Vizita parë në Irak

 

Prej Damasku në Irak udhëtuam me autobus të kompanisë internacionale Naxhaf në temperaturë prej 40 gradësh. Shtëpia tij gjendej në kuartin Xhamilah në pjesën e qytetit të quajtur Së pari vendosëm të pushojmë në dhomën me ventilator. Miku më dha të veshi këmishën e quajtur "dishdasha", e cila ishte mjaft komode. Gjithashtu për mua kishin sjellur ushqim dhe pemë. Pastaj filluan të vinë pjestarët e familjes për të më përshëndetur dhe për t'u njoftuar me mua.

 

Nuk mund të mos përmend respektin që shprehej nga sjelljet e fjalët e tyre. Babai tij më përshëndeti dhe më përqafoi sikur të ishim njohur që moti. Nëna e mikut, e cila qëndronte në derë me një fustan të gjatë ngjyrë të zezë, gjithashtu më përshëndeti dhe më dëshiroi mirëseardhje. Miku kërkoi ndjesë në emër të saj që nuk më përshëndeti për dore, nga se kjo ishte e ndaluar. Kjo sjellje e tyre më preku ashtu që në vete mendova: më duket se këta njerëz, të cilët i akuzojnë se e kanë lëshuar besimin, janë më besimtarë se na. Gjatë kohës së udhëtimit të përbashkët vetë kam qenë dëshmitar i sjelljes bujare, maturisë dhe zemërgjerësisë së mikut tim.

 

Gjithashtu kisha vërejtur modestinë dhe devotshmërinë, që nuk e kisha parë te asnjë njeri që kisha takuar gjer tani. Këtu nuk ndjehesha si i huaj, por përkundër, ndjehesha si në shtëpinë time. Kur u lëshua nata shkuam në dhomën e vogël nën çati, ku na kishin përgaditur shtretërit. Nuk më mori gjumi aq lehtë, nga se më kishte kapluar një shqetësim i madh: a ishte e vërtetë se ndodhesha në Bagdad, vendlindjen e të madhit Abdulkadir Xhilanit?

 

Miku vetëm buzëqeshi kur i tregova çka mendojnë njerëzit në Tunis për Abdulkadër Xhilanin. Fillova t'i tregoj për mrekullitë që i përshkruhen dhe vendet që mbanin emrin sipas tij. I tregova se ai është, "qendër e rrethit" dhe se ai është sufiu më i madh, siç është Muhammedi, i dërguari i Allahut, s.a.a., pejgamberi më i madh. U mundova ta bind se shejh Abdulkadiri viziton ithtarët e tij, se i shëron kur janë të sëmurë dhe i ngushëllon kur janë të pikëlluar. Ndofta për një çast harroja mësimin e vehabijve, të cilët thon se e gjithë kjo është vetëm shirk (përshkrimi i vetive hyjnore personave ose objekteve tjerë). Kur hetova mungesën e gëzimit në fytyrën e tij, fillova të pyes veten a ishte tërë ajo që e fola e saktë.

 

Atëherë e pyeta për mendim. Miku qeshi dhe më tha: - Sonte pushoni mirë, kurse nesër, nëse dëshiron Allahu, Te`ala do të shkojmë ta vizitojmë kaburin e shejh Abdulkadërit. Isha i gëzuar nga ky lajm dhe dëshiroja të kishte aguar që tani. Nga lodhja e tepërt më kishte zënë një gjumë i thellë dhe u zgjova vetëm kur rrezet e diellit më ranë në fytyrë, pra kisha lëshuar namazin e sabahit. Miku më tha se kishte tentuar të më zgjonte disa herë, por pa sukses, andaj më kishte lënë të pushoj.