Burimet e legjislacionit te shiat

Ai që me kujdes e studion fikhun e shiave, do të zbulojë se në të gjitha dispozitat e fikhut, përveç fenomeneve të reja (Me këtë nënkuptojmë ixhtihadin e ulemave për atë që nuk ka asnjë ajet apo hadith dhe për atë se çfarë ndodhi pas mungesës së imamit të dymbëdhjetë. ), ata i referohen Pejgamberit, s.a.v.a., përmes dymbëdhjetë imamëve të Ehli Bejtit, paqja qoftë mbi ta!

Ata kanë vetëm dy burime të legjislacionit, përkatësisht: Kur'anin dhe Sunetin. Burimi i parë është Kurani Famëlartë, dhe burimi i dytë është Suneti i Pejgamberit, salavatet më të mira dhe selamet më të pastra qofshin mbi të!

Kështu thonë shiat, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Në fakt, këto janë fjalë të Imamëve të Ehli Bejtit dhe asnjëri prej tyre nuk nxorri ndonjë dispozitë sipas gjykimit të tij.

Kur e zgjodhën për kalif Imamin e parë, Ali ibn Ebi Talibin, i vunë atij një kusht, për të gjykuar sipas Sunetit të dy shejhëve, përkatësisht Ebu Bekrit dhe Omerit. Në përgjigjen e tij Imami u tha:

"Unë do të gjykoj vetëm sipas Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij."

Më vonë do të flasim për faktin se Imam Aliu, paqja qoftë mbi të, i përmbahej gjithmonë Sunetit të Profetit dhe u përpoq me të gjitha forcat që t'i kthente njerëzit në Sunet, gjë që nxiti hidhërimin e Kalifit dhe refuzimin e njerëzve ndaj tij për shkak të vendosmërisë dhe përkushtimit të tij në ndjekjen dhe respektimin e sunetit të Pejgamberit s.a.v.a.

Imam Bakiri shpesh thoshte:

“Nëse ne do të kishim shpikur sipas gjykimit tonë, do të kishim humbur rrugën, ashtu siç humbën ata para nesh. Por ne ju paraqesim shpjegimin dhe argumentet nga Zoti ynë, ndërsa ato na i shpjegoi Profeti.”

Një herë tjetër tha:

“O Xhabir, sikur të flisnim me ty sipas mendimit dhe dëshirave tona, do të dështonim. Por ne po ju tregojmë sipas haditheve që i ruajtëm nga i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., ashtu siç ruajnë arin dhe argjendin”.

Ja çfarë thotë Imam Xhafer Sadiku:

“Pasha Allahun, ne nuk themi asgjë sipas dëshirës dhe mendimit tonë. Ne nuk themi asgjë, përveç asaj që tha Zoti ynë. Sa herë që të përgjigjem, dije se është nga i Dërguari i Allahut dhe ne nuk themi asgjë sipas mendimit tonë”.

Sa i përket asaj se kush ishin imamët e Ehli Bejtit, këtë e dinë ulemaja ndërsa për asnjërin prej tyre nuk shënuan të kenë thënë diçka sipas mendimit të tyre apo kijasit apo diçkaje tjetër, përveç Kuranit dhe Sunetit.

Le të kthehemi te autoriteti i madh, një bashkëkohës, Ajatollah Muhamed Baqir Sadr, i cili thotë në Fikhun e tij të ibadetit dhe mu'amalatit në të cilin shprehimisht thotë:

“Në fund, e konsiderojmë të nevojshme të theksojmë shkurtimisht burimet në të cilat jemi mbështetur kryesisht gjatë nxjerrjes së këtyre fetvave, dhe siç e kemi përmendur tashmë, ato janë Kurani Famëlartë, Suneti i Profetit i transmetuar përmes transmetuesve të besueshëm dhe të devotshëm, pa marrë parasysh medhhebit që i përkasin.

(Shikoni se si dijetarët shia marrin nga të besuarit dhe të devotshmit, pa marrë parasysh se çfarë medhhebi janë ata. Kjo është përgjigja për ata që thonë se shiat nuk u besojnë sahabëve. Shiat refuzojnë të pranojnë një hadith nga sahabët nëse bie ndesh me një hadith nga Imami.)

Dhe sa i përket metodave të kijasit dhe istihsanit dhe të ngjashmeve me to, ne nuk e konsiderojmë të ligjshme të mbështetemi në to.

Për sa i përket provës racionale, në të cilën muxhtehidët dhe muhadithët patën mospajtime, se a lejohet të punohet me të, së pari, ne, edhe pse besojmë se lejohet të punohet me të, nuk kemi hasur në ndonjë rregull, vërtetimi i të cilit varet nga ky lloj i provave, porse çdo gjë që vërtetohet me dëshmi racionale, në të njëjtën kohë vërtetohet nga Kur'ani dhe Suneti.

Sa i përket asaj që quhet ixhma (konsensus), nuk mund të përdoret si burim përkrah Kuranit dhe Sunetit dhe nuk duhet të merret si mbështetje, përveçse në disa raste - kur përdoret si mjet konfirmimi.

Kështu, dy burimet e vetme janë Kur'ani dhe Suneti dhe me përulësi e lusim Allahun që të na bëjë nga ata që u përmbahen atyre. Dhe kushdo që u përmbahet këtyre të dyjave, mban lidhjen më të fortë që nuk prishet. Dhe Allahu dëgjon dhe di çdo gjë”.

 (El-Fetava, Dëshmori Bakir Sadr, f. 98.)

Po, kjo praktikë është e përhapur te shiat, në kontinuitet deri më sot, dhe se ata mbështeten vetëm në Kur'an dhe Sunet. Ne nuk do të gjejmë te ata asnjë fetva si rezultat i kijasit apo istihsanit. Është e njohur historia e Imam Sadikut me Ebu Hanifin dhe se si e ndaloi të bënte kijas duke thënë:

“Mos e krahasoni njërën me tjetrën (mos aplikoni analogji) në fenë e Allahut, sepse nëse Sheriati bazohet në krahasim, ai shkatërrohet. I pari që përdori një analogji dhe krahasoi ishte Iblisi kur tha: 'Unë jam më i mirë se ai (Ademi). Mua më krijove nga zjarri e atë nga balta”.

Këto janë burimet e legjislacionit te shiat, që nga koha e Imam Aliut deri në kohën tonë. Ndërsa cilat janë burimet e legjislacionit te Ehi Suneti?