Izolimi politik i opozitës

 

 

Me gjithë bojkotin e fortë, konfiskimin e pasurisë dhe izolimin e tyre nga bashkësia islame, kështu që njerëzit u larguan nga Ali ibn Ebi Talibi, siç e thamë tashmë, partia në pushtet nuk u mjaftua me të gjitha këto, por u përpoq ta izolonte atë nga politika dhe ta largonin atë nga i gjithë aparati drejtues dhe ndalimin e pjesëmarrjes së tij në çdo detyrë qeverisëse, apo dhënien e ndonjë përgjegjësie. Si guvernatorë të tyre, ata emëruan mëkatarë nga Umajadët të cilët luftuan kundër Islamit për sa kohë që ishte gjallë i Dërguari i Zotit, s.a.v.a. Imam Aliu qëndroi larg skenës së jetës politike për një çerek shekulli, pra nga koha e kalifateve të Ebu Bekrit, Omerit dhe Uthmanit. Ndërsa disa sahabë, si qeveritarë të pushtetit qendror, grumbulluan pasuri, ar dhe argjend dhe u pasuruan në kurriz të muslimanëve, deri atëherë Ali ibn Ebi Talibi ujiti palmat e çifutëve për të fituar ushqim me duart e tij dhe me djersën e ballit së tij.

Kështu jetoi porta e diturisë, bekim për umetin dhe bartësit e sunetit, i izoluar në shtëpinë e tij, vlerën e të cilit e dinin vetëm disa njerëz të dobët që numëroheshin me gishta. Ata e ndoqën dhe u mbajtën pas litarit të tij.

Gjatë kalifatit të tij, Imam Aliu u përpoq t'ia kthejë botën Kur'anit dhe Sunetit, por nuk ia doli, sepse ata me këmbëngulje pranuan ixhtihadin e Umer ibn Hattabit, kështu që shumica e tyre në xhami bërtisnin: "Ah! po çka u bë me Sunetin e Omerit tonë!”

Nga e gjithë kjo konkludojmë se Aliu dhe përkrahësit e tij iu përmbajtën Sunetit të Pejgamberit, alejhi selam, dhe se ata punuan në ringjalljen e tij ndërsa kurrë nuk devijuan nga Suneti, si pjesa tjetër e umetit që pasoi bidatet e Ebu Bekrit, Omerit, Osmani, të cilat sipas transmetimeve nga Ajsheja u konsideruan si “bidate të bukura”.

(Sahih Buhari, 2/252, babu salati-t-teravih (kapitulli mbi teravijjen); 7/98.)

Ky nuk është vetëm një pohim i thjeshtë, por një e vërtetë për të cilën të gjithë muslimanët pajtohen i regjistruar edhe në Sahihët e tyre dhe i njohur për të gjithë studiuesit e drejtë.

Imam Aliu e dinte përmendsh Kuranin dhe i dinte të gjitha porositë e tij duke qenë i pari që e tuboi atë, sipas dëshmisë së vetë Buhariut. Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani nuk e dinin përmendsh Kur'anin, prandaj nuk ishin hafiz dhe as nuk i dinin të gjitha urdhëresat e tij.

(Mosnjohja e dispozitave mbi kelalen, që ishte rasti me Omerin, është e njohur në librat sunite. Gjithashtu, mosnjohja e tij e dispozitave të tejemmumit, e cila përmendet nga Buhariu në Sahih l/90, është gjithashtu e njohur për të gjithë.)

Historianët kanë numëruar se Omeri ka thënë shtatëdhjetë herë:

“Sikur të mos ishte Aliu, Umeri do të ishte shkatërruar”.

Dhe Ebu Bekri tha: "Nuk dua të jetoj në kohën kur ti nuk do të jeshë, o Ebu Hasan."

Seneti i të Dërguarit, s.a.v.a. mes fakteve dhe supozimeve

Ehli-Suneti dhe Xhemati e numëron Umer ibn Hatabin ndër sahabët më të frymëzuar dhe më të ditur, ndërsa, sipas traditës që ata transmetojnë në Sahihët e tyre, ai nuk ishte më i dituri që Profeti, s.a.v.a., dha përparësi atij në pije, dhe ai e interpretoi atë me dituri, ndërkohë ai dëshmon kundër vetes se kishte harruar shumë nga Suneti i Pejgamberit, sepse ishte i zënë me tregtinë nëpër tregje.

Buhariu në Sahihun e tij - në kapitullin mbi Haxhin, transmeton nga dikush që thotë: "Urdhërat e Profetit ishin të qarta dhe të dukshme, ndërsa disa mungonin për të parë Profetin dhe sispozitat islame, kështu që ai thotë: Ebu Musa kërkoi leje për të hyrë te Omeri, kështu që. kur pa se ishte i zënë, u kthye. Omeri tha: A nuk e kam dëgjuar zërin e Abdullah ibn Kajsit, thirreni atë! Ai u thirr te Omeri, i cili e pyeti: Çfarë të shtyu të sillesh kështu? Ai u përgjigj: Kështu na ishte urdhëruar. Omeri tha: Më sillni prova për këtë ose do të bëj me ju atë që do të bëj. Ebu Musa iu drejtua ensarëve dhe ata thanë: Do të dëshmojnë vetëm fëmijët tanë. Pastaj Ebu Seid Hudriu u ngrit dhe tha: Kështu na ishte urdhëruar. Pastaj Omeri tha: E harrova këtë dispozitë të Profetit, i preokupuar me tregëti në tregje.

(Sahih Buhari, 8/157, libri i respektimit të Kuranit dhe Sunetit: Sahih Muslim, 6/179, kap. kërkimi i lejes, libri i edukimit.)

Shënim: Ka disa gjëra në këtë histori që duhen përmendur

Së pari: Dispozita e kërkimit të lejes gjatë hyrjes është e njohur në Islam, dhe është Suneti i Pejgamberit që është i njohur për të gjithë, si për njerëzit e zakonshëm ashtu edhe të diturit. Njerëzit kur vinin i kërkonin leje të Dërguarit të Zotit, s.a.v.a., për të hyrë te ai. Kjo është edukatë islame dhe arsye për mburrje.

Nga kjo traditë mësojmë se Omeri rreth tij kishte roje dhe truproja të cilët i pengonin njerëzit të hynin pa leje. Kështu Ebu Musa kërkoi leje për të hyrë tri herë dhe kur nuk iu dha, ai u kthye. Por, ndihmuesit dhe pasuesit e Omerit nga Umejadët, sikur donin t'i jepnin përparësi Omerit ndaj Pejgamberit a.s., kështu që thanë se Omeri flinte buzë rrugës pa roje rreth tij, kështu që për të u tha: Ti je i drejtë, kështu që mund të flesh nën një pemë, pa roje.

Sikur të donin të thoshin se ai ishte më i drejtë se Pejgamberi a.s., sepse Profeti kishte kujdestarë, e nëse nuk do ishte kështu, pse thuhej: Me Omerin vdiq drejtësia?!

 

Së dyti: Kjo traditë na tregon gjithashtu për shkallën e rreptësisë dhe ashpërsisë për të cilën ishte i njohur Omer ibn Hatabi dhe se si ai sillej me muslimanët pa ndonjë arsyetim për sjelljen e tij.

Ja se si Ebu Musa Eshari, një nga sahabët e mëdhenj, e sjell hadithin e Profetit si dëshmi për të kërkuar leje kur hyn dhe Omeri i thotë:

“Pasha Allahun, do të të shkaktoj dhimbje në shpinë dhe në bark, nëse nuk më sjell dikë që të dëshmoj për këtë (dispozitë)?”

(Sahih Muslim 6/l79, kitabul adab, babul istizan.)

A kishte ndonjë justifikim për ta poshtëruar Ebu Musain në këtë mënyrë, duke e detyruar atë të gënjejë para njerëzve dhe duke e kërcënuar me kamxhik vetëm për shkak se ai përmend si dëshmi një hadith nga i Dërguari i Zotit, s.a.v.a.? Pastaj Ubej ibn Ka'b, kur dëshmoi për vërtetësinë e hadithit, tha:

“Biri i Hatabit, mos u trego kaq i vrazhdë me shokët e të Dërguarit të Zotit! (Po aty)

Unë mendoj se nuk ka asnjë justifikim për këtë. Këtu bëhet fjalë për arbitraritetin e Omerit në shumicën e rasteve. Kur ballafaqohej me dëshmi nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i Profetit, ai zemërohej dhe fillonte të kërcënonte, gjë që bëri që shumë nga sahabët ta fshehin të vërtetën, edhe pse e dinin se cila ishte e vërteta. Kështu ndodhi me Ammar ibn Jasirin kur ai iu përgjigj Omerit me një hadith për çështjen e tejemmumit. Dhe kur Omeri e kërcënoi, Ammar tha: "Nëse dëshiron, nuk do të flas për këtë."

(Sahih Muslim, 1/193, babu tajemmum; e njëjta gjë në Sahih Buhari.)

Ekzistojnë prova të shumta se si Omeri i ndaloi sahabët të transmetojnë hadithet e Profetit, duke filluar nga koha e kalifatit të Ebu Bekrit, dhe veçanërisht gjatë kalifatit të tij, i cili zgjati më shumë se dhjetë vjet. Gjatë asaj kohe humbi gjithçka që ishte mbledhur deri atëherë, ai ua ndaloi shokëve t'i transmetonin, madje edhe duke i burgosur disa prej tyre .

(Detajet për këtë janë dhënë në librin Pyetni të diturit ndërsa janë cituar edhe burimet, kështu që studiuesit mund të kenë qasje në to.)

Të njëjtën gjë bëri Ebu Bekri para tij dhe Osmani pas tij.

Si atëherë na thuhet se kalifët kanë punuar sipas Sunetit të Pejgamberit, ndërkohë që Suneti është përballur vetëm me ndalim, djegie dhe errësim?!

Së treti: Ky transmetim na tregon se Omer ibn Hatabi kishte mungesa të shumta nga ndejat dhe bisedat me Pejgamberin s.a.v.a.. për të dëgjuar hadithet e tij, sepse ishte i zënë me kontratat e shitjes nëpër tregje.

Prandaj Omeri nuk dinte për shumë hadithe që njiheshin nga njerëzit e thjeshtë dhe të ditur, madje për to dinin edhe fëmijët e sahabëve. Për këtë dëshmojnë fjalët e ensarëve, kur Ebu Musa u erdhi nga frika e kërcënimit të Omerit, kur ata thanë: “Për Zotin, edhe më i vogli prej nesh mund të dëshmojë për këtë”. Kështu Ebu Said Hudriu u ngrit në këmbë, dhe ai ishte më i riu në mesin e tyre, dhe dëshmoi se kishte dëgjuar Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, të fliste për këtë (dispozitë).

Kjo, në fund të fundit, flet për Umerin, i cili mori pozitën e kalifit pa e njohur Sunetin e Profetit dhe gjërat më të thjeshta që i dinin edhe më të vegjëlit e sahabeve. Sa larg është ai nga hadithi i Profetit, në të cilin Profeti, paqja qoftë mbi të, thotë:

"Nëse një njeri merr pozitën e sunduesit mbi njerëzit dhe ai e di se ka ndonjë prej tyre më të ditur se ai, ai e ka mashtruar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët."

Umer ibn Hatabi duhet të dëgjonte hadithe të tilla që ai refuzoi t'i pranonte në kohën e Pejgamberit, ai nuk ishte i bindur për to dhe i dha vetes të drejtën e ixhtihadit kundrejtë hadithit ekzistues.

Na mbetet t'ia pranojmë Ebu Hafsës injorancën e e tij të dëshmuar, po prej vet atij, kur disa sahabë i paraqitën atij prova dhe argumente, ndaj në një rast të tillë ai tha:

"Të gjithë burrat janë më të ditur se ti, o Omer, madje edhe gratë."

Ndërsa herën tjetër tha:

"Po të mos ishte Aliu, Omeri do ishte shkatërruar."

Ndërkaq në një rast tjetër tha:

"Tregtia në pazare më pengoi nga hadithet e Profetit."

Nëse Omeri ishte i preokupuar me shtrëngimin e duarve kur bënte kontrata në pazare dhe nuk kishte kohë për Sunetin e Profetit, atëherë ai ndoshta ishte edhe më i pakujdesshëm me Kuranin. Në një rast, ai nuk u pajtua me Ubej ibn Ka'b, i cili ishte hafizi më i ditur, ndërsa Omeri e mohoi mësimin e tij, duke thënë se nuk e kishte dëgjuar më parë. Pastaj Ubeji tha:

“Vëmendjen time e pushtoi Kur’ani, ndërsa vëmendjen tuaj e pushtuan shtrëngimet e duarve kur bëni kontrata në tregje”.

(Tarih Ibn Asakir, 2/228; Hakimi në Mustedrek dhe Ebu Davudi në Sunen dhe Ibn Esir në Jamiul-usul, transmetojnë të ngjashme me këtë.)

Preokupimi i tij me tregtinë dhe preokupimi me shtrëngimet e duarve gjatë lidhjes së kontratave të shitjes ishte i njohur për të gjithë sahabët, veçmas atyre që e dinin Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit të Tij. Prandaj besoj se ai kishte një kompleks të madh shpirtëror, ndërsa ky është një kompleks i një injorance të ndërlikuar, sepse e shihni se muslimanët më të rinj e dinë atë që ai nuk e dinte dhe e dinin përmendësh atë që nuk ai nuke  dinte.

Ndërsa nga ana tjetër, Aliu, një i ri që nuk ishte as tridhjetë vjeç, korrigjon mendimin e tij me atë që di nga Kur'ani dhe Suneti dhe në prani të sahabëve të tjerë, kështu që Omeri u detyrua të thotë: Po të mos ishte Aliu, Umeri do të shkatërrohej”.

Në një rast, një grua u ngrit në xhami para të gjithë besimtarëve derisa Omeri ishte në minber dhe filloi një diskutim me të për mehrin, ndërsa ajo i dha atij prova nga Kur'ani. Pastaj Omeri tha: "Të gjithë njerëzit janë më të ditur se ti o Omer, madje edhe gratë!"

Në fakt, kjo nuk ishte aq bindje e tij, sa ishte një përpjekje të mbulonte injorancën e tij dhe të fitonte një qëndrim në favor të tij, që bota të thoshte se ai është i përulur dhe modest, gjë që sot mund të dëgjojmë shpesh duke e përsëritur këtë.

Për shkak të këtij kompleksi, Omeri punoi për të shkatërruar Sunetin e Profetit. Me aq sa mundi, ai përdori ixhtihadin sipas gjykimit të tij, duke kundërshtuar Kuranin dhe Sunetin, për të cilat ka prova të shumta. (Kam renditur disa në librat Me të sinqertit dhe Pyetni të diturit.)

Kushdo që shikon biografinë e Omerit do të zbulojë se pas pranimit të Islamit, Omeri kaloi vetëm gjysmën e kohës së tij me Profetin.

Për këtë flet vetë:

“Unë dhe fqinji im, i cili ishim ensar, nga emeviti, Ibn Zejdi, i cili është një nga familjet medinase, shkonim me radhë te Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Një herë shkonte ai ndërsa herën tjetër shkojaunë. Ashtu që, kur shkoja unë e informoja atë për atë që u diskutua atë ditë, dmth. për të cilën foli Profeti ndërsa të njëjtën gjë bënte edhe kur shkonte ai.”

(Sahih Buhari, 1/31, kitabul ilmi, babu et-tenawub fil ilmi.)

Fjalët e tij se e takonim Profetin, ashtu që një ditë do të shkonte ai, një ditë tjetër do të shkoja unë, tregojnë se shtëpia e tij ishte larg xhamisë së Profetit të Zotit, s.a.v.a., dhe për këtë arsye Omeri shkonte për ta takuar Pejgamberin ço të dytën ditë, as nuk do ta ngarkonte veten të shkonte për shkak të distancës. Ose, mbase nuk ishte larg, por shkonte në pazaret ku merrej me tregti.

Po t'ia shtojmë këtë fjalëve të tij: "Unë isha i preokupuar me tregti nëpër pazare e jo me hadithet e Profetit", kur u fol për Ebu Musa Esh'ariun, atëherë fjalët e mëposhtme të Ubej ibn Kabes drejtuar Omerit: "O Omer! Unë isha i zhytur pas Kuranit, e ti ishe i zënë me shtrëngimin e duarve nëpër pazare”, siç e përmendëm, e gjithë kjo na vërteton se ai nuk ka kaluar shumë kohë me të Dërguarin e Zotit, s.a.v.a.

Ndoshta ka munguar edhe ne disa tubime te medha, ku mblidheshin te gjithe muslimanet, si gjatë Ramazanit dhe për Kurban Bajram, andaj shohim se ai pyeste disa sahabe, te cilet nuk ishin preokupuar me tregti dhe nuk e linin zikrullahun, ose të kishin shkuar të lidhin kontrata, për atë se çfarë iu mësoi i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., gjatë namazit të Bajramit.

Në Sahihun e Muslimit, në librin për namazet e Bajramit, transmetohet nga Abdullah ibn Abdullah, se Omer ibn Hatabi e pyeti Ebu Vakid Lejsan për atë se çfarë recitonte i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., gjatë Ramazanit. dhe Kurban Bajramit, ndërsa ai i tha: "Në ato namaze ai lexonte suren Kaf dhe Kamer."

(Sahih Muslim, 3/61, kitabu-s-salati, babu ma jakree bihi fi salatil-idejni.)

Ebu Vakid Lejsi thotë:

"Omer ibn Hatabi më pyeti se çfarë recitonte i Dërguari i Zotit në namazin e Bajramit, kështu që unë i thashë: "Po afron ora" dhe "Kaf, pasha Kur'anin famëlartë".

(Sahih Muslim, 3/61, burimi i mëparshëm.)

Dëshmia e Abdullahut dhe Ebu Vakid Lejsaut se Omeri nuk e dinte se çfarë ka lexuar Pejgamberi s.a.v.a.. ngase ai ishte i marrë me tregti në pazare në dëm të Kuranit dhe Sunetit, do të kuptojmë sekretet dhe enigmat, të cilat deri më tani kanë mbetur konfuze për ulematë, si fetvaja e tij se një xhunub që nuk gjen ujë për t'u pastruar, ai nuk bënë të falet falet. Pastaj, mosnjohja e tij e dispozitave të tejemmumit, e cila është shprehur qartë në Kuran dhe Sunet. Më pas, porosia e tij për kelalen, në lidhje me të cilën ai tha disa porosi kontradiktore, pavarësisht se kelala përmendet në Librin e Allahut, dhe detajet gjenden në Sunetin e Profetit, të cilin Omeri nuk e kuptoi deri në vdekjen e tij.

(Bejhekiu në Sunenin e tij transmeton se Omeri e pyeti Profetin për trashëgiminë e gjyshit nëse ai ka një vëlla, ndërsa Profeti i tha: "Çfarë pyetjeje është kjo, Omer? Unë mendoj se do të vdesësh para se ta mësosh atë. "Said ibn Musejjeb thotë: "Umeri vdiq para se të mësonte përgjigjen në këtë pyetje.")

Nëse Omeri do të ndalej këtu dhe do të përpiqej t'i jepte fund injorancës së tij duke mësuar, do të ishte më mirë si për të ashtu edhe për muslimanët. Por Omeri filloi të mëkatojë nga inati, kështu që filloi të ndalojë atë që e lejoi Allahu dhe i Dërguari i Tij, si p.sh.: kryerja e umres së bashku me haxhin, martesa e përkohshme, një pjesë e plaçkës që u jepej atyre që do të fitonin zemrat dhe lejimi i asaj që Allahu dhe i Dërguari i Tij e ndaluan, siç është zbatimi i tij i 'talaq beina', përgjimi e muslimanëve dhe të tjera.

(Lexoni librin En-Nass uel Ixhtihad nga Sherafuddin Musavi.)

Për shkak të kësaj, ai dhe miku i tij, Ebu Bekri, punuan që nga dita e parë për të ndaluar shkrimin e haditheve të Profetit ndërsa çështja shkoi deri aty sa u dogjën të gjitha koleksionet e haditheve të Profetit, të tubuara deri atëherë. Arsyeja e parë për këtë është shkatërrimi i dëshmive për atë që i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., kishte thënë për Aliun dhe Ehli Bejtin, dhe së dyti, në mënyrë që të mos ketë kontradikta në hadithet e Profetit për politikën që ata udhëhiqnin dhe rregullat që i parashtronin sipas mendimit të tyre përmes ixhtihadit. Dhe së treti, ngase Umer ibn Hatabi dinte shumë pak për Sunetin e Profetit.

Imam Ahmed ibn Hanbeli në Musnedin e tij transmeton nga Ibn Abbasi se Omeri ishte i hutuar kur ishte fjala për rregullin e dyshimit në namaz, kështu që i tha: "Djalosh, a ke dëgjuar nga i Dërguari i Zotit apo nga një prej shokëve të tij, nëse një person dyshon për namazin e tij (nuk është i sigurt se sa reqate ka falur) çfarë do të bëjë."

 (Musned Imam Ahmed ibn Hanbel, l/190.)

Pasha Allahun, kjo është shumë e çuditshme. Umer ibn Hatabi, halifi i muslimanëve, nuk di të falë namazin, prandaj pyet fëmijët e sahabëve për këtë, ndërsa këtë e dinin edhe muslimanët e zakonshëm analfabetë, madje edhe në kohën tonë. Më të çuditshme se kjo janë pohimet e Ehli-Sunetit dhe Xhematit se Omeri ishte shoku më i ditur.

Po, ka mbetur vetëm një kundërthënie e parëndësishme e cila nuk ndryshon asgjë nga urdhrat dhe ixhtihadet e tyre, as nuk kërcënon mirëqenien e kalifatit, si p.sh. kërkimi i lejes së Ebu Musait apo vërtetimi i Ubej ibn Kabit për recitimin që Omeri nuk e dinte, ndërsa Omeri më pastaj e pranon me krenari, kur thotë: "Ngaqë unë (më shumë se me të mësuarit e haditheve) isha i preokupuar me shtrëngim duarsh nëpër pazare".

Sa larg është ai nga fjalët e Ali ibn Ebi Talibit i cili thotë: “Kam pasur leje të posaçme për të hyrë dy herë në ditë në praninë e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.a.: një herë pas sabahut dhe herën e dytë në mbrëmje?"

Kjo ishte një kohë e caktuar posaçërisht, në mëngjes dhe në mbrëmje, kur Aliu ulej vetëm me Pejgamberin s.a.v.a., ndërsa ai ishte gjithmonë i pranishëm edhe kur vinin shokët e tjerë.

Aliu ishte më i afërti me Profetin, ai kalonte më shumë kohë me të dhe nuk u nda prej tij që nga dita kur lindi. Ai u rrit në dhomën e Profetit dhe kur u bë djalosh, e ndoqi Profetin ashtu si i vogli ndjek nënën e tij. Ai gjithashtu shkoi me të në shpellën Hira, ku askush tjetër nuk ishte i pranishëm, kur Profeti lutej. Aliu ushqehej me qumështin e profetësisë dhe u zhvillua duke mësuar Sunetin e Profetit nga fshikëza e tij.

Kush është më i hershëm në Sunet dhe dituri të tij se Aliu? A mund ta pretendojë dikush këtë për veten e tij, nëse është i sinqertë?

Kjo është dëshmia më e madhe se ai, paqja qoftë mbi të, dhe përkrahësit e tij që e pasojnë atë janë simboli i Sunetit të Profetit dhe shenjat e tij. Dhe sa i përket të tjerëve që nuk e ndjekin referimin e tyre dhe nuk shkojnë rrugs së tyre, ata janë larg Sunetit të Pejgamberit, edhe pse e quanin veten Ehli Sunet vel Xhemat.

Për këtë do të flasim më qartë në përmbajtjen që vijon në këtë libër, dashtë Allahu.

“O besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni vetëm të vërtetën, Ai do t'ju shpërblejë për veprat tuaja të mira dhe do t'jua falë mëkatet tuaja. Dhe ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë atë që dëshiron." Ahzab, 70-71