Kur ta përmendim Kurani, athua pse na bie ndër mend Ehli Bejti?
Kur t’i shikojmë librat burimor sahih të haditheve do të vërejmë një hadith shumë të rëndësishëm që është përgjigja në pyetjen tonë:
“Në mesin tuaj po ju lë dy gjëra me rëndësi të pakrahasueshme: Libri i Allahut që është i mbushur përplot me udhëzime dhe Ehli Bejtin tim. Këta do të bashkohen me mua te burimi i Kevtherit dhe deri atëherë nuk do të ndahen njëri prej tjetrit”.
Ndërsa, te Sahihi i Muslimit është edhe një pjesë e këtillë:
“...po ju përkujtoj që tani për dënimin e Allahut për shkak të qëndrimit tuaj kundrejt Ehli Bejtit tim”.
Këtë pjesë e ka përsëritur tri herë i Dërguari (s.a.v.)!
Para se të japim burimet e hadithit, dëshirojmë t’ju tërheqim vëmendjen në lidhje me rëndësinë e kohës dhe vendit të thënies së hadithit. Sipas rrëfimeve sahih këtë hadith i Dërguari (s.a.v.) e ka thënë gjatë kohës së haxhit lamtumirës përpara dhjetëra mijëra haxhive.
Përveç kësaj, ky hadith është aq i shquar në histori sa që dihet edhe data e saktë e shqiptimit të hadithit.
Në vitin e dhjetë të Hixhrit, në muajin Zilhixhe, i Dërguari (s.a.v.) kishte shkuar në haxhin lamtumirës me një grup të të afërmve dhe të myslimanëve. Në Meke e kishte kryer haxhin dhe ishte duke u kthyer në Medine. Ai ishte duke kaluar afër një liqeni me emrin Gadir Hum të krahinës Xhuhfe dhe erdhi urdhri i shpalljes që të ndalet aty.
Në një skaj të liqenit u përgatit një vend për të Dërguarin (s.a.v.) nën hijen e drunjve. Ishte koha e namazit të drekës të një dite të nxehtë verore. Njerëzit i shtrinin teshat e tyre mbi rërë që të mund të uleshin. I Dërguari (s.a.v.) e fali namazin e drekës dhe hipi mbi një mimber të përgatitur aty për aty për t’iu drejtuar 90 – 120 mijë myslimanëve.
Afër vetes e morri Hz Aliun dhe tha:
“O njerëz! Shumë shpejt do të ndahem prej juve. Sigurisht, që do t’i përgjigjem thirrjes së Zotit tim. Më mesin tuaj po ju lë dy gjëra, vlera dhe rëndësia e të cilëve nuk mund të matet me asgjë, dhe kurrë nuk do ta humbni rrugën përderisa të kapeni për to. E para është libri i Allahut që përmban udhëzim dhe e dyta është Ehli Bejti im. Këto nuk do të ndahen njëra prej tjetrës deri në Ditën e Kiametit”.
Pastaj, e morri dorën e Imam Aliut dhe e ngriti lart. Aq shumë e ngriti sa që mund të shiheshin sqetullat e ty dyve, dhe tha:
“O njerëz! Kush është më i afërmi i besimtarëve?”.
Të gjithë të pranishmit thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”.
Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) vazhdoi: “Padyshim që udhëheqësi (mevla) im është Allahu. Unë jam udhëheqësi i besimtarëve dhe më i afërmi i tyre. Udhëheqësi i kujt jam unë edhe Aliu është udhëheqësi i tij."
Këtë e përsëriti i Dërguari (s.a.v.) tre apo katër herë përpara dhjetëra mijëra myslimanëve dhe pastaj i qoi duart kah qielli, duke e bërë këtë lutje.
“O Allahu im! Kush e pranon Aliun, edhe Ti pranojë atë dhe kush e urren Aliun, urreje edhe Ti atë! Kush e ndihmon Aliun, ndihmoje edhe Ti atë, kush e poshtëron Aliun, poshtëroje edhe Ti atë dhe, bashkoje gjithnjë të vërtetën me Aliun! Ata që janë prezent le t’i tregojnë atyre që nuk janë prezent!”.
Mbas kësaj, të gjithë të pranishmit filluan që ta urojnë Imam Aliun. Prej të parëve që ia uruan ishin Ebu Bekri dhe Ymeri. Ymeri tha:
“Urime për ty, urime për ty o djali i Ebu Talibit. Sot ke gdhirë si udhëheqësi im dhe i tërë myslimanëve”.
Ky hadith është transmetuar në shumë libra burimore në forma të ndryshme. Hadithin e përcjellin 110 sahabe dhe të gjitha këta sahabe e kanë përcjellë ngjarjen e Gadir Humit të tjerëve mbas tyre. Prej tabiinëve (ata që i kanë parë sahabet) këtë hadith e kanë transmetuar 84 prej tyre. 360 dijetar të mëvonshëm e kanë përmendur këtë hadith në librat e tyre. Vetëm për hadithin e Gadir Humit janë shkruar 26 libra.
Shprehjet që përmenden në hadith mund të kuptohen nga ana e të gjithëve. Kurani dhe Ehli Bejti janë të lidhur njëri me tjetrin dhe nuk do të ndahen deri në Ditën e Kiametit. Nëse lidhemi vetëm për njërin, kurrë nuk mund ta gjejmë rrugën e drejtë.
Për këtë ekziston shprehja e qartë në hadith. Atëherë, si duhet që të lidhemi për Ehli Bejtin dhe Kuranin?
Në hadithin që e përcjellë Tabarani, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Mos tentoni që t'i mësoni ata sepse ata janë më të ditur se ju“.
Dituria e Ehli Bejtit sigurisht që është prijëse edhe për Kuranin. Allahu i Lartësuar ka thënë në shumë vende se, përveç të tjerave, në Kuran ka edhe dituri. Mbasi që na është dhënë si amanet Kurani dhe dituria e tij, si dhe Ehli Bejti që është i lidhur për të, atëherë si mund të jetë e drejtë kërkimi i diturisë në ndonjë vend tjetër jashtë Ehli Bejtit?
Për Kuranin na është bërë e ditur nga ana e Allahut se është i përkryer, atëherë a nuk duhet që të jetë i përkryer edhe Ehli Bejti që është i lidhur për të deri në Ditën e Kiametit?
A është e logjikshme që një i mangët ta përfaqësojë një të përkryer?
Kurani është i pastër prej të gjitha dyshimeve dhe për këtë ekziston një dëshmi hyjnore. Krahas kësaj, edhe Ehli Bejti është i pastër prej të gjitha dyshimeve. Nuk mund të mendohet që njëri të ndikojë në paraqitjen e dyshimit brenda tjetrit sepse, e mangëta nuk mund ta pranojë brenda vetes të përkryerën. Allahu i Lartësuar na thotë:
“Padyshim, se ky është një Kuran i pastër dhe i ndershëm dhe se atë nuk mund ta prekë askush tjetër përveç të pastërve” (Vakia, 77-79).
Nuk mund të japim ndonjë gjykim duke e shikuar vetëm anën e jashtme të këtij ajeti, sepse Kuranin mund ta prekin edhe ata që janë të pastër, edhe ata që nuk janë të pastër. Për të kuptuar kuptimin e vërtetë të ajetit duhet që ta përdorim tevilin.
Brenda Kuranit janë përfshirë vetëm pesë persona që janë të pastër prej të gjitha papastërtive. Në lidhje me këtë, kemi folur më hollësisht më lart dhe kemi thënë se Ehli Bejti përbëhet prej pesë personave. Kjo është përmendur në Suren Ahzab, ajeti 33:
“O Ehli Bejt! Allahu dëshiron t’ju pastrojë deri në skaj prej të gjitha papastërtive”.
Tani, nëse kthehemi te papastërtia që përmendet në ajetin e mësipërm, a është e mundur që të japim kuptimin e këtij ajeti në këtë mënyrë: Vetëm ata që e kanë të pastër brendësinë e tyre mund ta arrijnë diturinë e Kuranit. Dhe, këta janë vetëm Ehli Bejti dhe askush tjetër.