Mësimi tre


ALLAHU NA FTON PËR TEK AI

 

Si na fton Allahu?

Përse na fton Allahu?

Për çfarë është kjo ftesë? 

 

Si na fton Allahu?

 

Allahu na ka krijuar dhe na ka përcaktuar qëllimin e krijimit tonë, kur thotë:

"Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë Mua."

 (Edh Dharijat (Surja 51), ajeti 56.)

 

Kurse në hadithin kudsi thuhet: "Unë qeshë thesar i fshehur dhe desha të më njihnin; prandaj Unë e krijova çdo krijesë, në mënyrë që të mund të më njohë…" Për Allahun që na ka krijuar, ne jemi të panevojshëm. Ai nuk ka nevojë të na krijojë. Ai është Bujari pa kufi. Ai na jep çfarë duam dhe çfarë është në Dorën e Tij. Njohja e Allahut është nga mirësitë më të mëdha që na është dhënë. Allahu na ka krijuar për këtë mirësi të madhe dhe për këtë qëllim të madh. Ai na do ne, prandaj na e ka dhënë këtë mirësi:

"Kur robtë e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua…"  (El Bekare (Surja 2), ajeti 186)

 

Allahu është afër, por robtë e tij janë larg…

"Ti nuk e fsheh Veten nga krijesat e Tua, në qoftë se veprat e tyre të këqija nuk i bllokojnë ato nga Ti."  (Du'aa Abi Hamzah al Thumali Al Mafatih)

 

Madje, Allahu na fton ta njohim Atë dhe na fton ta duam Atë. Ai na fton t'i afrohemi Atij shpirtërisht dhe ta shtojmë dijen tonë për Të dhe ta gëzojmë këtë dije.

Allahu kurrë nuk lë asgjë pa dëshmi në të, që flet për aftësinë, urtësinë, diturinë dhe bujarinë e Tij. Le ta dëgjojmë Imam Zein el Abidinin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), kur thotë:

"Me Ty unë të njoh Ty. Ti më tregove dhe më drejtove tek Ti. Ti më ftove tek Ti. Po të mos ishe Ti, unë nuk do të të njihja Ty."  (Du'aa Abi Hamzah al Thumali)

 

E gjithë ekzistenca na fton tek Allahu dhe nga thellësitë tona një zë i brendshëm na fton tek Allahu:

"Dija ime, o Zoti im është ajo që më drejton për tek Ti dhe dashuria ime është ndërmjetësuesi im për tek Ti dhe unë besoj te dëshmia ime me udhëheqësínë Tënde dhe ndihem komod për  ndërmjetësuesin tim me ndërmjetësinë Tënde." (Du'aa Abi Hamzah al Thumali.)

 

Gjithçka brenda kësaj ekzistence na fton tek Allahu dhe na udhëheq për tek Ai: lulja, bleta, atomi, një galaktikë brenda një universi dhe thellësia e shpirtit tonë. Po t'i ndjekim këto gjëra, do të gjejmë se të gjitha ato janë ftesa të vulosura me vulën e Allahut dhe janë prova për tek Allahu. Le të dëgjojmë lutjen e Imam Huseinit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) në Ditën e Arafatit:

"O Zot! Nga ndryshimi i gjërave dhe lëvizja e këtyre gjërave unë mësova se qëllimi Yt është të dish gjithçka për mua, në mënyrë që të mos jem i pavetëdijshëm për diçka për Ty." 

(Bihar Al Anuar, vol. 95, f. 225.)

 

Përse na fton Allahu?

 

Allahu është Zoti i të gjitha botëve, domethënë Ai administron dhe drejton punët e njerëzve dhe universi është vetëm në Dorën e Tij. Ai ka rregulluar dhe ka organizuar universin, ka krijuar Diellin dhe Hënën dhe i ka bërë të punojnë për ne. Ai mban qiejt, i bën ata të lëshojnë shi dhe të rriten bimët.

Për çdo gjë që ne kemi nevojë, Allahu e ka bërë të punojë për ne. Allahu është  Zoti, domethënë, lindja e njerëzve dhe e qenieve të tjera është në Dorën e Tij. Ai na udhëheq për të arritur qëllimin e ekzistencës sonë: lumturinë. Qëkur jemi krijuar dhe jemi formuar brenda mitrave të nënave tona e deri në vdekje, Allahu kujdeset për ne dhe na i plotëson nevojat tona fizike, pa i harruar nevojat tona shpirtërore.

 

Ashtu siç na ka dërguar shiun, na ka dërguar udhëheqësínë, librat e shenjtë. Ashtu siç ka krijuar Diellin që ndriçon dhe Hënën që ndrit, Ai na ka dërguar Profetët, të Dërguarit dhe Imamët. Ashtu siç na jep ushqim dhe ujë, siç thotë Ibrahimi (paqja e Allahut qoftë mbi të!), "Ai që më jep ushqim dhe ujë dhe kur jam sëmurë, është Ai, i Cili më shëron mua" (Esh Shuara (Surja 26), ajeti 79 - 80.)

, është Ai, i Cili na udhëzon, na edukon dhe na pastron. "

 

"Prandaj friksojuni Allahut, sepse është Allahu Ai që ju mëson ju." (El Bekare (Surja 2), ajeti 282.)

"… Por Allahu pastron kë do Ai…" (En Nur (Surja 24), ajeti 21.)

Ja përse lexojmë "Zoti i atyre që bëjnë sexhde": "O Zot! Unë jam i riu, të cilin Ti e ke lindur dhe unë jam i padituri, të cilin Ti e ke mësuar dhe unë jam i paudhëzuari, të cilin Ti e ke udhëzuar…" 

(Du'aa Ebi Hamzah al - Thumali.)

 

Në saje të mëshirës, dhembshurisë dhe urtësisë së Allahut dhe meqë Ai është Zoti, që është Mësues, Ai na fton ta njohim Atë dhe t'i afrohemi sa më shumë Atij me mendjet dhe me zemrat tona:

"O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton ju për atë që do t'ju japë jetë…!" (El Enfal (Surja 8), ajeti 24.)

 

Pra, Allahu na fton te jeta; na fton të jemi ndër ata që jetojnë…

 

Për çfarë është ftesa?

 

Le ta shohim edhe njëherë ajetin e mëparshëm: "O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton ju për atë që do t'ju japë jetë…!" A nuk na bën ky ajet të pyesim dhe të habitemi? Përse, a nuk jemi të gjallë?! Atëherë, cili është kuptimi "për atë që do t'ju japë jetë…"? Le ta shikojmë jetën që bëjmë. Me atë vështrimin tonë të shkurtër, shikojmë se shenjat e jetës janë rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja. Ky është gjykim mjekësor. Të tjerët mendojnë se shenjat e mbijetesës janë ushqimi, uji dhe martesa. Po për Allahun, i Cili ka krijuar jetën dhe vdekjen, cila është jeta e vërtetë? A është jeta e kafshëve?

Allahu gjithmonë e ka mohuar këtë lloj jete. Ajo është jeta e atyre që e mohojnë Besimin. Ajo është jetë shtazarake. Jeta e vërtetë është ajo e mendjes me vetëdije dhe me shpirt. Përndryshe, kushdo që dëgjon dhe nuk përfiton nga ky dëgjim, është i shurdhët. Dhe kushdo që shikon dhe nuk e përdor këtë shikim, është i verbër. Kështu është edhe për këdo që nuk përfiton asnjëherë nga jeta e tij dhe nuk kthehet nga drita e udhëheqësísë së Allahut e nuk i dëgjon asnjëherë fjalët e Tij. Për Allahun, ky lloj njeriu është i vdekur.

"Sigurisht që ti (Muhamed), nuk mund t’i bësh të vdekurit të dëgjojnë, as nuk mund t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë thirrjen tënde, kur të kthejnë shpinën." (En Neml (Surja 27), ajeti 80.)

 

Një shpirt që ka humbur Besimin dhe që nuk ka përfituar kurrë nga thirrjet e udhëheqësísë së Allahut, është, vërtet i vdekur. Dhe çfarë vdekjeje! Prandaj, ne jemi të vdekur në qoftë se nuk i përgjigjemi asnjëherë thirrjes së Allahut. Ne jemi të vdekur nëse nuk i përgjigjemi asnjëherë ftesës së Allahut dhe nëse nuk përfitojmë asnjëherë nga dritat e udhëheqësísë së Allahut. Që ta kthejmë vdekjen tonë në jetë të vërtetë, ne duhet të shohim vetet tona dhe t'i bëjmë vetet tona që t'i dëgjojnë fjalët e Allahut dhe fjalët e të Dërguarit të Tij. Kjo është mënyra se si ne ta lëmë errësirën e paditurisë dhe të vdekjes dhe të marrim dritën e diturisë dhe të jetës:

"A mundet që ai që ishte i vdekur dhe Ne i dhamë jetë dhe një dritë, ku ai mund të ecë ndërmjet njerëzve, të jetë si ai që është në thellësitë e errësirës, nga e cila ai kurrë nuk mund të dalë?" 

(El En’am (Surja 6), ajet 122.)

 

Sa jetë ka ndrequr vdekja sepse në fakt, ato ishin vetëm torturë, ngaqë ata i kishin kthyer shpinën thirrjes së Allahut. Ai që bën një jetë të tillë, kurrë nuk i dëgjon ajetet e udhëheqësísë së Allahut, nuk e ndien dhembjen e dënimit ose nuk largohet nga ajo që bën:

"Kushdo që i kthen shpinën Fjalës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Ringjalljes, do ta ringjallim të verbër." (Ta Ha (Surja 20), ajeti 124)

 

Vdekje të tjera do të ndryshojnë e do të bëhen jetë. A nuk ka thënë Allahu, "

Kushdo, mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të re, një jetë që është e mirë dhe e pastër…"? (En Nahl (Surja 16), ajeti 97.)

 

Allahu na fton të jetojmë një jetë të mirë, që është kaq e ndryshme nga jeta shtazarake. Është një jetë, në të cilën ne kemi sigurinë dhe shpëtimin. Është një jetë që është e përjetshme sepse atëherë, do të na mbulojë dhe do të na bekojë dashuria e Allahut dhe do t'i afrohemi Atij më shumë, Atij i Cili ka në Dorën e Tij jetën dhe vdekjen tonë.

 

Përfundim:

 

I dashur lexues! Nëse Allahu, Zoti i trupave tanë, është Ai i Cili na jep ushqimin dhe gjërat e domosdoshme dhe Ai i Cili është Zoti i mendjeve tona, që na mëson dhe na udhëzon, atëherë a nuk e meriton Ai ta dëgjojmë Atë dhe t'i bindemi Atij?

"Thuaj: 'A mos vallë do të kërkoj unë tjetër zot, përveç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje? Kushdo që bën diçka, e bën për vete: askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Në fund të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj dhe Ai do t’ju tregojë të vërtetën e kundërshtive që kishit mes jush.'" 

(El En’am (Surja 6), ajeti 164.)

 

Përmbledhje:

 

Allahu na ka krijuar dhe na ka caktuar qëllimin në Librin e Tij të Shenjtë: Ai na ka krijuar që ta adhurojmë Atë. Allahu na fton ta njohim Atë, ta duam Atë dhe t'i afrohemi Atij. Kështu ne do të mund ta njohim më shumë Atë dhe t'i afrohemi më shumë Atij.

 

Gjithçka brenda kësaj ekzistence na fton për tek Allahu dhe na drejton tek Ai: lulja, bleta, atomi, galaktika, universi. Të gjitha këto janë vulosur me vulën e Allahut. Ne jemi të vdekur në qoftë se nuk i përgjigjemi thirrjes së Allahut dhe në qoftë se nuk përfitojmë nga dritat e udhëheqësísë së Allahut. Ne duhet të dalim nga errësira e padijes dhe e vdekjes në dritën e Allahut, të dijes dhe të jetës.

 

Pyetje:

 

A na fton gjithçka në univers të adhurojmë Allahun?

Cila është ajo jetë e mirë për të cilën na fton Allahu?

Thoni i Vërtetë ose i Gabuar në pohimet e mëposhtme:

a. Qëllimi kryesor i krijimit të njeriut është të vijë dhe të hyjë në qiej. 

b. Allahu ka sjellë të Dërguarit e Tij dhe drejtues që vetëm na këshillojnë.

c. Çdo njeri ka vetëm një jetë. 

ç. Jeta, tek e cila na fton Allahu, është jeta e lumturisë së përjetshme.

 

LEXIM PLOTËSUES

Sejjid Bahr el Ulum provon të ndjerin Narakki

 

I ndjeri Mulla Mehdi Narakki qe dijetar në shumë shkenca. Ai ka shkruar librin 'Xhami'a Al Saadat' për moralin dhe pastrimin e vetvetes. Një kopje të këtij libri ia dërgoi Sejjid Bahr el Ulumit në Nexhefin e Shenjtë. Më vonë, ai udhëtoi për të vizituar xhaminë dhe vendprehjen e imam Aliut në Nexhef dhe hyri në qytet. Meqë kishte pozitë të lartë, e vizituan dijetarë. Kurse, Sejjid Bahr el Ulumi nuk shkoi ta vizitonte. Ditë më vonë,

 

Narakki e vizitoi Sejjid Bahr el Ulumin, por ky nuk i kushtoi atij asnjë vëmendje. Përsëri, Narakki i bëri një vizitë Sejjid Bahr el Ulumit në shtëpinë e tij dhe ndenji një orë me të. Kjo vizitë nuk qe më e mirë se ato të mëparshmet, meqë Sejjid Bahr el Ulumi nuk i kushtoi shumë vëmendje Narakkit. Një herë tjetër, Narakki e vizitoi Sejjid Bahr el Ulumin pa e pasur në mendje se kjo vizitë do të ishte më e mirë se vizitat e mëparshme. Kjo qe hera e tretë.

 

Kur ai kërkoi lejen për të hyrë dhe për të takuar Sejjid Bahr el Ulumin, ky i dyti erdhi zbathur për ta pritur mikun e tij këtë herë, e përqafoi ngrohtësisht mikun e tij dhe madje, e puthi atë. Pastaj me respekt e ftoi të hynte.

Sejjid Bahr el Ulumi nisi bisedën me Narakkin:

"Ju keni shkruar një libër të madh për moralin dhe për vetëpastrimin dhe më keni dërguar një kopje të tij. Unë e kam lexuar të gjithë librin me kujdes. Ai është, vërtet një libër shumë i rrallë dhe shumë i dobishëm. Unë nuk kam ardhur për t'ju parë qëkur mbërritët në Nexhef. Nuk ju kam kushtuar vëmendje qëllimisht sepse kam dashur t'ju provoj nëse, vërtet ju e zbatoni atë që keni shkruar në libër apo jo. Ju keni arritur nivelin më të lartë të vetëpastrimit. Ju, vetë jeni një libër i moralit që u tregoni rrugën të tjerëve me sjelljen tuaj dhe jo me librin tuaj."