Sureja Nisa

 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 1

“...dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij kërkoni të drejtat tuaja dhe respektoni të drejtat e farefisit (akraballëkut)”.

 

Abdullah bin Abbasi ka thënë:

“Të drejtat e farefisit që përmenden në këtë ajet ka të bëjë me të drejtën e Resulullahut (s.a.v.), Ehli Bejtit dhe të farefisit. Sepse, në ditën e Kiametit do të këputen të gjitha lidhjet farefisnore por lidhja farefisnore e të Dërguarit (s.a.v.) do të vazhdojë”.

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Allahu i Madhëruar më ka krijuar mua dhe Ehli Bejtin prej një krijimi (tijnet) që nuk e ka krijuar asnjërin tjetër. Ne ishim fillimi i krijimit. Mbasi që u krijuam ne, me dritën tonë i krijoi të gjitha krijimet e pastra dhe përmes neve i gjallëroi të gjitha krijimet e pastra.

Pastaj, Allahu tha: “Këta (Ehli Bejti) janë më të mbarët e krijesave, këta janë bartësit e Arshit Tim, këta janë thesaret e diturisë Sime, këta janë zotërinjtë e qiejve dhe të tokës, këta janë udhëzuesit e atyre që i nënshtrohen udhëzimit. Kush është udhëzuar, është udhëzuar vetëm duke u nënshtruar atyre. Kush vjen te Unë duke qenë i nënshtruar ndaj velajetit të tyre, atij do t’ia bëjë obligim Xhenetin dhe mirësinë Time. Kush vjen te Unë si armiku i tyre, atij do t’ia bëjë obligim dënimin e Xhehenemit dhe do të vazhdojë dënimi im mbi ata”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ne jemi esenca dhe plotësia e besimit ndaj Allahut dhe engjëjve! Ne jemi vëzhguesit e robërve të Allahut dhe vetëm përmes neve do të jenë të drejtë veprat e robërve të sinqertë. Ne jemi ata që pyeten për zotimet ndaj Allahut. Ne jemi vasietet e Allahut mbi të mëhershmit dhe të mëvonshmit. Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar ka thënë: “dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij kërkoni të drejtat tuaja dhe respektoni të drejtat e farefisit, e Allahu është mbikëqyrësi i juaj”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 29

“...dhe mos e mbytni veten (nefsin) tuaj. Vërtet, Allahu është i mëshirshëm për ju”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Me nefs në këtë ajet nënkuptohet Ehli Bejti! Pra, mos i mbytni ata”

Në një rrëfim tjetër, Imami thotë:

“Fëmijët e këtij ymmeti janë Hasani dhe Hysejni. Gratë e këtij ymmeti është Fatimet-uz Zehra. Nefsi i këtij ymmeti është Muhamedi dhe Aliu”.

Në lidhje me këtë, dëshirojmë që ta përcjellim këtë hadith të të Dërguarit (s.a.v.): “Aliu është sikur nefsi im!”.

 

Padyshim që ky ymmet nuk do të ketë kurrfarë vlere nëse nuk e ka të dërguarin e vet. Vetëm nëse lidhet me të dërguarin mund të zotërojë ndonjë vlerë. Një ymmet që e mohon të dërguarin e tij, e ka mohuar veten. Njëjtë, nëse një ymmet e mbyt të dërguarin e tij, ai e ka mbytur nefsin e tij. Një ymmet që e ka mbytur Imam Aliun, e ka mbytur nefsin e vet. "Ymmeti që i ka mbytur pjesëtarët e Ehli Bejtit, e ka mbytur nefsin e vet”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 31

“Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Mëkatet e mëdha të ndaluar janë shtatë: përshkrimi i ortakut ndaj Allahut, vrasja e nefsit të ndaluar nga ana e Allahut, akuzimi me zina (prostitucion) i një gruaje të ndershme, rebelimi ndaj babait dhe nënës, ngrënia e mallit të jetimit, ikja nga xhihadi dhe mohimi i hakut të Ehli Bejtit.

Allahut i përshkruhet ortak në këtë mënyrë: Allahu i Madhëruar ka zbritur ajete për hakun tonë dhe i Dërguari (s.a.a.s) ka folur në lidhje me hakun tonë por ymmeti i përgënjeshtroi fjalët e Allahut dhe të Dërguarit (s.a.v.) në lidhje me hakun tonë! Mbytja e nefsit të ndaluar bëhet në këtë mënyrë: Imam Hysejnin dhe Ehli Bejtin e tij e kanë mbytur në Qerbela.

Akuzimi i një gruaje të ndershme me zina bëhet në këtë mënyrë: vajzën e Resulullahut e kanë akuzuar nga mimberi me zina . Rebelimi ndaj babait dhe nënës bëhet në këtë mënyrë: Rebelimi kundër Resulullahut dhe Ehli Bejtit të tij. Ngrënia e mallit të jetimit bëhet në këtë mënyrë: prej neve na kanë ndaluar mallin të cilin Allahu na e ka bërë të lejuar në Librin e Tij. Ikja nga xhihadi bëhet në këtë mënyrë: mbasi që ia kanë dhënë betimin Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, ata e prishën betimin dhe ikën nga xhihadi në mënyrë që ta poshtërojnë atë. Ndërsa, sa i përket mohimi të të drejtës së Ehli Bejtit, betohem në Allah se kjo nuk është e fshehtë për asnjërin”

 

  

Tevili dhe tefsiri i ajetit 32

“Mos lakmoni në atë, që Allahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë...”

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ky ajet ka zbritur për Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliun”

 

Shpjegim:

Askush nuk duhet që ta xhelozojë Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliu, që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë epërsi në gradë. Ata që besojnë janë të afërm me njëri tjetrin. Nëse njëri zotëron ndonjë gradë, tjetri duhet që të gëzohet për këtë. Hz Aliu është graduar mbi të gjithë sahabet dhe këtë duhet që ta pranojnë sahabet si të tillë dhe jo ta kundërshtojnë atë. Këtu dëshirojmë t’ju përkujtojmë fjalën e famshme të Ymerit përmes një hadithi ‘sahih’, kur i thotë Abdullah bin Abbasit:

“Populli e ka parë si të tepërt për ju pejgamberllëkun dhe kalifatin”.

 

Me këtë Ymeri ka dashur të thotë se populli është i kënaqur që prej juve të vijë një pejgamber por nuk është i kënaqur që mbas juve të vazhdojë kalifati. Por, në realitet vetë ai nuk ishte i kënaqur me këtë. Sigurisht që t’ia ngarkosh popullit këtë pakënaqësi është një zgjidhje më e thjeshtë. Nga shumë hadithe ‘sahih’ mund të kuptojmë se ka pasur shumë urrejtje dhe mosdashje ndaj Ehli Bejtit, për të cilët i Dërguari (s.a.a.s) kishte lënë vasiet që t’i duam e respektojmë ata.

Sigurisht që mbrapa kësaj qëndrojnë mynafikët e mëdhenj.

 

Sipas një rrëfimi sahih, një ditë axha i të Dërguarit (s.a.v.) Abbasi, i është ankuar djalit të vëllait, Resulullahut, ndaj Kurejshëve. Abbasi tha: “O Resulullah! Kur të shkojmë në ndonjë vend ku janë mbledhur Kurejshët, ata i ndërpresin muhabetet e tyre dhe kërkojnë që të largohemi prej tyre”.

I Dërguari (s.a.a.s) u zemërua dhe iu drejtua sahabeve, duke thënë: “Betohem në Allah se përderisa unë nuk jam më i dashur për ju sesa vetë nefsi i juaj dhe të afërmit e mijë të mos jenë më të dashur sesa të afërmit tuaj, nuk mund të bëheni zotërues të imanit”.

Rrëfime të tilla mund të lexohen në çdo libër burimor të haditheve. Këtu është e qartë mosdashja e sahabeve kundrejt Ehli Bejtit. Kjo e ka burimin e vet vetëm te epërsia që i është dhënë Ehli Bejtit. Çka mund të jetë tjetër shkaku i xhelozisë?

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 33

“Ne u kemi caktuar për secilin trashëgimtarë, pjesën e pasurisë që e lënë prindërit ose të afërmit. E atyre që ndaj të cilëve e keni lidhur premtimin, jepuani pjesën ë tyre. Allahu është dëshmues mbi çdo send”

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ne, imamët e Ehli Bejtit, jemi ata ndaj të cilëve i kanë lidhur premtimet. Allahu i ka lidhur premtimet e juaja ndaj neve”

Shpjegim:

“Me lidhjen e premtimit, këtu nënkuptojmë zotimin e ymmetit që ia ka dhënë Ehli Bejtit. Bëhet fjalë për zotimin që ymmeti ia ka dhënë Ehli Bejtit përpara të Dërguarit (s.a.v.).

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 36

“Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë ortak. Silluni mirë ndaj prindërve...”

 

 

Resulullahu ka thënë:

“Njëri prej prindërve jam unë ndërsa tjetri është Ali bin Ebi Talibi. Ne jemi baballarët e këtij ymmeti”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Sapo të vdes një besimtar, në atë moment do ta sheh Resulullahun (s.a.v.) dhe Aliun”.

 

Prej shumë rrëfimeve që na vijnë nga Imamët e Ehli Bejtit, sapo të vdes një besimtar, personat e parë që do t’i sheh janë i Dërguari (s.a.a.s) dhe Imam Aliu. Ata do të veprojnë menjëherë mbas vdekjes së shiitëve. Ngushëllimin më të parë do ta japin ata.

Sepse, i Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“Çdokush që dëshiron që të vdes ashtu si kam vdekur unë dhe të jetojë ashtu si kam jetuar unë, le ta bëjë për vete velijjul-emr Aliun!”.

Vdekja që përmendet këtu është vdekja të cilën e ka shijuar i Dërguari (s.a.a.s). Kush do ta shijojë atë vdekje? Ai që Imam Aliun e ka pranuar për Imam dhe urdhërues të tij. Ky hadith mund të gjendet në shumë libra burimor synnit.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 41

“Ne do të sjellim dëshmitarë për çdo ymmet, e ty do të sjellim dëshmitarë mbi ata”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ky ajet flet posaçërisht për ymmetin e Muhamedit. Mbi këtë ymmet në çdo kohë ekziston një dëshmitar prej neve (Imamëve të Ehli Bejtit). Dhe, mbi neve është dëshmitar i Dërguari (s.a.a.s)

I Dërguari (s.a.a.s) ka thënë:

“Në Ditën e Kiametit do t’i thërras të gjithë dëshmitarët e çdo ymmeti. Pastaj, dëshmitar për ymmetin tim do ta thërras Aliun”.

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu ka thënë:

“Të besueshmit (Vasi-Imamët e vërtetë të ymmetit) do të bëhen zotëruesit e urës së Siratit dhe aty do t’i presin ata që do të vijnë. Të besueshmit do t’i njohin ata që ua kanë dhënë zotimin dhe vetëm të tillët do të mund të vazhdojnë për në Xhenet. Të besueshmit janë dëshmitar mbi miqtë dhe i Dërguari (s.a.a.s) është dëshmitar mbi ata. Allahu i Madhëruar ka marrë zotimin prej ymmeteve se do t’i nënshtrohen atyre. Kështu, nënshtrimi (itaat) i ymmetit ndaj të Dërguarit (s.a.v.) është përcjellë te Imamët mbas tij”.

 

Në lidhje me këtë, ekziston hadithi i të Dërguarit (s.a.v.) në librat më burimor:

“Ai që i nënshtrohet Aliut, më është nënshtruar mua dhe ai që më është nënshtruar mua, padyshim që i është nënshtruar Allahut”.

 

Të mos harrojmë se nënshtrimi (itaati) që përmendet këtu, fillon prej Hz Aliut. Sipas gradimit vijmë në këtë përfundim: kush i nënshtrohet Aliut, i është nënshtruar Allahut. Njëri nuk mund të thotë se i është nënshtruar Allahut pa iu nënshtruar së pari Imam Aliut. Sepse, vetëm një pejgamber apo Imami i tij mund të na mësojmë se si bëhet nënshtrimi ndaj Allahut.

 

Në të kundërtën, do të vijmë në këtë gjendje në të cilën jemi tani, çdokush i nënshtrohet Allahut ashtu si dëshiron ai dhe thotë se i është nënshtruar Allahut në një mënyrë që ai mendon se është e drejtë. Përfundimin e kësaj jemi duke e parë në çdo kohë përpara syve tanë. Të gjithë i besojnë Allahut të njëjtë, të Dërguarit të njëjtë, Librit të njëjtë dhe i përkasin fesë së njëjtë, por çdokush e vret tjetrin dhe çdokush thotë se ka të drejtë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 47

“O ju që u është dhënë libri, besojeni atë që e zbritëm...”

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“O ju që është dhënë libri, besojeni atë (në lidhje me hakun e Aliut) që e zbritëm...”

Shpjegim: Si mbështetje të tevilit të këtij ajeti nga ana e Imamit, do ta përmendim hadithin e të Dërguarit (s.a.v.), i cili ka thënë: “Aliu ka ardhur me pejgamberët e mëhershëm fshehtas, ndërsa me mua ka ardhur haptas”. Imam Aliu është një personalitet që është përmendur edhe në Tevrat dhe në Bibël. Sikur që ka thënë Mevlana në librin e tij Divani Kebir:

Ai ishte në fshehtësinë e të gjithë pejgamberëve.

Xhenabi Mustafa: Ndërsa me mua është paraqitur haptas.

 

Mbasi që këtë hadith e ka regjistruar edhe i nderuari dhe i shquari Mevlana në librin e tij, atëherë nuk mund ta etiketojmë aq lehtë këtë hadith si të shpifur. Përndryshe, Imamët e Ehli Bejtit e kanë përsëritur këtë hadith shumë herë. Në një fjalim të tij, Imam Aliu ka thënë: “Emri im te arabët është Ali, te ibranitë është Ilijja...”.

 

Shumë rrëfime të Imamëve të Ehli Bejtit na dëshmojnë për ekzistimin e Imam Aliut në kohërat e mëhershme. Këtu do ta përmendim njërin prej tyre: “Hz Selmani ishte nisur prej Iranit për ta gjetur të Dërguarin (s.a.v.) dhe një ditë hyn në një lum për t’u larë. Ai ishte duke u larë dhe në atë vend ku i kishte lënë rrobat vjen e ulet një luan. Kur e pa këtë Hz Selmai, tha: O Kalorësi i Hixhazit, më shpëto.

 

Atëherë, vjen një kalorës dhe e shpëton Hz Selmanin ndërsa luanit i jep urdhër që të hyjë nën shërbimin e tij. Mbas një kohe të gjatë Hz Selmani mbërrin në Medine dhe i besoi të Dërguarit (s.a.v.). Një ditë ishte ulur nën një pemë të hurmës dhe ishte duke i arnuar rrobat e tij, ndërsa Hz Aliu që atëherë ishte ende fëmijë, kishte hipur mbi pemë dhe hante hurma. Ai i gjuante farat e hurmave mbi Hz Selmanin dhe kur ai e ngriti kokën e pa Hz Aliun dhe tha: ‘O djalosh! A nuk përmbahesh prej asaj që të gjuash me fara një njeri plak si unë?’.

Imam Aliu zbriti nga pema dhe tha: ‘O Selman! A je ti më i vjetër se unë?’ Hz Selmani u habit nga kjo përgjigje dhe Imam Aliu tha: “’O Selman! A të kujtohet kur ishe ndarë nga vendlindja dhe u nise për ta gjetur të Dërguarin, ishe duke u larë në një lum dhe një luan të kishte frikësuar?’. Hz Selmani iu përgjigj: ‘Po, më kujtohet?’ Imami tha: ‘Çka i ke dhënë atij kalorësi që të ka shpëtuar?’. Hz Selmani tha: ‘Këputa një tufë lule nga skaji i lumit dhe ia dhashë në shenjë falënderimi’. Atëherë, Imam Aliu nxori nga rrobat e tij atë tufë me lule dhe ia tregoi Hz Selmanit! Prej atij momenti, Hz Selmani u lidh me zemër për Imam Aliun”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 48

“S'ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t'i përshkruhet Atij ortak (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do”

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Allahu nuk i falë ata që e kundërshtojnë velajetin e Aliut dhe që devijojnë kah idhujtaria. Përpos kësaj, i falë ata që janë të lidhur për velajetin e Imam Aliut.

 

Në një rrëfim tjetër, Imami thotë:

“Allahu i Madhëruar nuk i falë ata që i përshkruajnë ortak velajetit të Aliut”

 

Shpjegim: Imam Aliu është Imami dhe Emiri i të gjithë myslimanëve mbas të Dërguarit (s.a.v.). Këtë e ka përmendur i Dërguari (s.a.v.) në hadithin e tij sahih: “Unë jam prej Aliut dhe Aliu është prej meje. Mbas meje ai është veliu i të gjithë myslimanëve”. Me fjalën veli këtu nënkuptohet zotëruesi i urdhrit mbi të gjithë myslimanët. Këtu është thënë se Hz Aliu do të jetë veliu i myslimanëve vetëm mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.).

 

Sikur veli të kishte kuptimin e të afërmit apo ndihmuesit, Hz Aliu ishte i afërmi dhe ndihmuesi i të gjithë myslimanëve edhe gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.). Përfundimi që mund të nxjerrim nga hadithi është ky: Mohimi i Imametit apo i kalifatit të Imam Aliut mbas të Dërguarit (s.a.v.) do të thotë mohimi i pejgmaberllëkut të të Dërguarit (s.a.v.).

 

Mohimi i pejgmaberllëkut të të Dërguarit do të thotë mohimi i sovranitetit (dominimit) të Allahut. Sepse, mohimi i një autoriteti të cilin e ka emëruar Allahu do të thotë mohimi i Tij. Këtu, autoriteti nuk e pranon ortakërinë në asnjë kohë. Nuk mund të ketë vlerë apo kuptim kalifati i ndonjërit tjetër në kohën e kalifatit të Imam Aliut. Nëse ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë kjo nuk është asgjë tjetër veçse përshkrimi i ortakut ndaj Allahut. Sepse, ai që e anulon urdhrin e Allahut është sikur ai që e sulmon urdhrin e Tij dhe për këtë një besimtar nuk tregon asnjëherë guxim.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 51-55

“A nuk i vërejte ata që iu është dhënë pjesë nga libri? Besojnë idhuj e tagutë dhe për ata që nuk besuan thonë: “Këta janë në rrugë më të drejtë, se ata që besuan!” Ata janë që Allahu i mallkoi, e atë që e mallkon Allahu, për të nuk ka ndihmëtarë. A mos kanë ata ndonjë pjesë të pushtetit? Ata atëherë nuk do t'u jepnin njerëzve as sa grimca. A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e urtësinë dhe u patëm dhënë atyre dhunti të madhe. Po disa prej tyre i besuan atij, e disa e refuzuan. Për ta mjafton zjarri i xhehenemit”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri është pyetur në lidhje me këto ajete, dhe ai ka thënë:

Sa i përket atyre që u është dhënë një pjesë e librit, që i besojnë idhujt e tagutët dhe që nuk besuan, ata thonë se janë në rrugën e drejtë, gjegjësisht liderët e atyre që i tërheqin në zjarrin e Xhehenemit thonë se ata që i besojnë idhujve dhe tagutëve janë ata që e pasojnë rrugën e Muhamedit (s.a.v.) dhe të Ehli Bejtit! Ata që flasin kështu janë personat që i ka mallkuar Allahu dhe ti nuk mund të gjesh ndihmëtar për ata. A mos kanë ata ndonjë pjesë të pushtetit? Gjegjësisht, a mos kanë të tillët ndonjë hise në Imamet apo kalifat?

Sikur të kishte qenë ashtu, ata nuk do të kishin dhënë njerëzve as sa grimca. Me njerëzit këtu nënkuptohen Ehli Bejti. Apo, ata u kanë zili atyre njerëzve të cilëve Allahu ua dha nga dhuntitë e Tij? Gjegjësisht, a e kanë zili pozitën tonë të imametit dhe të kalifatit, që Allahu na ka dhënë neve Ehli Bejtit prej të gjithë njerëzve?

Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e urtësinë, gjegjësisht kemi caktuar imamë nga pasardhësit e tij. Si është e mundur që këtë ta shohin të denjë për pasardhësit e Ibrahimit ndërsa nuk e shohin të denjë për pasardhësit e Muhamedit, Ehli Bejtin? Një pjesë e tyre, shiitët e Ehli Bejti, besuan në virtytin që u është dhënë atyre dhe një pjesë e tyre, armiqtë dhe kundërshtarët e atyre pasardhësve, i kthyen fytyrat prej tyre. Për ta mjafton zjarri i xhehenemit”.

 

Në një rrëfim tjetër, Imami thotë:

“Si është e mundur që ta pranojnë virtytin që u është dhënë pasardhësve të Ibrahimit ndërsa e mohojnë virtytin e Ehli Bejtit të Muhamedit (s.a.v.)? Pushteti që Allahu i Madhëruar ua ka dhënë këtyre pasardhësve përmbahet vetëm në pozitën e imametit. Çdokush që i bindet Ehli Bejtit, padyshim i është bindur Allahut. Çdokush që i kundërshton ata, padyshim që e ka kundërshtuar Allahun. Zotërimi i këtyre tipareve është me të vërtetë pushtet (kalifat) dhe lartësim”.

 

Në një rrëfim tjetër Imami thotë:

“Me idhujt dhe tagutët që përmenden në këtë ajet, në mënyrë alegorike janë emëruar ata që e kanë marrë kalifatin nga Ehli Bejti”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se ne jemi ata njerëz që i kanë zili”.

Në një rrëfim tjetër, Imami thotë:

“Dhuntia që përmendet në ajet ka të bëjë me nubuvetin që u është dhënë Resulullahut (s.a.v.) dhe Imametin që u është dhënë Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut”.

Në një rrëfim tjetër, Imami thotë:

“Ne jemi ata njerëz që i përmend Allahu i Madhëruar në këtë ajet. Ne jemi edhe ata që i kanë zili të tjerët, ne jemi zotëruesit e pushtetit (kalifatit ). Ne jemi trashëgimtarët e të gjithë të dërguarve, te ne është shkopi i Musës (a.s), ne jemi ruajtësit e thesarit mbi sipërfaqen e tokës. Ky thesar nuk ka të bëjë me thesarin e arit apo të argjendit. Resulullahu (s.a.v.) është prej neve. Hasani dhe Hysejni janë prej neve”.

Imamët e Ehli Bejtit janë thesari i tërë diturisë mbi sipërfaqen e tokës. Në lidhje me ata që e kanë mohuar kalifatin e Ehli Bejtit, Allahu i Madhëruar ka thënë:

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 56

“Padyshim se ata që i mohuan argumentet Tona, do t'i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ua ndërrojmë me lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i plotfuqishëm, i drejtë”

 

 

Imami vazhdoi në këtë mënyrë:

“Në këtë ajet Allahu i Madhëruar na tregon për mënyrën e dënimit të atyre që tregojnë mosbindje ndaj Imamëve”

Ndërsa, për ata që e duan Ehli Bejtin, Allahu i Madhëruar ka thënë:

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 57

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t'i fusim në xhenet nën të cilin burojnë lumenj, ku do te jenë përgjithmonë. Aty kanë edhe bashkëshorte të pastra e hije të mrekullueshme”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 58

“Allahu ju urdhëron që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me drejtësi në mes njerëzve”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: 

“Ne jemi amaneti që përmendet në këtë ajet. Ky amanet duhet që të dorëzohet prej një Imami në tjetrin, sipas urdhrit të Allahut”.

Në një rrëfim tjetër, Imami ka thënë:

“Pa pasur frikë nga asnjëri, përveç Allahut, mund të them se amaneti që përmendet në këtë ajet është velajeti i Ali bin Ebu Talibit”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Dhënia e amanetit të zotit të tij është dhënia e kalifatit atij që është i denjë për të”.

 

Shpjegim:

Velajeti është ekzistenca më e lartësuar e gjykimit hyjnor. Ai që nuk hyn nën velajet, asnjëherë nuk mund ta dijë esencën e fesë. Kur të themi feja, gjëja e parë që na vjen në mendje është velajeti. Çdokush që hyn nën velajet, ka hyrë nën Islam dhe çdokush që qëndron larg prej tij, ai qëndron larg prej Islamit. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Velajeti i Aliut është velajeti im. Velajeti im është padyshim velajeti i Allahut”. Feja mund të kuptohet vetëm nëse hyjmë nën këtë velajet.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 59

“O ju që besuat, binduni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju...”

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Përgjegjësit (ulul emr) që përmenden në këtë ajet janë Muahmedi dhe Ehli Bejti i tij”.

Bindja ndaj Urdhëruesit të Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibit, është obligim sikur që është obligim bindja ndaj Resulullahut (s.a.v.). Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush i bindet Resulullahut, ai i është bindur Allahut” (Nisa, 80)

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: “Përgjegjësi në mesin e juaj është Ali bin Ebi Tailibi”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Kush largohet prej velajetit tënd, padyshim është larguar prej velajetit tim. Kush largohet prej velajetit tim, padyshim është larguar prej velajetit të Allahut.

O Ali! Bindja ndaj teje është sikur bindja ndaj meje, bindja ndaj meje është bindja ndaj Allahut. Betohem në hakun e Atij që më ka dërguar si Pejgamber se dashuria e Ehli Bejtit është më e lartësuar dhe më e vlefshme sesa xhevahiri, rubini i kuq dhe smeraldi. Allahu i Madhëruar ka marrë zotim prej atyre që na duan se ata as nuk do të pakësohen as nuk do të shtohen. Këtë e ka shprehur në këtë mënyrë: ”O ju që besuat, binduni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju”. Përgjegjësi ndaj të cilit duhet bindur është Ali bin Ebi Talibi”

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Xhabir bin Abdullahu, rrëfen:

“Kur Allahu i Madhëruar e zbriti ajetin: “O ju që besuat, binduni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju”, shkova te i Dërguari (s.a.v.) dhe e pyeta: “O Resulullah! Allahun dhe Resulullahun e njohëm, por kush ata përgjegjës që bindja ndaj tyre është vendosur në pozitën e barabartë me bindjen ndaj Allahut dhe Resulullahut?”.

Resulullahu më tha:

“O Xhabir! Ata janë kalifët e mijë dhe Imamët e myslimanëve mbas meje. I pari prej tyre është Ali bin Ebi Talibi, mbas tij Hasani, mbas tij Hysejni; mbas tij, i biri i Hysejnit, Aliu; mbas tij, i biri i Aliut, Muhamedi, që emri i tij në Tevrat është Bakir dhe ti do të jetosh deri në kohën e tij, prandaj përcillja selamin tim; mbas tij, i biri i Muhamedit, Xhafer Sadiku; mbas tij, Musa, i biri i Xhaferit; mbas tij, i biri i Musës, Aliu; mbas tij, i biri i Aliut, Muhamedi; mbas tij, i biri i Muhamedit, Aliu; mbas tij, i biri i Aliut, Hasani; mbas tij, vjen i biri i Hasanit, i cili do të jetë dëshmia e Allahut mbi robërit e Tij dhe që do të mbetet në mesin e robërve.

Emri i tij do të jetë emri im. Përmes tij Allahu do ta përhap përkujtimin prej Lindjes deri në Perëndim. Ai do të fshihet prej njerëzve dhe gjatë asaj kohe atij do t’i besojnë vetëm ata robër, zemrat e të cilëve janë sprovuar me iman”. Unë thashë: “O Resulullah! A do të kenë shiitët e tij ndonjë dobi prej tij gjatë kohës së fshehjes?”.

Resulullahu tha: “O Xhabir! Për hakun e Atij që më ka dërguar si pejgamber, shiitët e tij do të ndriçohen me dritën e tij dhe do të përfitojnë prej velajetit të tij. Njëjtë, sikur njerëzit që përfitojnë prej Diellit të mbuluar me re! O Xhabir! Kjo është prej diturive më të fshehta dhe më të thella të Allahut! Mos i fol këto fjalë atyre që nuk janë të denjë për këtë”.

 

Shpjegim:

Këtu mund të parashtrojmë një pyetje të këtillë: Pse Allahu i Madhëruar nuk i ka treguar haptas emrat e përgjegjësve dhe në këtë mënyrë do të evitoheshin të gjitha mosmarrëveshjet që do të paraqiteshin më vonë? Sepse, edhe në Kuran nuk janë përmendur emrat e përgjegjësve. Përgjigja jonë është kjo: Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar në Kuran faljen e namazit por nuk ka treguar në Kuran formën dhe mënyrën e faljes.

Edhe obligimet tjera fetare i ka përmendur, p.sh haxhin, dhe zeqatin, por nuk ka treguar mënyrën e zbatimit të tyre. Për të gjitha këto, i Dërguari (s.a.v.) ka dhënë shpjegime mbasi që janë shpallur dhe i ka mësuar njerëzit se si t’i zbatojnë ato. Edhe emrat e përgjegjësve na i ka treguar i Dërguari (s.a.v.).

 

Zbatimi i urdhrave të tij është obligim për çdo mysliman. I Dërguari (s.a.v.) ka lënë Imamët e Ehli Bejtit si kalif të këtij ymmeti dhe ka bërë obligim pasimin e tyre. Bashkimi mund të sigurohet vetëm në një vijë të cilin e ka vizatuar i Dërguari (s.a.v.). Përgjegjësit të cilët i kanë zgjedhur njerëzit nuk i kanë sjellë atyre asgjë tjetër përpos padrejtësisë dhe çrregullimit. Shembuj të tillë janë të shumtë në histori.

Edhe fundi i atyre që lidhen për përgjegjësit që nuk i ka zgjedhur Allahu nuk është asgjë tjetër veçse zullumi dhe çrregullimi. Nëse i shikojmë gradat e përgjegjësve që përmenden në ajet, a mund të pranojmë që të përmenden emrat e atyre që fillojnë me Allahun dhe të përfundojnë me përgjegjësit e zgjedhur nga e juaj?

 

Mbi të gjitha, ai që e zbaton drejtësinë të cilën e urdhëron Allahu, duhet të jetë i pagabueshëm (masum) dhe vetë ai ta praktikojë atë. Kjo pagabueshmëri, mbas të Dërguarit (s.a.v.), mund të ekzistojë vetëm te Ehli Bejti i tij. Dëshmia për këtë është ajeti i Kuranit:

“O Ehli Bejt! Allahu dëshiron të largojë papastërtinë e mëkateve dhe t'ju pastrojë deri në skaj” (Ahzab, 33).

Nga këtu mund të kuptojmë se Ehli Bejti është i pastër prej mëkateve.

 

Sigurisht, që në një vend ku Allahu e përmend Veten, mundet me qenë e drejtë që Imamët e tillë të pagabueshëm të përmenden bashkë me Të. Përndryshe, nuk mund të paramendojmë që një njeri i cili nuk është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes së parashtruar nga ana e një gruaje, të bëhet kalifi i myslimanëve dhe të jetë prej atyre përgjegjësve që i ka përmendur Allahu. Ai që nuk kishte mundur që t’i përgjigjet pyetjes së një gruaje ishte Ebu Bekir bin Ebi Kuhafe. 

Edhe Ymeri kishte raste të tilla të shquara, por këtu nuk do të ndalemi sepse nuk i përket temës për të cilën jemi duke folur. Një imam që e urdhëron drejtësinë, më së pari duhet që vetë ai të jetë i drejtë. Prandaj, ne nuk mund të gjejmë asnjërin që është i barabartë me gradën e drejtësisë së Ehli Bejtit.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 69

“E kush do që i bindet Allahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: me pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!”

 

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Kur Allahu i Madhëruar do t’i tubojë të gjithë krijesat në një vend, shtatë prej mesit të tyre do të jenë më të virtytshmit dhe të gjithë janë prej Beni Hashimit! Robërit më fisnik të Allahut janë pejgamberët dhe prej mesit të tyre më i virtytshmi është Muhamedi (s.a.v.). Pastaj, vijnë trashëgimtarët e pejgamberëve dhe prej mesit të tyre më i virtytshmi është trashëgimtari i Muhamedit (s.a.v.) (Imam Aliu).

Pastaj, vijnë martirët që më të virtytshmit prej mesit të tyre janë axha im Hamza dhe vëllai im Xhafer Tajjari që fluturon bashkë me engjëjt. (E kush do që i bindet Allahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: me pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!) Pastaj, vijnë të parët e dy grupeve Hasani, Hysejni dhe Mehdiu, që Allahu e bën pjesëtar të Ehli Bejtit atë që e do Ai!”

 

Ata që i pasojnë personat e bekuar që u përmendën në këtë rrëfim, sigurisht që do të bëhen shok bashkë me ata në Xhenet. Sepse, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Në xhenet do të hynë së pari këta persona: unë, ti, Hasani dhe Hysejni”.

Imam Aliu pyeti: “O Resulullah! Çka do të bëhet me pasardhësit tanë?”.

I Dërguari (s.a.v.) tha: “Ata do të jenë mbrapa neve”.

Imam Aliu pyeti: “O Resulullah! Çka do të bëhet me gratë tona?”.

I Dërguari (s.a.v.) tha: “Ato do të jenë mbrapa pasardhësve tanë”.

Imam Aliu pyeti: “O Resulullah! Çka do të bëhet me shiitët tan?”.

I Dërguari (s.a.v.) tha: “Ata do të jenë në të djathtën dhe në të majtën tonë, dhe do të hymë bashkë në Xhenet”.

Një krenari dhe fisnikëri e tillë mjafton për shiitët e Ehli Bejtit. Ata do të jenë shokët dhe fqinjët e të Dërguarit (s.a.v.) në Xhenet.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 83

“...e sikur t'ia dërgonin atë lajm Pejgamberit dhe atyre që kanë autoritet në mesin tuaj, ata do dinin të nxjerrin përfundime prej tij”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“O Xhabir! Çështja e Ehli Bejtit është më i vështiri prej të vështirëve. Betohem në Allah se këtë mund ta kuptojë vetëm ndonjë engjëll që është afër Allahut apo ndonjë pejgamber, ose një besimtar që Allahu e ka sprovuar zemrën e tij me iman! Kush heq dorë prej çështjes së Ehli Bejtit, padyshim që do të shkatërrohet.

Nëse e pranoni me zemër çështjen tonë, mbasi që ta dëgjoni atë, dijeni që kjo është e vërtetë dhe mbahuni fortë për të! Ju nuk mund t’i bartni hadithet që ju vijnë rëndë për ju! Hadithet e tilla na i ktheni neve dhe na i leni neve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “...e sikur t'ia dërgonin atë lajm Pejgamberit dhe atyre që kanë autoritet në mesin tuaj, ata do dinin të nxjerrin përfundime prej tij”.

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Ata që kanë autoritet në mesin tuaj janë Imamët e Ehli Bejtit”.

Shpjegim:

Në këtë hadith, Imam Xhafer Sadiku ka bërë me shenjë për një temë shumë të rëndësishme. Disa dashamirësve të Ehli Bejtit u vjen rëndë për disa hadhithe në lidhje me ata dhe mundohen që t’i mohojnë ato hadithe. Kjo nuk është e drejtë. Sipas vasieteve të Imamëve të Ehli Bejtit, nëse një besimtar dëgjon një hadith për Ehli Bejtin dhe i vjen rëndë për të, ai nuk duhet që ta mohojë atë por t’ia kthejë pronarëve, gjegjësisht Ehli Bejtit.

Këtë na e vërteton ky rrëfim: Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Sikur Ebu Zerri të kishte ditur për diturinë brenda Selmanit, ajo (dituri) do ta kishte mbytur atë”. Sikur që na ka bërë të ditur Imami, edhe në mes sahabeve që ishin afër tij ka dallime në grada. Ky dallim ka të bëjë vetëm me thellësinë e diturisë. Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Imani i ka dhjetë grada. Gradën më të lartë e ka arritur Selmani”.

Në një hadith, i Dërguari (s.a.v.) thotë:

“Selmani e ka arritur diturinë e të mëhershmëve dhe të mëvonshmëve”.

Sasia e diturisë së Selmanit na konfirmohet përmes afërsisë me Ehli Bejtin. Përderisa, dituria e Selmanit na shprehet në mënyrë të qartë nga ana e të Dërguarit (s.a.v.), kush mund të na flet për diturinë e Ebu Bekrit apo Ymerit nga mesi i sahabeve? Në cilat libra burimor mund të gjeni ndonjë hadith në lidhje me gradat e diturisë dhe irfanit të Ebu Bekrit dhe Ymerit?

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 83

“...Por sikur të mos ishte dhuntia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, atëherë ju, pos një pakice, do të ndiqnit rrugën e djallit”.

 

 

Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Dhuntia (nimet) e Allahut është Resulullah Muhamedi (s.a.v.). Ndërsa mëshira e Allahut është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”.

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Dhuntia e Allahut është Resulullahu ndërsa mëshira e Allahut është velajeti i Imamëve të Ehli Bejtit”.

I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Askush nuk do ta kalojë urën e Siratit pa u pyetur për velajetin e Aliut”.

 

Shpjegim:

Sigurisht që Allahu do të pyet për dhuntinë dhe mëshirën që ua ka lënë njerëzve. Ata nuk do t’i pyes për atë që nuk e dinë por për dhuntinë dhe mëshirën që ua ka dërguar. Dhe, njerëzit mund të mbajnë përgjegjësi vetëm për ato gjëra që duhet t’i dinë. Këtë përgjegjësi ia ka përmendur i Dërguari (s.a.v.) shumë herë ymmetit të tij. Ai ka thënë haptas e qartë se mbas tij duhet lidhur për velajetin e Imam Aliut dhe se urën e Siratit mund ta kalojnë vetëm ata që janë të lidhur për velajetin e tij. Përkundër tërë kësaj qartësie, sigurisht do jetë e paarsyeshme për njerëzit që të shtiren si të paditur. Nuk duhet harruar se Ehli Bejti i të Dërguarit (s.a.v.) në mesin tonë është sikur anija e Nuhut (a.s).

Mjerë për hallin e atyre që, posaçërisht në këtë kohë, nuk hipin në atë anije shpëtuese. Jetojmë në një kohë kur ymmeti është ndarë në grupe dhe vëllai është duke e mbytur vëllanë. Përkundër të gjitha këtyre ngjarjeve, nuk mund të falet faji i moslidhjes së njeriut për anijen shpëtuese. Çdo mysliman duhet që të lidhet sa më shpejt për anijen shpëtuese dhe t’i njohë ata sa më parë. Padyshim, që do të jetë shumë e hidhur për një mysliman që të vdes pa e njohur Ehli Bejtin.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 119

“...E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“O Sufjan! Mos lejo që të hutojnë ty mez-hebet dhe të nxjerrin nga rruga e drejtë. Qëndro në rrugën e drejtë dhe pasoje udhëzimin”.

Sufjani tha: “O djali i Resulullahut! Çka do të thotë pasimi i udhëzimit?”.

Imami iu përgjigj: “Kapja për Librin e Allahut dhe për atë burrë. A e di se kush është ai burrë?”.

Sufjani tha: “O biri i Resullahut! Betohem në Allah se nuk e di se kush është ai burrë!”.

Imami tha: “Betohem në Allah se ti ke dhënë përparësi kësaj bote ndaj ahiretit! Kush vepron kështu, ai do të vijë i verbër në ditën e Kiametit!”.

Sufjani tha: “O biri i Resullahut! A do të më tregosh se kush është ai burrë, ashtu që me begatinë e tij Allahu të më sjellë dobi”. Imami tha: “Betohem në Allah se ai burrë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi! Kush kapet për të, do ta arrijë atë nuk mund të arrijë askush dhe kush e braktis atë, padyshim do të pësojë humbje!

Betohem në Allah se ai burrë është gjyshi ynë, Ali bin Ebi Talibi! O Sufjan! Nëse do që të mbahesh për një dorëz që nuk di të këputet, mbaju për Aliun! Betohem në Allah se ai do të shpëtojë ty nga dënimi! O Sufjan! Mos e ndjek dëshirën e nefsit përndryshe do të del nga rruga e drejtë”.

 

Sufjani që përmendet këtu ka qenë njëri prej dijetarëve më të mëdhenj të asaj kohe. Por, përkundër asaj që ishte një dijetar, ai nuk e dinte kuptimin e rrugës së drejtë. Lexuesve të nderuar po ua përkujtoj se në çdo kohë ka pasur dijetar të tillë si Sufjani.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 137-138

“Vërtet, ata që besuan e pastaj tradhtuan, përsëri besuan e pastaj tradhtuan dhe e shtuan mosbesimin, Allahu nuk u falë atyre as nuk i udhëzon në rrugë të drejtë. Ti (Muhamed) lajmëroji mynafikët se me të vërtetë ata kanë një dënim të dhembshëm”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ky ajet ka zbritur për ata që e kanë marrë kalifatin prej dorës së Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliut. Ata i besonin të Dërguarit (s.a.v.) deri në atë ditë kur i Dërguari (s.a.v.) në Gadir Hum tha: “Veliu i kujt jam unë, edhe Aliu është veliu i tij”. Sapo e dëgjuan këtë ata mohuan dhe kaluan në pabesim.

Dhe, në të njëjtën ditë ata u betuan dhe e pranuan Aliun si velijjul emr, kështu që besuan prapë. Më vonë, kur ndërroi jetë i Dërguari (s.a.v.), ata u kthyen në pabesim dhe e thyen betimin e dhënë. Më vonë, pabesimi i tyre u shtua dhe kërkuan që t’i betohen ata që ishin betuar Aliut në ditën e Gadir Humit. Për këtë arsye, nga imani i tyre nuk kishte mbetur asgjë”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 150

“S'ka dyshim se ata që nuk besojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, dëshirojnë të bëjnë dallim mes Allahut dhe të dërguarve të Tij e thonë: ‘Ne i besojmë disa e nuk i besojmë disa të tjerë’, dhe duan që të mbajnë një rrugë në mes besimit dhe pabesimit”.

 

 

Në një rrëfim, Imamët e Ehli Bejtit kanë thënë:

“Ata që thonë kështu janë ata që e pranojnë të Dërguarin ndërsa e mohojnë Aliun dhe në këtë mënyrë dëshirojnë që të arrijnë rrugën e të mbarës”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 159

“Nuk ka asnjë prej ithtarëve të librit që nuk do t'i besojnë atij (Isait) para vdekjes së vet, e në ditën e gjykimit ai do të dëshmojë kundër tyre”.

 

 

Resulullahu ka thënë:

“O Ali! Ti ke ngjashmëri me Isën. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nuk ka asnjë prej ithtarëve të librit që nuk do t'i besojnë atij (Isait) para vdekjes së vet, e në ditën e gjykimit ai do të dëshmojë kundër tyre”. O Ali! Çdokush që i ka bërë shpifje Isait (a.s), nuk do të vdes përderisa të kthehet nga shpifja e tij dhe para se t’i besoj atij. Por, kthimi i tij në fundin e jetës së tij atij nuk do t’i sjellë kurrfarë dobie.

Edhe ti je në gjendjen e Isës, çdo armik i yt nuk do të vdes para se të shoh ty. Ti do të jesh pikëllim dhe dënim për atë person përderisa ai person të pranojë të vërtetën në lidhje me ty. Mirëpo, pranimi i hakut dhe i velajetit tënd në atë moment nuk do t’i sjellë kurrfarë dobi atij. Ndërsa, miku yt, do të shikojë ty gjatë momentit të vdekjes dhe ti do të jesh ndërmjetësues e përgëzues për të dhe gëzimi i syve të tij”.

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Pa marrë parasysh se cilës fe i takon, të mëhershëm apo të mëvonshëm, çdokush do ta shoh me hak Resulullahun dhe Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun”.

Ja pra, njeriu që do të pranojë ndërmjetësimin e vërtetë, do ta sheh gjatë momentit të vdekjes të Dërguarin (s.a.v.) dhe Hz Aliun. Premtim më të madh se ky nuk ka. Nuk mund të ketë përgëzim më të madh për një person që është duke e përjetuar momentin e frikshëm të vdekjes.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 168-170

“Ata që nuk besuan dhe bënë zullum, Allahu as nuk ka për t'i falur as nuk ka për t'i drejtuar në rrugë të drejtë, përpos rrugës së xhehenemit, në të cilin do të jenë përjetë. E për Allahun kjo është lehtë. O ju njerëz, juve u erdhi i dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj. Besoni, se është më e dobishme për ju. Po nëse vazhdoni ta refuzoni, ta dini se ç'ka në qiej e tokë është vetëm e Allahut. Allahu është i dijshëm, i urtë”.

 

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë:

“Xhebraili, këtë ajet e ka sjellë në këtë mënyrë: “Ata që nuk besuan dhe bënë zullum ndaj hakut të Ehli Bejtit, Allahu as nuk ka për t'i falur as nuk ka për t'i drejtuar në rrugë të drejtë, përpos rrugës së xhehenemit, në të cilin do të jenë përjetë. E për Allahun kjo është lehtë.

O ju njerëz, juve u erdhi i dërguari me të vërtetën në lidhje me hakun e velajetit të Aliut nga Zoti juaj. Besoni, se është më e dobishme për ju. Po nëse vazhdoni ta refuzoni velajetin e Aliut, ta dini se ç'ka në qiej e tokë është vetëm e Allahut. Allahu është i dijshëm, i urtë”.

 

Më herët i kemi përmendur dëshmitë se Kuranin duhet marrë nga Imamët e Ehli Bejtit. Sigurisht që do t’u vijë rëndë atyre që për herë të parë po e lexojnë një rrëfim të këtillë. Por, sipas vasietit të të Dërguarit (s.a.v.), Kuranin duhet ta mësojmë nga Ehli Bejti. Lajmet që vijnë nga ata duhet të respektohen e të mos mohohen. Në të kundërtën, ashtu sikur që ka paralajmëruar i Dërguari (s.a.v.), përfundimi nuk do të jetë aspak i mirë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 174-175

“O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argumenti i qartë dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë. Ata që i besuan Allahut dhe e përqafuan atë (dritën që i ka zbritur pejgamberit), Allahu do t'i fusë në mëshirën e Tij dhe do t'i mbulojë me dhunti të shumta. Ata do t'i udhëzojë në rrugën e drejtë”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Argumenti i qartë është i Dërguari (s.a.v.) ndërsa, drita dhe rruga e drejtë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë:

Ata që i besuan Allahut dhe e përqafuan dritën që ka zbritur nga Allahu janë ata që janë kapur për Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun, dhe për velajetin e Imamëve tjerë të Ehli Bejtit!”

 

Me ndihmën e Allahut i kemi interpretuar ajetet e sures Nisa që i përmbajnë tevilet dhe tefsiret në lidhje me Ehli Bejtin. E falënderojmë Allahun e Madhëruar që na ka dhuruar neve këtë dhunti. Dëshirojmë nga Allahu që lexuesit tanë të përfitojnë nga drita e Ehli Bejtit.