Mësimi nëntë:


RRUGA PËR TEK ALLAHU (PJESA I)

Profeti

(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

 

Cila është rruga midis Allahut dhe krijesave të Tij?

Cila është rruga midis krijesave dhe Krijuesit?

Cila është pozita e të Dërguarve? 

 

Cila është rruga midis Allahut dhe krijesave të Tij?

 

Kur lind fëmija, prindërit lumturohen. Ata e ushqejnë me qumësht me shumë kujdes dhe me dashuri. Ndërkohë që fëmija rritet dhe i dalin dhëmbët, lumturia e tyre shumëfishohet. Kur nis të belbëzojë, prindërit i flasin me dashuri dhe përpiqen t'i mësojnë fjalë të tilla, si mami dhe babi. Sigurisht, ata gëzohen pa masë, kur ai i shqipton për së pari këto fjalë. Ndërkohë, ata vazhdojnë të kujdesen derisa ai të bëhet i aftë të marrë përgjegjësitë e jetës dhe të   sillet mirë, që ai të mos shkojë në rrugë të gabuar në këtë det të madh të jetës. Allahu i Gjithëfuqishëm kujdeset për njerëzit.

Ai e ka bërë trupin e njeriut të tillë që të rritet. Ai i ka krijuar njerëzit ta njohin Atë. Allahu e ka pëlqyer shumë ta krijojë njeriun që ta udhëzojë dhe ta drejtojë për te Krijuesi i tij dhe të kujdeset për shpirtin e tij dhe fenë e tij, meqë Ai ka bërë të tjerë të kujdesen për të në jetën e tij. Allahu do që njerëzit ta njohin Atë dhe t'u flasë me dashuri, siç i flet me dashuri një nënë fëmijës së saj. Duhet të ketë një ndërmjetës te njerëzit, siç është gjuha e nënës, që i jep dashurinë fëmijës së saj. Në të njëjtën mënyrë u flet Allahu njerëzve: nëpërmjet të Dërguarve, të cilët janë të çiltër dhe besnikë kur ua përcjellin fjalët e Krijuesit krijesave të Tij.

Meqë njerëzit janë njerëz, ata kanë nevojë për të tjerë t'u flasin atyre, që të mos ta ndiejnë veten si të huaj. Meqë njerëzit nuk kanë ndonjë mënyrë për t'u njohur me Allahun, Allahu u ka çuar të Dërguar nga gjiri i tyre për të përcjellë ajetet e Tij…

 

Kur një ateist e pyeti imam Sadikun (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) përse dërgohen Profetë dhe të Dërguar, ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) u përgjigj:

 

"Pasi kemi provuar se kemi një Krijues të mbinatyrshëm, i Cili është më i Madhi sesa ne dhe gjithçka që Ai ka krijuar dhe se Ai është kaq i Lartësuar dhe ka Urtësinë më të Madhe, atëherë krijesat e Tij nuk mund t'i flasin Atij, madje as ta shohin ose ta prekin Atë. Prandaj, Ai ka dërguar ambasadorë te krijesat dhe robtë e Tij, që t'i udhëzojnë për të mirën e tyre, për jetesën dhe për vdekjen e tyre."  (. Ilal Al Shara'ih, volume 1, f. 120)

 

I Dërguari është ambasadori i Allahut te krijesat e Tij, për t'i edukuar, për t'u kujdesur për to dhe për t'i njohur ato me Allahun e tyre e për të vepruar siç urdhëron Allahu, kështu që të ruhen të mos shkojnë në rrugë të gabuar. Prandaj, i Dërguari duhet të jetë besnik: ai duhet ta përcjellë mesazhin përsosurisht dhe ai duhet të tregojë se është i vërtetë në atë që thotë. Me fjalë të tjera, ai duhet të jetë i pagabueshëm dhe të mbështetet nga mrekullitë që bën.

 

Cila është rruga midis krijesave dhe Krijuesit?

 

Allahu thotë:

"O Profet! Vërtet, Ne të kemi dërguar si dëshmitar, si sjellës të lajmeve të gëzuara e si paralajmërues dhe si njeri që fton për tek Allahu, me lejen e Tij dhe si një pishtar ndriçues." 

(El Ahzab (Surja 33), ajeti 46.)

 

Me mirësinë e Tij, me mëshirën e Tij dhe me pozitën e Tij si Zot, Allahu e drejton njeriun tek Ai dhe e bën njeriun ta njohë Atë. Allahu ka çuar të Dërguarit e Tij dhe e ka përfunduar vargun e tyre me vulën e tyre, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), që ai të ishte ai që do të ftonte për tek Allahu, me lejen e Tij. Ka një vend të madh, të ndërtuar nga Allahu, ku ka gosti të madhe për t'i nderuar njerëzit. Prandaj, Allahu u ka dërguar ftesa atyre me të Dërguarin e Tij për të marrë pjesë në këtë gosti. Bashkë me këtë të Dërguar, Allahu na çon një hartë për t'u treguar rrugën për të mbërritur në atë vend dhe i jep leje të Dërguarit të Tij të bisedojë me njerëzit për atë vend e për çfarë ka ai, për t'i bërë ata ta duan shumë Atë. Të Dërguarit e përshkruajnë atë vend. E përshkruajnë edhe rrugën se si mbërrihet deri aty dhe se çfarë do të ndodhte po të mos pranonin të bindeshin.

 

Allahu thotë:

"O Profet! Vërtet, Ne të kemi dërguar si dëshmitar, si sjellës të lajmeve të gëzuara e si paralajmërues dhe si njeri që fton për tek Allahu, me lejen e Tij dhe si një pishtar ndriçues."

 

I Dërguari qartëson mënyrën se si ta kesh nderin për të shkuar në rrugën e Allahut. Ai është një shembull për ata që e meritojnë këtë dhe i mbikëqyr njerëzit në përgatitjen e tyre për ta fituar atë Shtëpi. I Dërguari është, gjithashtu, udhërrëfyesi i kësaj rruge dhe udhëheqësi i krijesave për te Krijuesi - "si një pishtar ndriçues". Është ai që e ndriçon rrugën. Është ai që është shembulli në këtë rrugë. Ky i Dërguar është Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili u çua nga Allahu për t'i mësuar dhe për t'i edukuar njerëzit, për t'u qartësuar atyre besime, doktrina e ligje dhe për t'i udhëhequr ata te lumturia e vërtetë.

 

Allahu thotë:

"Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë qenë, vërtet në humbje të plotë. "  (El Xhumua (Surja 62), ajeti 2.)

 

Cila është pozita e të Dërguarve?

 

Allahu është Zotëruesi i të gjitha të mirave dhe bekimeve të kësaj bote për ne. Ne duhet t'u përgjigjemi këtyre të mirave dhe bekimeve me një përgjigje pozitive dhe kurrë të mos i braktisim. Përderisa Allahu na ka çuar të Dërguar, ne duhet ta pranojmë Atë, ta pasojmë Atë, ta nderojmë Atë dhe ta duam Atë. Detyra jonë e parë ndaj të Dërguarve, sidomos ndaj Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është të besojmë në profetësinë e tij dhe në atë që ai ka sjellë dhe t'u bindemi rregullave që na thotë, sepse duke ndjekur të Dërguarin, ne i përgjigjemi atij dhe Allahut që na e ka çuar atë.

 

Në këtë mënyrë, jeta jonë bëhet e vërtetë. Allahu thotë:

"O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, kur ju  thërret drejt asaj që ju jep jetë!" 84

(El Enfal (Surja 8), ajeti 24.)

 

Ai që nuk përgjigjet, domethënë, ai që nuk të respekton, nuk beson, nuk pajtohet me rregullat dhe rrugën e të Dërguarit është më shumë i vdekur sesa i gjallë. Ai është i verbër, i shurdhët dhe në dënim të përhershëm.

Allahu thotë:

"Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Ringjalljes do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: 'O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë pata shikuar më parë?' Allahu do t’i thotë: 'Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e prandaj sot do të jesh i harruar.'"  (Ta Ha (Surja 20), ajetet 124 - 126.)

 

Ai, të cilit i janë dhënë sytë në këtë botë dhe që nuk eci asnjëherë në rrugën e drejtë, do jetë si një njeri që ka qenë i verbër gjithnjë. Allahu na ka dhënë atë që mund ta përdorim për ta dalluar të drejtën nga e shtrembra, të mirën nga e keqja dhe na ka dërguar dikë që të na drejtojë në këtë rrugë të drejtë. Po të largohemi nga Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe nga Kur'ani i Shenjtë, do të jemi si i verbri dhe do të shkojmë në Ditën e Gjykimit të verbër (Allahu na ruajtë!).

 

Përfundim:

 

I dashur vëlla! Mendo dhe medito: A i je përgjigjur thirrjes së Allahut? A e ke ndjekur Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)? A e ke përmendur Allahun apo e ke harruar dhe i ke kthyer shpinën? Ti duhet të përgjigjesh. Nëse nuk je përgjigjur deri tani, ti e ke ende një mundësi. Shfrytëzoje këtë mundësi dhe eja në gostinë e Allahut! Mos u largo nga përmendja e Allahut! Dije të drejtën e Allahut dhe të drejtën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ndaj teje!

 

Përmbledhje:

 

5. Allahu do që ne ta njohim Atë, ta përmendim me dashuri Atë dhe të ecim në rrugën e Tij.

6. I Dërguari dhe profetët janë më të mirët që mund të na flasin për Allahun.

7. I Dërguari dhe profetët janë drejtuesit, shembujt, udhërrëfyesit për në rrugën e drejtë. 

 

Pyetje:

 

25. Cila është detyra e njerëzve ndaj të Dërguarve?

26. Cila është mënyra e komunikimit ndërmjet nesh dhe Allahut?

27. Thoni i Vërtetë ose i Gabuar në pohimet e mëposhtme:

 

a. Allahu do që njeriu ta njohë Atë sepse kështu gjen lumturinë. 

b. Ne nuk mund të afrohemi te Allahu pa ndihmën e të Dërguarve. 

c. Gjynahet e bëra nga Profeti janë gjynahe të vogla. 

ç. Allahu u ka dhënë mrekulli profetëve për t'i kontrolluar të tjerët dhe për t'iu bindur atij me forcë.

 

LEXIM PLOTËSUES

Njeriu që kërkonte këshillë

 

Një beduin nga shkretëtira erdhi te Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në Medine për t'i dhënë ndonjë këshillë. Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: "Mos u zemro!" Kur u kthye te fisi i tij,thanë se disa djem kishin vjedhur pará në një fis tjetër. Fisi tjetër iu përgjigj duke bërë të njëjtën gjë. Ata dërguan disa djem të vidhnin fisin e beduinit. Tani, të dy fiset qenë rreshtuar për të filluar luftën.

Kur ky beduini e mori vesh ndodhinë, po ziente nga zemërimi. Gjeti armë dhe u bashkua me fisin e tij. Mirëpo më vonë, ai kujtoi çfarë i kishte thënë Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për zemërimin, kur i pati kërkuar një këshillë. Beduini i thirri mendjes dhe mendoi me vete: "Përse zemërohem? Përse përgatitemi për luftë? Përse nxehemi pa arsye?" Pastaj ai iu drejtua udhëheqësve të fisit tjetër: "Ej njerëz! Për çfarë është ky konflikt?

 

Në qoftë se ju keni ndonjë gjë që duhet t'jua japim, unë do t'jua jap nga paratë e mia. Nuk ka arsye për të luftuar dhe për të derdhur gjak." Kur udhëheqësit e fiseve i dëgjuan fjalët e tij, në shpirtrat e tyre erdhi mirësjellja dhe zemërgjerësia dhe thanë: "Ne kemi më shumë të drejtë të veprojmë kështu." Pastaj të dyja palët u pajtuan dhe asnjë luftë nuk u bë.