Sahabet te ndjekësit (shkolla) e Ehli bejtit
Nëse çështjen e sahabëve e hulumtojmë duke qenë të çliruar nga ndjenjat dhe paragjykimet e verbëra, do të zbulojmë se shiat i trajtojnë sahabet sipas pozitës meritore siç e kërkon Kurani dhe Suneti i Profetit dhe sipas asaj që na obligon arsyeja. Shiat nuk i konsiderojnë sahabet si mosbesimtarë, siç bëjnë ekzagjeruesit, as nuk pretendojnë se janë të gjithë të drejtë, siç pretendojnë Ehli suneti dhe xhemati.
Për këtë dijetari Sherefuddin Musavi thotë:
“Ai që e hulumton qëndrimin tonë ndaj sahabëve do ta mësoje se ne kemi mendim të matuaruar për ta, sepse ne nuk ekzagjerojmë - si ata që i konsiderojnë të gjithë jobesimtarë, e as nuk shkojmë në ekstremin tjetër - si ata që i konsiderojnë të gjithë pa dallim të besueshëm. Sekti Kamilije dhe të tjerët, që e teprojnë pohojnë se të gjithë sahabët janë jobesimtarë, ndërsa Ehli Suneti pretendojnë se kushdo që e ka dëgjuar Profetin apo e ka parë atë, është i drejtë dhe si dëshmi për këtë ata citojnë hadithin: "Të gjithë ata, të gjallë e të vdekur janë tubuar dhe së bashku."
Ndërsa tani për sa na përket neve, suhbati (shoqërimi me Pejgamberin) në vetvete nuk është cilësi, as nuk është kriteri kryesor për të gjykuar drejtësinë apo padrejtësinë e dikujt. Sahabët janë si njerëzit e tjerë, në mesin e tyre ka të drejtë dhe këta janë të mëdhenjtë dhe dijetarët e tyre, e në mesin e tyre ka mëkatarë dhe kriminelë, hipokritë, por ka edhe nga ata që nuk dihet gjendja e tyre. Dhe ne i marrim për autoritet vetëm të drejtët prej tyre dhe i ndjekim ata, si në këtë botë ashtu edhe në ahiret.
Sa i përket atyre që ushtruan dhunë kundër mëkëmbësit dhe vëllait të Pejgamberit s.a.v.a. dhe kriminelëve të tjerë si: Ibn Hind, Ibn Nabig, Ibn Zerka, Ibn Ukbe, Ibn Ertas e të ngjashme, ne nuk kemi respekt për ta dhe nuk u kushtohet rëndësi haditheve që transmetojnë ata. Ndërsa për atë, gjendja e të cilit është e panjohur për të, ndalemi për ta sqaruar shqyrtuar dhe sqaruar pozitën e tij.
Ky është mendimi ynë për transmetuesit e hadithit nga sahabët, ndërsa Libri dhe Suneti na e kanë shpjeguar këtë mendim siç është shpjeguar në detaje në burimet e tij të usuli fikhut. Mirëpo, Ehli Suneti e tepron kur flet për famën dhe madhështinë e e secilit prej tyre që quhet sahab, kështu që ata dolën nga qëndrimi i matur dhe filluan të marrin dëshmi si nga të sahabet e kqinjë ashtu edhe nga sahabet e mirë. Ata filluan të ndjekin çdo musliman që e ka dëgjuar Pejgamberin a.s., ose e ka parë atë, me ndjekje të verbër duke kritikuar ata që i kundërshtojnë në këtë ekzagjerim, ndërsa në kritikën e tyre i kanë kaluar të gjithë kufijtë.
Akuzat e tyre më të forta drejtohen ndaj nesh kur na shohin duke refuzuar të pranojmë shumë hadithe nga sahabët, ndaj të cilëve qartazi u drejtojmë kritika ose konsiderojmë se gjendja e tyre nuk dihet, duke ndjekur kështu obligimin sheriatik për shqyrtimin e të vërtetave fetare dhe hulumtimin e autenticitetin e asaj që thuhet se është trasmetuar nga Profeti, s.a.v.a..
Ata mendojnë keq për ne dhe na akuzojnë se po përzihemi në atë që është e padukshme, e fshehur dhe se nuk dimë asgjë për të. Por nëse do ta bindnin veten se këto janë vetëm ëndrrat e tyre boshe dhe do të ktheheshin te parimet e sakta të shkencës dhe dijes, do të kuptonin se origjina e idesë së drejtësisë së të gjithë sahabëve nuk ka asnjë provë. Ndërsa, nëse ata do të persiasnin për Kuranin, do të kuptonin se ai vetë përmend munafikët në mesin e tyre, dhe ju mjafton vetëm të lexoni suret Tevbe dhe Ahzab... (Fjalët e fundit të Sherefuddinit)"
dr. Hamid Hufni Davudi, profesor në Departamentin e Letërsisë Arabe dhe Drejtor i Departamentit të Gjuhës Arabe në Universitetin Ajnushems, në Kajro, thotë:
“Shiat besojnë se sahabët janë si njerëzit e tjerë që erdhën pas tyre, deri në Ditën e Gjykimit, dhe nuk bëjnë asnjë dallim mes tyre. Kjo për shkak se ata i nënshtrohen vetëm një standardi, i cili është standardi i drejtësisë me të cilin maten veprat e sahabëve, ashtu siç maten veprat e atyre brezave që vijnë pas tyre, ndërsa fakti i suhbati (shoqërimi me Profetin s.a.v.a.) nuk jep ndonjë cilësi dhe virtyt të veçantë, përveç nëse vërtetë e meriton këtë dhe ka aftësinë dhe talentin për të ruajtur relevatën e Muhamedit, s.a.v.a. Se në mesin e tyre ka nga ata që janë të mbrojtur nga mëkati, siç janë imamët që Allahu u ka dhënë cilësitë për t'u shoqëruar me Pejgamberin, paqja qoftë mbi të, si Aliu dhe dy djemtë e tij, Paqja e Allahut qoftë me ta!
Në mesin e tyre ka të drejtë dhe këta janë ata që u shoqëruan për bukuri me Aliun, pas transferimit të Pejgamberit, s.a.v.a., te Zoti i Lartë. Në mesin e tyre ka muxhtehidë që kanë bërë gjënë e duhur dhe ka edhe muxhtehidë që kanë bërë gabime. Në mesin e tyre ka mëkatarë, të pabesë, dhe kjo është më e shëmtuar se mëkatarët dhe do të dënohet më rëndë. Munafikët dhe ata që janë të pavendosur në adhurimin e Allahut xh.sh., hyjnë në rrethin e të pabesëve. Në mesin e tyre ka edhe jobesimtarë, përkatësisht nga ata që nuk u penduan për hipokrizinë e tyre dhe që u bënë femohues pasi pranuan Islamin.
Kjo do të thotë se shiat, një pjesë të madhe të atyre që kthehen kah një kible, d.m.th., i vendosin të gjithë muslimanët në të njëjtën peshore dhe nuk bëjnë dallim mes sahabëve, tabiinëve dhe atyre që erdhën më vonë, dhe e konsiderojnë se ta shoqërosh apo ta shohësh të Dërguarin e Zotit, s.a.v.a. në vetvete nuk është një kështjellë apo mbrojtje që ndikon në shkallën e besimit.
Dhe mbi këto baza të forta, ata i lejuan vetes që t'i kritikojnë sahabët me ixhtihad dhe të hetojnë shkallën e drejtësisë së tyre, ashtu siç i lejuan vetes të kritikojnë dhe kundërshtojnë një grup sahabësh që shkelën kushtet e shoqërimit me të ose ata që e kishin parë Profetin dhe devijuan nga dashuria për Familjen e Pejgamberit, s.a.v.a.
E si të mos ndodhte kjo kur Pejgamberi s.a.v.a.. tha: "Unë po ju lë diçka nëse i përmbaheni, nuk do të humbisni, dhe ai është libri i Allahut dhe pasardhësit e mi, familja ime". Dhe këta të dy nuk do të ndahen derisa të vijnë tek unë në Havd (Ditën e Gjykimit), prandaj shiko me kujdes se si do të më pasosh në këtë!'
Në bazë të këtij hadithi dhe haditheve të ngjashme, ata besojnë se shumë sahabë kanë bërë të kundërtën e këtij hadithi, sepse kanë keqtrajtuar dhe persekutuar familjen e Profetit dhe kanë sharë pasardhësit e tij. Si mund t'u atribuohet nderi i shoqërimit të Profetit, apo se e kanë parë Profetin dhe si mund t'u thuhet se ishin të drejtë, këtyre që punuan kështu?!
Ky është shkurtimisht mendimi i shiave në mohimin e atributit të drejtësisë disa prej sahabëve dhe këto janë shkaqet e vërteta shkencore mbi të cilat ata ndërtuan provat dhe argumentet e tyre.”
Në një vend tjetër, dr. Hamid Hufni Daud pranon se kritikimi dhe të kërkuarit e gabimeve ndaj sahabëve nuk është një risi e shpikur nga shiat, prandaj thotë:
“Edhe shumë kohë më parë, këtë e kishin kundërshtuar mu'tezilitë për disa çështje të akides. Në këtë, ata nuk i kundërshtuan as’habët në përgjithësi, por kundërshtuan edhe vetë kalifët dhe për këtë fituan miq mbështetës e armiq kundërshtues.
Tema e kritikës ndaj sahabëve në shekujt e parë ishte e rezervuar vetëm për dijetarët e mëdhenj, e veçanërisht për ulematë mu'tezili, ndërsa në këtë drejtim ata u paraprinë nga udhëheqësit shia dhe ata që pasuan Ehli Bejtin e Profetit.
Tashmë kam theksuar diku tjetër se mutekelimët (skolastikët) dhe shejhët e mu'tezilive vareshin nga udhëheqësit e shiave nga shekulli i parë i hixhretit, dhe sipas tyre çështja e kritikimit të sahabëve ishte rezultat i ndjekjes së Ehli Bejtit të Pejgamberit, e jo të vetë shiizmit. Dhe jo vetëm kaq, ata vareshin nga Pasuesit e Familjes së Profetit për shkak se këta të fundit e njihnin mirë Akiden meqë e kishin shuar etjen nga burimi i Imamëve të Ehli Bejtit, të cilët janë burimi i parë e me bollëk, nga i cili është shuar etja e kulturës dhe qytetërimit islam që nga fillimi i Islamit e deri më sot”.
[Libri i Es-Sahabe f i nazari-sh-shia el-Imamiya (Sahabet sipas mendimit të shiave Imami), f. 8 dhe më pas.]
Personalisht besoj se ai që kërkon të vërtetën duhet të hapë derën e kritikimit të sahabëve dhe gyjkimit të tyre, përndryshe ai do të privohet nga njohja e së vërtetës, ashtu siç ndodhi me Ehli sunetin dhe xhematin të cilët e tepruan në pretendimet e tyre për drejtësinë e të gjithë sahabëve dhe papranueshmërinë e hulumtimit të personaletit dhe të gjendjes së tyresë, kështu që ata qëndruan larg së vërtetës deri në ditët tona.