Talha ibn Ubejdullah

 

 

Ai është një nga sahabët e famshëm dhe një nga gjashtë të propozuar nga Omer ibn Hatabi për kalifat dhe se për ë ka thënë se ai beson në kënaqësi ndërsa e mohon zemërimin, një ditë është burrë dhe të nesërmen është shejtan. Ai është një nga dhjetë të cilët janë të bekuar me Xhenet, sipas mendimit të Ehli sunetit dhe xhematit.

Kur hulumtojmë personalitetin e këtij njeriu në librat e historisë, zbulojmë se ai ishte një nga të dashuruarit e mëdhenj të kësaj bote, se ishte nga ata që ishin joshur nga kjo botë dhe që shitën besimin e tyre për shkak të saj. Tregtia e tyre nuk u solli atyre ndonjë fitim dhe ata do të pendohen në Ditën e Gjykimit.

Le të shohim se si Talha e ka shqetësuar të Dërguarin e Zotit, s.a.v.a., me fjalët:

“Kur të vdesë i Dërguari i Zotit do të martohem me Aishen, ajo është kushërira ime”.

Kjo fjalë erdhi deri te i Dërguari i Allahut dhe ai u ofendua nga kjo. Kur zbriti ajeti për hixhabin dhe gratë e Profetit u mbuluan, Talha tha:

“Mos vallë Muhamedi po i mbulon dhe fshehë prej nesh kusherirat tona, ndërsa se martohet me gra pas nesh? Nëse i ndodh diçka, do të martohem me gratë e tij pas tij (pas të linte këtë botë)”.

(Tefsir Ibn Kasir, Tefsir Kurtubi, Tefsir Elusi dhe të tjerë, të gjithë në interpretimin e këtij ajeti nga sureja Al-Ahzab, 53)

Kur i Dërguari i Zotit u ndje i fyer nga këto fjalë, u shpallë ajeti:

“Juve nuk ju lejohet ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut dhe as të martoheni me gratë e tij pas vdekjes së tij. Vërtet, te Allahu, ky do të ishte mëkat i madh!” Ahzab, 53.

Talha hyri te Ebu Bekrin para vdekjes së tij, kur ky i fundit shkroi testamentin e tij sipas të cilit për kalif e kishte emëruar Omer ibn Hatabin, kështu që Talha i tha:

"Çfarë do t'i thuash Zotit tënd për faktin se ke caktuar mbi ne një kalif të ashpër dhe të vrazhdë?"

Atëherë Ebu Bekri e qortoi me fjalë shumë të shëmtuara.

(Al-Imam ue-s-siyas, Ibn Kutejbe, në kapitullin mbi vdekjen e Ebu Bekrit dhe emërimin e Omer ibn Hattabit për kalif.)

Mirëpo, pas kësaj gjejmë se ai heshti dhe ishte i kënaqur me kalifin e ri. Ai u bë një nga ndihmësit e tij. Ai punoi në mbledhjen e pasurisë dhe skllevërve, veçanërisht kur ndjeu dëshirën për kalifat dhe ia zgjati qafën për pozitë, pasi Omer ibn Hatabi e kandidoi atë për kalif.

Gjatë këshillimit për emërimin e kalifit të ri, Talha e la imam Aliun në baltë dhe u rrjeshtua në radhët e Osman ibn Affanit, sepse e dinte se nëse kalifati i shkonte Aliut, asgjë nga ambiciet e tij nuk do të realizohej. Për këtë Imam Aliu thotë:

"Njëri prej tyre u kthye kundër meje në urrejtjen e tij, ndërsa tjetrin e devijuan në rrugë tjetër lidhjet me vjehrrin e tij – jo kjo jo ajo ..."

Nehxhul-belaga, fjalimi i Shikshikit

Në komentin e tij për Nehxhul-belaga, Shejh Muhamed Abduh thotë:

“Talha kishte anuar nga Osmani për shkak të lidhjeve mes tyre, për të cilat raportuan disa transmetues. Në prirjen e tij nga Osmani, mjafton që ai e la Aliun në baltë, ndërsa këtë e bëri ngase ishte nga fisi Tejmi, ndërkohë që mes Benu Hashimit dhe Benu Tejmive pati zemërim për shkak të marrjes së kalifatit nga Ebu Bekri”.

(Muhamed Abduhu, Sharh Nehxhul-belage, 1/88, fjalimi i Shikshikijes)

Nuk ka dyshim se Talha është një nga sahabët që mori pjesë në betimin në Ghadir Hom dhe dëgjoi fjalët e të Dërguarit të Zotit, s.a.v.a.:

“Mevla i të cilit jam unë, mevla i tij është Ali ”.

Nuk ka dyshim se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Zotit kur ka thënë:

“Aliu është me të vërtetën dhe e vërteta është me Aliun”.

Talha ishte i pranishëm edhe në Hajber, kur Profeti ia dha flamurin Aliut duke thënë se "Aliu e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë". Ai gjithashtu e di se Aliu është për Profetin ashtu siç ishte Haruni për Musain, ndërsa Talha di edhe shumë më shumë se kaq. Por, urrejtja dhe smira e mbushën zemrën e tij dhe ai u udhëhoq vetëm nga anshmëria për fisin e tij dhe kusherirën e tij Aishen, vajzën e Ebu Bekrit, me të cilën ai donte të martohej pas Profetit, por Kurani nuk e lejoi ta bënte.

Po, Talha iu bashkua Osmanit dhe iu betua për besnikëri, sepse ai i dha dhurata. Sapo Osmani u bë kalif, ai bujarisht i ndau Talhasë dhurata pa masë nga thesari i muslimanëve.

(Taberi, Ibn Ebi Hadid dhe Taha Husejni thonë për fitnenë e madhe se Talha mori nga Osmani hua 50.000, ndaj që ai i tha atij një ditë: "Maliku të përgëzoi dhe dërgoi ata që kapi." Osmani tha: "Ja kjo për ty, Ebu Muhamed, për ndihmën e guximin tënd!” Thuhet se Osmani i dha Talhasë edhe 200.000.)

Pasuria e tij u shumëfishua, sikur edhe bagëtia dhe numri i robërve, kështu që të ardhurat e tij vetëm nga Iraku ishin 1000 dinarë në ditë.

Ibn Sadi thotë në Tabekat-in e tij:

“Kur Talha vdiq, trashëgimia e tij arriti në tridhjetë milionë dirhemë. Nga ajo pasuri, dy milionë e dyqind mijë dirhemë dhe dyqind mijë dinarë ishin para të gatshme, ndërsa pjesa tjetër ishte në tokë dhe bagëti”.

(Et-Tabekatu-l-kubra, Ibn Saad, 3/858)

Për shkak të gjithë kësaj, Talha u bë mendjelehtë dhe filloi të nxisë të tjerët kundër shokut të tij të dashur, Osmanit, për ta rrëzuar nga kalifati dhe për ta zënë vendin e tij. Ndoshta Aishja, nëna e besimtarëe, e ka inkurajuar atë dhe i ka nxitur dëshirën për kalif, sepse edhe ajo ka punuar për ta larguar Osmanin nga pozita e kalifit. Ajo as që dyshonte se kalifi i ardhshëm nuk do të ishte Talha, kushëriri i saj. Kur i erdhi lajmi për vrasjen e Osmanit dhe se njerëzit i ishin betuar Talhasë, ajo u gëzua shumë dhe tha:

“Larg nga një mendjengushtë i cili dështoi! Vazhdo si Zu-l-isbea, vetëm ashtu o luan, të lumt kusheri, te Talha gjetën dikë të denjë për kalif!"

Po, ky është një shpërblim i Talhasë për Osmanin, i cili e bëri atë të pasur, ndërsa e braktisi për shkak të dëshirës së tij për kalif dhe nxiti njerëzit kundër tij, e në këtë nismë ai ishte më i ashpëri. Gjatë rrethimit ai nuk i dha Osmanit as ujë për të pirë.

Ibn Ebi Hadid shënon se gjatë rrethimit Osmani tha:

“Mjerë Ibn Hadremiu (Talhai) i dhashë aq shumë ar dhe pasuri, ndërsa ai po e derdh gjakun tim dhe nxit kundër meje! I dashur Zot, le të mos e gëzojë atë dhe le të vuajë pasojat e mëkatit të tij!”.

Po, ky është Talha i cili iu bashkua Osmanit dhe e zgjodhi atë si kalif për të larguar kalifatin nga Aliu, ndërsa edhe për shkak se Osmani i dha ar dhe argjend, dhe ja ku ai sot është duke nxitur të tjerët kundër tij dhe për ta vrarë, e duke mos lejuar që t'i jiept uj për të pi. Ndërsa kur e sollën trupin e Osmanit, ai ua ndaloi ta varrosnin në varrezat myslimane, në vend të kësaj ata e varrosën në varrezat "Hosh Kevkeb" ku hebrenjtë varrosnin të vdekurit e tyre.

(Tarih Taberi, Medaini dhe Vakidi për vrasjen e Osmanit.)

E pas kësaj shohim se, pas vrasjes së Osmanit, Talha ishte i pari që i betohet Imam Aliut. Më pas ai e thyen betimin e besnikërisë dhe i bashkohet Aishes në Mekë, dhe befas ndërron mendje dhe kërkon të hakmerret për gjakun e Osmanit.

Subhanallah! Epo a ka mashtrim më të madh se ky?!!

Disa historianë e interpretojnë këtë duke thënë se ai e braktisi Aliun, meqë ky refuzoi ta emëronte atë si guvernator të Kufes dhe zonave të tjera, kështu që ai theu betimin dhe shkoi të luftojë kundër Imam Aliut, të cilit që dje iu kishte betuar për besnikëri.

Ky ishte rezultat i zhytjes së tij në  të mirat e kësaj bote. Ai shiti ahiretin e tij dhe vëmendja e tij ishte e pushtuar nga pozita, reputacioni dhe pasuria.

Taha Hussain thotë:

“Pra, Talha përfaqësonte një lloj të veçantë kundërshtimi, ai kënaqej me atë që i ndahej për sa i përket pasurisë dhe pozitës, dhe kur dëshironte më shumë se kaq, kundërshtonte derisa shkatërroi dhe u shkatërrua”.

(Taha Husein, El-Fitnetu-1-kubra, 1/150)

Ky është Talha i cili që dje i kishte shprehur besnikëri Imam Aliut, ndërsa vetëm pak ditë më vonë e tërhoqi zvarrë Aishen në Basra, vrau të pafajshëm, uzurpoi pronat dhe mbolli frikë në njerëz, derisa shkopi i bindjes ndaj Aliut u ça. Ai ngrihet pa turp kundër imamit të kohës së tij të cilit iu betua për besnikëri.

Përveç gjithë kësaj, Imam Aliu në prag të betejës i dërgon atij një lajmëtar me këtë mesazh:

 “A nuk m'u betove për besnikëri? Çfarë të shtyu të ngriheshe kundër meje, o Talha?”

Ai tha: “Kërkoj hakmarrje për gjakun e Osmanit ”.

Aliu i tha: "Allahu e vraftë atë që është përgjegjës për vrasjen e Osmanit!"

Ndërsa në një traditë nga Ibn Asakir, Imam Aliu i tha atij:

“Talha, të betohem në Zotin, a nuk e dëgjove të Dërguarin e Zotit, s.a.v.a., të thotë: “Mevla i kujt jam unë, mevla i tij është Aliu. I dashur Zot, bëhu mik me atë që është miku i tij dhe bëhu armik me atë që është armik i tij?"

Ai u përgjigj: "Po, kam dëgjuar". Ndaj, Aliu i tha: "Atëherë pse dëshiron të luftosh kundër meje?"

Përgjigja e tij ishte: “Kërkoj hakmarrje për gjakun e Osmanit”. Ndërsa Aliu u përgjigj: "Allahu e vraftë prej nesh atë që është përgjegjës për vrasjen e Osmanit!"

Allahu xh.sh e pranoi lutjen e Aliut dhe Talha u vra po atë ditë. Ai u vra nga Mervan ibn Hakem të cilin Talha e solli për të luftuar kundër Aliut.

Në gjithë këtë Talha nuk e shihte asgjë tjetër përveç qëllimit të tij. Ai nuk i përmbushi premtimet e tij, as nuk e dëgjoi thirrjen e së vërtetës. Imam Aliu ia përkujtoi të vërtetën dhe i paraqiti atij prova, por Talha vazhdoi me të veten, u bë arrogant ndërsa të tjerët i shpuri në lajthitje. Për shkak të fitnes së tij, u vranë shumë njerëz të pafajshëm, të cilët nuk morën pjesë në vrasjen e Osmanit, as nuk e njihnin atë, as që kishin dalë ndonjëherë jashtë Basrës.

Transmetohet nga Ibn Ebi Hadidi se kur Talha erdhi në Basra, erdhi tek ai Abdullah ibn Hakim Temimi për shkak të letrave që ia kishte dërguar këtij të fundit, kështu që ai i tha Talhasë:

"Ebu Muhamed, ti na ke shkruar letra?" Tha: “Po.” Ai tha: “Që dje na shkruanit dhe na ftonit që ta rrëzojmë Osmanin dhe ta vrasim, e kur e vratë, tani na vini dhe kërkoni hakmarrje për gjakun e tij. Pasha jetën, çfarë është ky mendimi juaj! Ju thjesht dëshironi vetëm këtë botë! Tani dua një sqarim, nese ky eshte mendimi yt, pse atëherë pranove nga Aliu ate qe te ekspozoi ne momentin e betimit, pastaj iu betove me deshiren tende dhe pastaj e mohove betimin dhe tani ke ardhur për të na futur edhe në telashet tuaja."

(Sherh Ibn Ebi Hadid Mu'atezili 2/500)

Po, kjo është e vërteta për Talha ibn Ubejdullahun, por e turpshme, e tillë siç e kanë shënuar muhaddithët dhe historianët nga Ehli suneti dhe xhemati. Dhe pas gjithë kësaj, ata thonë se edhe ai është një nga ata dhjetë që janë të përgëzuar me xhenet.

Mbase ata mendojnë se Parajsa është ai hotel Hiltoni, në të cilin mund të hyjnë ata që kanë miliona dhe se aty do të takohen vrasësi dhe i vrari, dhunuesi dhe ai që i është bërë padrejtësi, dhe se në të do të tsakohen besimtari dhe mëkatari, bamirësi dhe keqbërësi.

"Si dëshiron secili prej tyre të hyjë në Xhenetin e kënaqësisë" Ma'arixh, 38

“ Vallë, do të sillemi me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira si me ata që bëjnë trazira në tokë, apo me ata që i shmangen mëkatit si me mëkatarët?” Ahzab, 28

“Vallë, A të jetë për besimtarin njëjtë si për mëkatarin? Jo, për ta nuk do të jetë njësoj.” Sexhde, 18

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, i presin kopshtet e Xhenetit, në të cilat do të banojnë, si shpërblim për atë që bënë, e ata që nuk besuan i pret zjarri në të cilin do të banojnë. Sa herë që përpiqen të dalin prej tij, do të kthehen në të dhe do t'u thuhet: "Vuani dënimin në zjarr të cilin e mohuat!"" Sexhde, 19-2.