Besimtarëve, lideri i atyre me duar dhe këmbë të pastra.

O Ali! Shiitët tuaj janë njerëzit e zgjedhur. Sikur të mos ishe ti dhe shiitët tuaj, feja e Allahut nuk do të qëndronte në këmbë. Sikur të mos ishin shiitët tuaj mbi sipërfaqen e tokës, nuk do të binte asnjë pikë uji nga qielli.

O Ali! Në xhenet është një thesar për ty dhe ti je Dhulkarnejni i atij vendi. Shiitët tuaj janë të njohur si grupi (hizbi) i Allahut.

O Ali! Ti dhe shiitët tuaj jeni të zgjedhur prej mesit të robërve të Allahut si të drejtë e të qëndrueshëm.

O Ali! Ti dhe shiitët do të pritni te burimi i Kevtherit, do të ofroni ujë të dashurve tuaj dhe do t’i largoni ata që janë të padëshiruar. Në ditën më të frikshme, ju do të qëndroni nën hijen e Arshit, brenda sigurisë. Njerëzit do të jenë të frikësuar ndërsa ju nuk do të pikëlloheni. Në lidhje me ju ka zbritur ky ajet: “Ata do të jenë të siguruar prej tmerrit të asaj dite” (Neml, 89), si dhe ky ajet: “Sigurisht që ka të tillë që më herët kanë marrë prej neve premtimin e të bukurës, të tillët janë larg prej tij (xhehenemit). Ata nuk do t'i shqetësojë as frika më e madhe. Ata do t'i presin engjëjt duke i uruar: Kjo është dita juaj që ju premtohej” (Ajeti 103). 

O Ali! Ti dhe shiitët tuaj do të qëndroni në vendin e duhur dhe të gjithë do të jeni brenda dhuntive të xhenetit.

O Ali! Engjëjt dhe huritë e xhenetit janë mallëngjyer për ty dhe për shiitët tuaj. Engjëjt dhe mbajtësit e Arshit ju përmendin gjithnjë në lutjet e tyre dhe kërkojnë të mbara për të dashurit tuaj. Ata do t’i gëzohen takimit tënd dhe të shiitëve tuaj me gëzimin e një familjes që është duke e pritur njërin anëtar që të kthehet prej kurbeti mbas një kohe të gjatë.

O Ali! Për të arritur pozita të larta te Allahu, shiitët tuaj do të bëjnë xhihad dhe kur të arrijnë te Allahu, do të arrijnë pa mëkate.

O Ali! Veprat e shiitëve më prezantohen çdo të premte. Unë gëzohen për veprat e tyre të mira dhe kërkoj falje nga Allahu për veprat e tyre të këqija.

O Ali! Ti dhe shiitët jeni përmendur me të mbarë në Tevrat, ende pa u krijuar ata. Rasti i tyre është i njëjtë edhe në Bibël. Sikur hebrenjtë dhe krishterët që e njohin Ilijjën prej librave të tyre ashtu edhe shiitët tuaj e njohin më mirë se ata diturinë tënde në Tevrat, Bibël dhe Kuran.

O Ali! Tregoji sahabeve tuaj se përmendja e tyre në qiell është më e shumtë dhe më e lartësuar sesa përmendja e tyre mbi sipërfaqen e tokës. Le të gëzohen për këtë dhe le të mundohen edhe më shumë. 

O Ali! Shpirtrat e shiitëve do të lartësohen në qiell gjatë kohës kur janë duke fjetur dhe kur të vdesin. Engjëjt i shikojnë shpirtrat e tyre dhe i gëzohen dritës së shpirtrave të tyre sikur që i gëzohen njerëzit dritës së hënës së plotë. Engjëjt i vështrojnë gjithmonë vendqëndrimet e shpirtrave të tyre te Allahu.

O Ali! Thuaj sahabeve tua që të njohin sipas hakut që të qëndrojnë larg prej veprave të pista të armiqve. Çdo mëngjes e mbrëmje ata do t’i kaplojë mëshira e Allahut.

O Ali! Zemërimi i Allahut është ashpërsuar ndaj atyre që i përgojojnë shiitët tuaj, që janë larguar prej teje dhe prej shiitëve tuaj, që të ndërrojnë ty dhe shiitët tuaj me ndonjë tjetër, që shkojnë mbas ndonjërit tjetër duke të braktisur ty dhe shiitët tuaj, që e kanë zgjedhur devijimin dhe që të luftojnë ty dhe shiitët tuaj, që i urrejnë ata të cilët na janë nënshtruar ndaj neve, Ehli Bejtit, dhe që janë duke e përdorur fuqinë e tyre materiale dhe shpirtërore kundër neve.

O Ali! Përcille selamin tim atyre që nuk më shohin mua dhe shiitët tuaj. Atyre thuaj: ‘Ju jeni vëllezërit dhe të mallëngjyerit e Resulullahut (s.a.v.)’. Ata janë të kapur fort për litarin e Allahut dhe kanë besim në të. Ata flasin përmes veprave. Është më se e sigurt se ne nuk do t’i nxjerrim ata nga rruga e drejtë dhe t’i qojmë në humbje. Thuaj atyre: Allahu i Madhëruar është i kënaqur me juve dhe krenohet përpara engjëjve me ju. Çdo të premte i shikon ata me mëshirë dhe i urdhëron engjëjve që të luten për faljen e tyre.

O Ali! Mos e ndërro ndihmën e atyre që të duan sikur që më duan mua dhe të atyre që janë të qëndrueshëm në fenë e Allahut me ndihmën e ndonjërit tjetër sepse, ata të ndjekin ty sikur fëmija që e ndjek babanë e tij me pastërtinë e zemrës. Ata i kanë duruar vështirësitë për hir të neve. Ata nuk i kursejnë ndihmat ndaj neve, pa marrë parasysh çmimin që do të paguajnë për këtë. Ata e kanë derdhur gjakun e zemrave të tyre për hir të neve kundrejt vështirësive dhe të këqijave.

Madje, nuk e kanë parë të poshtëruar veten për shkak të kësaj situate. Ti bëhu i mëshirshëm ndaj tyre dhe përqafoji ata, sepse Allahu i Madhëruar i ka krijuar ata prej krijimit tonë. Fshehtësitë tona ua ka dhënë atyre, zemrat e tyre i siguroi me njohjen tonë, i zgjeroi gjokset e tyre, i bëri që të lidhen për litarin tonë dhe që të mos i pranojnë kurrë kundërshtarët tanë si të epërmit e tyre, dhe për këtë arsye zullumi dhe të këqijat e sulltanëve i arriti ata. Allahu i përforcoi ata dhe i udhëzoi në rrugë të drejtë. Ata u kapën për rrugën e drejtë përderisa të tjerët ishin duke shëtitur në devijim, të painformuar. Njerëzit e tillë janë gdhirë dhe e kanë arritur mbrëmjen me mallkimin e Allahut. Shiitët tuaj janë në rrugën e drejtë e të hakut. Ata nuk i mbështeten atyre që i kundërshtojnë ata, ata nuk bëjnë ndonjë veprim për t’u treguar dhe ata janë kandilat e errësirës”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 105

“Ne kemi shënuar në Zebur, pas Ziqrit: Me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Trashëgimtarët do të jenë Al-i Muhamdi  (salavatullahi alejhum exhmain)!”

Imami ka thënë: 

“Trashëgimtarët do të jenë Al-i Muhamedi dhe ata që janë duke shkuar rrugës së tyre”

Në një rrëfim tjetër, ka thënë:

“Trashëgimtarët janë Mehdiu dhe sahabet e tij. Ata do të jenë trashëgimtarët në fundin e kohës”.

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë këtë sure. Falënderimet i takojnë vetëm Allahut dhe paqja e selami i Tij qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin (s.a.v.), dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.