Taklidi (pndjekja e vendimeve të një shkolle juridike) dhe autoriteti te shiat
Çdo musliman i rritur që është i obliguar t'i përmbushë obligimet, nëse nuk është muxhtehid, apo që të mund të nxjerrë dispozitat e Sheriatit nga Kurani dhe Suneti, ai duhet të ndjekë ndonjë autoritet që posedonë cilësitë që janë të nevojshme për një muxhtehid, përkatësisht: dituria, drejtësia, devotshmëria, zuhdi, frika ndaj Zotit, ndërsa të gjitha këto për shkak të fjalëve të Zotit të Madhërishëm:
“Pyetni ata që dinë (ehli-zikër) nëse nuk dini. Nahl, 43
Nëse e shikojmë këtë çështje, do të zbulojmë se te shiat nuk është prishur kurrë zinxhiri i autoritetit që nga vdekja e Profetit, s.a.v.a., deri në ditët tona.
Shiat pasuan dymbëdhjetë imamët e Ehli Bejtit, paqja qoftë mbi ta, ndërsa ata ishin mes njerëzve tre shekuj. Fjalët e një Imami nuk ishin kurrë në kundërshtim me fjalët e një Imami tjetër, sepse dispozitat e Sheriatit nga Kur'ani dhe Suneti ishin me ta, dhe ata nuk përdornin ixhtihad ose kijas. Sikur ta kishin përdorur, mes tyre do të ishte përhapur mosmarrëveshje siç ndodhi me ithtarët e Ehli sunetit dhe xhematit.
Nga kjo arrijmë në përfundimin se medhhebi i Ehli sunetit dhe xhematit, qoftë hanefi, maliki, shafii apo hanbeli, është ndërtuar mbi mendimin e një njeriu që është larg periudhës së shpalljes dhe nuk ka asnjë lidhje me Profetin, s.a.v.a..
Ndërsa medhhebi i imamëve shia u transmetua me tevaturën e dymbëdhjetë imamëve, pasardhësit e Profetit, s.a.v.a., nga babai te i biri. Pra secili prej tyre thotë: Hadithi im është hadithi i babait tim, hadithi i babait tim është hadithi i gjyshit tim, hadithi i gjyshit tim është hadithi i Prijësit të besimtarëve Aliut, dhe se hadithi i Aliut është hadithi i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.a., ndërsa hadithi i të Dërguarit të Zotit është hadithi i Xhibrilit, alejhi selam, dhe kjo është fjala e Allahut të Madhëruar.
“Sikur të ishte ai nga dikush tjetër, e jo nga Allahu, sigurisht se në të do të gjenim shumë kundërthënie.” Nisa, 82.
Pastaj erdhi periudha e fshehjes së imamit të pagabueshëm, në të cilën njerëzit ndiqen nga fakihu alim i cili i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme.
Kështu filloi radha e fakihëve, muxhtehidëve, që nga ajo kohë e deri më sot, pa ndërprerje. Në çdo kohë, një ose më shumë autoritete shfaqen në ummet për shiat që i ndjekin ata në veprimet e tyre në përputhje me aktet që çdo autoritet nxjerr nga Kur'ani dhe Suneti. Nuk e përdorin ixhmanë, përveç rasteve të ndonjë të reje që ka ndodhur në këtë shekull, për shkak të përparimit shkencor dhe teknologjik, siç është operacioni i transplantimit të zemrës ose të ndonjë organi tjetër ose fekondimi artificial ose sistemi bankar e të tjera.
Mirëpo, nëse në mesin e muxhtehidëve shfaqet më i dituri dhe quhet autoritet i madh për shiat ose udhëheqës i një grupi dhe rrethi dijetarësh, të gjitha autoritetet e tjera e respektojnë dhe e vlerësojnë atë.
Shiat ndjekin një fakih të gjallë në kohën e tyre, i cili di për të gjitha problemet e kohës së tij, kujdeset për problemet e tyre, ata e pyesin atë dhe ai u përgjigjet atyre.
Në këtë mënyrë, shiat arritën të ruanin dy burimet bazë të Sheriatit Islam: Kur'anin dhe Sunetin dhe traditat e transmetuara përmes 12 Imamëve nga pasardhësit e pastër. E rëndësishme në këtë ishte se imamët e tyre nuk përdornin ixhtihadin dhe mendimin e tyre personal, sepse shiat i kushtuan vëmendje të madhe shkrimit të Sunetit të Profetit që nga koha e Ali ibn Ebi Talibit, i cili mbante sahifin El-Xhami, i cili përmban gjithçka që njerëzit kanë nevojë deri në Ditën e Gjykimit, e imamët pas tij e trashëguan dhe e ruajtën ashtu siç e ruajnë njerëzit arin dhe argjendin.
Tashmë i kemi cituar fjalët e dëshmorit, Ajetullah Sadr, nga libri i tij në të cilin ai thotë se është mbështetur vetëm në Kur'an dhe Sunet.
Fakti që përmendim shehidin Sadr është vetëm një shembull ndërsa edhe të gjithë autoritetet e tjera të shiave, pa përjashtim, pohojnë të njëjtën gjë.
Ky diskutim i shkurtër mbi çështjen e taklidit dhe autoritetit fetar na shpjegon se Imamët shia janë ndjekës të Kuranit dhe Sunetit të Profetit, të transmetuar drejtpërdrejt nga Aliu "porta e qytetit të dijes", dijetari dhe udhërrëfyesi i dytë i Umetit pas Profetit, i cili është me Profetin në Kuran.
(I referohet ngjarjes së mubahelesë dhe fjalës së Allahut: “Thuaj: “Ejani ta thërrasim veten edhe ju veten...”, kështu që ai e thirri Ali ibn Ebi Talibin.” Muslimi e ka shënuar në Sahihun e tij, në kapitullin mbi cilësitë e Aliut.)
Kushdo që vjen në qytet dhe hyn në portën e tij, ka ardhur te një burim i pastër dhe një ilaç që shëron. Është kapur për lidhjen më të fortë që nuk mund të prishet, për shkak të fjalëve të Allahut:
"Hyni në shtëpi nga dyert e tyre." Bekare, 189
Dhe kush hyn në shtëpi nga mbrapa, e jo nga dera, quhet hajdut dhe nuk do të mund të hyjë, as nuk do ta njohë Sunetin e Pejgamberit s.a.v.a.. ndërsa Allahu do ta dënojë për mosbindjen e tij.