Me dr. Musavin dhe me veprën Et-Tashih (Korrigjim)
U takova me një grup të rinjsh të arsimuar në shtëpinë e një vëllai me të cilin kisha disa lidhje familjare. Shtëpia e tij ndodhej në afërsi të Parisit. Aty shkuam me rastin e festës që ai organizoi për lindjen e djalit, të cilin Allahu ia kishte dhuruar pas shumë kohësh. Biseda mes nesh filloi për shiat dhe sunitë, ndërsa shumica e tyre ishin nga Algjeria, të zjarrt për revolucionin islamik, mirëpo ata kritikonin shiat dhe përsëritën ato gënjeshtra tashmë të njohura. Nuk ranë dakord mes vete. Disa i mbështetën dhe ishin të drejtë, duke thënë se shiat janë vëllezërit tanë në besim. Të tjerët kundërshtuan, duke thënë se shiat ishin në gabim dhe se të krishterët ishin më të mirë se ata.
Kur u thelluam në diskutim dhe prova, njëri u tall me mua, duke thënë se unë isha një nga ata njerëz të mashtruar të verbuar nga revolucioni iranian. Miku im u përpoq t'i bindte se jam një studiues i madh, më lavdëroi para publikut dhe tha se kam shkruar shumë libra mbi këtë temë.
Por njëri prej tyre tha se do të më jepte dëshmi kundër shiave dhe se pas kësaj nuk nevojitej asnjë argument tjetër kundër tyre. Të gjithë heshtën dhe unë e pyeta për ato prova. Ai më kërkoi të prisja disa minuta, kështu që shkoi me shpejtësi në shtëpinë e tij dhe u kthye duke mbajtur librin Esh-shia ve-tashih (Shiat dhe korrigjimi) të Dr. Musa Musavit. Unë qesha kur pashë librin dhe thashë: "A është kjo prova pas së cilës nuk do të nevojitet asnjë dëshmi tjetër?" Ai iu drejtua të pranishmëve dhe tha: “Ky është njëri prej dijetarëve më të mëdhenj shia dhe një prej autoriteteve të tyre fetare. Ai është i diplomuar në ixhtihad, dhe babai dhe gjyshi i tij janë dijetarë të mëdhenj të tyre. Ai e kuptoi të vërtetën dhe e refuzoi shiizmin dhe u bë një nga Ehli suneti dhe xhemati. Jam i sigurt se nëse një vëlla (duke menduar për mua) e lexon këtë libër, ai nuk do t'i mbrojë më shiat dhe do t'i dijë devijimet e tyre dhe çfarë fshehin."
Unë qesha për herë të dytë dhe thashë: "Thjesht që ta dini se unë tashmë e kam lexuar këtë libër dhe e kam analizuar. Para të gjithë të pranishmëve do t'ju jap prova nga vetë libri që sollët, pas së cilës nuk do të nevojitet asnjë provë tjetër!”.
Ai tha me padurim: "Na jepni atë provë që ta dëgjojmë!"
Unë thashë: "Nuk e mbaj mend numrin e faqes, por më kujtohet shumë mirë titulli, Pohimet e Imamëve shia mbi hulefai rashidinët".
Ai pyeti: "E, çka ka aty?"
I thashë: "Kërko atë titull dhe lexoje para publikut dhe pastaj do të shpjegoj dhe do t'i paraqes provat."
Ai e gjeti atë kapitull dhe ia lexoi audiencës. Do të tregoj shkurt për çfarë bëhet fjalë. Imam Xhafer Sadiku ishte krenar dhe mburrej se e kishte prejardhjen nga Ebu Bekr Sidiku, andaj tha: “Ebu Bekri më lindi dy herë”. Dhe ata që e transmetojnë këtë hadith gjithashtu raportojnë se Imam Sadiku, nga ana tjetër, e gjykoi dhe kritikoi Ebu Bekrin.
dr. Musavi jep shpjegimin e tij për këtë dhe thotë: “A është e arsyeshme dhe e logjikshme që Imami të mburret me gjyshin e tij në njërën anë dhe ta kritikojë atë nga ana tjetër? Fjalë të tilla mund të vijnë vetëm nga një injorant dhe asnjëherë nga një Imam”.
Të gjithë të pranishmit pyetën: "Çfarë prove ka në këtë?" Ata thanë se ky është një fjalim logjik dhe i arsyeshëm”.
Unë thashë: “Dr. Musaviu përmendi si provë fjalët e Imam Sadikut: “Ebu Bekri më lindi dy herë”, kështu që ai është krenar dhe mburret me gjyshin e tij, pavarësisht se në këtë fjali nuk ka asgjë që tregon lavdërimin e Ebu Bekrit, pavarësisht faktit se Imam Sadiku nuk është pasardhës i drejtpërdrejtë i Ebu Bekrit, por ai është gjyshi i nënës së tij, dhe përkundër faktit se Sadiku ka lindur 70 vjet pas Ebu Bekrit, ai as që e ka parë atë”.
Ata pyetën: "Nuk e kuptojmë se çfarë do të thuash me këtë?!"
Unë i thashë: "Çfarë mendoni për një njeri që mburret dhe krenohet me gjyshin e tij të drejtpërdrejtë, babanë e babait të tij dhe thotë se ai ishte më i dituri i kohës së tij dhe se historia nuk njeh njeri si ai, pastaj thotë se ai ka mësuar prej tij, ndaj a ka kuptim ta gjykojë më pas? A mund të pranojë arsyeja që njeriu nga njëra anë të lavdërohet, nga ana tjetër të dënohet dhe të quhet i pafe?!”.
Të gjithë u përgjigjën: "Nuk është e arsyeshme të veprohet". I thashë: “Atëherë, lexoni çfarë është shkruar në faqen e parë të atij libri dhe do të shihni se Dr. Musavi e bëri atë”.
Kështu ai lexoi: "Unë kam lindur dhe jam rritur në shtëpinë e të parit të medhhebit shia dhe jam edukuar dhe kam mësuar lideri më i madh dhe prijësi fetar që ka njohur historia e shiizmit që nga koha e Fshehjes së Madhe e deri sot. Ky është gjyshi im, Imami i madh, Sejid Ebu Hasan Musavi, për të cilin u tha: “Ata para tij u harruan dhe ata pas tij u munduan”.
Thashë: “Falënderimi i takon Allahut që e paraqiti argumentin në gjuhën e vetë Musavit”. Ai gjykoi veten kur tha atë që lexoni. A është e arsyeshme që ai të mburret me gjyshin e tij nga njëra anë dhe ta kritikojë dhe ta gjykoj nga ana tjetër? Dhe ai vetë tha se diçka e tillë mund të vinte vetëm nga një injorant, i paedukatë.
E pra, ai që e përshkruan gjyshin e tij me cilësi aq të mëdha që nuk gjenden as në mesin e dijetarëve më të mirë dhe pohon se ai ka mësuar në prani të tij, dhe ka marrë prej tij të gjitha njohuritë, kurrë më pas nuk do ta quajë atë jobesimtar, as nuk do ta kritikojë dhe gjykoj besimin e tij, përveç nëse është injorantë dhe i paedukatë ”.
Të gjithë tundën kokën ndërsa miku im - i zoti i shtëpisë u gëzua duke thënë: "A nuk ju thashë që vëllai im Tixhani është hulumtues, edhe atë objektiv dhe logjik?"
Ai që e solli librin, mendoi dhe u tund dhe më pas tha: “Vëlla, ndoshta Dr. Musavi mësoi të vërtetën pasi u rrit. Subhanallah! Dija kërkohet nga djepi deri në varr!”
Unë u përgjigja: "Nëse do të ishte ashtu siç thua ti, atëherë doktori duhej të distancohej nga gjyshi i tij dhe nga mësuesi i tij që i dha diplomën e ixhtihadit, e jo t'i lavdëroj dhe t'i lartësoj ata dhe të ofroj prova me dëshmitë e tyre, ndërsa ata i quan jobesimtar, e nuk ndjehet ashtu. Nëse do të doja të diskutoja me ju të gjitha temat që shkroi, do t'ju tregoja mrekulli”.
Ky takim përfundoi pas shumë shpjegimeve dhe komenteve për dyshime dhe paqartësi dhe ai takim, Elhamdulillah, pati rezultate pozitive, sepse tre nga të pranishmit e kuptuan të vërtetën e vetme pasi lexuan librat e mi.
Shfrytëzoj rastin t'u prezantoj lexuesve të nderuar disa faqe që kam shkruar për këtë temë, sepse libri Esh-shia ve-t-tashih ka ndikim në qarqet ku gjenden vehabit. Duke pasur parasysh se në disa vende ata kanë pasuri dhe pushtet ekzekutiv në duart e tyre, ata ndikojnë dhe veprojnë tek të rinjtë muslimanë që nuk i njohin shiat, prandaj ua japin këtë libër, duke i penguar ata të arrijnë deri te punimet e dobishme, dhe në këtë mënyrë u vendosin atyre pengesë që nuk i lejon të arrijnë të vërtetën e dëshiruar.
Këta kundërshtarë e bënë librin Esh-shia ve-t-tashih një provë kundër shiave, i cili u shtyp në miliona kopje dhe u shpërnda falas mes të rinjve të arsimuar nga qeveri të njohura, qëllimet dhe synimet e të cilëve janë të njohura për të gjithë.
Këta të mjerë mendojnë se do ta përgënjeshtrojnë medhhebin e imamëve shia duke shtypur dhe përhapur këtë libër, sepse autori i tij është "Ajatullah" Musaviu dhe meqë ai është shia, provat kundër tyre do të jenë më të forta sepse këtë po e bënë dikush që është prej tyre.
Por këta të mjerë i lanë pas dore disa gjëra dhe nuk e parashikuan kundërefektin e atij libri që iu kthye si bumerang.
Unë personalisht nuk harxhoj kohë për t'iu përgjigjur gënjeshtrave të Dr. Musa Musavit i cili e mbushi librin e tij me to, dhe besoj se në librin Me ata që janë të sinqertë ka mjaft përgjigje për gënjeshtrat dhe trillimet e tij, pavarësisht se ai ishte shkruar pak para librit të tij dhe përmbajtja e tij ishte e tillë që tregohet besimi i shiave, i cili në tërësinë e tij bazohet në Kur'anin Famëlartë, në Sunetin e Profetit dhe në konsensusin e muslimanëve, ndër të cilët është edhe Ehli suneti dhe xhemati. Ne nuk kemi përmendur një besim të vetëm të tyre pa e vërtetuar atë nga sahihët e Ehli sunetit dhe xhematit.
Kjo shpjegoi se fjalimi i dr. Musa Musavi është fals dhe i sajuar, ai nuk mbështetet në prova shkencore, as në logjikën islame. Ai vetë e kritikon ehli sunnetin para Shiave. Gjithashtu kjo dëshmon se ata që e përhapin dhe e shtyjnë librin e tij në qarkullim nuk dinë asgjë për të vërtetën në Islam dhe në këtë mënyrë zbulojnë turpin dhe injorancën e tyre.
Gjithçka që dr. Musavi e merr atë si kundërshtim dhe dëshmi e pasaktësisë së besimit shia gjendet në sahihët e ehli sunetit dhe xhematit.
Turpi nuk bie mbi shiat, por mbi Musa Musavin dhe ehli sunetin dhe xhematin të cilët nuk dinë se çfarë ka në sahihët dhe musnedet e tyre.
Transmetimet mbi Imamatin që flet për dymbëdhjetë imamët, të gjithë nga fisi Kurejsh, nuk është një trillim. Gjendet në sahihët e ehli suneti dhe xhematit.
Tradita për Mehdiun, nga një pasardhësit e pastër, i cili do ta mbushë Tokën me drejtësi dhe barazi, ashtu siç ishte e mbushur me padrejtësi dhe krime, nuk është shpikje e shiave por gjendet në sahihët e ehli suneti dhe xhematit.
Transmetimet rreth Imam Ali ibn Ebi Talibit se është mëkëmbës i të Dërguarit të Zotit, s.a.v.a., nuk është një trillim i shiave, por gjendet në sahihët e ehli sunetit dhe xhematit.
Tradita që flet për takijen dhe zbatimin e tij nuk është shpifje e shiave, ajo përmendet edhe në Kuranin famëlartë, dhe është e vërtetuar nga Suneti i Profetit dhe e gjithë kjo gjendet në sahihët e ehli sunetit dhe xhematit.
Tradita për lejueshmërinë e martesës së përkohshme nuk është shpikje e shiave, por Allahu dhe i Dërguari i Tij e lejuan atë, dhe u ndalua nga Omeri, siç vërtetohet në librat dhe sahihët e ehli sunetit dhe xhematit.
Transmetimet për humsin (të pestën) në fitime, nuk është një trillim i shiave. Allahu xh.sh. e ka caktuar këtë si obligim dhe është edhe Sunet i të Dërguarit të Tij, siç dëshmohet nga sahihët e ehl sunetit dhe Xhematit.
Sa i përket vizitës së varreve të imamëve, nuk është karakteristikë vetëm për shiat, por edhe ehli sunneti i viziton varret e evlijave dhe robërve të mirë, madje ka rituale dhe ceremoni përkatëse.
Transmetimi për „beda-n“, gjegjësisht se Allahu e fshin dhe e vërteton atë që dëshiron nuk është imagjinatë e shiave, por është transmetuar në sahihun e Buhariut.
Transmetimet që flasin për bashkimin e dy namazeve kur nuk është e domosdoshme, nuk janë shpikje e shiave, por kjo përmendet edhe në Kuran. Kjo ishte edhe praktikë e Profetit, e cila vërtetohet në sahihët e ehli sunetit dhe xhematit. Transmetimet rreth obligimit për të bërë sexhde në tokë nuk janë shpikje shiite, por kështu ka vepruar i pari i profetëve dhe vula e të dërguarve, siç dëshmohet nga sahihët e ehli sunetit dhe xhematit.
Dhe shumë pretendime të tjera të bëra nga dr. Musa Musavi, dhe me të cilin donte vetëm të shkaktonte konflikte dhe ekzagjerime, si për shembull pretendimi se Kurani ishte ndryshuar. Ehli suneti dhe xhemati është më afër kësaj akuze se sa shiat, siç e kemi shpjeguar në librin Me ata që janë të sinqertë.
Përmbledhja e gjithë kësaj është se libri Et-tashih i shkruar nga dr. Musavi kundërshton Librin e Allahut, Sunetin e të Dërguarit të Zotit, konsensusin e muslimanëve dhe atë që dikton arsyeja e shëndoshë. Shumë nga gjërat që Musaviu mohoi janë ndër parimet e nevojshme të besimit për të cilat flet Kurani, për të cilat Profeti urdhëroi dhe për të cilat të gjithë muslimanët pajtohen. Ai që i mohon ato është jobesimtar sipas konsensusit të muslimanëve.
Nëse ai synonte t'i ndryshonte këto elemente të besimit dhe dispozitat që dalin prej tyre përmes librit të tij Et-Tashih, ai me këtë hynë në mesin e jobesimtarëve ndërsa ka dalë nga nga rrethi i Islamit dhe është detyrë e të gjithë muslimanëve që ta kundërshtojnë atë.
Nëse ai synonte të ndryshonte bindjet e tij personale me këtë libër, kjo tregon se ai nuk dinte asgjë për shiat. Ndoshta në këtë mënyrë ai donte të hakmerrej ndaj tyre dhe t'u atribuonte atyre përgjegjësinë e vrasjes së babait të tij, i cili u masakrua nga dora e një krimineli që ishte veshur si fetar. Ai flet për këtë në faqen 5 të librit të tij.
Ai u rrit me këto bindje qysh në moshë të vogël, i etur për t'u hakmarrë ndaj shiave të cilët nuk i bënë asnjë të keqe, prandaj e ktheu fytyrën nga Ehli suneti dhe xhemati për të marrë pjesë me ta në urrejtjen ndaj pasuesve të Ehli Bejtit, madje duke mos qenë prej tyre. Ai ishte i pavendosur se në ç'drejtim do të orientohej. Për shiat ai dinte vetëm gënjeshtrat e përsëritura nga armiqtë e tyre, ndërsa për ehli sunetin ai dinte vetëm për xhuma dhe xhemat (është kontestuese nëse ka marrë pjesë në to).
Nëse ky ka qenë qëllimi i shkrimit të librit, atëherë i mbetet atij që t'i korrigjojë bindjet e tij të shtrembëruara me të cilat e kundërshton ummetin.
Nëse dr. Musa Musavi u rrit dhe u zhvillua ashtu siç pretendon ai në faqen 5 të librit të tij, ai u mësua dhe u rrit nga një lider i madh dhe udhëheqës fetar, të tillë çfarë historia shiite nuk ka një të dytë si ai që nga koha e Fshehjes së Madhe e deri më sot, dhe se është gjyshi i tij, i madhi Sejjid Ebu Hasan Musavi, për të cilin thuhet: “Ata para tij u harruan dhe ata pas tij u munduan”; pse nuk i mësoi mësimet e tij dhe pse nuk u rrit me edukatën e tij, pse nuk mori nga njohuritë e tij dhe pse nuk e ndoqi atë? Përkundrazi, shohim se si në librin e tij ai tallet dhe me besimin e gjyshit të tij, një autoritet i madh fetar, i cili ishte unik në njohuritë e tij për historinë e shiave. Kjo tregon se ai ishte i pabindur ndaj prindërve të tij, kështu që ai tejkaloi çdo masë kur e quajti gjyshin dhe prindërit e tij jobesimtarë. Nëse, në sytë e Musavit shiat janë të pafe, atëherë lideri dhe udhëheqësi i tyre, d.m.th. gjyshi i tij është më afër pabesisë. Zoti na ruajt!
Turp mbi turpin është se nipi i tij, Musau neglizhon dhe harron atë që ka shkruar gjyshi i tij Ebu Hasan Musawi, Allahu e mëshiroftë, në librin Vasiletu-n-nexhat, e pastaj pretendon se ka mësuar prej tij dhe se ai e ka rritur.
Është turp i madh që një i ri tunizian, mijëra kilometra larg Nexhefit, di për librin Vasilet-n-nexhat, të dijetarit të madh Hasan Musavi Isfahani dhe gjen në të rrugën e së vërtetës për Ehli Bejtin, ndërsa për atë libër nuk di nipi që u rrit dhe u edukua në shtëpinë e tij dhe nën mbikëqyrjen e tij.
Ajo që ka shkruar alimi i madh Sejjid Ebu Hasan Musavi Isfahani në Vasilet-n-nejat, është nipi i tij dr. Musa Musavi e cili e kundërshton, duke u tallur me të dhe duke e konsideruar atë se ka dalë nga islami.
Ndërsa logjika thotë se nëse besimi i një alimi të madh dhe autoriteti fetar, të tillë çfarë te shiat nuk ka një të dytë (siç e thotë edhe nipi i tij) është besimi i drejtë, atëherë besimi i nipit të tij është pabesi dhe lajthitje.
Nëse besimi i nipit, dr. Musa Musavi, është i drejtë, atëherë besimi i gjyshit të tij është pabesi dhe lajthitje. Në këtë rast, është detyrë dhe obligim i tij të distancohet nga gjyshi, e jo të krenohet e të mburret me atë që vjen prej tij dhe me atë që ka mësuar, siç e filloi hyrjen e librit të tij.
Kjo dëshmi dhe kjo logjikë vë në pikëpyetje edhe gradën që ka marrë Musa Mousavi nga Ali Kashiful-gitai.
E para: Kopja që ai ka vënë në librin e tij është vetëm një dëshmi se ai mund të përcjellë njohuritë që marrin shumica e studentëve dhe nuk do të thotë vërtetim se ai ka shkallën e ixhtihadit, domethënë të kuptuarit e Islamit në tërësi. Unë personalisht kam dy leje të tilla, njëra është nga Ajetullah Hui në Nexhef, dhe tjetra është nga Ajetullah Merashi Nexhafi në Kom.
Leja e transmetimit nuk është një diplomë kryesore në fikhun islam siç pretendon Dr. Musa Mousavi, me të cilën mashtron njerëzit e zakonshëm që nuk e njohin sistemin dhe shkallët e arsimimit në institutet shkencore.
E dyta: Ngase nipi i alimit të madh i cili i referohet librit Et-tashih (Korrigjim) e tradhtoi besimin e treguar nga mësuesi dhe profesori i tij, për të cilin Musaviu pretendon se i dha gradën e muxhtehidit, ngase i ndjeri autoriteti fetar, drejtori i Qendrës shkencore në Nexhef, Shejh Muhammed Husejn El-Kashiful-gitai në atë leje, një kopje të së cilës Musaviu e sjell në librin e tij, thotë: "Unë e lejoj atë, për shkak të aftësisë së tij, të transmetojë nga unë atë që është konfirmuar nga shumë shejh të mëdhenj dhe profesorë të respektuar..."
Ne kemi parë se si Musaviu tallte gjithçka që autoriteti i madh fetar, drejtori i qendrës shkencore Al-Kashiful-gitai, transmetoi nga shejhët e tij të mëdhenj dhe profesorët e respektuar në librin e tij Aslu-sh-shiati ue usuluha (Rrënjët e shiave dhe parimet e tij) në të cilat ai renditi të gjitha bindjet shiite dhe dispozitat e tyre. Sa larg të vërtetës është libri Esh-shiatu ve-t-tashih, i shkruar nga një nxënës tradhtar për librin Aslu-sh-shiati ve usuluha - të shkruar nga autoriteti i madh fetar, Kashiful-gitai.
Nëse ky autoritet fetar dhe drejtori i qendrës shkencore në Naxhaf, Shejh Muhamed Husein Al-Kashiful-gitai, ka të drejtë dhe besimet e tij janë të sakta, atëherë Musaviu është në rrugën e gënjeshtrës dhe të gjitha ato që thotë janë të pasakta.
Dhe nëse ky autoritet fetar është në rrugë të gabuar dhe besimi e tij është i pasakt, ndaj Musav tallet dhe i përgënjeshtron ato, atëherë në këtë rast, ishte detyra e tij që të mos gënjejë njerëzit dhe të mos i mashtrojë ata duke pretenduar se nga po ky shejh ishte paisur me diplomën e madhe për fikhun islam.
Nëse besimet e Musa Musawi janë të sakta, siç pretendon në librin e tij, ai e ka quajtur të pafe gjyshin e tij Sejjid Ebu Hasan Musawi Isfahani, për të cilin ai vetë thotë se është i pari në dije dhe lideri fetar më i madh që ka njohur historia shiite që nga koha e Fshehjes së Madhe e deri më sot.
Unë i premtova Zotit tim se fillimisht do të përpiqem t'i sqaroj gjërat mirë dhe pastaj t'i gjykoj ato, kështu që kur lexova librin Et-Tashih të Musavit, i angazhova të gjitha shqisat e mia për të kuptuar diçka që mund të kisha humbur dhe për të plotësuar atë që nuk e kisha vërejtur më parë. Në atë libër, nuk gjeta gjë tjetër veçse gënjeshtra, kontradikta dhe mohim të asaj që e vërtetoi Kur'ani, tallje me Sunetin e Profetit dhe kundërshtimin e konsensusit të muslimanëve.
E kuptova se Musavi nuk e ka lexuar as sahihun e Buhariut, i cili është libri më i besueshëm në mesin e ehli sunetit dhe xhematit dhe në bazë të të cilit Musavi dëshiron t'u atribuojë shiave se ata po braktisin dispozitat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. .
Unë them se ai vetëm e ke obliguar veten për ta lexuar Sahihun e Buharis, i cili është libri më i besueshëm në mesin e ehli sunetit dhe xhematit, për të mos rënë në një pozitë kaq të vështirë, nga e cila nuk do të gjente asnjë rrugëdalje tjetër përveç se me pendim të sinqertë dhe kthimi tek Allahu. Ndërsa nëse ai nuk e bën këtë, ai nuk do të ketë asnjë dobi nga grada të mëdha, tituj të zhurmshëm, apo pasuri të bollshme që shpenzohet për të krijuar përçarje mes muslimanëve. Allahu thotë:
“Ata që nuk besuan e shpenzojnë pasurinë e tyre për t’u larguar nga rruga e Allahut. Ata me siguri do t'i përdorin ato, pastaj do të pendohen dhe në fund do të mposhten. E ata që nuk besuan do të dëbohen në xhehenem, që Allahu t'i ndajë të mirët nga të këqijtë dhe t'i hedhë në xhehenem. Ata me të vërtetë do të humbasin.” Anfal, 35-37
Sido që të jetë, libri i tij është plot kontradikta në të cilat ngatërrohet çdo studiues. Nëse Musavi e konsideron veten të aftë për të korrigjuar medhhebin e shiave, besimet dhe porositë e tyre, unë e ftoj atë në një diskutim televiziv në qarqet shkencore, ku qasja është falas për të gjithë, në mënyrë që bota të shohë se kush ka nevojë vërtet për korrigjim, dhe kjo është ajo që Kurani i Shenjtë na fton dhe deri te e cila ka ardhur mendimi i lirë në komunitetet e zhvilluara, për t'ua bërë të qartë muslimanëve dhe që ata të mos i konsiderojnë disa njerëz si të pafe nga injoranca, e më vonë të pendohen për këtë.
“Ti thuaj: “Jepni dëshminë tuaj nëse ajo që thoni është e vërtetë!” Bekare, 111
Na ka mbetur një gjë në të cilën duhet të jemi të drejtë me dr. Musavin, dhe kjo është ajo që ai deklaroi në librin e tij dhe e vendosi nën tre tituj kryesorë.
1- Goditja e njerëzve në ditën e Ashures
2 - Martirizimi i Tretë (Alijju velijjullah)
3 - Terrorizmi.
Sa i përket goditjes me zinxhirë të grupeve të njerëzve, që nuk është nga besimi shia, as nga feja, por këtë e bëjnë njerëzit e zakonshëm. Nuk është karakteristikë vetëm e shiave. Edhe pjesëtarët e ehli sinetit dhe xhematit, Isawiyah (anëtarë të sektit në Marok), të njohur në të gjithë Afrikën e Veriut, e rrahin veten me zinxhirë më shumë se shiat, ndërsa me këtë nuk duan të tregojnë pikëllimin për Huseinin dhe fatkeqësitë që i ndodhën Ehli Bejtit.
Jemi dakord lidhur me vërejtjet që Musavi i ka bërë në librin „Korrigjimi“, sa i përket goditjeve në ditën e Ashuras dhe së bashku me të do të përpiqemi t'i ndalojmë këto dukuri tek të gjithë muslimanët. Në mesin e ulemave shia ka nga ata që e konsiderojnë atë rreptësisht të ndaluar dhe përpiqen ta shfuqizojnë, gjë që vetë Musavi e pranon.
Sa i përket shehadetit të tretë Eshhedu enne Alijjen velijullah (Dëshmoj se Aliu është miku i Allahut) Musavi e di shumë mirë se të gjithë dijetarët shia thonë se kjo nuk është pjesë e ezanit. Mirëpo, nëse lexohet me qëllim që të bëhet pjesë e detyrueshme e ezanit ose ikametit, ezani dhe ikameti nuk do të jenë të rregullt. Musavi e di mirë këtë fakt, por ai provokon konflikt me çdo mjet që mund të ndihmojë në arritjen e qëllimit të tij.
Për sa i përket terrorizmit, ne e refuzojmë plotësisht atë, ashtu si Dr. Musavi. Ai nuk do të duhej t'ia lejonte vetes ta bënte këtë akuzë të shëmtuar kundër shiave. Vala e terrorizmit që është bërë e njohur vitet e fundit është rezultat i pashmangshëm i grindjes midis Lindjes dhe Perëndimit, midis Jugut dhe Veriut, midis fuqive të mëdha dhe të shtypurve, midis uzurpatorëve dhe të uzurpuarve.
Pse dr. Musavi i lidh veprat e hashashëve (një degë e ismailitëve) me shiat? Historia dëshmon se shiat kanë qenë gjithmonë në target prej të gjitha drejtimeve, pushteteve dhe imperialistëve. Pavarësisht kësaj, ata e refuzuan terrorizmin në të gjitha format dhe ngjyrat e tij.
Pse Musaviu nuk flet për terrorizmin e Muavijes dhe vrasjet që i bëri kundër muslimanëve, madje duke e vrarë edhe Imam Hasanin. Ai i vrau kundërshtarët e tij me helm që e futi në mjaltë, ndërsa ata ishin besimtarë të sinqertë, ndërkohë që ai do të thoshte: "Allahu ka një ushtri prej mjalti".
A janë lëvizjet islamike në botë që cilësohen si terroriste në Palestinë, Egjipt, Sudan, Tunizi, Algjeri, Afganistan dhe vende të tjera të Perëndimit si: populli bask, Korsika, Irlanda? A janë ata të gjithë shia?
Dhe Musavi dëshmon se këta nuk ishin shia. Por dr. Musavi ka rënë nën ndikimin e agjencive të huaja të lajmeve të cilat po bëjnë çdo përpjekje të mundshme për t'ia atribuar këto akuza shiave për shkak të pikëpamjeve të tyre politike dhe armiqësisë së madhe ndaj revolucionit islamik.
Pse dr. Musavi ia atribuon terrorizmin shiave deri sa ai vetë në librin e tij, në faqen. 122. thotë se Irani, si shtet i shiave, nuk flet dhe nuk mund të flasë për të gjithë shiat në botë, madje as në emër të shiave në Iran.
Nëse është kështu, atëherë dr. Musavi duhet të korrigjojë të kuptuarit e tij. Me prezantimin tonë të deritanishëm kemi qenë të drejtë ndaj dr. Musavit, dhe e sqaruam të vërtetën nga e pavërteta, të drejtën nga e gabuara.
Ne u kemi konfirmuar lexuesve tanë të respektuar se besimi i imamëve shia është plotësisht i saktë sepse rrjedh nga Kur'ani dhe Suneti.
Dhe atë që përpiqen të bëjnë ngatërrestarët, që duan të shkaktojnë çrregullim dhe shqetësim, pra atë që duan ta bëjnë armiqtë e Allahut dhe armiqtë e të Dërguarit të Tij dhe Islamit, duke përhapur shpifje dhe akuza të rreme, për të futur gjykimin kundër besimit të atyre që i përmbahen Pasardhësve të pastër, e gjithë kjo bie poshtë, përjeton dështim ndësa mbetjet hudhen.
“Mbeturinat hudhen, ndërsa ajo i bënë dobi njerëzve mbetet në tokë. Kështu Allahu i shpjegon shembujt.” Rad, 17
E lusim Allahun e Madhëruar që të na udhëzojë dhe të na ndihmojë në veprat që i do dhe me të cilat është i kënaqur! E lusim që të na frymëzojë me të mira dhe të largojë zemërimin dhe ndëshkimin e Tij prej nesh!
E lusim që t'i largojë fatkeqësitë tona me ardhjen e Imamit të pritur dhe ta përshpejtojë ardhjen e tij ndërsa mendojmë se kjo kohë është e afërt! Lutja jonë e fundit: Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të të gjitha botëve, salavati dhe selami qofshin për atë që u dërgua si mëshirë për botët, Sejjidin dhe Mevlanan, Muhamedin dhe mbi Familjen e tij të mirë dhe të pastër!
Mëkatari, i cili dëshiron vetëm mëshirën e Zotit të tij dhe ndërmetësimin e të Dërguarit të Tij, Muhamed Tixhani Semavi.