Ebu Bekr ibn Ebi Kuhafa, halifi i parë
Në disa nga shqyrtimet tona të mëparshme, thamë se ai dogji 500 hadithe të tubuara të Profetit, dhe se ai mbajti një fjalim duke thënë: "Mos transmetoni asgjë nga i Dërguari i Zotit! Kush të pyet ty, thuaj: Para nesh dhe para teje është Kur'ani, merre hallall atë që është hallall në Kur'an dhe konsideroje për haram atë që është haram në Kur'an."
Po ashtu kemi treguar se ku e ka kundërshtuar Sunetin e Pejgamberit a.s., kur Profeti ka dashur të shkruajë një testament para vdekjes së tij dhe ka përkrahur Omerin i cili më pas tha:
• "I Dërguari i Zotit po flet përçart, na mjafton libri i Allahut."
• Po kështu, ka refuzuar hadithet e Profetit për kalifatin e Aliut pas tij, dhe uzurpoi kalifatin.
• Ai braktisi Sunetin e Profetit rreth emërimit të Usames si komandant të tij dhe fushatën në ushtrinë e Usames.
• Ai e braktisi Sunetin e Profetit kur dogji hadithet e shkruara.
• Ai e braktisi Sunetin e Profetit kur e shqetësoi dhe e zemëroi, pjesën e Profetit, Fatime Zahran.
• Ai e braktisi Sunetin e Profetit kur luftoi kundër atyre muslimanëve që refuzuan të jepnin zekatin.
• Ai e braktisi Sunetin e Profetit kur ndaloi dhënien e një pjese të Zekatit atyre që kishin nevojë për t'u fituar zemrat dhe në këtë ai ndoqi mendimin e Omerit.
Këto dhe kundërshtime të tjera ndaj Sunetit të Pejgamberit, s.a.v.a., janë të shënuara në Sahihët e Ehli sunetit dhe xhematit dhe librat e biografive janë plot me këso raportime.
Nëse Suneti i Pejgamberit s.a.v.a.. është ajo që përcaktoi ulemaja, siç janë: janë fjalët, veprimet dhe çdo gjë që u miratua në heshtje nga i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., atëherë Ebu Bekri bëri të kundërtën e çdo gjëje, si fjalët ashtu edhe veprat dhe atë që Pejgamberi e miratoi në heshtje.
Shembull i kundërshtimit të fjalëve të Pejgamberit: Pejgamberi a.s. ka thënë: “Fatimeja është pjesë e imja, kush e zemëron atë, më zemëron mua.” dhe Fatimeja vdiq e zemëruar me Ebu Bekrin, siç transmeton Buhariu.
Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë:
"Allahu e ka mallkuar këdo që mungon nga ushtria e Usames."
Ai e tha këtë kur ata e kritikuan atë për emërimin e Usames si komandant të ushtrisë dhe refuzuan të marshonin nën komandën e tij dhe të bashkoheshin me ushtrinë e tij. Ebu Bekri mungonte në këtë ekspeditë, me gjithë këtë, duke u shfajësuar nga të qenit i zënë me punët e kalifatit.
Shembull i kundërshtimit ndaj veprimeve të Pejgamberit: Atë që Profeti i Zotit, s.a.v.a., bëri me ata që kishin nevojë për t'u fituar zemrat e tyre, kështu që ai i trajtoi mirë dhe u dha atyre një pjesë të zekatit, sipas urdhrit të Allahut, Ebu Bekri ua hoqi atyre këtë të drejtë, duke plotësuar kështu dëshirën e Omerit, i cili tha: "Ne nuk kemi nevojë për ta".
Një shembull i kundërshtimit ndaj asaj që Profeti pa se po bëhej, pastaj e miratoi në heshtje: Profeti, paqja qoftë mbi të, aprovoi në heshtje shkrimin e haditheve të tij dhe përhapjen e tyre mes njerëzve, por Ebu Bekri i dogji hadithet e shkruara dhe e ndaloi përhapjen dhe transmetimin e tyre.
Përveç kësaj, do të shtoja se ai nuk dinte shumë rregulla nga Kurani Famëlartë. Në një rast e pyetën për rregullin e kelales, për të cilën flet edhe Kurani dhe tha:
"Unë do të them mendimin tim për këtë, kështu që nëse është i drejtë, është nga Allahu, e nëse është e gabuar, është nga shejtani".
(Tefsir Taberi; Tefsir Ibn Kesir; Tefsir Hazin; Tefsir Xhelaluddin Sujuti, mbi interpretimin e sures En-Nisa, ajeti 176. mbi 'kelala')
Si mund të mos habitesh nga halifi i muslimanëve, i cili kur pyetet për dispozitën e Kelala-s, për të cilin flet Kurani dhe Profeti e shpjegon në hadithet e tij, e braktisë Kuranin dhe Sunetin duke i dhënë përparësi mendimit të tij, dhe pastaj pranon se shejtani sundon mendimin e tij. A nuk është e çuditshme kjo nga halifi i muslimanëve, Ebu Bekri, i cili ka thënë më shumë se një herë: "Unë kam një djall që më çmend".
Ulemaja islame konfirmoi se ai që shpreh mendimin e tij për një urdhër, ndërsa ai gjendet në librin e Allahut, është bërë mosbesimtar. Ne gjithashtu e dimë se Profeti, s.a.v.a., kurrë nuk ka folur nga mendja e tij dhe as nuk ka përdorur kijas.
Unë do t'i shtoja kësaj se Ebu Bekri tha:
“Mos më referoni me Sunetin e Pejgamberit tuaj, unë nuk mund ta arrij atë”.
Nëse Ebu Bekri nuk ishte në gjendje të arrinte dhe ta realizonte Sunetin e Profetit, atëherë si mund të pretendojnë vetë ndihmësit dhe pasuesit e tij se ata janë Ehli sunet (ithtarë të Sunetit).
Ndoshta ai nuk mund ta arrijë atë, ngase Suneti i kujton devijimin dhe largimin e tij nga bartësi i Relevatës, e nëse nuk është kështu, si do t'i interpretojmë fjalët e Allahut:
“Dhe në fe nuk ju është urdhëruar asgjë e vështirë.” Haxhi, 78
"Allahu dëshiron t'jua lehtësojë gjërat, jo që ju të keni vështirësi."
Bekare, 185
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive të tij.” Bekare, 286
Dhe në fund me fjalën e të Lartësuarit:
"Merreni atë që ju jep Profeti dhe braktisni atë që ju ndalon." Hashr, 7
Fjalët e Ebu Bekrit, se ai nuk është në gjendje të arrijë Sunetin e Profetit, janë përgjigja e në këto ajete. Nëse Ebu Bekri, kalifi i parë pas Profetit, nuk mund të arrinte Sunetin e tij në atë kohë, atëherë si mund t'u kërkohet muslimanëve sot që të vendosin autoritetin e Allahut sipas Librit të Tij dhe Sunetit të Profetit të Tij?!
Ne konstatojmë madje se Ebu Bekri e kundërshtoi Sunetin e Profetit për disa çështje të vogla që ishin të njohura për njerëzit edhe më pak të ditur.
Ebu Bekri e la kurbanin dhe nuk e theri, edhe pse i Dërguari i Zotit e theri. Këta muslimanë e dinë se kurbani është një sunet mustehab dhe një sunet i vërtetuar, e si ka mundur halifi i muslimanëve ta braktisë një akt të tillë?!
Në librin El-Umm të Shafiut ndërsa e transmetojnë edhe muhadith të tjerë:
"Ebu Bekri dhe Omeri nuk e therën kurban, nga frika se mos do t'i ndjekë bota dhe se ata që i shohin duke e bërë atë, do të mendojnë se është vaxhib (obligim) për ta bërë."
(Es-Sunenu-l-kubra, Bejheki, 9/265; Jamu-l-Jewami, Sujuti, 3/45)
Ky interpretim nuk është i saktë dhe as nuk bazohet në prova. Të gjithë sahabët e dinin nga Pejgamberi s.a.v.a. se kurbani është sunet dhe jo vaxhib. Cila është pasoja nga supozimi se njerëzit do të mendojnë se therrja e kurbanit është vaxhib.
Ne kemi parë se si Omeri shpifi faljen e namazit të teravive me xhemat, që nuk është as sunet e as vaxhib, ndërsa Profeti gjithashtu e ka ndaluar atë. Përkundër kësaj, shumica e Ehli Sunetit dhe Xhematit sot mendojnë se namazi i teravive është vaxhib.
Ndoshta Ebu Bekri dhe Omeri, duke lënë Sunetin e Profetit për kurbanin, kanë dashur t'u paraqesin njerëzve se çdo gjë që bëri i Dërguari i Zotit nuk ishte vaxhib dhe mund të lihej dhe të shpërfillej.
Me këtë u vërtetuan fjalët e tyre: “Na mjafton Libri i Allahut”. Po ashtu edhe fjalët e Ebu Bekrit: “Mos transmetoni asgjë nga Pejgamberi dhe thuaj: “Para nesh dhe para jush është libri i Allahut, merreni për hallall atë që është hallall në të dhe për haram atë që është haram në të”.
E nëse dikush tani do t'i sillte dëshmi Ebu Bekrit për kurbanin nga Suneti i Profetit, për shembull, përgjigja e Ebu Bekrit do të ishte: "Mos më thuaj asgjë nga Profeti, më jep dëshmi për kurbanin nga Libri i Allahut!"
Pas kësaj, lexuesi kupton pse Suneti i Profetit mbeti i panjohur për ta dhe u la mënjanë, dhe pse ata ndryshuan urdhërat e Allahut dhe porositë e të Dërguarit të Tij me mendimet e tyre, kijasin dhe me atë që përputhej me dëshirat e tyre.
Këta shembuj që përmendëm janë vetëm një pikë në detin e asaj se si u soll Ebu Bekri ndaj Sunetit të Profetit, duke nënçmuar, djegur dhe neglizhuar atë. Nëse donim të shkruanim për këtë, duhet të shkruanim një libër më vete.
Si mund të jetë i kënaqur njeriu me një person me këtë dituri dhe këtë qëndrim ndaj Sunetit të Profetit dhe si mund të quhen pasuesit e tij Ehli sunet?!
Ehli suneti, ithtarët e Sunetit, nuk do ta neglizhonin atë Sunet dhe nuk do ta digjnin atë.
Aspak, pasuesit e sinqertë të Sunetit janë ata që e ndjekin dhe e madhërojnë atë.
“Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua dhe Allahu do t'ju dojë dhe do t'jua falë mëkatet tuaja!” - e Allahu është Falës dhe Mëshirues. “Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!” E nëse ata kthejnë kokën, vërtet, Allahu nuk i do jobesimtarët.” Ali Imran, 31-32.