Sureja Rad

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Ti je vetëm qortues dhe çdo popull ka një tregues të rrugës”.

 

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: 

“Unë jam qortuesi dhe Aliu është treguesi i rrugës mbas meje. O Ali! Ata që duan ta gjejnë rrugën e drejtë, këtë mund ta bëjnë vetëm përmes teje!”

 

Në një rrëfim tjetër thuhet:

“Unë jam qortuesi dhe Aliu është treguesi i rrugës së popullit! O Ali! Ti je ndriçuesi i krijesave, ti je qëllimi i udhëzimit, ti je urdhëruesi i qyteteve. Unë jam dëshmitar se ti je i tillë”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Unë jam qortuesi dhe në çdo kohë do të jetë njëri prej neve që do ta tregojë rrugën e drejtë. Së pari i dërguari i Allahut pastaj Aliu dhe mbas tij çdo i besueshëm (imam) do ta ndjekim njëri tjetrin”.

 

Njëri prej sahabeve të Imam Xhafer Sadikut e pyeti në lidhje me këtë ajet, dhe ai tha:

“Ajeti ka zbritur në lidhje me një person dhe nëse mbas atij personi vdes edhe ajeti, atëherë ka vdekur edhe Kurani. Sikur edhe te popujt e mëhershëm, sipas pikëpamjes së gjykimit, ajetet janë të vazhdueshëm e të qëndrueshëm për pjesën tjetër të ymmetit që do të vijë më vonë”.

 

Shpjegim: Sikur që thotë edhe Imam Xhafer Sadiku, treguesi i rrugës së drejtë mbas të Dërguarit (s.a.v.) është Imam Aliu dhe, kur të ndërrojë jetë Imam Aliu, nuk është e drejtë të themi se ka vdekur ai që ia ka treguar ymmetit rrugën e drejtë. Sikur edhe te ymmetet e mëhershëm, ata që e kanë treguar rrugën e drejtë gjithnjë e kanë lënë njërin që do të tregojë rrugën e drejtë. Një gjë e tillë është e domosdoshme. Në të kundërtën, shumë lehtë do të bëhet ndryshimi i gjykimeve.

 

Ata që e kanë kundërshtuar Allahun gjithmonë janë munduar që t’i asgjësojnë urdhrat e Tij. Ata janë munduar në mënyra të padrejta që ta shuajnë vlefshmërinë e gjykimeve. Nëse marrim si shembuj ymmetet e mëhershme, do të na bëhet më e qartë kjo që po themi. Sikur të kishin vazhduar nga ana e ymmetit të tij urdhrat dhe ndalesat që i ka sjellë Musa (a.s), nuk do të kishte mbetur mundësia e përgënjeshtrimit të Isës (a.s).

 

A nuk ka lënë amanet Musa (a.s) ndonjë trashëgimtar? Po, Musa e kishte lënë Jusha bin Nunin si kalif dhe imam të ymmetit të tij, sipas urdhrit të Allahut. Por, ymmetin e tij e ka nxjerrë nga rruga e drejtë mosbindja ndaj tij. Një gjë e tillë është bërë gjithmonë. Mosbindja ndaj kalifit dhe imamit ka qenë shkaku i largimit nga rruga e drejtë dhe të humbjes së tyre. E njëjta ndodhi edhe me ardhjen e Isës (a.s), e njëjta ndodhi edhe me ardhjen e pejgamberit tonë.

 

Po mirë, si është gjendja e këtij ymmetit të fundit? Nuk dallon aspak prej ymmeteve të mëhershme. Të themi se të gjithë janë pajtuar se do të vijë Mehdiu. Çfarë nevoje kanë për Mehdiun ata që janë në rrugën e drejtë? Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “Ne do ta thërrasim çdo popull me imamin e tij” dhe, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Ai që vdes pa e njohur imamin e tij, do të vdes si xhahil”.

 

Imam Aliu kishte hipur në mimber dhe kishte thënë:

“Unë e di se cili ajet i Kuranit ku ka zbritur, në lidhje me kënd ka zbritur, shkakun që ka zbritur dhe se a ka zbritur në mal apo në rrafshinë!” Njëri që ishte duke e dëgjuar i tha: “Çka ka zbritur në lidhje me ty në Kuran?”. Imam Aliu tha: “Sikur të mos kishe pyetur, nuk do të kisha treguar. Në lidhje me mua ka zbritur ky ajet: “Ti je vetëm qortues dhe çdo popull ka një tregues të rrugës”.

Resulullahu është qortuesi dhe unë jam treguesi i asaj rruge që ka treguar ai”. Ja, ky është imami për të cilin duhet të mbahet ymmeti.

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Qortuesi është Resulullahu (s.a.v.) dhe treguesi i rrugës së drejtë është Aliu. Në çdo kohë do të jetë njëri prej neve që do ta tregojë rrugën e treguar nga ana e pejgamberit”.

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Sipërfaqja e tokës nuk do të mbetet në asnjë kohë pa dëshminë (huxhet) e Allahut që do të qëndrojë në këmbë (kaim). Kjo dëshmi do të jetë e hapur dhe i ditur nga ana e të gjithëve ose i fshehur dhe i mbuluar, në mënyrë që të mos zhduket fjala e Allahut”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Kush isha në Miraxh, në një moment kur në mes meje dhe Zotit tim nuk qëndronte një as engjëll i afërm, as një i dërguar, mua më është plotësuar çdo dëshirë nga ana e Allahut. Atëherë, te veshët i mijë erdhi gjë e tillë: “Ti je vetëm qortues dhe çdo popull ka një tregues të rrugës”.

Unë thashë: O Allahu im! Unë jam qortuesi, por kush është treguesi i rrugës së drejtë?

Allahu më tha: Ai është Ali bin Ebi Talibi. Ai është qëllimi i atyre që dëshirojnë që ta gjejnë rrugën e drejtë, imami i të devotshmëve, lideri i atyre që i kanë duart e këmbët e pastra dhe dora e mëshirës së ymmetit që do ta qojë në Xhenet!”

 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 19

“A është i njëjtë ai që e di se është e vërtetë ajo që ka zbritur ty nga Zoti yt, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

Ai që e di se është e vërtetë ajo që ka zbritur është Imam Aliu, ndërsa, i verbëri, ai që nuk di, është armiku i tij”

Sipas rrëfimit që vjen nga Abdullah bin Abbasi, i verbëri është kalifi i parë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 20

“Ata janë, të cilët e zbatojnë besën e dhënë Allahut dhe nuk e thyejnë zotimin”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Shiitët (Ithtarët) e Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliut, nuk e kanë thyer zotimin e tyre dhe janë duke e zbatuar besën e dhënë në lidhje me velajetin në kohën e Kalu Belasë dhe në ditën e Gadir Humit!”

 

Imami na bën me dije për bejatin e dhënë ndaj Imam Aliut gjatë fillimit të krijimit, pra prej kalu belasë. Ai ka treguar se ndaj këtij bejati kanë mbetur dhe do të mbesin besnik të përhershëm vetëm ithtarët e Imam Aliut. Edhe nëse ia prenë kokën ndonjërit prej shiitëve të Imam Aliut, ai nuk do të del prej velajetit të të afërmit (veli).

Nëse ia japin pasurinë e tërë botës ndonjërit që nuk është prej shiitëve, ai nuk do të hyjë kurrë në velajetin e të afërmit. Por, urtësia është e tillë që në Kalu Bela bota e krijimit është përzier në mes veti. Në jetën e kësaj bote, ata që e kanë mohuar janë martuar me ata që kanë besuar dhe në këtë mënyrë kanë vazhduar që të vijnë në mënyrë të përzier brenda një familjeje ata që kanë mohuar dhe ata që kanë besuar.

Çështja për të cilën jemi duke folur është se duhet që të ndahet pjesa që ka mohuar prej asaj që ka besuar dhe të bëhet pastrimi e ndarja sikur që ka qenë në fillimin e krijimit. Kjo përzierje ka vazhduar ndoshta me miliona vite dhe është duke vazhduar ende. Prej njërit që beson del njëri që mohon dhe prej njërit që mohon del njëri që beson.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 21

“Dhe ata që e mbajnë lidhjen për të cilën Allahu ka urdhëruar të mbahet, që frikësohen nga Zoti i tyre dhe nga llogaria e rëndë e përgjegjësisë”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Shiitët e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, janë ata që e mbajnë lidhjen e farefisit të Muhamedit (s.a.v.) dhe nuk ndahen prej tij. Pra, i nënshtrohen Ehli Bejtit të Muhamedit (s.a.v.) dhe i duan ata”.

 

Imam Ali er-Riza ka thënë:

“Lidhja farefisnore e Muhamedit (s.a.v.) është e lidhur për Arsh dhe nga aty e bën këtë thirrje: O Allah! Lidhe atë që lidhet për neve dhe ndërprite atë që ndërpritet prej neve”.

Që do të thotë: Lidhi për Xhenet ata që lidhen me Ehli Bejtin e Resulullahut (s.a.v.) dhe ndërpritja Xhenetin atij që e ndërpret lidhjen me Ehli Bejtin e Muhamedit (s.a.v.)

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Allahu i Madhëruar e krijoi mëshirën prej emrit të Tij Rahman. Dhe kjo mëshirë është lidhja farefisnore e Muhamedit (s.a.v.). Prej nderimit ndaj Allahun është krijuar nderimi ndaj Muhamedit (s.a.v.). Prej nderimit ndaj Muhamedit (s.a.v.) është krijuar nderimi ndaj Ehli Bejtit. Shiitët tanë, qofshin meshkuj apo femra, janë të lidhur për lidhjen farefisnore të Ehli Bejtit të Muhamedit (s.a.v.). Nderimi i tyre do të thotë nderimi i Muhamedit (s.a.v.). Mjerë për ata që nuk i nderojnë ata që janë të lidhur për Muhamedin (s.a.v.)! Të lumtë për ata që janë të lidhur me lidhjen e tij farefisnore”.

 

Allahu i Madhëruar ka thënë në lidhje me ithtarët e Imam Aliut:

“Edhe ata që duruan për hir të kënaqësisë së Zotit të tyre, që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas; ata e largojnë të keqen duke bërë mirësi. Të tillët kanë përfundim më të mirë, Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë. Ata do t'i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin. Sa përfundim i lavdishëm është ky vend”. (Rad, 23-24)

Të lumtë për ithtarët e Imam Aliu që i zotërojnë këto tipare.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 25

“E ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut pasi u patën zotuar, e këpusin atë për të cilën Allahu ka urdhëruar të jetë e pakëputur dhe bëjnë shkatërrime në tokë. Ata janë të mallkuar dhe ata kanë përfundim të keq”.

 

 

Ali bin Ibraimi ka regjistruar në tefsirin e tij këtë rrëfim:

“Në ditën e Gadir Humit, Imam Aliut ia kanë dhënë zotimin përpara Resulullahut (s.a.v.) dhe pastaj e kanë prishur këtë zotim. Ata që Allahu i ka mallkuar këtu janë ata që e këpusin atë për të cilën Allahu ka urdhëruar që të jetë e pakëputur dhe që bëjnë shkatërrime në tokë. I tyre është përfundimi më i keq”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 28

“Ata që besuan dhe ata që zemrat e tyre qetësohen kur përmendet Allahu; pra ta dini se me të vërtetë zemrat stabilizohen kur përmendet Allahu”.

 

 

Resulullahu (s.a.v.) i ka thënë Imam Aliut:

“A e di se për hakun e kujt ka zbritur ky ajet”.

Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri”. Resulullahu (s.a.v.) tha: “Ky ajet për zbritur për hakun e atyre që më dëshmojnë e besojnë mua; të atyre që të donë ty dhe pasardhësit e tu mbas teje dhe që ju dorëzojnë juve këtë urdhër (kalifatin)”

 

Në një rrëfim ka thënë:

“Ata që përmenden në këtë ajet jemi ne (Ehli Bejti) dhe shiitët”

Në tefsiri e Ali bin Ibrahimit thuhet:

“Ata që besuan janë shitët ndërsa përmendja (ziqr) e Allahut është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Zemrat qetësohen vetëm me përmendjen e Muhamedit (s.a.v.) sepse ai është përmendja (ziqr) dhe perdja e Allahut”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 29

“Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira do të kenë një jetë të lumtur (tuba) dhe një ardhmëri të mirë”.

 

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Tuba është pemë në Xhenet, që degët e tij kanë hyrë në çdo shtëpi të Xhenetit. Allahu i Madhëruar e ka mbjellë atë me dorën e Tij të fuqishëm. Prej saj do të dalin të gjitha llojet e ushqimeve e veshmbathjeve. Pema ndodhet te vendi i banimit të Ali bin Ebi Talibit. Atë mund të arrijnë vetëm miqtë e Aliut dhe armiqtë e Aliut do të largohen prej saj”.

 

Në një rrëfim tjetër thuhet:

“Njëri prej sahabeve erdhi te Resulullahu (s.a.v.) dhe e pyeti: ‘Ja Resulullah! Ku gjendet pema Tuba?’ Resulullahu (s.a.v.) tha:

‘Në shtëpinë time të Xhenetit!’ Një sahabe tjetër e kishte pyetur dhe ai u përgjigj: ‘Në shtëpinë e Ali bin Ebi Talibit’.

Ai që e kishte pyetur i pari, tha: ‘Ja Resulullah! Pak më herë thatë se pema Tuba gjendet në shtëpinë time dhe tani po thoni se gjendet në shtëpinë e Aliut’. Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Shtëpia ime dhe e Aliut gjendet në një vend, në këtë dhe në botën tjetër’.

 

Në një vend tjetër, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Xhebraili (a.s) më ka treguar se mbas meje, ymmeti im nuk do të mbetet besnik ndaj teje. Mjerë për gjendjen e tyre, mjerë për gjendjen e tyre, mjerë për gjendjen e tyre”. Imam Aliu e kishte pyetur: “Çka është vejl?”.

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Vejl është emri i një lugine në Xhehenem. Shumica e atyre që do të qëndrojnë aty janë prej armiqve të tu, prej atyre që i kanë vrarë pasardhësit e tu dhe që i kanë prishur bejatin që të kanë dhënë ty. Sa jetë e lumtur, sa jetë e lumtur, sa jetë e lumtur për ata që të kanë dashur ty dhe që kanë mbetur besnik ndaj teje”. Imam Aliu e pyeti: “Çka është jeta e lumtur (tuba)?”

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Tuba është një pemë e Xhenetit që gjendet në shtëpinë tënde. Në çdo shtëpi të shiitëve në Xhenet do të ketë një degë të saj që ua dhuron atë që dëshirojnë ata”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 38

“Ne dërguam edhe para teje shumë të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem se ne jemi fëmijët e Resulullahut (s.a.v.)”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 43

“E ata që nuk besuan thonë: ‘Ti nuk je pejgamber!’ Thuaj: ‘Mjafton që Allahu është dëshmitar në mes meje dhe juve, dhe ai që ka njohuri prej librit”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku :

“Ne jemi ata që kanë njohuri nga libri. Mbas Resulullahut (s.a.v.), më i virtytshmi, më i mbari dhe më shquari në mesin tonë është Aliu”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë:

“Gënjejnë ata që thonë se Kurani Fisnik është tubuar në një libër sipas renditjes së ajeteve që kanë zbritur! Në këtë mënyrë e ka tubuar Kuranin dhe e ka mbajtur në mend të tërin Ali bin Ebi Talibi, dhe këtë e kanë vazhduar Imamët e Ehli Bejtit”.

 

Në lidhje me temën e Kuranit Fisnik kemi folur më gjerësisht edhe më herët. Edhe një herë dëshirojmë që ta përsërisim se, ata që dëshirojnë që ta mësojnë drejt Kuranin dhe sipas mënyrës se si dëshiron Allahu që ta mësojmë, këtë mund ta bëjnë vetëm nëse e marrin prej Imamëve të Ehli Bejtit. Pejgamberi ia ka lënë amanet tërë ymmetit Kuranin dhe Ehli Bejtin gjatë haxhit të njohur me emrin haxhi lamtumirës përpara dhjetëra mijëra myslimanëve.

Duke ua dhënë lamtumirën ymmetit, Kuranin e ka përmendur një herë ndërsa Ehli Bejtin e ka përmendur tri herë, duke i kanosur me dënimin e Allahut. Pejgamberi e ka ditur mirë që Kurani është një libër i shkruar në letër dhe se atë nuk do ta mund ta lexojë e kuptojë njëjtë çdonjëri. Bashkë me librin, ai ia kishte lënë amanet ymmetit Ehli Bejtin e tij si përkthyes dhe interpretues të tij. Sipas kësaj, zgjidhja e çështjeve të pakuptueshme do të ishte shumë e lehtë. Gjërat e pakuptueshme, myslimanët do të mund t’i pyetnin prej ekspertëve të Kuranit, gjegjësisht prej Ehli Bejtit.

 

Këtu nuk kemi të bëjmë me sistemin e pushtetit, ashtu sikur që pretendohet, por këtu kemi të bëjmë vetëm me edukimin e myslimanëve menjëherë mbas të Dërguarit (s.a.v.). Nëse e marrim parasysh se imamët e Ehli Bejtit janë dymbëdhjetë dhe se këtë na e ka qartësuar i Dërguari (s.a.v.) përmes haditheve sahih, sigurisht që gjatë kësaj periudhe të gjatë do të ishte e mundur mësimi i librit nga ana e myslimanëve.

Por, sikur që e dimë, punët kanë shkuar në kahun e kundërt. Në krye të ymmetit kanë kaluar personat që nuk kanë mundur ta interpretojnë një ajet të Kuranit në mënyrë të drejtë. Njohësit e Kuranit, Ehli Bejtin, e kanë lënë anash. Tevilin dhe tefsirin e Kuranit e kanë bërë sipas nevojave e dëshirave të tyre. Duke pasur afër burimin e ujit, ata e pinin ujin që kalonte disa qindra kilometra dhe që ndotej nga papastërtitë e ndryshme. Duke pasur gjyqtarin dhe dijetarin e ymmetit afër, ata këshilloheshin me të tjerët.

 

Në shumicën tefsirëve të Ehli Synnetit që ekzistojnë sot, nuk është mundur që të përfitojmë ndonjë dituri nga Imamët e Ehli Bejtit. Merreni dhe shikoni tefsirët e përkthyer në gjuhën turke që ekzistojnë sot në Turqi dhe menjëherë do të vëreni se sa është braktisur Ehli Bejti. I nderuari Dr. Bekir Karliga dhe i nderuari Dr. Bedrettin Çetiner, të dytë profesor në Fakultetin Teologjik të Marmarasë, e kanë përkthyer tefsirin e Ibn Kethirit në gjuhën turke.

Mbasi që ky tefsir është shumë i gjerë, në të mund të gjeni vetëm 1% të rrëfimeve nga Ehli Bejti. Ibn Kethiri ka jetuar në shekullin 8 H. Para tij janë shkruar shumica e tefsirëve më të rëndësishme. Edhe të gjitha vepra e Imamëve ishin prezent.

Por, sikur që e kanë përmendur edhe këta profesor të nderuar, Ibn Kethiri i ka përcjellë rrëfimet nga këta persona:

Ubejj bin Ka’b, Abdullah ibn Mes’udi, Abdullah bin Ymeri, Xhabir bin Abdullahu, Muhammed bin Ka’b el-Kurazi, Enes bin Maliku, Said bin Xhubejri, Ibrahim en-Nahai, Myxhahidi, Sha’bi, Dahhak bin Myzajimi, Ikrime, Hasan el-Basri… për të mos zgjatur më shumë, janë përmendur vetëm dymbëdhjetë (përkthimi i tefsirit të Ibn Kethirit; vol. 1, faqe XXXVI).

 

Në mesin e të gjithë personave që janë përmendur, nuk kemi hasur në emrat e Imamëve të Ehli Bejtit. Por, ne e dimë shumë mirë se çka kanë thënë këta persona të lartpërmendur në lidhje me Ehli Bejtin. Abdullah bin Abbasi ka thënë:

“Dituria ime dhe i të gjithë sahabeve afër diturisë së Ali bin Ebi Talibit është sa një pikë prej shtatë deteve”.

Ndërsa, Abdullah bin Medusi ka thënë:

“Shtatëdhjetë sure prej Kuranit i kam mësuar gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.). Të tjerët i kam mësuar nga njeriu më i mbarë, Ali bin Ebi Talibi”.

Në një vend tjetër, Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Kuranin merreni prej interpretuesit të tij, Ali bin Ebi Talibit”.

 

I Dërguari ynë, Muhamedi (s.a.v.), ka thënë:

“Sikur që kam luftuar për zbritjen e Kuranit ashtu edhe mbas meje njëri prej mesit tuaj do të luftojë për tevilin e tij”.

Kur e pyetën se kush ishte ky person, ai tha në mënyrë indirekte “Ai që është duke i riparuar sandalet e tij”, duke menduar për Imam Aliun, i cili ishte duke i riparuar sandalet e tij përpara shtëpisë së tij. Sipas të gjitha këtyre argumenteve, neve na bëhet e qartë se Imam Aliu dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit janë personat prej të cilëve duhet që të marrim diturinë.

Veçanërisht, argumenti më i madh është amaneti i pejgamberit tonë, përpara dhjetëra mijëra sahabeve gjatë Haxhit lamtumirës, që ymmeti të kapet për Kuranin dhe Ehli Bejtin e tij. Përkundër të gjitha këtyre argumenteve, çka duhet të themi për Ibn Kethirin, i cili nuk i ka dhënë rëndësi tefsirit të Imamëve të Ehli Bejtit?

Ai e ka bërë këtë gabim para qindra vitesh dhe ai nuk është më, por çka të themi për ata që e kanë vazhduar gabimin e tij deri më sot?

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Personi te i cili gjendet dituria e librit është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”. Njëri që ishte duke e dëgjuar atë, pyeti: “A është më i ditur pronari i diturisë nga libri, veziri i Sylejmanit (a.s) Asaf bin Berhija, apo personi te i cili gjendet dituria nga libri, Aliu?”.

Imami u përgjigj: “Dituria e atij që është pronari i diturisë nga libri krahas diturisë te i cili gjendet dituria nga libri është sa sasia e ujit që miza mund të merr me krahun e tij nga deti”.

 

Në një rrëfim tjetër, Imami ka thënë:

Veziri i Sylejmanit, Asaf bin Berhija ishte pronari i një shkronje të Ismi Azamit (Emrit më të madh të Allahut) dhe me këtë e ka sjellë fronin e Belkisit përpara Sylejmanit për kohën sa hapet e mbyllet syri. Ndërsa, te ne gjenden shtatëdhjetë e dy shkronjat prej shtatëdhjetë e tri shkronjave të Ismi Azamit!”.

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“E tërë dituria e Ademit që e ka zbritur prej qiellit në sipërfaqen e tokës dhe me të cilën dituri kanë gjetur virtyt të gjithë pejgamberët, është prezent te Ehli Bejti i pejgamberit të fundit”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Personi te i cili gjendet dituria e librit, është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Mbas të Dërguarit (s.a.v.), ai është dijetari (alim) i ymmetit!”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se e di tërë librin e Allahut, prej fillimit deri në fund. E di sikur të kisha pasur atë brenda grushtit tim. Aty përmbahet dituria e qiejve, tokës, gjërave që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin.

Në lidhje me këtë, Allahu ka thënë:

“Ne ty ta shpallëm librin, që është sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët” (Nahl, 89)

 

Në një rrëfim tjetër, Imam Xhafer Sadiku, thotë:

“Betohem në Allah, se te ne gjendet dituria e tërë librit”.

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, i ka thënë Selmanit:

“O Selman! Mjerë për ata që nuk e dinë marifetin tonë ashtu si duhet dhe që e mohojnë virtytin tonë! O Selman! A është më i virtytshëm Muhamedi (s.a.v.) apo Davudi, djali i Sylejmanit?”.

Selmani tha: “Muhamedi (s.a.v.) është më i virtytshëm”.

Imami tha: “O Selman! Asaf bin Berhija zotëronte një dituri me të cilën e kishte sjellë fronin e Belkises prej Jemenit deri në Iran, për kohën sa i hap dhe i mbyll sytë. Si të mos e zotëroj unë këtë kur te unë gjenden dituritë e njëmijë librave! Prej këtyre librave, Allahu i Madhëruar ia kishte dhënë djalit të Ademit, Shisit (a.s), pesëdhjetë sahife; Idrisit (a.s) tridhjetë sahife dhe halil Ibrahimit njëzet sahife... Te këto libra përmbahet dituria e Tevratit, Zeburit, Biblës dhe Kuranit”.

Selmani tha: “Ti e flet të vërtetën, o zotëria ime!”.

Imami tha: “O Selman! Dije mirë që çdokush që dyshon në lidhje me urdhrin apo diturinë tonë, ai e ka kontestuar të drejtën dhe marifetin tonë.

Allahu i Madhëruar ka bërë obligim velajetin tonë në librin e Tij dhe në lidhje me këtë ka dhënë shpjegim se si duhet vepruar. Këtë mund ta sheh çdonjëri”.

 

Duhet që të mendojmë në mënyrë serioze për diturinë e Ehli Bejtit, Kuranit dhe të librave të mëhershëm, sepse shumica e ymmetit e ka braktisur diturinë e tyre. Nuk ka dyshim se pjesa e madhe e ymmetit do të mbetet e habitur kur të del në shesh e vërteta.

 

Këtu përfundon sureja Rad. Falënderimi qoftë mbi Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe përshëndetja më e lartësuar qoftë mbi Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.