Suneti dhe Kurani te Ehli suneti dhe Xhemati
Kemi parë se imamët shia i japin përparësi Kuranit mbi Sunetin dhe e vendosin atë si masë të besueshmërisë së Sunetit, ndërsa Ehli suneti dhe xhemati kanë një qasje krejtësisht të kundërt. Ata i japin përparësi Sunetit mbi Kuranin dhe për ta Suneti është gjykatësi dhe kontrolluesi i Kuranit.
Nga kjo mund të konkludojmë se pikërisht për shkak të kësaj qasjeje ata e quajtën veten Ehli sunet dhe xhemati. Dhe nëse nuk është kështu, lind pyetja pse ata nuk thanë se janë Ehli Kur'an dhe sunet (ithtarë të Kur'anit dhe Sunetit), veçanërisht nëse marrim parasysh hadithin që ata transmetojnë në libra sipas të cilit Pejgamberi ka thënë: "Unë ju lë librin e Allahut dhe Sunetin tim?"
Ata e lanë pas dore Kuranin dhe e vendosën atë në vend të dytë ndërsa i përmbahen të ashtuquajturit Sunet të cilit i dhanë përparësi. Nga kjo kuptojmë shkakun rrënjësor të pretendimeve të tyre se Suneti e gjykon Kuranin. Kjo është shumë e çuditshme prej tyre. Unë besoj se ata u detyruan ta bënin këtë kur e gjetën veten duke bërë gjëra në kundërshtim me atë që thotë Kurani. Me kalimin e kohës, ata u mësuan me këtë kur sundimtarët, të cilëve iu bindeshin, e bënë detyrën e tyre. Për t'i arsyetuar ato vepra, ata trilluan hadithe për ta, duke ia atribuar Profetit, s.a.v.a. ndërsa sa herë që ato hadithe ishin në konflikt me dispozitat e Kur'anit, thonin se Suneti e derogon dhe e anulon Kur'anin.
Do të jap një shembull për këtë që një musliman e bën disa herë në ditë. Është abdesi që merret para faljes së namazit, për të cilin Allahu xh.sh.
“O besimtarë, kur të doni të falni namazin, lani fytyrat dhe duart deri pas bërrylave, ndërsa lagni (jepjuni mesh) një pjesë të kokës dhe këmbët deri pas kyçeve.” [Maide, 6]
Çfarëdo që është thënë edhe sikur nuk do t'i kushtonim rëndësi fare mësimit të Kuranit, nëse ajeti në fjalë është në rasën gjinore apo kallëzore, tashmë kemi thënë se Fahru Razi, dijetari më i njohur i Ehli sunetit për gjuhën arabe dhe gramatikën, thotë se është vaxhib të lagësh (mesh) një pjesë të kokës ashtu edhe këmbët, në të dyja rastet, pavarësisht nëse e studiojmë ajetin në rasën kallëzore apo gjinore.
[Et-Tefsir el-Kabir, Fahru Razi, 11/161]
Edhe Ibn Hazmi thotë:
“Qoftë kur lexohet në rasën gjinore apo në kallëzore, gjithsesi pjesa e fjalisë “këmbët e tua deri pas kyçeve” lidhet me “jepjuni mes kokës tuaj”. Qoftë me një lidhëse apo një vend në fjali, këto dy pjesë janë të lidhura dhe nuk është e mundur të kuptohet ndryshe."
[El-Mehalli, Ibn Hazm, 3/54]
Përkundër faktit se Fahru Razi ka pohuar se dispozita kuranore na obligon fërkimin e këmbëve, jo për t'i larë ato, pavarësisht nëse ajeti lexohet në rasën kallëzore apo gjinore, mirëpo megjithatë pas kësaj shohim se ai është i njëanshëm ndaj medhhebit të tij suni, kur në fund thotë:
"Por Suneti e ka shfuqizuar meshin për këmbët i cili përmendet në Kur'an."
[Et-Tefsir el-Kabir, Fahru Razi, 11/161]
Te Ehli suneti dhe xhemati ka shumë shembuj të këtij „suneti“ që e gjykon Kur'anin ose e derogon atë. Sa hadithe të trilluara ka që anulojnë dispozitat nga Kurani duke pretenduar se ato janë anuluar nga i Dërguari i Zotit, s.a.v.a. Nëse analizojmë pak ajetin që flet për abdesin, i cili ka zbritur në suren El-Maide, do të zbulojmë se të gjithë muslimanët pajtohen se sureja El-Maide është e fundit që ka zbritur nga Kur'ani dhe se është shpallur vetëm dy muaj para vdekjes së Pejgamberit të Zotit, s.a.v.a. Shtrohet pyetja, si dhe kur e anuloi Profeti këtë dispozitë kuranore në abdes për meshin e këmbëve?!
Pejgamberi, s.a.v.a., kaloi njëzet e gjashtë vjet në mesin e sahabëve, duke marrë abdes dhe duke bërë mesh në këmbë disa herë në ditë. A është e logjikshme dhe e arsyeshme që vetëm dy muaj para vdekjes së tij, kur u shpall ky ajet për abdesin, ai kaloi në larjen e këmbëve, gjë që është në kundërshtim me librin e Allahut?! Kjo vërtet nuk mund të besohet.
Atëherë, si mund t'i besojnë njerëzit këtij Pejgamberi, i cili i thërret të ndjekin Librin e Allahut dhe të punojnë sipas tij, duke thënë: "Ky Kur'an udhëzon në atë që është më e drejta", e pastaj ai fillon të bëjë gjëra në kundërshtim me po atë Libër?! A është e logjikshme kjo dhe a është e pranushme për njerëzit e arsyeshëm?! Ose kundërshtarët, politeistët dhe hipokritët do t'i thonë: "Nëse ti je duke bërë të kundërtën e Kur'anit, si mund të na urdhërosh ta ndjekim atë?!" Profeti atëherë do ta gjente veten në një telash të madh dhe nuk do të ishte në gjendje të mbrohej kundër argumenteve të tyre.
Kjo është arsyeja pse ne nuk mund ta besojmë këtë pretendim, i cili refuzohet si nga logjika ashtu edhe nga arsyeja, ndërsa këtë nuk mund ta besoj askush që e njeh edhe Kur'anin dhe Sunetin.
Por Ehli suneti dhe xhemati, të cilët në fakt janë sundimtarët Omajad dhe ata që i pasuan ata, siç folëm në kapitujt e mëparshëm, u kënaqën në trillimin e haditheve dhe atribuimin e tyre Pejgamberit, të gjitha me qëllim që t'i bëjnë të besueshme mendimet dhe mësimet devijuese të udhëheqësve të tyre, dhe për t'iu dhënë atyre ligjshmëri fetare. Pastaj, po edhe për të justifikuar ixhtihadin e udhëheqësve të tyre edhe atëherë kur ata kishin tekste autentike të Kuranit dhe Sunetit, sa për të thënë se vetë Profeti e përdori ixhtihadin sipas gjykimit të tij kundër tekstit kuranor dhe se ai e abrogoi nga Kur'ani çfarë donte. Në këtë mënyrë, pasuesit e bidateve fituan ligjshmëri për veprimet e tyre që ishin në kundërshtim me tekstet autoritare të Kuranit dhe Sunetit.
Në kapitullin e mëparshëm, kemi paraqitur prova dhe argumente të forta se i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., nuk ka bërë asgjë me dëshirën e tij as edhe në një ditë të vetme dhe nuk ka përdorur analogji në Sheriat. Ai priste që çdo gjë t'i zbulohej sipas fjalëve të Allahut të Madhëruar:
“Të gjykosh njerëzit ashtu siç të shpall Allahu”.
[Sahih Buhari, 8/148 (Nisa', 105)]
A nuk ka thënë ai, duke transmetuar nga Zoti i tij: “Dhe kur atyre u tregohen ajetet Tona të qarta, atëherë ata që nuk besojnë se do të dalin para nesh thonë: “Sillni ndonjë Kuran tjetër ose ndryshoni atë. !' Thuaj: "Është e paimagjinueshme që unë ta ndryshoj atë nga vetvetja, unë ndjek vetëm atë që më shpallet, nëse nuk i bindem Zotit tim unë i frikësohem, vuajtjeve në Ditën e Madhe." Junus, 15
A nuk e kërcënoi Zoti i tij me një dënim të tmerrshëm nëse thotë vetëm një fjalë kundër Allahut, ndaj Allahu i Madhëruar thotë:
“Dhe sikur të kishte thënë ndonjë fjalë për Ne, Ne do ta kapnim nga dora e djathtë, e pastaj do t’ia prisnim kyçin e dorës, e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte atë.” [Hakka, 44-47. ]
Ky është Kur'ani dhe ky është Pejgamberi juaj, morali i të cilit është vetë Kur'ani, por Ehli suneti dhe xhemati për shkak të armiqësisë dhe urrejtjes së madhe ndaj Ali ibn Ebi Talibit dhe Ehli Bejtit, paqja qoftë mbi të, i kundërshtuan në çdo gjë, kështu që orientimi i tyre u bë kundërshtimi ndaj Aliut dhe përkrahësve të tij në çdo gjë, madje edhe në atë që është Sunet i vërtetuar për ta.
[Ne folëm për këtë në detaje dhe renditëm thëniet dhe fjalët e imamëve të tyre në librin Me ata që janë të sinqertë, prandaj shikoni atje për më shumë njohuri.]
Dihej se Imam Aliu lexonte Bismilah me zë në namaz, por Ehli Suneti ose disa prej tyre thanë se leximi i Bismilahut me zë është mekruh. E njëjta gjë ishte edhe me shpejtësinë e faljes së namazit, duan e kunutit dhe gjërave të tjera që lidhen me namazet ditore.
Prandaj Enes Ibn Maliku qau dhe tha:
"Pasha Allahun, unë nuk shoh asgjë nga ajo që bëri i Dërguari i Allahut." Ata pyetën: "Po ky namaz?" Ai tha: “Dhe në të ndryshuat atë që ndryshuat ”.
[Sahih Buhariu, 1/74]
Është e çuditshme se Ehli suneti dhe xhemati hesht për këto mosmarrëveshje, sepse katër medhhebet e tyre të respektuar nuk pajtohen për asnjë çështje dhe nuk shohin ndonjë të keqe apo problem në të, për më tepër, ata thonë se mospajtimi i tyre është mëshirë.
Por ata i kundërshtojnë shiat nëse nuk pajtohen me ta për ndonjë çështje ndërsa kjo për nuk merret si mëshirë por si fatëkeqësi. Ata nuk pranojnë mendimet e askujt përveç imamëve të tyre, pavarësisht se imamët e tyre nuk mund të krahasohen me imamët e Damiljes së Pastër në dituri, vepra, cilësi dhe reputacion.
E kemi përmendur tashmë kur folëm për 'larjen e këmbëve', përkundër faktit se librat e tyre dëshmojnë se meshi i këmbëve është një urdhër nga Kur'ani dhe se është sunet i Pejgamberit s.a.v.a. [El-Tabekatu-l- kubra, Ibn Saad, 6/ 191], ata nuk pranojnë asgjë nga shiat dhe i akuzojnë ata se e interpretojnë Kur'anin ashtu siç dëshirojnë dhe se e kanë braktisur besimin.
Shembull tjetër që duhet përmendur është martesa e përkohshme për të cilën flet Kurani dhe është vërtetuar nga Suneti i Profetit, por për të justifikuar ixhtihadin e Omer ibn Hatabit i cili e ka ndaluar atë, kanë shpikur një hadith të rremë dhe ia atribuojnë atë Profetit, s.a.v.a. Pas kësaj, ata filluan të kundërshtojnë shiT për lejimin e kësaj martese, duke e vërtetuar këtë me traditën që transmetonin nga Imam Aliu. Krahas kësaj duhet thënë se sahihët e tyre dëshmojnë se sahabët e kanë bërë këtë veprim në kohën e të Dërguarit të Zotit, s.a.v.a., pastaj në kohën e Ebu Bekrit dhe për një kohë në kohën e Kalifit Omer ibn Hatabit, para se ky i fundit ta ndalonte. Gjithashtu, ata dëshmojnë se sahabët kanë pasur dallime në atë se a është haram apo hallall.
Ka shumë shembuj të tillë ku ata e zhvlerësojnë tekstin kuranor me një hadith të rremë. Ne kemi dhënë vetëm dy shembuj me këtë rast, dhe qëllimi kryesor është që të heqim perden nga medhhebi i Ehli sunetit dhe xhematit dhe t'u tregojmë lexuesve se ata i japin përparësi Sunetit ndaj Kuranit, dhe qartë e zëshëm pretendojnë se Suneti është gjykatësi i Kuranit.
Ja se çka iu thotë imami Abdullah ibn Muslim ibn Kutejbe, muhadith dhe fakih i Ehli sunetit dhe xhematit, i cili vdiq në vitin 276 të hixhrës:
"Suneti është gjykatësi i Kur'anit, por Kur'ani nuk është gjykatës i Sunetit."
[Sunen Darimi, l/145; Ibn Kutejbe në Tevil muhtalife-1-hadith, fq. 199]
Shkrimtari i librit Mekalet el-Islamijin transmeton nga Imam Esh'ariu, Imami i Ehli sunetit dhe xhematit në shkencën e usulit, ndaj thotë:
"Suneti e shfuqizon Kur'anin dhe e gjykon atë, kurse Kur'ani nuk e shfuqizon Sunetin dhe nuk e gjykon".
[Mekalatu-l-Islamijin, 5/251]
Ibn Abdulbirr thotë se Imam Evzaiu, një nga imamët e famshëm të Ehli Sunnetit uel Xhemat ka thënë:
"Kurani ka nevojë më shumë për sunetin, e jo suneti për Kuranin."
[Xhamiu Bejani-1-ilmi, 2/34]
Nëse këto thënie të tyre dëshmojnë dhe tregojnë besimin e tyre, atëherë është e natyrshme që ata nuk pajtohen me atë që thotë Ehl-i Bejti, sipas të cilëve se çdo hadith duhet t'i nënshtrohet verifikimit përmes librit të Allahut, sepse Kur'ani është masa e besueshmërisë së Sunetit.
Gjithashtu, është e natyrshme që ata të refuzojnë t'i njohin këto hadithe, edhe kur ato janë transmetuar nga imamët e Ehli Bejtit, ngase ato e shkatërrojnë medhhebin e tyre deri në themel.
Në librin e tij Delailu-n-nubuwet, Bejhekiu thotë se hadithi i transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.a.. “, Nëse hadithi ju vie nga unë, verifikone përmes Librit të Allahut...“, Bejhekiu thotë: “Ky hadith është i rremë, jo i besueshëm, sepse në vetvete pasqyron gënjeshtër, sepse askund nuk ka asnjë dëshmi në Kuran që hadithi i nënshtrohet kontrollit të Kuranit”.
Ibn Adulbirr transmeton nga Abdurahman ibn Mehdiu se hadithi i transmetuar nga Profeti:
“Çfarëdo që të vjen prej meje, verifikojeni përmes Librit të Allahut, ndaj atë që pajtohet me librin e Allahut, e kam thënë unë, e atë që nuk pajtohet me librin e Allahut, nuk e kam thënë”, nuk janë fjalë të Profetit dhe se ulemaja nuk mund t'i merr si të besueshme për shkak të parregullsisë së tij. Ai gjithashtu thotë se këtë hadith e kanë trilluar të pafetë dhe havarixhët.
[Xhamiu Bejani-l-ilmi 2/233]
Shikoni këto paragjykime të verbëra që nuk lënë vend për qasje shkencore, ekzaminim, analizë dhe nënshtrim ndaj të vërtetës. Ndaj, transmetuesit e këtij hadithi i quajnë të pabesë dhe havarixhi duke i akuzuar për trillimin e këtij hadithi, ndërsa transmetues janë imamët e Ehli Bejtit!
A mund t'i pyesim ata, cili ai është qëllimi i të pabesit dhe havarixhit në trillimin e këtij hadithi, me të cilin librin e Allahut, të cilit gënjeshtra nu mund t'i qaset nga asnjë anë, e vendosë si burim dhe standard të çdo gjëje?!
Një person i drejtë dhe i arsyeshëm do t'u përkulej këtyre "të pabesëve dhe havarixhve" të cilët madhërojnë Librin e Allahut dhe e vendosin atë në krye të legjislacionit, dhe a është kjo më mirë për ta sesa t'u përkulen Ehli sunetit dhe xhematit që gjykojnë Librin e Allahut sipas sunetit dhe traditave të rreme dhe anulojnë dispozitat e tij përmes bidateve.
“Sa fjalë të mëdha dalin nga goja e tyre! Ata nuk flasin tjetër vetëm se gënjeshtra!” [Kehf, 5]
Ata, që në këtë rast akuzohen si pabesë dhe havarixhë, janë Familja e Profetëve, Imamët e udhëzimit dhe llambat në errësirën e gabimit. Këta janë ata që gjyshi i tyre, Profeti i Zotit, s.a.v.a., i ka përshkruar si mbrojtje të umetit nga mosmarrëveshjet, kështu që kushdo që i kundërshton, i bashkohet palës së iblisit. Mëkati i tyre i vetëm është se ata mbahen fort dhe ndjekin Sunetin e gjyshit të tyre, dhe refuzojnë të pranojnë asgjë bidatet e Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit, Muavijes, Jezidit, Mervanit ose Omajadëve.
Meqenëse pushteti ishte në duart e të lartpërmendurve, është e natyrshme që ata të mallkojnë dhe shajnë kundërshtarët e tyre dhe t'i quajnë havarixhë dhe të pabesë. A nuk e shanë Aliun dhe Ehli Bejtin nga minberi për më shumë se 80 vjet?! A nuk e helmuan Imam Hasanin dhe e vranë Huseinin dhe pasardhësit e tij?!
Ne nuk do të flasim për të gjitha persekutimet, torturat dhe vrasjet e përjetuara nga Ehli Bejti, gjendja e të cilëve dhe padrejtësitë e bëra ndaj tyre nuk kanë përfunduar ende dhe do të kthehemi tek ata që e quajnë veten Ehlli sunet dhe xhemat dhe që mohojnë hadithin në të cilin flitet për verifikimin e hadithit përmes Kur'anit. Pse nuk e llogaritën Ebu Bekrin si havarixhi apo ateist? Ngase është ai që dogji hadithet dhe mbajti një fjalim para njerëzve duke thënë:
“Ju transmetoni hadithe nga Profeti në të cilat nuk pajtoheni me njëri-tjetrin dhe njerëzit pas jush do të përçahen edhe më shumë. Prandaj, mos transmetoni asgjë nga i Dërguari i Zotit! Kush të pyet ty, thuaj: “Ti dhe unë kemi Librin e Allahut, prandaj merre hallall atë që është hallall në të dhe haram atë që është haram në të”.
[Zehebi, Tezkiretu-1-huffaz, 1/3]
A nuk i dha Ebu Bekri përparësi Kuranit mbi Sunetin? Dhe jo vetëm kaq, por e bëri të vetmin burim duke e refuzuar plotësisht sunetin, me pretendimin se suneti do t'i përçaj njerëzit?!
Pse nuk e quajtën Omer ibn Hatabin i pabesë apo havarixhi, sepse edhe ai e refuzoi Sunetin që në ditën e parë duke thënë: “Na mjafton libri i Allahut”. Ai dogji hadithet që ishin mbledhur dhe shkruar nga sahabët në kohën e tij.
[Kenzu-l-ummal 5/237; Ibn Kasir dhe Zahebi në Tezkret-l-huffaz 1/5]
Dhe nuk u ndal me kaq, madje ua ndaloi sahabëve përhapjen e haditheve.
[Zehebi në Tezkiret-1-huffaz 1/4]
Pse nuk i thanë e pabesë dhe havarixhe Aishes, nënës së besimtarëve, nga e cila e marrin gjysmën e besimit, ngase ajo ishte e njohur se hadithin ia nënshtronte Kuranit. Kështu ajo krahasoi çdo hadith që i vinte, për të cilin nuk dinte, me Librin e Allahut dhe nëse binte në kundërshtim me Kuranin, ajo do ta refuzonte atë. Ajo mohoi hadithin e Omer ibn Hattabit: "I vdekuri mundohet ne varr nese familja e tij qan per te.", andaj ajo tha: "Te mjafton Kur'ani.", ndërsa ai tha: "Secili do ta bart vetëm barrën e vet ”.
[Sahih Buhari, Libri i Funeraleve, kap. Fjalët e Profetit se Mexhxhti është i munduar nga të qarat e familjes së tij për të; Sahih Muslim, i njëjti libër]
Ajo gjithashtu mohoi hadithin e Abdullah ibn Omerit, i cili transmeton se Pejgamberi, s.a.v.a., u ngrit te pusi ku u vranë mushrikët në betejën e Bedrit dhe tha atë që tha, e pastaj iu drejtua shokëve të tij dhe tha: “Ata e dëgjojnë këtë që po u them unë”.
Aishja mohoi që të vdekurit të dëgjojnë, duke thënë:
“I Dërguari i Allahut, s.a.v.a., atëherë pat thënë: “Ata e dinë se ajo që po u them është e vërtetë”. Pastaj, Aishja kërkoi dëshmi për falsitetin e hadithit duke e krahasuar atë me Kuranin, ku Allahu thotë: “Ti nuk mund t’i thirrësh të vdekurit.” [Rum, 52] “Dhe nuk mund t’i thërrasësh ata që janë në varre!”
[Fatir, 22],
[Sahih Buhari, Sahih Muslim, i njëjti libër dhe kapitulli i mëparshëm.]
Ajo mohoi shumë hadithe dhe tha se ato ishin të trilluara, dhe çdo herë ajo i verifikonte përmes Kuranit Fisnik. Atij që transmetoi hadithin se Muhamedi e pa Zotin e tij, ajo i tha:
“M'u ngritën flokët nga ajo që thua, sa larg je nga ata tre. Kush të tha se Muhamedi e pa Zotin e tij, ka gënjyer.”
Pastaj ajo lexoi fjalët e Allahut të Madhëruar:
“Shikimet nuk arrijnë deri te Ai, ndërsa ai arrinë deri te shikime, Ai është i Mëshirshëm dhe i Ditur për çdo gjë.” [En’am, 103]
Ajo në vazhdim e lexoi edhe këtë ajet:
"Askujt nuk i është dhënë që Allahu t'i flasë atij, përveçse në një nga tre mënyrat: me frymëzim, ose pas mbulesës..." [Shura, 51]
Kushdo që ju thotë se e di se çfarë do të ndodhë nesër, gënjen dhe më pas ajo recitoi fjalët e të Lartësuarit:
"Njeriu nuk e di se çfarë do të fitojë nesër." [Lukman, 34]
Kushdo që ju thotë se ai ka fshehur diçka, gënjen dhe më pas ajo lexoi nga Kur'ani:
“O i Dërguar, thuaj atë që të shpallet nga Zoti yt.” [Maide, 67]
Ebu Hurejra, transmetuesi i hadithit të Ehli Suneti, kur transmetonte një hadith, thoshte: "Nëse doni, recitoni edhe fjalët e Allahut.", kështu që ai e krahasonte hadithin me fjalët e Allahut dhe e vërtetonte besueshmërinë e tij në mënyrë që ata që dëgjojnë ta besojnë.
Pse Ehli suneti dhe xhemati këta nuk i quajti havarixhë dhe të pafe, ngase edhe këta i kontrollojnë hadithet dhe bëjnë verifikim nëse pajtohen me librin e Allahut, e nëse nuk pajtohen, i konsiderojnë të rremë?!
Ata nuk guxojnë në këtë rast, mirëpo nëse kjo ka të bëjë me imamët e Ehli Bejtit, atëherë nuk përmbahen nga akuzat ndaj tyre dhe ua atribuojnë çdo të metë, ndërkohë që ata nuk kanë mëkat tjetër përveç se i kontrollojnë hadithet dhe vërtetësinë e tyre e konfirmojn nëse pajtohen me Kur'anin. Sa do të duhej të turpëroheshin ata që trillojnë hadithe dhe që kërkojnë të anulojnë dispozitat e Allahut me hadithe të rreme. Ata e dinë se nëse hadithet e tyre do të kontrolloheshin dhe verifikoheshin përmes Kuranit, nëntë të dhjetat e tyre nuk do të pajtoheshin me Librin e Allahut. Të dhjetën pjesë të haditheve, të cilët i mbështet Kurani, i interpretojnë ashtu sikur të ishte diçka krejtësisht e ndryshme nga ajo që donte të thoshte Profeti. Të tilla si hadithi: "Pas meje do të jenë 12 kalifë, të gjithë nga fisi kurejsh.", dhe hadithin: "Ndiqni Sunetin e Hulefai Rashidinëve pas meje.", ose si hadithin: "Divergjencat brenda Umetit tim është mëshirë.” dhe hadithe të tjera në të cilat Profeti, s.a.v.a., i referohet Pasardhësve të pastër.
Por ata e shtrembëruan kuptimin duke interpretuar se Profeti këtu i referohej kalifëve të tyre, uzurpuesve të pushtetit dhe disa shokëve që ishin kthyer në gjurmët e tyre të mëparshme.
Madje shpifën edhe pseudonimet që ua atribuonin disa sahabëve, siç thanë për Ebu Bekrin se ai ishte Siddik, Omeri se ishte Faruk, Osmani se ishte Zu-n-Nurejn, për Halidin se është shpata e Allahut.
Mirëpo, është e vërtetë se këto epitete i janë vënë Ali ibn Ebi Talibit, edhe atë nga Profeti, s.a.v.a., kur ka thënë:
“Tre janë sidikët (të cilët janë mishërim i fjalës së vërtetë): “Habib Nexhari, besimtar nga sureja Jasin, Hazkeli, besimtar nga familja e faraonit dhe Ali ibn Ebi Talibi, i cili është më i miri nga të gjithë."
[Shevahidu-t-tenzil, Haskani 2/223; Gayetu-l-meram, fq. 417; Er-Riyadu-Nedira, 2/202.]
Vetë Aliu thoshte:
"Unë jam sidiku më i madh ndërsa kushdo pas meje (që këtë epitet) ia atribuon vetes është gënjeshtar."
Ai është Faruku më i madh (ai që ndan të vërtetën nga e pavërteta). Me të, Allahu e ndau të vërtetën nga e pavërteta.
[Tarih Taberi mbi Islamin e Aliut; Sunen ibn Maxhe, 1/44, Hasais Nesai; Mustedrek Hakim, 3/112]
A nuk ka thënë i Dërguari i Zotit se dashuria për Aliun është shenjë besimi, ndërsa urrejtja ndaj tij është shenjë hipokrizie dhe se e vërteta shkon me të kudo që shkon ai?
E sa i përket epitetit Zu-n-Nurejn [Ehli Suneti e quajnë Osmanin Zu-n-Nurejn, sepse ai u martua fillimisht me Rukajen, e më pas me Ummi Kulsumin, dy vajzat e Profetit. Është e vërtetë se ato ishin thjeshtrat e tij, por le të supozojmë se ishin bijat e tij, si mund të jenë nurejn (dy drita) ndërkohë që Profeti nuk u atribuoi atyre asnjë virtyt. E pse kjo të mos jetë Fatimeja, për të cilën ai tha se ishte princesha e të gjitha grave, Nur (drita) edhe pse Aliu nuk u quajt Zu-nur sipas pozitës së tij?!], ai është babai i Hasanit dhe Huseinit, princat e të rinjëve në Parajsë dhe dy Drita, drita nga shtylla kurrizore e të Dërguarit, s.a.v.a. Shpata e Allahut eshte Aliu, ngase Xhibrili ka thene për të, në diten e luftës së Uhudit: "Nuk ka asnjë të ri (kalores) si Aliu, dhe nuk ka shpatë si Zulfiqari (shpata me dy teha qe mbante Aliu. )" Ai është me të vërtetë shpata e Allahut e nxjerrë kundër politeistëve. Imam Aliu vrau heronjtë e tyre më të guximshëm dhe ua dërrmoi fuqinë, kështu që ata iu dorëzuan të vërtetës, por për shkak të kësaj ata mbetën me një ndjenjë neverie dhe urrejtjeje ndaj tij. Ai është shpata e Allahut, sepse asnjëherë nuk iku nga asnjë betejë dhe as nuk u frikësua nga ndonjë duel. Është ai që pushtoi Hajberin pasi shumë sahab të famshëm dështuan dhe u kthyen të mundur!
Politika ishte e tillë ngase që në fillim, hilafeti i tyre punoi për ta rrëzuar Aliun nga pushteti dhe për t'ia kontestuar çdo virtyt dhe vlerë të tij. Kur Muaviu mori pushtetin, ai shkoi edhe më tej, ashtu që ai filloi me sharje të Imam Aliut, ndërsa i paisi me epitete kundërshtarët e Aliut, të cilat nuk i meritonin. A kishte dikush në atë kohë që ta kundërshtonte Muaviun dhe ta quante shpifës e gënjeshtar?
Ata u pajtuan me të në mallkimin e Aliut. Ithtarët e tij nga Ehli suneti dhe xhemati i kthyen të gjitha gjërat përmbys, kështu që me ta e keqja u bë e mirë dhe e mira u bë e keqe. Imam Aliu dhe pasuesit e tij u bënë të pabesë, havarixhë dhe rafidi, duke lejuar madje edhe mallkimin dhe vrasjen e tyre, kurse armiqtë e Allahut dhe armiqtë e të Dërguarit të Tij dhe Ehli Bejtin i emërtuan "Ehli-sunet".
Lexo dhe çuditu, ndërsa nëse dyshoni për këtë, hulumtoni dhe analizoni!
“Këta dy lloje janë si i verbëri dhe i shurdhëri, dhe si ai që sheh dhe dëgjon... A mund të krahasohen? Pra, pse nuk mendoni? [Hood, 24]
Studiuesi ka të ngjarë të gjejë shumë sunete që i mvishen Profetit, s.a.v.a., të cilat janë bidate, të trilluara nga disa sahab pas vdekjes së tij dhe më pas i detyronin njerëzit t'i ndiqnin ato, derisa këta të mjerë besuan se vërtetë ishin Sunet i Profetit, veprat dhe fjalët e tij.
Prandaj këto bidate në shumicën e rasteve janë në kundërshtim me librin e Allahut. Ulematë e tyre u detyruan t'i sqarojnë këto, kështu që ata do të thoshin se Profeti, s.a.v.a., e bëri këtë vetëm një herë ndërsa herën tjetër do të thonin diçka tjetër. Për shembull, një herë ai falej me bismilah, ndërsa herën tjetër pa bismilah. Një herë i bëri mesh këmbëve duke marrë abdes ndërsa herën e dytë i lau. Një herë i lidhte duart në namaz, një herë tjetër falej me duar të ulura etj. Disa kanë shkuar aq larg në pretendimet e tyre, saqë thonë se Profeti e veproi kështu qëllimisht për ta bërë më të lehtë për umetin e tij, në mënyrë që të gjithë të zgjedhin atë që u përshtatet atyre.
Kjo është një gënjeshtër që Islami refuzon ta pranojë, sepse bindjet islame janë të ndërtuara mbi unitetin e Zotit, unitetin e adhurimit në çdo gjë, në dukje, veshje, kështu që kushdo që kryen haxhin e Ibrahimit nuk i lejohet të veshë rroba të tjera përveç asaj të bardhë - ihramit. Ai që falet pas imamit duhet ta ndjekë atë në çdo lëvizje të tij.
Nëse i kthehemi diskutimit rreth kontradiktave dhe kundërthënieve të haditheve që gjenden tek Ehli suneti dhe xhemati, mund të thuhet se janë aq shumë sa nuk mund të numërohen ndërsa ne do të përpiqemi t'i mbledhim ato në një libër të veçantë, në dashtë Zoti!
Siç është praktika jonë, ne do të përpiqemi të citojmë shkurtimisht disa shembuj për t'i shpjeguar studiuesit se cilat themele e kanë ndërtuar medhhebin dhe besimin e Ehli sunetit dhe xhematit.
Në Sahihun e Muslimit dhe Sharh Muvetta të Xhelaluddin Sujutiut, është shënuar nga Enes ibn Malik se ka thënë: "Unë u fala pas të Dërguarit të Zotit dhe aty ishin Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani dhe nuk dëgjova asnjë prej tyre duke lexuar. Bismilahi-rrahmani-rrahim.”
Ndërsa në një hadith tjetër thotë se i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., nuk e ka lexuar Bismilahin me zë të lartë, ndaj thotë:
“Këtë hadith e transmetojnë Katadi dhe Sabit Benani por edhe të tjerët, dhe të gjithë e lidhën senedin dhe përmendën Pejgamberin s.a.v.a. në të, vetëm se nuk u pajtuan për formulimin e këtij hadithi, të paqartë dhe të pshtjelluar, kështu që disa thonë: "Ata nuk thanë bismillahi-rrhmani-rrahim." Të tjerë thanë: "Ata nuk recituan me zë bismillahi-rrahmani-irrahim." Të tjerë thonë: “Kanë recituar me zë bismillahi-rrahmani-rrahim”. E ka nga ata që thonë: “Nuk e lanë bismilahin”. Disa në anën tjetër raportojnë: "Ata do ta fillonin recitimin me El-Hamdu lillahi Rabbi-l-alemin".
Ai tha: "Kjo është aq e ngatërruar saqë asnjë fakih nuk mund të ndërtojë prova dhe argumente në bazë të kësaj."
[Tenwiru-l-hawali sherhi ala Muwettai Malik, 1/l03. Ne themi: “Falënderimi i takon Allahut kur një dëshmitar prej tyre dëshmoi për ngatërrimin e haditheve dhe kundërthënieve të tyre, dhe sipas rrëfimit të tij, asnjë nga fakihët e tyre nuk mund të gjejë dëshmi në këtë”. Dëshmia qëndron tek imamët e pastër të cilët nuk dallojnë në asnjë çështje.]
Nëse doni të dini sekretin e kësaj kontradikte dhe paqartësie nga i njëjti transmetues, ai është Enes ibn Malik i cili ishte gjithmonë me Profetin si portier i tij, ndaj e shohim atë duke transmetuar një herë se i Dërguari i Zotit dhe tre halifët nuk kanë thënë bismilah, një herë tjetër duke transmetuar se ata nuk e lanë bismilahin. Ky është realiteti i trishtuar dhe i dhimbshëm që shumica e sahabëve e ndoqën në transmetimin e hadithit. Transmetimet e tyre ishin në përputhje me atë që kërkonin interesat aktuale politike dhe me atë që pushtetarët ishin të kënaqur.
Nuk ka dyshim se ai përcolli se nuk duhet thënë Bismilah kur sundimtarët e dinastisë Omajade po punonin për të ndryshuar Sunetin e Profetit, s.a.v.a., ndërsa Ali ibn Ebi Talibi po punonte për ta mbështetur dhe mbajtur në jetë atë.
Politika e tyre mbështetej në kundërshtimin e Imam Aliut në çdo gjë.
Këtë nuk e pretendojmë ne dhe as shiat. Për çdo gjë që shkruajmë, ne mbështetemi në librat e Ehli Sunetit dhe thënieve të tyre.
Në tefsirin Garaibu-l-Kur'ani, pas përmendjes së transmetimeve kontradiktore nga Enes ibn Maliku, Imam Nejshaburiu thotë:
“Ekziston një teori tjetër, e cila është se Aliu ka ekzagjeruar në leximin e bismilahut me zë të lartë, dhe kur erdhi koha e sundimit të Omajadëve, ata e tepruan në ndalimin e leximit të bismilahut me zë për të fshirë çdo gjurmë të Ali ibn Ebi Talibit, kështu që Enes ibn Malik me shumë mundësi, është frikësuar prej tyre dhe kështu fjalët e tij u bënë konfuze dhe të paqarta”.
[Tefsir Garaibu-l-Kur'an, Nejshaburi, dhe në skajin e Tefsir Taberit 1/77]
Edhe shejh Ebu Zahra tha diçka të ngjashme, duke thënë:
“Qeveria Omajade kishte një ndikim të madh në fshehjen e shumë gjurmëve të Aliut në gjykime dhe fetva, sepse nuk është e logjikshme që ata ta mallkojnë Aliun nga minberi dhe t'i lënë ulematë të transmetojnë virtytet, mësimet, fetvat dhe fjalët e tij, veçanërisht atë që lidhet me themelet e autoriteteve islame”.
[Shejh Ebu Zahra në librin e Imam Sadikut, f. 151.]
Falënderimi i takon Allahut që zbuloi të vërtetën nga goja e disa prej dijetarëve të tyre, të cilët pranuan se Aliu recitonte bismilah me zë tepër të lartë.
Ajo që e shtyu Imam Aliun të lexonte bismilahin me zë të lartë në namaz edhe atë pak më zëshëm, ishte se kalifët para tij e lanë leximin e bismilahut në namaz qëllimisht ose nga pakujdesia. Njerëzit i ndoqën ata në këtë dhe u bë Sunet që ndiqej. Kjo me siguri e prish namazin nëse bëhet me qëllim. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë pse Imam Aliu do të lexonte bismilah me zë të lartë në namaz, madje edhe në namazet e përditshme.
Nga transmetimi i Enes ibn Malikut, mund të ndjehet lajka për të kënaqur Umajadët që e mbushën me pasuri dhe i ndërtuan kështjella të mëdha, sepse ai ishte një nga kundërshtarët e Aliut ndërsa këtë urrejtje e shprehu edhe publikisht.
Urrejtja e tij u shfaq në storien e "zogut të pjekur" kur Profeti, s.a.v.a., tha:
"I dashur Zot, më lër ta ha këtë zog të pjekur me krijesën Tënde më të dashur!" Pastaj te dera erdhi Aliu dhe kërkoi leje për të hyrë ndërsa Enesi ishte te dera dhe e ktheu tri herë. Kur ishte hera e katërt, Profeti e mori vesh (ardhjen e Aliut) dhe i tha Enesit: "Çfarë të shtyu të sillesh kështu?" Enesi u përgjigj: "Unë doja që ai të ishte një nga ensarët".
[E ka shënuar Hakimi në Mustedrek dhe thotë: “Është Sahih sipas kushteve të dy shejhëve”. Shënon Tirmidhiu në Sahihun e tij 2/299: Taberiu në Er-Riyad el-Nadir, 2/160; Tarikh Bagdad, 3/171; Kenzu-l-ummal 6/406; Nesai në El-Hasais, f. 5.; lbn Asir në Usudu-l-gaba, 4/30]
Mjafton për këtë sahabe të dëgjojë Pejgamberin s.a.v.a., duke e lutur Allahun që t'i dërgojë krijesën më të dashur tek Ai, ndërsa Allahu iu përgjigj lutjes së tij dhe i dërgoi Aliun. Por urrejtja e shtyu Enes ibn Malikun që ta kthente Aliun tri herë radhazi, duke pretenduar se kishte nevojë për Profetin dhe të përsëriste të njëjtën gënjeshtër tri herë radhazi, sepse nuk mund të pranonte që Aliu të ishte krijesa më e dashur tek Allahu pas të Dërguarit të Tij. Por Imam Aliu erdhi te dera për herë të katërt, kështu që Profeti, paqja qoftë mbi të, e pyeti:
" O Ali Çfarë të pengoi ty të vish tek unë?" Ai u përgjigj: “Erdha, por më ktheu tri herë”. Atëherë Profeti e pyeti: "Çfarë të shtyu të sillesh kështu?" Enes iu përgjigj: "I Dërguari i Zotit, e dëgjova lutjen tënde dhe doja që ai të ishte një njeri nga populli im."
Historia tregon se edhe pas kësaj, Enes ibn Malik vazhdoi të shfaqte urrejtje ndaj Imam Aliut gjatë gjithë jetës së tij. Është ai prej të cilit Aliu, në ditën e "rehbe-s" (mirëseardhjes), i kërkon të dëshmojë se e ka dëgjuar hadithin në Ghadir Hum, por Enesi nuk ka dashur të dëshmojë, pas së cilës Aliu bën një lutje kundër të gjithë atyre që nuk donin të dëshmonin. Kur Enesi u ngrit për të shkuar, ai tashmë ishte i prekur nga lebra.
Për shkak të gjithë kësaj, ai transmeton një hadith për mësimin e Bismilahut, i cili aludon se ai për sundimtar e merr Muavije ibn Ebi Sufjanin, sepse thotë: "Unë bëra sexhde pas Pejgamberit, Ebu Bekrit, Omerit dhe Osmanit..." , që do të thotë se ai nuk pranoi që të lutet pas Aliut.
Ai është pikërisht ashtu siç e duan Muaviu dhe pasuesit e tij, që do të thotë të përmenden vetëm tre kalifët e parë dhe të mos përmendet fare Aliu.
Duke pasur parasysh se nga imamët e pasardhësve të pastër dhe pasuesve të tyre u vërtetua se Aliu lexonte Bismilah me zë, para Fatihasë dhe para sures, po ashtu u vërtetua përmes transmetuesve të Ehli sunetit dhe xhematit se ai lexonte Bismilah shumë zëshëm, madje edhe në namazet ditore, kështu u vërtetua se ai është sunet i saktë profetik, dhe kushdo që e lë atë e ka lënë vaxhibin duke e bërë namazin e tij të pavlefshëm. Sepse të veprosh në kundërshtim me Sunetin është lajthitje, merreni atë që ju thotë Profeti, dhe braktiseni atë që Profeti e ka ndaluar!
Pas kësaj, ne mund t'i trajtojmë në mënyra të ndryshme traditat e sahabëve që janë në kundërshtim me Sunetin e të Dërguarit të Zotit, s.a.v.a. Kemi disa shembuj për këtë. Disa i kemi përmendur tashmë dhe të tjera do t'i përmendim. Në të gjitha këto, është shumë e rëndësishme të dihet se Ehli suneti dhe xhemati ndjek fjalët dhe veprimet e të gjithë sahabëve.
Së pari, sepse ata besojnë se fjalët dhe veprimet e tyre janë sunet që duhet ndjekur.
Së dyti, sepse ata besojnë se ajo që thanë sahabët nuk është në kundërshtim me Sunetin e Profetit, sepse sahabët gjykonin sipas mendimeve të tyre dhe ia atribuan atë Profetit, s.a.v.a., për të ndikuar te njerëzit dhe për të mbrojtur veten nga kundërshtimi i kundërshtarëve të tyre.
Ali ibn Ebi Talibi ishte i vetmi kundërshtar që u përpoq me të gjitha forcat gjatë kalifatit të tij t'i kthente njerëzit në Sunetin e vërtetë të Profetit, me fjalët, veprat dhe vendimet e tij. Por ai nuk pati sukses, sepse e kishin preokupuar me luftëra dhe posa të mbaronte një betejë, do të nisnin kundër tij një tjetër. “Beteja e Devesë” nuk kishte mbaruar dhe ata filluan betejën e Siffinit. Beteja e Siffinit as nuk mbaroi, dhe ata udhëhoqën betejën e Nehrevanit. Dhe kjo betejë as që mbaroi dhe e vranë derisa po falte sabahun në xhami.
Kur Muavija mori kalifatin, shqetësimi i tij i vetëm ishte se si ta shuante dritën e Allahut. Ai bëri të gjitha përpjekjet e tij për të shkatërruar Sunetin e Profetit të cilin e ringjalli Imam Aliu dhe për t'i kthyer njerëzit në bidatet e shpifura nga kalifët, veçanërisht ato që vet ai i futi në besim. Ai punoi për të futur mallkimin e Aliut që askush të mos e përmendte atë për të mirë, por vetëm për keq.
Medaini transmeton se disa shokë erdhën te Muaviu dhe i thanë:
"O Emirul-mu'minin, Aliu ka vdekur dhe ju nuk duhet t'i frikësoheni më atij, atëherë kur do ta shfuqizoni mallkimin e tij?" Muavije tha: "Nuk do të bëj kështu për Allahun, derisa të plaket ai që është rritur në të dhe derisa fëmijët të rriten në të."
Medaini thotë:
“Dhe ata (Benu Umejje) qëndruan në atë për një kohë shumë të gjatë. Kjo është ajo që ata u mësuan fëmijëve të tyre në libra, kështu i mësuan gratë, shërbëtorët dhe skllevërit e liruar. Muavija arriti sukses të madh në planin e tij, sepse e largoi umetin islam, përveç një pjese të vogël, nga udhëheqësi i tij i vërtetë dhe tregoi armiqësi ndaj tij. Ai ua mbuloi të vërtetën me të pavërtetë dhe i bëri të besojnë se ata janë "Ehli Sunet" (pasues të Sunetit), dhe se ai që pason Aliun është harixhi është bidatçi."
Kur u mallkua Prijësi i Besimtarëve Imam Aliu nga minberi dhe kur përmes mallkimit dhe sharjes së tij kërkohej afrimi me Allahun, çfarë mendoni se ndodhi me pasuesit e tij? Atyre iu ndalua t'u jepej dhurata dhe atë që u takonte. I dogjën shtëpitë e tyre, i kryqëzuan në palma dhe i varrosën të gjallë!
Ve la havle ve la kuwete illa billahi allijjil adhim!
Sipas mendimit tim, Muavije është një hallkë në zinxhirin e një komploti të madh, por ai ia doli më shumë se të tjerët të shkatërrojë të vërtetën dhe ta përmbysë atë. Ai arriti ta kthejë umetin në Xhahilijetin e Parë me petkun e Islamit.
Vlen të theksohet se ai ishte edhe më dinak se kalifët që ishin para tij dhe se ishte një aktor i shkëlqyer. Ndonjëherë ai qante për të ndikuar që të pranishmit të besonin se ai ishte një besimtar i devotshëm, asket, i sinqertë, dhe nganjëherë sillej aq vrazhdë dhe arrogant saqë të pranishmëve u dukej se ai ishte një nga njerëzit më të pabesë, ndërsa beduini do të mendonte se ai është i dërguari i Zotit.
Më në fund, nga letërkëmbimi mes Muhamed ibn Ebi Bekrit dhe Muavijes, do të kuptojmë se sa dinak dhe hileqar ishte Muavija dhe me sa mjeshtëri përdorte ato.