Paralajmërim i domosdoshëm

 

 

 

Kur do të flasim, në kapitujt e mëposhtëm, për Ehli sunetin dhe xhematin, për këtë nuk ju referohemi muslimanëve aktualë.

 

E kemi përmendur disa herë se ata janë të pafajshëm dhe se nuk kanë asnjë lidhje me mëkatin e bërë nga paraardhësit e tyre. Thamë se ata janë viktima të shtrembërimit të së vërtetës dhe errësimit historik, duke qenë se Umajadët dhe Abasidët, sikur edhe përkrahësit e tyre lejuan të shkatërrojnë Sunetin e Profetit dhe të kthehen në xhahilijet. Edhe ne ishim në mesin e tyre, ndoqëm karvanin e tyre dhe udhëzimet e tyre, por Allahu na udhëzoi dhe na drejtoi te "anija e shpëtimit". Neve na mbetet vetëm të lusim Allahun e Madhëruar që ta udhëzojë gjithë Umetin Islam drejt kësaj, që të mbetet vetëm e vërteta.

 

Dikush do të thotë: Kjo lloj kritike dhe kundërshtimi ndaj sahabëve do të lëndojë ndjenjat e shumicës së muslimanëve të cilët besojnë në drejtësinë e të gjithëve dhe i konsiderojnë ata si krijesat më të mira pas Profetit, s.a.va. Ne themi se nga muslimanët kërkohet që të besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të veprojnë sipas urdhërave të tyre  dhe të shkojnë deri në kufijtë që u kanë caktuar. Kushdo që del nga këto kufij, fundi i tij është në xhehennem, qoftë edhe pasardhës i Pejgamberit s.a.v.a., ose fëmija i tij. Kritika dhe kundërshtimi ndaj disa sahabëve përcaktohet nga ngjarjet historike me të cilat ata ishin të lidhur, kështu që ata u ndanë dhe u bënë shkak i përçarjes së umetit dhe i pakënaqësisë së tij.