Sikur që Allahu i Madhëruar e ka përshkruar Ehli Bejtin në Kuran në një mënyrë të pastër ashtu edhe i Dërguari (s.a.v.) i ka lartësuar ata në mënyrë të qartë. Sigurisht, që sikur të mos ekzistonte kjo qartësi, nuk do të kishte nevojë që Islami të merrej prej tyre. I Dërguari (s.a.v.) na ka bërë me dije mjaft për vlerën e pazëvendësueshme të Ehli Bejtit për ymmetin nëpër hadithe.
Pjesa e madhe e haditheve që janë përcjellë në lidhje me Ehli Bejtin janë zhdukur gjatë periudhës së qeverisjes së Emevitëve dhe Abbasitëve. Këtë na kanë rrëfyer librat e historisë në mënyrë të mjaftueshme përmes dëshmive sahih. Shqiptimi i haditheve në mënyrë të haptë që tregonin për meritat e Ehli Bejtit gjatë kohës së Emevitëve dhe Abbasitëve ishin pretekst të mjaftueshëm për t’u dënuar me vdekje. Emevitët dhe Ababsitët nuk kanë lënë gjë pa bërë në mënyrë që t’i zhdukin meritat e Ehli Bejtit.
Por, sikur që ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, deshën ata apo jo, Allahu do ta plotësojë dritën e Tij. Falënderimet qofshin për Allahun që përkundër shtypjeve dhe zullumeve të shumta, edhe deri në kohën tonë kanë mbërritur hadithe të mjaftueshme sahih. Autoritetet e kohës sonë nuk dallohen aq shumë prej atyre të kohës së mëhershme. Dëshira e tyre është që të vazhdojë sa më shumë me këtë avaz dhe mos t’i shqiptojmë deklaratat që i zgjojnë ata nga gjumi.
Në kohërat e vjetra dijetarët ndiqnin një rrugë të thjeshtë kundrejt Ehli Bejtit. Ata e pranonin si sahih çdo hadith të atij personi që ishte më i afërm me sahabet sesa me Imamët e Ehli Bejtit. Ndërsa, ishte i dyshimtë hadithi i çdonjërit që ishte më i afërt me Ehli Bejtin sesa me sahabet. Po, shumica e tyre ka punuar saktësisht në këtë mënyrë. Për dijetarët si Buhariu nuk ishte problem transmetimi i hadithit nga ndonjë person nëse nuk përmbahej nga fyerja e Hz Aliut. Por, nëse ndonjëri i fyente sahabet, atëherë nuk kishte më mundësi që gjatë tërë jetës së tij të transmetohej ndonjë hadith nga ai!
Kjo padrejtësi është siguruar nga ana e ndihmësve të qeveritarëve. Nëse e abuzon Ehli Bejtin në hadithin tënd nuk ka ndonjë dyshim, nëse i abuzon sahabet, të gjitha hadithet e tuaja nuk kanë asnjë vlerë. Ky është një shembull i komplikuar. Të shpjegojmë këtë pak më ndryshe me një shembull më të thjeshtë: Nëse dijetari që e transmeton hadithin është shiitë, hadithi i tij është i dyshimtë por, nëse dijetari është synnitë, atëherë nuk ka dyshim në hadithin e tij.
Ja, ky është shembulli më i thjeshtë. Ju mund të pyeteni se çfarë problemi ka me hadithet që kanë të bëjnë me Ehli Bejtin. Është me rëndësi që të dimë se nën cilat kushte kanë arritur deri në kohën tonë këto hadithe. Lexuesit duhet të dinë se për cilat arsye nuk kanë mundur t’i lexojnë hadithet që i përkasin Ehli Bejtit. Me këtë do të japim prova të mjaftueshme për një ymmet, që ka mbetur si shikues kundrejt zullumqarëve që ia kanë derdhur gjakun e Ehli Bejtit, në lidhje me rëndësinë e haditheve që flasin për Ehli Bejtin.
Falënderimi qoftë për Allahun që ka pasur edhe të tillë që e kanë flijuar jetën e tyre vetëm e vetëm që këto hadithe të përcillen gjeneratave të ardhshme. Njëri prej dijetarëve të tillë ka qenë edhe Nesei, autori i librit ‘sahih’. Një ditë ndodhej në Siri dhe e kishin pyetur për ndonjë hadith në lidhje me Muavijen. Nesei iu përgjigj xhematit në këtë mënyrë:
Në lidhje me Muavijen, unë e kam dëgjuar këtë hadith që transmetohet nga i Dërguari (s.a.v.): Allahu mos e ngoptë stomakun e Muavijes. Kure dëgjoi këtë xhemati filluan që ta rrahin aq shumë sa që më vonë edhe vdiq si pasojë e kësaj rrahjeje. Duke e parë armiqësinë e popullit të Sirisë, Nesei ka shkruar një libër për Imam Aliun. Kjo ngjarje është shkruar në të gjitha librat e atyre që kanë shkruar për biografinë e Neseit. Nesei kishte vdekur në vitin 303 H. si pasojë e rrahjes së tij nga ana e një xhemati nga Siria.
Këtu dëshirojmë që t’ua tërheqin vëmendjen lexuesve: Pse nuk është bërë i shquar Nesei sikur Buhariu përkundër asaj që e ka flijuar jetën e tij për hir të së vërtetës? Përgjigja është e qartë dhe e thjeshtë: çdokush që e ka lartësuar Ehli Bejtin, qoftë ai edhe synni, ka humbur në vlerë, dhe çdokush që ka ushqyer armiqësi ndaj Ehli Bejtit, ai llogaritej prej dijetarëve të shquar të ymmetit. Nesei ka treguar për personalitetin e Muavijes në mënyrë të hapur e të qartë ndërsa Buhariu nuk ka bërë asgjë tjetër përveç lartësimit të tij. Buhariu ishte bërë njëri prej ndihmësve më të mëdhenj të Emevitëve.
Ata që e lexojnë librin e tij me kujdes do të pranojnë se ne kemi të drejtë. Dijetarët e shumtë synnitë kanë pranuar hadithe si të dëshmuara nga Imamët e Ehli Bejtit, si p.sh. nga Imam Xhafer Sadiku, por Buhariu nuk e ka pranuar atë si të dëshmuar. Ose, thënë me fjalë popullore, Buhariu nuk i ka shkruar në librin e tij hadithet nga Imam Xhafer Sadiku dhe nuk e ka pranuar si të besueshëm. Kush është Buhariu që të mos pranojë hadithe nga njëri prej Imamëve që ka qenë prej pasardhësve të pastër të të Dërguarit (s.a.v.)? Kush ia ka dhënë Buhariut këtë autorizim? Ja pra, ky ishte shërbimi më i madh që Buhariu ia kishte bërë Emevitëve.
Tani t’i kthehemi haditheve që do t’i përcjellim në lidhje me Ehli Bejtin. Një pjesë të haditheve do të përcillen nga librat më burimor ndërsa në pjesën e dytë do të thirremi në librat që janë burimor por që nuk janë aq shumë të njohur. Njëjtë, sikur shembujt e Buhariut dhe të Neseit. Sigurisht që besimtarët do të gëzohen ndërsa mynafikët do të zemërohen kur t’i lexojmë hadithet që e përmbajnë lartësimin e Ehli Bejtit. Vërtetimi i kësaj që e thamë bazohet në hadithin e të Dërguarit (s.a.v.) kur i është drejtuar sahabeve: “O Ali! Vetëm besimtari të do ty dhe vetëm mynafiku të urren ty”. Ja pra, në këtë hadith sahih na është treguar haptas se si duhet të mendojmë në lidhje me Ehli Bejtin. Në të dy pjesët, së pari do t’i përmendim hadithet në lidhje me Ehli Bejtin dhe pastaj për trashëgimtarin e të Dërguarit (s.a.v.), Hz Aliun. Ju do të pyeteni se çfarë kanë të bëjnë tesfiri dhe tevili me këtë? Ata që nuk e dinë vlerën e Ehli Bejtit në librat burimor synnit, nuk do ta dinë as vlerën e këtij libri që e kanë në duart e tyre.
Së fundi, ky libër ka dalë në dritë duke iu referuar Ehli Bejtit. Sikur të mos ishte dituria e Ehli Bejtit, nuk do të kishte asnjë vlerë libri ynë në lidhje me këtë temë. Libri ynë do të ketë vlerë vetëm nëse bazohet në Ehli Bejt. Sigurisht, që këtu bëjnë pjesë edhe hadithet e patejkalueshme që e paraqesin vlerën e Ehli Bejtit. Nijeti prej neve ndërsa udhëzimi prej Allahut të Madhëruar.
Hadithi 1:
Resulullah, Muhamed (s.a.v.) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit në mesin tuaj është sikur shembulli i anijes së Nuhut (a.s). Çdokush që i hip anijes do të shpëtojë dhe çdokush që e kundërshton do të fundoset e shkatërrohet!”
Pse e ka krahasuar i Dërguari (s.a.v.) Ehli Bejtin e tij me anijen e Nuhut (a.s)? A është paraqitur përmbysja e Nuhut (a.s) mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.)? Përgjigja në këtë pyetje është fare e thjeshtë. Prej shumë haditheve sahih ne kuptojmë se i Dërguari (s.a.v.) ka ditur se mbas tij ymmeti do të bie në mosmarrëveshje dhe kundërshtime. Këto mosmarrëveshje u janë përngjarë përmbysjes.
Si rezultat i mospajtimeve të brendshme të ymmetit ka pasuar derdhja të gjaqeve të mijëra myslimanëve të pafajshëm. Kur t’i lexojmë librat e historisë, nuk mund t’i pranojmë si bekime (nimet) luftërat në mes myslimanëve. I Dërguari (s.a.v.) na ka bërë të ditur se do të vijnë fatkeqësitë mbas tij dhe na ka treguar rrugën e shpëtimit. Edhe Nuhu (a.s) ia ka bërë me dije popullit të tij se do të vijë përmbysja por edhe vetë djali i tij nuk i besoi atij. Madje, edhe gruaja e Nuhut (a.s) nuk i kishte besuar. Në fund, të gjithë jobesimtarët, pa dallim dhe pa përjashtim, u fundosën.
A mund të themi të njëjtën edhe për ymmetin tonë? A mund të themi se ymmeti i është përmbajtur testamentit të të Dërguarit (s.a.v.) kur na ka bërë me dije se Ehli Bejti është anija e shpëtimit? Kur e lexojmë historinë, vërejmë se ymmeti është sjellë në mënyrë të vrazhdë dhe tradhtare kundrejt Ehli Bejtit mbas të Dërguarit (s.a.v.). Se sa ia kanë dhënë rëndësi sahabet e shquar zotërisë së Ehli Bejtit, Hz Aliut, mund të shihet qartë. Ata janë dhënë mbas nefsit të tyre dhe dashuria ndaj kalifatit triumfoi mbi ta. Ata e kishin kryer këtë punë në mes veti pa i lajmëruar apo kërkuar leje nga Ehli Bejti. Ndërsa, testamenti i të Dërguarit (s.a.v.) ishte i qartë dhe i kuptueshëm për të gjithë. Rruga e vetme e shpëtimit mbas tij është Ehli Bejti.
Sikur të kishte pasur ndonjë rrugë tjetër, a do të kishin shpëtuar edhe ata që nuk kishin hipur në anijen e Nuhut (a.s)? Çka do të thotë hipja në anijen e Ehli Bejtit? Kjo do të thotë nënshtrimi ndaj urdhrave dhe ndalesave të tyre; duke qenë ata prezent, mos me dalë përpara tyre dhe duke i pasur ata afër, mos me kërku këshilla prej të tjerëve. Thjesht, braktisja e tyre do të thotë braktisja e të Dërguarit (s.a.v.) dhe nënshtrimi ndaj urdhrit të tjetrit. Kur ta shikojmë gjendjen e ymmetit mbas të Dërguarit (s.a.v.) do të vërejmë se më së shumti i përngjan përmbysjes. Urrejtja dhe armiqësia që ishte fshehur nëpër gjokse përnjëherë shpërtheu jashtë dhe kishte shkuar aq larg sa që gjendja kishte mbërritur deri aty që të digjet shtëpia e Ehli Bejtit nëse nuk ia japin betimin Ebu Bekrit.
Kjo është një vërtetë që sikur të kishte mbetur besnik ymmeti testamentit të të Dërguarit (s.a.v.), nuk do të kishte mbetur vend për mospajtime. Nëse shkojmë më larg se ky përfundim logjik atëherë nuk mund të paramendojmë se i Dërguari (s.a.v.) e ka lënë krye në vete ymmetin. Pra, çdo mysliman që ka iman duhet që të mbahet për anijen e Ehli Bejtit. Në të kundërtën, ymmeti do të fundoset edhe më shumë në mospajtime e kundërshtime.
Hadithin e nderuar e përcjellin këta dijetar:
Hejsemi në librin “Mexhma’uz-Zevaid”
Tabarani në librin “Mu’xhem”
Hakim en-Nishaburi në librin “Mustedrik”
Ibn-i Haxher el-Hejtemi në librin “Savaik’ul-Muhrika”
Ibn Asakir në librin “Tarih Medinetu-Damask”
Sujuti në librin “Xhami’us-Sagir”
Ebi Nu’ajm el-Isfahani në librin “Hiljet’ul-Evlija”
Muttaki el-Hindi në librin “Kenz’ul-Ummal”
Hatib el-Bagdadi në librin “Tarih Bagdad”
Muhib et-Tabari në librin “Zahair’ul-Ukba”
Munavi në librin “Kunuz el-Hakaik”
Darakutni në librin “Efrad”
dhe në shumë libra tjera.
Në lidhje me hadithin e lartpërmendur, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Në mesin tuaj, Ehli Bejti im është sikur dera e shpëtimit. Çdokush që hyn përmes asaj dere është besimtar, dhe kush del prej saj, është jobesimtar”.
Në këtë hadith është bërë e qartë domosdoja e lidhjes me Ehli Bejtin. Lidhja e përgjithshme e ymmetit me Ehli Bejtin është prej çështjeve të fesë dhe të imanit. Kjo nuk është një çështje e zgjedhjes së lirë së njeriut. Çdokush që ka iman këtë duhet ta qartësojë përmes lidhshmërisë së imanit të tij me ata. Si mund të flasim për lidhshmërinë e një myslimani për ata kur nuk e njeh identitetin e tyre?
Dhe, çka është më e keqja, mjerë për ata që ende mundohen të na bindin se i duan dhe se janë të lidhur për Ehli Bejtin por që kanë mbetur si shikues gjatë vrasjes mizore të tyre! Si mundet njeriu që ta lë të dashurin e tij që të vritet? Sigurisht që do të vijë dita kur do të japin llogari ata që ende mundohen t’i mbulojnë lojërat që u janë luajtur Ehli Bejtit. Askush të mos dyshojë për atë se nuk do t’i arrijë ata dënimi i ashpër i Allahut.
Hadithi 2:
Njëri prej sahabeve, Zejd ibn Sabiti, ka thënë: Kam dëgjuar nga Resulullahu (s.a.v.):
“Shkoni mbas Ehli Bejtit tim, mos kaloni para tyre, përndryshe do të shkatërroheni! As mos u mundohuni t’i mësoni ata sepse ata janë më të dijshëm se ju!”
Në këtë hadith na tregohet haptas për epërsinë e diturisë së Ehli Bejtit, por shumica e myslimanëve nuk kanë marrë prej tyre asnjë dituri dhe këtë vazhdojnë ta bëjnë ende. Ne nuk mund të dimë arsyen e kësaj shkuarjeje të verbër të njerëzve në shkatërrim! Është një realitet i hidhur se shumica e librave të tefsirit ose të haditheve synnite qëndrojnë larg prej diturisë së Ehli Bejtit dhe përmbajnë shumë pak njohuri për ata. Duke pasur përpara një kanosje të qartë të të Dërguarit (s.a.v.) ne nuk mund të vijmë në ndonjë përfundim tjetër përveç kësaj: braktisja e Ehli Bejtit është bërë vetëm për arsyen e arritjes së mbretërisë së kësaj bote. Ndërsa, ne nuk besojmë se kanë guxim që t’i hynë kësaj pune ata që i besojnë llogaridhënies në Ditën e Gjykimit. Po mirë, ajo kohë e kaluar nuk është më, por nuk mund të kuptojë inatin e dijetarëve të ditëve të sodit. Për hir të cilës dashurie nuk mund ta pranojnë rrugën e Ehli Bejtit?
Hadithin e përcjellin këta dijetar:
Tabarani në librin “Mu’xhem-ul Kebir”
Muttaki el-Hindi në librin “Kenz-ul Ummel”
Ibn-i Haxher el-Hejtemi në librin “Sava’ik-ul Muhrika”
Hejsemi në librin “Mexhma’uz-Zevaid”
Sujuti në tefsirin “Dur-ul Mensur”
Hadithi 3:
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Dashuroni Allahun për hir të begative që ju jep Ai. Mua më dashuroni për hir të Allahut dhe Ehli Bejtin tim dashuroni për hir të dashurisë ndaj meje!”
Hadithin e përcjellin këta dijetar:
Ebu Isa et-Termizi në librin “Sahih”
Hakim en-Nishaburi në librin “Mustedrik”
Ebu Nu’ajm el-Isfahani në librin “Hiljet-ul Evlija”
Muttaki el-Hindi në librin “Kenz-ul Ummal”
Hatib el-Bagdadi në librin “Tarih Bagdad”
Ibn-ul Esir el-Xhezri në librin “Usud-u Gaabe”
Sujuti në tefsirin “Durr-ul Mensur”
Tabarani në librin “Mu’xhem-ul Kebir”
Bejhaki në librin “Su’b”.
I Dërguari (s.a.v.) na ka shpjeguar shumë bukur përparësinë e dashurisë ndaj tij. Për çdo mendje të shëndoshë duhet të jetë e qartë veçantia dhe vlera e lidhjes së dashurisë ndaj Ehli Bejtit, që duhet të burojë nga dashuria për Allahun dhe pastaj përmes dashurisë ndaj të Dërguarit (s.a.v.) të dashurohet edhe Ehli Bejti. Pra, të dashurosh Ehli Bejtin do të thotë të dashurosh Allahun dhe të dashurosh të Dërguarin (s.a.v.), por kjo dashuri duhet të jetë e sinqertë dhe nga zemra. Sepse, ai që e dashuron Allahun përmes gënjeshtrave, padyshim që nuk e ka dashur Atë dhe zemrat e këtyre njerëzve i di mirë Allahu. Ne njerëzit nuk e dimë se çka përmbajnë zemrat e njerëzve dhe dashurinë e njerëzve të tillë e masim me vlera tjera. Dashuria e sinqertë e njeriut bëhet e dukshme përmes veprave dhe sjelljeve të tija. Çdo njeri kupton se cili njeri e do atë sinqerisht dhe cili jo. Dhe, në bazë të kësaj mund të themi se shumica e myslimanëve nuk e duan Ehli Bejtin. Kjo për arsye se e dimë se sa po i japin vend fesë në jetën e tyre. Mund të themi lirisht se shumica e myslimanëve nuk e respektojnë dhe nuk janë zemërçelur ndaj Ehli Bejtit.
Hadithi 4:
I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Në Ditën e Kiametit, robi nuk do të kalojë urrën e Siratit pa u përgjigjur në katër pyetje: si e ka kaluar jetën e tij; me çka e ka ushqyer trupin e tij; si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar mallin e tij, dhe dashuria ndaj Ehli Bejtit”.
Nga hadithi na bëhet e qartë se një njeri me iman duhet që ta jetojë jetën me nder, të mos e neglizhojë trupin e tij dhe fitimi e harxhimi i tij duhet të jetë hallall. Por, nëse shkon nga kjo botë vetëm në këtë mënyrë, ai do të ketë mangësi dhe kjo nuk është asgjë tjetër veçse dashuria ndaj Ehli Bejtit. Ju lutemi që të mos rrëqetheni gjatë marrjes së erës së luleve të dashurisë sonë ndaj Ehli Bejtit sepse, dashuria për ata është feja, dashuria për ata është imani. Një Islam pa Ehli Bejti është sikur një botë pa diell. Sikur të mos kishte qenë obligim (farz) për neve dashuria ndaj Ehli Bejtit, ne nuk do të pyeteshim për dashurinë ndaj tyre. Sikur që duhet të kujdeset për çdo aspekt të jetës së tij, njeriu nuk duhet ta injorojë dashurinë ndaj Ehli Bejtit. Dhe, kjo dashuri bëhet vetëm përmes lidhjes së sinqertë ndaj tyre.
Hadithin e përcjellin këta dijetar:
Muttaki el-Hindi në librin “Kenz-ul Ummal”
Tabarani në librin “Mu’xhem-ul Kebir”
Ibn Asakir në librin “Tarih Damask”
Hejsemi në librin “Mexhma’uz-Zevaid”.
Tani do t’i përcjellim hadithet e të Dërguarit (s.a.v.) pa i përmendur burimet e tyre.
I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Pa qenë Ehli Bejti i im më i dashur për ju sesa anëtarët tuaj të familjes, nuk mund të arrini imanin e plotë”.
“Esenca e Islamit është dashuria ndaj meje dhe ndaj Ehli Bejtit”.
“Katër persona do ta fitojnë shefaatin (ndërmjetësimin) tim në ditën e Kiametit: ai që i ka nderuar pasardhësit e mijë; ai që i ka ndihmuar ata në punët e tyre; që i kanë ndihmuar në plotësimin e nevojave të tyre; dhe ata që i kanë dashur me gjuhë e me zemër”.
“Fëmijëve tuaj i mësoni tre gjëra: dashurinë ndaj meje, dashurinë ndaj Ehli Bejtit dhe leximin e Kuranit”.
“Ai që e do më së shumti Ehli Bejtin tim do të kalojë më së lehti urën e Siratit në Ditën e Kiametit”.
“Çdo fëmijë ka strehë te një babë. Këtu bëjnë përjashtim djemtë e Fatimes, Hasani dhe Hysejni sepse unë jam streha dhe veliu (mbikëqyrësi) i tyre. Ata janë trashëgimtarët e mijë dhe janë krijuar prej gjakut dhe mishit tim. Mjerë për ata që i përgënjeshtrojnë meritat e tyre. Allahu do t’i dashurojë ata njerëz që i dashurojnë ata dhe do t’i urrejë ata që i urrejnë ata”.
“O Fatime! Në Ditën e Kiametit unë, ti, djemtë e tu dhe burri yt do të jemi në pozitën e njëjtë!”.
“Çdokush që më do mua, vajzën time Fatimen, djemtë e tij Hasanin dhe Hysejnin, dhe burrin e saj Aliun, në Ditën e Kiametit do të jetë bashkë me mua dhe në gradën e njëjtë”.
“Në Xhenet do të hyjmë së pari unë, Aliu, Hasani dhe Hysejni, dhe pastaj trashëgimtarët tanë. Mbas tyre do të hynë gratë tona. Ata që na donë neve do të hynë bashkë me neve Xhenet, duke qenë në anën tonë të djathtë dhe të majtë”.
“Më erdhi një engjëll dhe më përgëzoi: Vajza jote Fatimja është prej grave më të lartësuara ndërsa djemtë e saj Hasani dhe Hysejni janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit”.
“Ai që i shpallë luftë Aliut, Fatimes, Hasanit dhe Hysejnit, ai ka shpallur luftë mua”.
“Po ju përkujtoj për dënimin e Allahut për shkak të sjelljeve tuaja ndaj Ehli Bejtit”.
“Yjet i shërbejnë njerëzve si orientim për të mos u humbur në det. Ehli Bejti im është orientim për njerëzit që të mos bien në kundërshtim njëri me tjetrin. Nëse një fis arab e kundërshton Ehli Bejtin tim, atëherë ai fis dhe të gjithë ata që i ndihmojnë atij fisi do të bëhen prej grupit të shejtanit”.
“Betohem në Allah se ata që nuk na duan, Allahu i Madhëruar do t’i fus në Xhehenem”.
“Askush nuk mund të krahasohet me Ehli Bejtin”.
“Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, do të vdes si shehid.
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, do të vdes i falur.
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, do të vdes si ai që ka bërë tevbe (pendim).
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, do të vdes me shkallën e imanit të përkryer.
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, engjëjt e vdekjes Munkeri dhe Nekiri, do ta përgëzojnë me Xhenet.
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, do të hyjë në Xhenet sikur nusja kur hynë në natën e parë të martesës.
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, nga varri i tij do të hapen dy dyer për në Xhenet.
Çdo kush që vdes me dashurinë ndaj Ehli Bejtit, ka vdekur si Ehli Synnet vel xhemat.
Çdo kush që vdes me urrejtje ndaj Ehli Bejtit, në ditën e Kiametit në ballin e tij do të shkruajë: ‘Është larg prej mëshirës së Allahut’.
Çdo kush që vdes me urrejtje ndaj Ehli Bejtit, do të vdes si jobesimtar.
Çdo kush që vdes me urrejtje ndaj Ehli Bejtit, padyshim nuk do ta ndiejë erën e Xhenetit”.
I Dërguari (s.a.v.) të gjithëve na ka bërë të qartë për vendin e Ehli Bejtit në mesin e ymmetit. Në shumë hadithe ai na ka informuar se Imam Aliun ia ka lënë ymmetit si trashëgimtar të Ehli Bejtit. Këto hadithe i ka shqiptuar me qëllimin që sahabet të njoftohen për pozitën e Imam Aliut në mesin e ymmetit. Është gabim të kuptojmë se hadithet e të Dërguarit (s.a.v.) që janë shqiptuar për Imam Aliun janë shqiptuar vetëm për të siguruar dashurinë ndaj tij. I Dërguari (s.a.v.) ia kishte lënë ymmetit si lider dhe udhëheqës Imam Aliun dhe imamët e pagabueshëm (masum) prej pasardhësve të tij. Dëshminë për këtë do të mund të shihni prej haditheve që do t’i paraqesim tani. Askush të mos dyshojë për vërtetësinë e haditheve sepse janë marrë prej librave më burimore sunnite.
I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Mbas meje, Aliu është veliu (udhëheqësi) i tërë ymmetit”
“Ai që tregon bindje ndaj meje, padyshim që do të tregojë bindje ndaj Allahut. Ai që më kundërshton mua, padyshim e kundërshton Allahun. Çdokush që i bindet Aliut, padyshim më është bindur mua dhe çdokush që e kundërshton Aliun, padyshim ka kundërshtuar mua”.
“O Ali! Ai që më braktis mua, sigurisht e ka braktisur Allahun. Ai që të braktis ty, sigurisht më ka braktisur mua”
“Unë jam zotëria e djemve të Ademit ndërsa Aliu është zotëria e arabëve”.
“O Allah! Kudo që të shkojë Aliu, le të shkojë e vërteta bashkë me të”.
“Mbyllni të gjitha e dyert që janë hapur drejt mesxhidit, përveç derës së Aliut! Betohem në Allah se unë nuk kam vendosur për të mbajtur të hapur derën e Aliut. Unë vetëm e kam zbatuar urdhrin e Allahut”.
“O Ali! Ti je sejjid në këtë dhe në botën tjetër. Atë që e do ti, edhe unë e dua atë. Dhe, atë që e dua unë e do edhe Allahu. Armiku yt është armiku im, ndërsa padyshim që armiku im është armiku i Allahut. Mjerë për gjendjen e atyre që nuk do të duan ty mbas meje”.
“Çdokush që dëshiron që të jetojë sikur që kam jetuar unë dhe që të vdes ashtu si kam vdekur unë, le ta pranojë për veli Aliun mbas meje. Aliu nuk ju nxjerr nga rruga e drejtë dhe nuk ju qon në rrugën e të humburve”.
“Aliu është i afërmi i të devotshmëve dhe vrasësi i mëkatarëve. Do të shpëtojë ai që ia ndihmon atij. Ata që dëshirojnë që ta poshtërojnë, sigurisht që do të poshtërohen vetë”.
“O Fatime! A nuk je e kënaqur që Allahu i shikoi ata që ishin mbi sipërfaqen e tokës dhe i zgjodhi dy njerëz. Njëri babai yt dhe tjetri burri yt. Dhe, më urdhëroi që burrin tënd ta caktojë si trashëgimtarin tim”.
“Allahu i Madhëruar më informoi se i do katër persona dhe më urdhëroi që edhe unë t’i dua ata. Ata janë Aliu, Selmani, Mikdadi dhe Ebu Zerri”.
“O Allah! Më dërgo personin më të dashur për mua dhe për Ty që të hajë me mua këtë zog të pjekur”. Mbas pak erdhi Aliu dhe e hëngrën bashkë.
“O Ali! Nuk është e drejtë që të largohem nga Medineja pa të lënë si mëkëmbësin tim”
“O Ali! Të lumtë për ata që të duan dhe që të pranojnë dhe mjerë për hallin e atyre që nuk të duan e që të përgënjeshtrojnë”.
“O sahabe! I pari që do të vijë te burimi i Kevtherit është Aliu dhe myslimani i parë është Aliu”.
“Xheneti përmallohet për tre persona: Aliun, Selmanin dhe Ammarin”
“Në lidhje me Aliun më janë shpallur tre gjëra: Aliu është zotëria e myslimanëve; Aliu është imami i të devotshmëve dhe është lideri i atyre që i kanë të pastra duart dhe këmbët”.
“O Ali! Mbas meje, ymmeti im do të tradhtojë ty”
“Të shikuarit e fytyrës së Aliut është ibadet”
“Të përmendurit e Aliut është ibadet”
“Unë jam ai që ju frikëson me dënimin e Allahut ndërsa Aliu është udhëzues. O Ali! Mbas meje mund ta arrijnë udhëzimin vetëm përmes teje”.
“Njerëzit i takojnë prejardhjeve të ndryshme familjare. Unë dhe Aliu e kemi prejardhjen e njëjtë (i kemi rrënjët e njëjta)”
“Trashëgimtarët e të dërguarve ishin nga vetë ata ndërsa Allahu i Madhëruar trashëgimtarët e mijë i ka vazhduar prej pasardhësve të Aliut. (Trashëgimtarët e të Dërguarit (s.a.v.) vazhduan përmes djemve të Hz Aliut. Njëjtë sikur Hz Isa që vazhdoi nga ana e nënës)”
“Unë ua lë amanet velajetin e Aliut atyre që më kanë besuar e dëshmuar. Çdokush që e pranon si udhëheqës Aliun, ka pranuar mua si udhëheqës. Kush pranon mua si udhëheqës e ka pranuar Allahun si udhëheqës”.
“Në zbatimin e drejtësisë, dora ime është e njëjtë me dorën e Aliut”.
“O Ali! Vendqëndrimi yt është sikur vendqëndrimi i Qabes (Bejtullahut). Te ti duhet që të shkohet dhe ti nuk duhet që të shkosh. Nëse vjen te ti ky popull për ta ofruar kalifatin, pranoje atë. Por, nëse nuk të vijnë, ti mos shko tek ata”.
“ O Ali! Ti do t’i dëbosh mynafikët nga burimi i Kevtherit në Ditën e Kiametit”.
“Ai që vdes me dyshim në lidhje me Aliun, në Ditën e Kiametit do të qohet nga varri me një hallkë nga zjarri të vendosur në qafën e tij”.
“Aliu dhe ithtarët (shiitët) e tij do të jenë prej të shpëtuarve në Ditën e Kiametit”
“Grada e Aliut për mua është sikur grada e Harunit për Musën”
“Aliu është më i mbari prej të gjithë njerëzve. Kush dyshon për këtë, është jobesimtar”.
“Për mua, pozita e Aliut është sikur pozita e kokës sime në trupin tim. Pozita e tij në kokën time është sikur pozita e syrit. Trupi pa kokë dhe pa sy nuk mund ta gjejë udhëzimin”.
“Aliu është dera e shpëtimit. Çdokush që kalon nëpër atë derë, është besimtar dhe çdokush që del nga ajo derë, është jobesimtar”.
“Aliu do ta ndajë Xhenetin dhe Xhehenemin. Xhenetit do t’i thotë: Ky na ka dashur neve ndërsa Xhehenemit do t’i thotë: Ky na ka urryer”.
“Të shikuarit e Aliut ia jep rehati njeriut. Lidhja dhe dashuria për të në mënyrë të sinqertë është ibadet”.
“Katërmbëdhjetë mijë vjet para se ta krijohet Ademi, unë dhe Aliu ishim një dritë (nur) në dorën e Allahut që e madhëronin dhe lartësonin Atë. Kur e krijoi Allahu Ademin, atë dritë ia dha pasardhësve të Ademit. Kështu drita jonë kaloi prej një gjenerate të pastër në tjetrin derisa mbërriti te Abdylmutalibi. Aty u ndamë në dy pjesë, një pjesë isha unë dhe tjetri Aliu”.
“Çdo pejgamber e ka trashëgimtarin e vet. Trashëgimtari im është Aliu”.
“Sikur të ishin vendosur qiejt dhe toka në njërën anë të peshores ndërsa imani i Aliut në anën tjetër të peshores, padyshim që imani i Aliut do të peshonte më rëndë”.
“Sikur të jetojë një njeri sa Nuhu (a.s), të kishte ari sa mali i Uhudit dhe ta kishte shpërndarë në rrugën e Allahut, të jetojë më shumë se njëmijë vjet dhe njëmijë herë të shkojë në haxh, të vritet padrejtësisht në mes Safas dhe Merves, dhe të mos e pranojë Aliun si velijjul-emr për vete, kur nuk do ta ndiejë erën e Xhenetit dhe nuk do të hyjë aty”.
“Sikur të ishin mbledhur njerëzit përreth dashurisë ndaj Aliut, Allahu nuk do ta kishte krijuar Xhehenemin”.
“Merita e goditjes me shpatë e Aliut kundrejt Amr bin Abduvedudit gjatë luftimit është më e madhe sesa merita e të gjithë punëve të mira të ymmetit”. (Gjatë luftës së hendekut Hz Aliu ishte duke luftuar me një jobesimtar me emrin Amr dhe goditja që ia shkaktoi atij ishte shkaku i shpërndarjes së tërë ushtrisë së jobesimtarëve. Mbas kësaj goditjeje i Dërguari (s.a.v.) tha goditja e Hz Aliut ishte më e mbarë sesa të gjitha punët e mbara të ymmetit. Islami kishte fituar në forcë vetëm përmes shpatës së hz Aliut).
“Njëmijë vjet para se të krijohen qiejt, në derën e Xhenetit është shkruar: “Nuk ka Zot përveç Allahut. Muhamedi është i Dërguari i Tij dhe Ali bin Ebi Talibi është vëllai i tij”.
“Vendi i Aliut në mesin e njerëzve është sikur vendi i sures Kul Huvallahu Ehad në Kuran”.
“E drejta e Aliut mbi këtë ymmet është sikur e drejta e babait mbi fëmijët e tij”.
“Dashuria për Aliun është shpëtim nga zjarri”.
“Dashuria për Aliun i gëlltit mëkatet sikur zjarri që e gëlltit drurin”.
“Dashuria për Aliun është një gjë e bukur që edhe mangësia nuk të dëmton. Mosdashuria ndaj Aliut është një mangësi që afër tij asnjë mirësi nuk të jep dobi”.
“Pronari i fshehtësisë sime është Aliu”.
“Të sinqertit janë tre: Habibi Nexhari; Hizkili, besimtari i familjes së faraonit dhe Ali bin Ebi Talibi. I treti është më i virtytshmi prej ët gjithëve”.
“O Ali! Betohem në Allah, në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur të mos kisha frikë se do të flasin për ty sikur që kanë folur të krishterët për Hz Isën, unë kisha folur për ty disa që çdo mysliman kishte nxituar për të fshirë pluhurin nga këmbët tuaja dhe do të kishin kërkuar bereqetin përmes tij.
“O Ali! Më së pari do të hyjmë në Xhenet unë, ti, Hasani dhe Hysjeni. Mbas neve do të vijnë pasardhësit tanë dhe mbas atyre gratë tona. Ihtarët (shiitët) tanë do të hyjnë kah e djathta dhe e majta jonë”.
“Unë nuk kam folur fshehtas me Aliun, por Allahu ka folur me të” (Gjatë rrethimit të Taifes, i Dërguari (s.a.v.) e morri Hz Aliun dhe shkuan në një vend të fshehtë dhe biseduan për një kohë të gjatë. Sahabet ia dhanë vërejtje për një gjë të tillë dhe i Dërguari (s.a.v.) ua bëri atë shpjegim)
“Hasani dhe Hysejni janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit, ndërsa babai i tyre është më i virtytshëm se ata”.
“O Grupi i Ensarëve! Përderisa mbaheni për të kur nuk do të dilni nga rruga e drejtë. A doni t’ju tregoj kush është ai? Ata i thanë ‘Po, Resulullah’. I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Ai është Aliu. Dashuroni atë sikur që më dashuroni mua dhe respektoni atë sikur që më respektoni mua! Për t’ju përcjellë juve këto fjalë, mua më urdhëroi Allahu i Madhëruar përmes Xhebrailit (a.s)”
“Aliu është prej meje dhe unë jam prej Aliut. Vendin tim mund ta përballoj vetëm unë ose Aliu”.
“Allahu i Madhëruar më ka dhënë këtë betim në lidhje me Aliun. Aliu mbas meje është flamuri i udhëzimit, Aliu është imami i të afërmve të mijë dhe drita e atyre që më nënshtrohen mua. Ai është fjala e domosdoshme e të devotshme. Çdokush që e do atë, më ka dashur mua dhe çdokush që e urren atë, më ka urryer mua”.
“O Enes! Ai që do të hyjë prej kësaj dere është urdhëruesi i besimtarëve, lideri i atyre që i kanë duart dhe këmbët e pastra dhe zotëria e besimtarëve”. Dhe, Aliu hyri kah ajo derë.
“Për besimtarët Aliu është sikur mbretëresha e bletëve për bletët”.
“Unë dhe Aliu jemi dëshmitë e Allahut për njerëzit”
“O Ali! Çkado që kam kërkuar për vete, të njëjtën kam kërkuar edhe për ty. Allahu i ka pranuar të gjitha kërkesat e mija përveç pejgamberllëkut”.
“Çokush që dëshiron që ta shikojë diturinë e Ademit, të kuptuarit e Nuhut, butësinë e Ibrahimit, asketizmin e Jahjas dhe fuqinë e Musës, le ta shikojë Ali bin Ebi Talibin. (ai që dëshiron t’i shohë atributet e të gjithë të dërguarve, le ta shikojë Aliun. Sepse, Aliu i zotëron vlerat më të larta)
“O Ali! Ti je zotëria e sahabeve”
“Kur shkova në Miraxh, e pashë një shkrim në mes të Arshit: Nuk ka Zot përveç Allahut. Muhamedi është i dërguari i Tij. Atë e kam ndihmuar përmes Aliut”.
“O Ali! Mos ma merr shpirtin pa e parë Aliun” (I Dërguari (s.a.v.) e kishte dërguar në një luftë Hz Aliun. Hz Aliu dhe ushtria e tij u vonuan dhe i Dërguari (s.a.v.) e tha këtë fjalë)
“O njerëz! A nuk do të mbusheni mend, apo ta dërgoj njërin që i ka të drejtat e njëjta mbi ju sikur unë për t’i goditur qafat e juaja në rrugën e Allahut dhe për t’i marr si robër juve dhe pasardhësit tuaj”. Pastaj, e morri dorën e Hz Aliut (a.s) dhe vazhdoi: “Ky është ai person”. (Në këtë mënyrë iu drejtua jobesimtarëve të Taifes. Ata i kërcënoi kështu sepse nuk dëshironin që të hynin në rrugën e drejtë gjatë rrethimit të tyre)
“Në mesin e ymmetit tim Aliu është sikur Qabja. Të shikuarit e Qabes është ibadet dhe shkuarja në haxh është obligim”.
“Unë jam qyteti i Xhenetit, ndërsa Aliu është dera e tij. Ai që thotë se mund të hyjë në Xhenet prej ndonjë vendi përveç se nga dera, është gënjeshtar”.
“Aliu është vendi i diturisë”
“Aliut ia kam mësuar njëmijë dyer të diturisë. Çdo derë hap nga njëmijë dyer tjera”.
“O Ali! Ty të kam lënë si dituri në mes meje dhe ymmetit. Çdokush që nuk të ndjekë, bëhet jobesimtar”.
“Mbas meje do të paraqiten çrregullimet. Në atë kohë mos harroni që ta bëni obligim për vete Ali bin Ebi Talibin. Sepse, në Ditën e Kiametit ai do të më sheh më së pari mua dhe do të takohet me mua. Ai do të jetë me mua në qiejt më të larta dhe ai do ta ndajë të vërtetën nga e pavërteta”.
“Më i mbari prej atyre që kanë hequr dorë nga ajo që kam hequr dorë unë, që do t’i përmbushi premtimet e mija dhe që do t’i paguajë borxhet e mija është Ali bin Ebi Talibi”.
“Aliu është bajraktari im në këtë dhe në botën tjetër”.
“Unë jam prej Aliut dhe Aliu është prej meje. Atëherë, Xhebraili (a.s) tha: “Edhe unë jam prej juve”.
“Sadiku (i sinqerti) dhe faruku (ai që e ndan të vërtetën nga e pavërteta) më i madh i ymmetit tim është Aliu”
“Aliu dhe ithtarët e tij janë prej njerëzve më të mbarë”
“Aliu do të jetë dëshmia ime mbi ymmetin tim në Ditën e Kiametit”.
“O Ali! Ti je vëllai im në këtë dhe në botën tjetër”.
“Urdhëruesi (mevla) i kujt jam unë edhe Aliu është urdhëruesi i tij. O Allah! Çdokush që e pranon Aliun, pranoje edhe Ti atë. Çdokush që e mohon atë, mohoje edhe Ti atë”.
“Identiteti i besimtarëve bëhet e qartë nga dashuria ndaj Aliut”
“Sikur që banorët e kësaj bote e shohin yllin e mëngjesit ashtu edhe banorët e Xhenetit do ta shohin Aliun”.
“Mishi i Aliut është mishi im, gjaku i Aliut është gjaku im”.
“Aliu është trashëgimtari im, vendi i fshehtësisë sime dhe më i mbari prej atyre që kanë hequr dorë prej asaj që kam hequr dorë unë”.
“Mbas meje, më i afërmi juaj është Aliu”
“O Ali! Duke qenë ti me të vërtetën, një grup i lazdruar do të luftojnë kundër teje! Çdokush që nuk të ndihmon për t’i luftuar ata, nuk është prej meje!” (Është pranuar unanimisht nga historianët dhe mbledhësit e haditheve se grupi i lazdruar ishte Muavija dhe ndjekësit e tij)
“O Ammar! Nëse i sheh se të gjithë njerëzit janë duke shkuar në një luginë dhe Aliu të shkojë në një luginë tjetër, duke i kundërshtuar ata, ndiqe Aliun. Aliu nuk të nxjerrë prej drejtësisë dhe nuk të qon në rrugën e gabuar”.
“O Ali! Pranoje përgëzimin tim se jeta dhe vdekja jote është bashkë me mua”.
“Pa qenë ende askush mysliman me mua, për shtatë vjet kanë dërguar bekime engjëjt mua dhe Aliut”.
“I pari që e fali namazin me mua ishte Aliu”.
“Ai që nuk mund ta durojë Aliun, nuk mund të durojë as mua dhe padyshim se do të bëhet jobesimtar”
“Çdokush që dëshiron që të mbahet për fenë e tij dhe të hipi në anijen shpëtuese mbas meje, le ta pranojë Aliun për udhëheqës. Armikun e Aliut le ta pranojë si armikun e vet dhe mikun e Aliut le ta pranojë si mikun e tij. Aliu është trashëgimtari dhe kalifi im mbi ymmetin tim në këtë dhe në botën tjetër. Ai është Imami i çdo myslimani mbas meje dhe urdhëruesi i çdo besimtari. Fjala e tij është fjala ime, urdhri i tij është urdhri im, ndalesa e tij është ndalesa ime. Nënshtrimi ndaj tij është nënshtrimi ndaj meje, ndihma ndaj tij është ndihma ndaj meje. Poshtërimi ndaj tij është poshtërimi ndaj meje”.
“Natën e martesës së Fatimes, duke shkuar ajo në shtëpinë e Aliut, unë isha përpara saj, Xhebraili në të djathtën, Mikaili në të majtën dhe shtatëdhjetëmijë engjëj mbrapa saj. Engjëjt e lavdëruan Allahun deri në mëngjes.
“Allahu më urdhëroi që ta martojë dritën me dritë”. (Hz Aliun me Hz Fatimen)
“Unë jam zotëria e të dërguarve ndërsa Aliu është zotëria e trashëgimtarëve”.
“Aliu është sikur hallka e varur në derën e Xhenetit. Çdokush që dëshiron që të hyjë në Xhenet duhet që të kapet për të”.
“Në çdo luftë që e kam dërguar Aliun, në krahun e djathtë ka qenë Xhebraili, në të majtën Mikalili dhe një engjëll përpara tij. Përderisa t’ia dhuronte fitoren Allahu i Madhëruar, një rre i bënte hije atij gjatë tërë kohës”.
“Askush nuk do të mund të kalojë urrën e Siratit në Ditën e Kiametit pa ia dhënë leje Aliu”.
“Çdokush që e do Aliun me gjuhë, do të zotërojë një të tretën e imanit; çdokush që e do Aliun me gjuhë dhe me dorë, do të zotërojë dy të tretën e imanit dhe çdokush që e do Aliun me gjuhë, dorë dhe zemër do ta zotërojë tërë imanin”.
“Sikur drurët të ishin bërë lapsa dhe detet ngjyrë shkrimi; njerëzit dhe xhinët të numërojnë, nuk do të mund t’i numërojnë meritat dhe virtytet e Aliut”.
Me kaq dëshirojmë që të përfundojmë, sepse njëri prej sahabeve, Abdullah ibn Abbasi, thotë: “Aliu zotëron më shumë se tridhjetë mijë tregime jetësore të virtytshme”. Mbasi që nuk e kemi këtë si temë kryesore, ne i kemi përmendur vetëm disa prej tyre.
Në këtë tefsir i kemi përmendur hadithet që përmenden në tefsirët e synnitëve në lidhje me Imamët e Ehli Bejtit, kështu që çdokush do të mund ta kuptojë rëndësinë e këtij tefsiri. Duke i krahasuar hadithet e lartpërmendura dhe rrëfimet e vërteta historike do të mund të marrim përgjigjen e qartë se pse e kanë shkruar tefsirin e Kuranit duke u referuar në të tjerët dhe jo në Imamët e Ehli Bejtit ndërsa, i Dërguari (s.a.v.), në mënyrë të qartë e të kuptueshme për të gjithë, ia kishte lënë ymmetit Ehli Bejtin dhe veçanërisht Hz Aliun si kalif dhe trashëgimtar të tij.
Këtë na e qartëson edhe hadithi që është pranuar si sahih te librat e Buhariut dhe të Muslimit: I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Mbas meje do të vijnë dymbëdhjetë kalif. Të gjithë janë prej Kurejshëve”. Pra, na bëhet e qartë se mbas të Dërguarit (s.a.v.) numri i kalifëve është dymbëdhjetë dhe se të gjithë janë prej Kureshëve. Kur ta lexojmë historinë po vërejmë se numri i kalifëve nuk po na del dymbëdhjetë. Ata që kanë dashur t’i pranojnë kalifët si dymbëdhjetë mund të themi se kanë mbërritur në përfundime që edhe për vetë ata kanë qenë të pabesueshme. Ata që kanë dashur që ta llogarisin Muavijen si njërin prej dymbëdhjetë kalifëve, kishin qenë të detyruar që të mos e llogarisin Jezidin si njërin prej dymbëdhjetëve.
Duhet që të mos harrojmë se Jezidi është vendosur si kalif nga ana e babait të tij, Muavijes. Nuk është e logjikshme që të pranohet Muavija si kalif ndërsa të mos pranohet kalifi të cilin e ka caktuar vetë. Në këtë rast, nuk është e drejtë që edhe Muavija të pranohet si njëri prej dymbëdhjetëve. Se sa jofetar ishte Jezidi mund të vërehej edhe gjatë kohës sa ishte në jetë vetë Muavija. Vetëm e vetëm për ta justifikuar Muavijen, Ibn Kesiri nuk i morri parasysh të gjitha këto veçanti dhe ua prezantoi myslimanëve dymbëdhjetë kalifët, duke mos qenë të lidhur në mes veti. Ka edhe shumë dijetar të tjerë synnit si Ibn Kethiri që i kanë numëruar edhe personat që njiheshin si çoroditës vetëm e vetëm që numri i tyre të bëhet dymbëdhjetë.
Nuk mund t’i kuptojmë gjithë këto arnime e improvizime duke marrë parasysh dymbëdhjetë Imamët që veç ekzistojnë brenda Ehli Bejtit. Kur e lexojmë historinë, na bëhet e qartë se Imamët janë dymbëdhjetë dhe çka është më e rëndësishme, duke u bazuar në këtë hadith, vetëm nga ana e Ehli Bejtit munden me qenë prej Kurejshëve. Ndërsa, Ibni Kethiri dhe të ngjashmit i përfshijnë brenda dymbëdhjetë kalifëve edhe të tillë që nuk janë prej Kurejshëve. Sipas rrjedhës së historisë, ekziston vetëm një pikëpamje që i përfaqëson të dymbëdhjetë kalifët, njëri duke e trashëguar tjetrin, dhe ata janë Imamët e Ehli Bejtit.
Aq më tepër, i Dërguari (s.a.v.) ua kishte lënë amanet Ehli Bejtin ymmetit të tij. I Dërguari (s.a.v.) nuk e ka lënë ymmetin krye në veti brenda fitneve. Por, pyetja kryesore është se çfarë ka ndodhur me këtë vasiet? Vajza e të Dërguarit (s.a.v.), Fatimja, jetoi gjashtë muaj mbas të Dërguarit (s.a.v.) dhe nuk ia dha betimin Ebu Bekrit. Ndërsa, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë në lidhje me Hz Fatimen: “Vajza ime Fatimja është një pjesë e imja. Ai që e shqetëson atë, më ka shqetësuar mua.
Ai që më shqetëson mua, e ka shqetësuar Allahun”. Dhe, në një vend tjetër thotë: “O Fatime! Në kënaqësinë tënde është kënaqësia e Allahut dhe në zemërimin tënd është zemërimi i Allahut”. Duke u bazuar në këtë hadith sahih dhe në dëshmitë që na i prezanton historia, mund të themi se: Hz Fatimja, kishte jetuar gjashtë muaj mbas të Dërguarit (s.a.v.) dhe se nuk e kishte pranuar Ebu Bekrin si kalif, dhe se nuk ishte i kënaqur prej tij!
Prapë, duke u bazuar në histori, Ehli Bejti ishte kanosur për shkak të mosdhënies së betimit ndaj Ebu Bekrit dhe kjo kanosje kishte shkuar aq larg sa që ishte tentuar që të digjet shtëpia në të cilën ka jetuar i Dërguari (s.a.v.) dhe brenda të cilit ishte edhe Ehli Bejti.
Dhe, kjo sikur nuk po mjafton, dhe ata u bënë edhe shkaktar të rrëzimit të foshnjës gjashtëmuajshe të Hz Fatimes, e cila ishte goditur e shtypur mbrapa derës së shtëpisë së saj. Në librat e historisë lexojmë se Hz Fatimja kishte ndërruar jetë në moshën 23 apo 25 vjeçare. Duke qenë kështu rrjedha e historisë, kush mund të pranonte tesfirin e Kuranit prej Imamëve dhe kush guxonte për të përcjellë diçka prej tyre?
Ata që dëshirojnë që ta mësojnë vërtetësinë e ngjarjeve historike, mjafton që ta lexojnë Sahihinë e Buhariut, Sahihin e Muslimit, Sunenin e Bejhakit, Historinë e Taberit dhe të Ibn ul Esirit. Këto që i treguam janë të vërteta dhe e vërteta është gjithmonë e hidhur. Se çfarë ishin sahabet nuk ka nevojë që ta përsërisim edhe njëherë, këtë e kemi bërë në parafjalën e librit.