Sureja Ihlas 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 1

“Thuaj: Ai, Allahu është Një!”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Shembulli i yt në mesin e njerëzve është sikur shembulli i sures Ihlas në Kuran. Kush e lexon njëherë suren Ihlas është njësoj sikur të ketë lexuar një të tretën e Kuranit. Kush e lexon atë dy herë, është njësoj sikur të ketë lexuar dy të tretën e Kuranit. Dhe, kush e lexon tri herë, është njëjtë sikur të ketë lexuar tërë Kuranin. O Ali! Edhe ti je i tillë.

Kush të do ty me zemër, bëhet pronari i një të tretës së imanit. Kush të do me zemër dhe gjuhë, bëhet pronari i dy të tretës së imanit. Dhe, kush të do me zemër, gjuhë dhe me dorë, ai e zotëron tërë imanin! Betohem me Atë që më ka dërguar si pejgamber të vërtetë se sikur të kishin dashur ty banorët e tokës ashtu sikur që të duan banorët e qiejve, Allahu nuk do ta kishte ndëshkuar asnjërin me zjarr”

 

Shikoni thellësinë dhe hollësinë e kësaj. Pozita e Imam Aliut është lartësuar aq shumë sa që nuk mund të japim një shembull tjetër më të mirë. Dashuria ndaj Aliut është feja, dashuria ndaj Aliut është shpëtimi, dashuria ndaj Aliut është sinqeriteti, dashuria ndaj Aliut është obligim për çdo besimtar. Pejgamberi ynë ka lënë amanet ymmetit tonë në këtë mënyrë:

 

“Po e vërej se disa nga sahabet janë duke folur fjalë të këqija për Aliun! A nuk e dinë se pozita e Aliut te Allahu është sikur pozita ime, përveç profetësisë.

Kush e do Aliun, më ka dashur mua dhe padyshim që Allahu do të jetë i kënaqur me atë që do mua. Allahu do ta shpërblejë me Xhenet atë me të cilin është i kënaqur.

Kush e do Aliun, padyshim që do të pijë ujë nga burimi i Kevtherit, do të ushqehet nga pema e Tubas dhe do të migrojë nga kjo botë duke e parë vendin e tij në Xhenet.

Kush e do Aliun, Allahu do ta pranojë namazin, agjërimin dhe lutjen e tij. Kush e do Aliun, engjëjt do të kërkojnë falje për të dhe do të sigurojë hyrjen në Xhenet nga cilado prej tetë dyerve të Xhenetit.

Kush e do Aliun, Allahu do të sigurojë që libri i tij të jepet nga ana e djathtë dhe llogaria e tij do të jetë sikur llogaria e pejgamberëve.

Kush e do Aliun, Allahu do ta largojë nga ai dehjen e vdekjes dhe varri i tij do të bëhet si kopshti i Xhenetit.

Kush e do Aliun, Allahu do t’ia falë nga një huri për çdo damar të trupit të tij dhe do të mund të ndërmjetësojë për tetëdhjetë persona. Për çdo fije të qimeve të trupit të tij do të fitojë qytete në Xhenet.

Kush e do Aliun, Allahu do t’i dërgojë engjëjt e vdekjes në mënyrë të njëjtë sikur që i ka dërguar pejgamberëve tjerë dhe do ta largojë nga ai frikën prej engjëjve Munker dhe Nekir. Varri i tij do zgjerohet sa gjatësia e rrugës që kalohet për shtatëdhjetë ditë, fytyra e tij do të jetë e bardhë në ditën e Kiametit dhe do të jetë bashkë në pozitën e dëshmorit Hamza.

Kush e do Aliun, Allahu do ta vendos atë bashkë me të sinqertët, dëshmorët dhe të drejtët nën hijen e Arshit. Prej tij do të largohet frika gjatë dhënies së llogarisë.

Kush e do Aliun, Allahu i Madhëruar do ta vendos urtësinë në zemrën e tij, sevapi do të paraqitet prej gjuhës së tij dhe do t’ia hapi dyert e mëshirës.

Kush e do Aliun, do të përmendet si robi i Allahut në qiell dhe në tokë. Kush e do Aliun, engjëjt e qiejve dhe ata që e bartin Arshin do të krenohen me të. Atij që e do Aliun, një engjëll që ndodhet nën Arsh do t’i thotë: O robi i Allahut! Tani më shquaji veprat e tua, sepse Allahu t’i ka falur të gjitha mëkatet. Ai që e do Aliun do të vijë në ditën e Kiametit me fytyrë të ndriçuar si hëna e plotë.

Kush e do Aliun, Allahu do t’ia vë kurorën e pushtetit dhe do ta veshi me rrobat e krenarisë e të bujarisë.

Kush e do Aliun, do të kalojë mbi urën e Siratit sikur vetëtima dhe nuk do të ndiejë asnjë vështirësi gjatë kalimit.

Kush e do Aliun, Allahu do ta shpëtojë atë nga zjarri, do të sigurohet kalimi i tij nëpër Sirat, do të shpëtojë nga dënimi, nuk do t’i bëhet llogaridhënia, nuk do të vendoset peshorja për t’ia matur veprat e tij dhe atij do t’i thuhet: Hyn në Xhenet pa dhënë llogari!

Kush e do Aliun dhe vdes me këtë dashuri, engjëjt do të përshëndeten me të, pejgamberët do ta vizitojnë atë dhe Allahu i Madhëruar do t’ia plotësojë të gjitha nevojat e tij!

Kush e do Al-i Muhamedin, do të jetë i sigurt gjatë dhënies së llogarisë, peshores dhe Siratit.

Kush vdes me dashurinë ndaj Al-i Muhamedit, unë do të bëhem garantues që ai të qëndrojë në mesin e pejgamberëve në Xhenet. 

Kush e urren  Al-i Muhamedin, në ditën e Kiametit do t’i shkruhet në ballë: I privuar nga mëshira e Allahut!

Kush vdes me urrejtje ndaj Al-i Muhamedit, do të vdes si jobesimtar.

Kush vdes me urrejtje ndaj Al-i Muhamedit, nuk do ta ndiejë kurrë aromën e Xhenetit”.

 

Në një vende tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Dashuria ndaj meje dhe Ehli Bejtit tim do të jetë e dobishme në gjashtë vende të rëndësishme: gjatë momentit të vdekjes, në varr, gjatë ringjalljes, gjatë leximit të librit, gjatë vendosjes së peshores dhe gjatë kalimit të Siratit”.

 

Një ditë, një person shkoi te i Dërguari (s.a.v.) dhe tha:

“O Resulullah! Komshiu ynë shkoi në Kinë me një anije të stërmbushur me furnizim dhe kur u kthye mbrapa, ishte kthyer me një pasuri të madhe. Por, vërejta se të gjithë e lakmonin dhe e xhelozonin për shkak të kësaj pasurie.

Çka thoni për këtë?”

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Nëse një personi i shtohet malli i kësaj bote, kjo do të thotë se te ai do të shtohen edhe vështirësitë e brengat. Por, ju duhet që ta keni lakmi personin e pasur i cili e harxhon pasurinë e tij në rrugën e Allahut. A dëshiron që të tregojë njërin që është pronari i pasurisë më të vogël sesa komshiu yt por që ka më shumë hise në thesarin e Rrahmanit te Arshi i Tij?”

Të gjithë të pranishmit thanë: “Po, na trego o Resulullah!”

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Shikoni atë që është duke ardhur drejt juve”. Ata shikuan dhe e panë se është duke ardhur njëri prej Ensarëve. Resulullahu (s.a.v.) tha: “Sot, këtij personi i është lartësuar në qiell një vepër aq e mirë sa që sikur të ishte dhënë njerëzve e mbara e kësaj vepre, hiseja që do të pranonte njeriu më i dobët do të ishte falja e mëkateve të tij dhe hyrja në Xhenet!”

Sahabet e pyetën: “O Resulullah! Si ta zotërojmë këtë virtyt?”

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Pyeteni atë se çka ka bërë sot?”

Njëri prej sahabeve shkoi drejt tij dhe i tha: “Qoftë i mbarë përgëzimi i Resulullahut në lidhje me ty! Çfarë vepre ke kryer sot që të janë shkruar aq shumë sevape?”

Ai person u përgjigj: “Unë nuk di se sot kam kryer ndonjë vepër të madhe veçse kur dola nga shtëpia për të kryer një punë, kuptova se isha vonuar për ta kryer atë dhe mendova në vete: “Si zëvendësim për këtë punë po shkoj për ta shikuar fytyrën e Ali bin Ebi Talibit, sepse kam dëgjuar nga Resulullahu (s.a.v.) se shikimi i fytyrës së Aliut llogaritet ibadet.

Prandaj shkova dhe mbasi që ia shikova fytyrën, u largua pikëllimi nga unë!”

Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) vazhdoi: “Betohem në Allah se shikimi i fytyrës së Aliut është ibadet; Betohem në Allah se shikimi i fytyrës së Aliut është ibadet. Ti, o robi i Allahut! Ti kishe dalë nga shtëpia për të fituar ndonjë dinar për familjen tënde por nuk munde me e krye atë punë dhe si zëvendësim shkove për ta shikuar fytyrën e Aliut.

Edhe ti e di mirë se ti e do atë shumë dhe se je i gatshëm për t’iu nënshtruar urdhrit të tij. Kjo është për ty më mirë sesa ta zotërosh tërë pasurinë e botës dhe ta harxhosh të tërin në rrugën e Allahut! Dhe, duke shkuar te Aliu, si zëvendësim për çdo frymë që e ke marrë gjatë rrugës, Allahu do të lejojë që të ndërmjetësosh për njëmijë persona, që të hyjnë në Xhenet”

 

Në një vend tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Sikur pemët të ishin bërë lapsa, detet të ishin bërë ngjyrë, xhinët të bëjnë llogari dhe njerëzit të shkruajnë, nuk do të mund t’i numëronin virtytet e Ali bin Ebi Talibit”

 

Dhe, në një vend tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Allahu i Madhëruar na ka falur aq shumë virtyte mua dhe vëllait tim, Aliut, sa që nuk mund të numërohen. Kush i numëron virtytet e Aliut, duke i pranuar ato, Allahu do t’i falë të gjitha mëkatet e tij, edhe nëse ai person vjen me mëkatet e të gjithë njerëzve dhe xhinëve.

Kush shkruan një virtyt të Aliut, përderisa të qëndrojë ai shkrim, engjëjt do të luten për të mbarën e tij. Kush i dëgjon virtytet e Aliut, Allahu i Madhëruar do t’i falë mëkatet e tij për hir asaj që ka dëgjuar veshi i tij. Kush e shikon ndonjë libër që i përmban virtytet e Aliut, Allahu i Madhëruar do t’i falë mëkatet e tij për hir të asaj që e ka shikuar syri i tij!”