Mësimi një


NË KËRKIM TË SË VËRTETËS

 

Cilat janë pyetjet e para për një njeri?

A është jeta qëllim?

Cila është rruga e shpëtimit? 

 

Hyrje

 

Kur lind njeriu, fillon udhëtimin e jetës së tij, që do të zgjasë për shumë vjet. Gjatë jetës ai do të përballet me një të ardhme të panjohur e gjithë shqetësime, të mbushur me shpresa dhe dhembje. Megjithatë, njeriu lundron në një oqean pyetjesh, që kërkojnë përgjigje me zë të lartë: Unë kam nevojë për të vërtetën. Unë nuk mund të pajtohem me padijen... Unë nuk do të ndihem i sigurt po të mos i di përgjigjet e këtyre pyetjeve:

Kush jam unë?

Kush më ka sjellë mua këtu? Përse ekzistoj unë? Kur njeriu bën këto pyetje, ai zbulon se nuk i pëlqen të jetojë në errësirë; atij nuk i pëlqen padija; atij nuk i pëlqen të sëmuret. Po të mos të gjejë përgjigjet e sakta të kënaqshme, ai do të bëjë një jetë gjithë ankth dhe nuk do të gjejë askund mirësi ose strehë. Në qoftë se njeriu qëndron në të panjohurën, ai do të mbetet në errësirë dhe në padije. Dhe atij nuk i pëlqen as njëra as tjetra.

 

Allahu thotë:

"A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën midis njerëzve me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë." (En’am (Surja 6), ajeti 122)

 

A është jeta qëllim

 

Në jetën e tij, njeriu shkon nga fëmijëria tek adoleshenca, pastaj te rinia, te burrëria, te mosha e mesme, te pleqëria etj… Secila nga këto etapa ka veçoritë e veta, gjatë të cilave njeriu ka një sjellje të caktuar ose prirje të caktuar. Kur është i ri, është i dhënë pas lojës. Kur bëhet më i madh, u kthehet veprimtarive, argëtimeve dhe zbavitjeve.

Më vonë, atij i mbetet në mendje të ketë gjëra për vete, si rroba, makina e shtëpi dhe mrekullohet, gjithashtu, me bukurinë. Kur mbërrin moshën e mesme, ai nis të mburret para shokëve për prejardhjen e familjes së tij, shkollimin e tij, pozitën, paránë etj… Kur plaket, ai jepet më shumë pas pasurisë dhe fëmijëve.

 

Për këtë Allahu i Gjithëfuqishëm thotë:

"Ta dini se jeta në këtë botë nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë…"

Pastaj Allahu qartëson: "Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë…"

Kjo ndodh në jetë. "Në Botën Tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme."

(El Hadid (Surja 57), ajeti 20.)

 

Jeta e kësaj bote, me të gjitha gëzimet e saj është e vdekshme, ashtu si gjithçka tjetër në të. Nëse ju nuk besoni, shikoni rreth jush: nënën tuaj, babanë tuaj, dhe gjyshin tuaj. Të gjithë ishin fëmijë, adoleshentë, të rinj… Sot përpara jush ata janë të gjithë të vjetër dhe të moshuar. Flokët u janë bërë të bardhë si bora dhe fytyrat kanë gjurmët e kohës. Sot janë të dobët dhe të sëmurë. Ku janë rinia, bukuria, fuqia, energjia e tyre?

Ku është shëndeti i tyre?

A u ka lënë jeta në këtë botë ndonjë gjë?

A kanë pasuri, familje e fuqi t'i mbrojë nga pleqëria?

Jo, absolutisht jo.

Tani, a do t'ju pëlqente të bëheshit njëlloj si ata që harxhuan kot jetët e tyre dhe jeta i ka flakur, apo do t'ju pëlqente të mësonit çfarë ju ka ndodhur të tjerëve?

Kjo është jeta. Atëherë, a ia vlen t'i harxhosh vitet dhe energjitë e tua për të fituar atë që ajo duhet të ta japë pa i kushtuar kujdes jetës reale?

 

Imam Khomeini thotë:

"Të gjitha mësymjet dhe tërheqjet, të përpjetat dhe të tatëpjetat në jetë ikin sa hap e mbyll sytë. Ne të gjithëve na shtypin rrotat e kohës… Unë kam ardhur në këtë përfundim nga vëzhgimet e mia për shumë klasa të ndryshme: ata që janë të krimbur në pará, kanë më shumë shqetësime të brendshme dhe psikologjike; ata kanë shumë shpresa dhe pritshmëri që nuk i kanë përmbushur dhe nuk i kanë arritur; të tilla shqetësime rrahin më shumë dhe madje, djegin zemrat e tyre."

(Gnostic Commandments)

 

Kurse imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë:

"Jeta është si uji i detit: sa më shumë të pish, aq më shumë keni etje, derisa të ndërroni jetë."

(El Kafi, Part II, f. 136)

 

Ata që i rrëmben jeta plotësisht, ata që e gërryejnë jetën dhe ata që e kanë bërë jetën synimin e tyre të fundit,

Allahu i përshkruan kështu:

"Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji, për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen…" (Er Rrad (Surja 13), ajeti 14.)

 

Jeta kurrë nuk e ngop urinë e nuk e meriton kurrë të kthehet qëllim në vetvete dhe ne pashmangshmërisht do ta lëmë atë më në fund.

 

Cila është rruga e shpëtimit?

 

E vërteta e padiskutueshme: Jeta e vërtetë është ajo e shpirtit dhe jo ajo e trupit. Që ta mbërrish këtë jetë, i Gjithëfuqishmi thotë:

"O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë!"

(En Fal (Surja 8), ajeti 24.)

 

Jeta për të cilën na ftojnë Allahu dhe i Dërguari i Tij, është jeta e vërtetë. Ajo është plot gëzime dhe ne do ta jetojmë në përjetësi. Ajo është jeta ku ne do ta njohim, vërtet Krijuesin tonë. Ai është e Vërteta Absolute. Njohja e Allahut është qëllimi dhe synimi ynë.

 

Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë:

"Po ta dinin se ç'të mirë ka njohja e Allahut, ata nuk do t'i rroknin me sytë e tyre atë që Allahu ua ka dhënë armiqve të tyre për të mirat e kësaj jete dhe jeta e tyre do të ishte e barabartë me asgjë më shumë sesa ajo në të cilën ata do të vinin këmbën. Ata do të kënaqeshin me dijen e tyre për Allahun e Gjithëfuqishëm dhe do të lumturoheshin me Të, sikur të ishin ende në Xhenet me robtë më të afërt e më besnikë të Allahut…" "Përse o imami ynë", - thonë disa: "Sepse njohja e Allahut të largon nga vetmia", - thotë imami. Ne nuk do të jemi kurrë të vetëm ose të vetmuar.

 

Allahu është Shoku ynë në çdo tëhuajtje, sepse Ai është me ne, Ne e ndiejmë praninë e Tij dhe e njohim Atë. Ai është drita në çdo errësirë. Prandaj ne asnjëherë nuk do të kemi frikë në errësirë. Ai është fuqia e çdo njeriu të dobët dhe shërimi i të gjitha sëmundjeve. (El Kafi, Part II, f. 247)

 

Ne kurrë nuk do të vuajmë nga asnjë sëmundje. Atëherë, kush në këtë botë do ta parapëlqente një jetë që rrëshqet dhe shkatërrohet përpara asaj të përjetshmes? Kush do ta parapëlqente jetën përpara Allahut, përveçse ai që është i marrë?

 

Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë:

"Zemra e atij që parapëlqen këtë jetë, ka tri veçori: brengë të përhershme, shpresa të paarritura dhe dëshira të papërmbushura asnjëherë."  (El Kafi, Part II, f. 320)

 

Përfundim:

 

Ju, i nderuar lexues, duhet të ndaloni dhe të meditoni për një çast: A do të zgjidhnit jetën e vërtetë dhe kënaqësinë e sigurinë e përjetshme dhe të vinit tek Allahu për të kërkuar mëshirën e Tij, apo do ta harxhonit kot jetën tuaj në kënaqësi të përkohshme, të cilat asnjëherë nuk jua shuajnë etjen? A duhet ta gjeni rrugën për tek Allahu, apo të endeni kot në mugëtirat e jetës, duke shpresuar nga një epsh te një tjetër, derisa Allahu të japë urdhrin që jeta juaj të mbarojë? Vendosni! Vendimin e keni vetëm ju.

 

Përmbledhje:

 

Njeriu nuk mund të rrijë tek e panjohura sepse, nëse rri tek e panjohura, ai do të mbetet në errësirë dhe në padituri. Dhe ai nuk e do as njërën as tjetrën. Jeta e kësaj bote, me të gjitha gjërat e saj e me të gjitha gëzimet e saj është e vdekshme. Jeta kurrë nuk e ngop urinë e nuk meriton kurrë të kthehet qëllim në vetvete dhe ne pashmangshmërisht do ta lëmë atë më në fund. E vërteta e padiskutueshme: Jeta e vërtetë është ajo e shpirtit dhe jo ajo e trupit. Qëllimi ynë i vërtetë duhet të jetë njohja e Allahut, e Mëshiruesit dhe gjetja e Rrugës së Tij. 

 

Pyetje:

 

A e përfaqëson jeta qëllimin e njeriut? 

Cila është jeta për të cilën ne jemi ftuar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij?

Thoni i Vërtetë ose i Gabuar në pohimet e mëposhtme:

a. Njeriu duhet ta dijë përgjigjen për çdo pyetje. 

b. Kush ka lumturi në këtë jetë, nuk do ta ketë në Jetën Tjetër.

c. Çdo i varfër bën një jetë të mjeruar, kurse çdo i pasur bën një jetë të lumtur. 

ç. Njeriu e do jetën sepse ai beson që ajo është e përkryer dhe pa të meta.

 

LEXIM PLOTËSUES

Kurrë mos e përçmoni dhe mos e fyeni një besimtar

 

Haxhi Sheik Muhamed Bakir Sheikh El Islami i madh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Kur mbaronte falja me xhemat, unë i jepja dorën kujtdo që ishte djathtas dhe majtas meje. Një ditë, kur përfundova faljen pas të ndjerit Mirza el - Shirazit (Allahu e lartsoftë pozitën e tij!), u ktheva dhe i dhashë dorën një burri, që ishte ulur në të djathtë - një vëlla mysliman shumë i edukuar. Një fshatar qe ulur majtas meje. Mua nuk më pëlqente ai dhe nuk ia dhashë dorën. Unë menjëherë fajsova veten për mendimin përçmues që pata dhe thashë me vete:

"Ky njeri që unë përçmoj, mund të jetë besimtar, që Allahu e nderon. Menjëherë u ktheva dhe shtrëngova duart me të me gjithë mirësjelljen. Në çast ndjeva myshkun që nuk ishte si ai që dija unë. U mbusha me gëzim e lumturi dhe e pyeta burrin: A mbani myshk?

"Unë kurrë nuk mbaj myshk", - u përgjigj burri.

Atëherë, e kuptova se era e mirë ishte shpirtërore dhe se fshatari ishte eulija. Që atëherë unë vendosa të mos e shikoja me përçmim asnjë besimtar."