Sahabët te Ehli suneti dhe xhematit

 

 

 

Sa i përket Ehli sunetit dhe xhematit, ata shkuan shumë larg në mbajtjen e sahabëve të paqortueshëm dhe të drejtë. Pretendimi se ata të gjithë janë të drejtë, pa përjashtim, shkon përtej kufijëve të arsyes së shëndoshë. Ehli suneti mbanë të njëjtin qëndrim edhe ndaj atyre që thonë ndonjë nga sahabet ose se nuk ishin të gjithë të drejtë, ndërsa edhe më të ashpër janë ndaj atyre që thonë se në mesin e ashabeve kishte mëkatarë. Ju do të keni mundësinë të lexoni vetëm disa nga këto pretendime për të kuptuar se sa larg janë ato nga të kuptuarit e Kuranit dhe të Sunetit autentik të Profetit.

Në komentin e tij ndaj Sahihut të Muslimit, Imam Neveiu thotë:

“Të gjithë sahabët, Allahu i mëshiroftë, janë më të mirët në mesin e njerëzve dhe prijësit e ummetit, ata janë më të mirë se ata që erdhën pas tyre, ndërsa nga ata që erdhën pas tyre kishte që ishin të parëndësishëm”.

[Sahih Muslim, 8/22]

Jahja ibn Muin thotë:

“Kushdo që mallkon dhe shan Osmanin, Talhanë apo një nga shokët e të Dërguarit të Zotit, a.s, është dexhall, nuk do të shkruhet për të dhe mbi të është mallkimi i Allahut, engjëjve dhe i të gjithë njerëzve”.

[Tehzibu-t-tehzib, 1/509]

Ndërsa Dhehebi thotë:

“Një nga mëkatet më të mëdha është sharja e ndonjë sahabi, kështu që kushdo që i gjykon apo i kundërshton ata, ka dalë nga feja dhe grupi i muslimanëve”.

[Kitabu-l-kebair, Zehebi, f. 233 dhe 235]

Është pyetur Kadi Ebu Xheala për atë që shanë Ebu Bekrin, e ai tha: “Ai është i pafe”. U tha: "A do t'i bëhet varrimi?" Ai u përgjigj: "Jo". U shtrua çështja se si të sillesh me të, ndërsa ai e shqipton shehadetin, d.m.th. dëshmoni se nuk ka zot tjetër përveç Allahut?" Ai u përgjigj: “Mos e prekni me duar, prekeni me shkop derisa ta futni në varrin e tij”.

[Kitabu-s-sarim el-maslul, f. 275.]

Imam Ahmed ibn Hanbeli thotë:

“Njerëzit më të mirë pas Profetit janë Ebu Bekri, pas tij Omeri, pas Omerit Uthmani, e oas këtij të fundit Aliu. Ndërsa të tjerët pas këtyre katër prej më të mirëve në mesin e njerëzve, vijnë në radhë shokët e tjerë të të Dërguarit të Zotit, paqja qoftë mbi të. Askujt nuk i lejohet të përmendë ndonjë nga të barabartët e tyre, as të gjykojë ndonjë nga gabimet apo të metat e tyre. Secilin që e bën këtë, duhet patjetër të riedukohet dhe të ndëshkohet dhe askush nuk mund t'ia falë (këtë gabim), do të ndëshkohet dhe do t'i kërkohet të pendohet. Nëse pendohet, i pranohet pendimi, në të kundërtën, do të dënohet përsëri dhe do të dënohet me burgim të përjetshëm, derisa të vdesë ose të kthehet (në besim)”.

Shejh Xhelauddin Tarablusi Hanefi thotë:

“Nëse dikush i mallkon shokët e Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, dhe thotë për Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun, Muavijen ose Amr ibn Asën se ata kanë qenë në lajthitje dhe pabesi, ai do të vritet ndërsa nëse dikush thotë vetëm diçka të shëmtuar për ata, atëherë ai do të dënohet me dënimin më të rëndë”.

[Muinu-l-hukkam fima jeteredded bejne-l-hasmejn mine-l- ahkam, f. 187.]

Dr. Hamid Hunfi Davudi transmeton pretendimet e Ehli Sunetit dhe Xhematit, ndaj thotë:

“Ehli Suneti beson se të gjithë sahabët janë të drejtë dhe se të gjithë marrin pjesë në drejtësi, edhe pse ndryshojnë në shkallët e drejtësisë, kështu që ai që thotë për një sahab se ai është pabesimtar, ai me këtë është bërë pabesimtar. Kush e konsideron një nga sahabët mëkatar, ai me këtë bëhet mëkatar, e nëse gyjkon dhe kundërshton ndonjë prej sahabëve, me këtë ai shanë dhe kundërshton të Dërguarin e Zotit a.s.

Një ekspert i mirë i Ehli Sunetit gjithashtu beson se nuk lejohet të vihet në dyshim dhe të thellohet në atë që ka ndodhur ndërmjet Aliut, r.a. dhe Muavijes.

Dhe se në mesin e sahabëve ka nga ata që kanë përdorur ixhtihadin dhe kanë vepruar drejt, siç është rasti me Aliun dhe me ata që kanë qenë në anën e tij. Ndërsa se në mesin e tyre ka nga ata që kanë përdorur ixhtihad dhe kanë gabuar, si Muavija, Aisheja r.a., dhe ata që kanë qenë në anën e këtyre të dyve. Sipas mendimit të Ehli Sunetit, është e nevojshme të përmbahemi nga të gjitha komentet dhe gjykimet dhe nga ekspozimi i mangësive dhe të metave. Ata e ndaluan mallkimin e Muavijes, ngase e konsiderojnë atë sahabe dhe janë kundërshtarë të ashpër të atyre që mallkojnë Aishen, sepse e konsiderojnë atë nënë e dytë të besimtarëve pas Hatixhes dhe besojnë se i Dërguari i Zotit e ka dashur shumë atë.

Çdo gjë më shumë se kaq duhet të lihet mënjanë dhe të mos thellohet dhe të dëshirohet për caktimin e Allahut mbi këtë (çështje). Për këtë, Hasan Basriu dhe Said ibn Musejjebi thonë: "Këto janë gjëra, Allahu i pastroftë duart dhe shpatat tona prej tyre, që ne t'i pastrojmë gjuhët tona prej tyre".

Këto janë shkurtimisht mendimet e Ehli Sunetit në lidhje me drejtësinë e sahabëve dhe çfarë qëndrimi duhet mbajtur.”

[Es-Sahabe f i nazari-sh-shiati el-imamijyeti, f. 8 dhe 9]

Nëse dikush dëshiron t'i njohë sahabët edhe më shumë dhe kush janë ata, të cilëve u referohet ky term sipas mendimit të Ehli sunetit dhe xhematit, ata do të zbulojnë se këtë urdhër nderi ia kanë dhënë kujtdo që vetëm një herë e ka parë Profetin.

Në sahihun e tij Buhariu thotë:

“Kush është shoqëruar me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ose vetëm e ka parë atë dhe është musliman, ai është prej shokëve të tij”.

Ahmed ibn Hanbeli thotë:

“Njerëzit më të mirë në mesin e shokëve të Profetit janë ata që morën pjesë me të në betejën e Bedrit. Dhe kushdo që ka qenë me të vetëm një vit, një muaj ose një ditë, ose vetëm e ka parë atë, ka një pjesë të shoqërimit me Profetin për aq kohë sa ai është shoqëruar me të."

[El-Kifaya, f. 51.; Telkin fuhumi ahli-l-asar, fq. 2.]

Në librin El-Isabe fi temjizi-s-sahabe, Ibn Haxheri thotë:

“Kushdo që transmeton një hadith ose një fjalë nga Profeti, ose e ka parë atë ndërsa është besimtar, ai është prej sahabëve. Kushdo që është takuar me Pejgamberin duke i besuar atij dhe ka vdekur si musliman, qoftë të ketë ndenjur me të për një kohë të gjatë ose të shkurtër, ka transmetuar apo nuk ka transmetuar diçka prej tij, ka shkuar me të në ekspedita ose nuk ka shkuar, kushdo që e ka parë atë, ndërsa (nuk) ka ndenjur me të, ose ai që nuk e ka pa atë për shkak të ndonjë pamundësie, të gjitha këta numërohen nga sahabët."

[El-Isaba, Ibn Haxher l/l0]

Shumica dërrmuese e Ehli suneti dhe xhematit kanë këtë mendim dhe numërojnë në mesin e sahabëve këdo që vetëm e ka parë Pejgamberin a.s., madje edhe ata që kanë lindur gjatë jetës së tij, edhe pse e ata ende nuk kuptoj asgjë. Dëshmia më e mirë për këtë është se Muhamed ibn Ebu Bekri ishte në mesin e sahabëve dhe kur vdiq i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Muhamed ibn Ebu Bekri ishte vetëm tre muajsh.

Kjo është arsyeja pse në librin e tij të famshëm Tabekat Ibn Saad i ndan sahabët në pesë kategori.

Ndërsa Hakim Nejshaburi në librin El-Mustedrek i ndan ata në dymbëdhjetë kategori, ndërsa ato janë si vijon:

Kategoria e parë janë ata që pranuan Islamin para hixhretit, që në Mekë, siç janë Hulefai Rashidinët.

Kategoria e dytë janë ata që morën pjesë në Daru-n-nedveti (tubim/këshillim).

Kategoria e tretë janë ata që u shpërngulën në Abisini.

Kategoria e katërt janë ata që morën pjesë në takimin e parë në Akabe.

Kategoria e pestë janë ata që morën pjesë në takimin e dytë në Akabe.

Kategoria e gjashtë janë ata që migruan në Medine, pas migrimit të Profetit.

Kategoria e shtatë janë ata që morën pjesë në betejën e Bedrit.

Kategoria e tetë janë ata që migruan pas betejës së Bedrit dhe para Hudejbijes.

Kategoria e nëntë janë ata që dëshmuan përfundimin e paqes në Hudejbije.

Kategoria e dhjetë janë ata që kanë bërë hixhre pas Hudejbijes, dhe para pushtimit të Mekës, si Halid ibn Velidi, Amr ibn As e të tjerë.

Kategoria e njëmbëdhjetë janë ata që Profeti, paqja qoftë mbi të, i ka quajtur tuleka (në ditën e pushtimit të Mekës, Profeti i liroi nga dënimi dhe për këtë i quajti kështu).

Kategoria e dymbëdhjetë janë fëmijët e sahabëve që kanë lindur gjatë jetës së Profetit, si Muhamed ibn Ebu Bekri.

 

 

Pra, Ehli suneti dhe xhemati pajtohen se të gjithë sahabët janë të drejtë, pa , ndërsa të katër medhhebet i pranojnë transmetimet e tyre pa asnjë dyshim dhe nuk lejojnë që këto transmetime të gjykohen apo kundërshtohen.

Mjafton të përmendim se muhadithët të cilët kryesisht merren me hadith dhe të cilët kanë marrë përsipër obligimin për verifikimin e saktësisë së transmetuesve të hadithit dhe të haditheve, mirëpo sa herë që përballen me një ashab, pavarësisht kategorisë dhe moshës që ai i përkiste në kohën kur Pejgamberi, s.a.v.a., shkoi nga kjo botë, ata ndalen aty dhe nuk përpiqen të kritikojnë transmetimin e tij, pavarësisht rrethanave dhe dyshimeve dhe pavarësisht nga fakti se një transmetim i tillë është kundër arsyes së shëndoshë dhe asaj që u transmetua. Ata pretendojnë se sahabët nuk i nënshtrohen kritikave sepse të gjithë janë të drejtë.

Për jetën time, ky është një trillim i qartë që arsyeja refuzon ta pranojë, ndërsa shkenca nuk e konfirmon këtë. Nuk besoj se rinia e arsimuar sot mund t'i pranojë këto risi vërtet qesharake.

Unë dhe kushdo tjetër nuk e di se nga i kanë marrë Ehli suneti dhe xhemati këto ide të çuditshme që nuk kanë të bëjnë fare me Islamin i cili bazohen në prova të qarta.

Pres që së paku një njeri të më bindë, qoftë edhe me një provë nga Kur'ani apo Suneti apo logjika e shëndoshë për drejtësinë e supozuar të të gjithë sahabëve!

Mirëpo, falë Allahut, ne e dimë kurthin e këtyre qëndrimeve, për të cilat do të flasim në kapitullin vijues. I takon eksploruesve të zbulojnë për vete disa sekrete që kërkojnë guxim.