LETRA 83
2 Rebī’ul-Ewwel 1330
A Mund ta Pajtoni Saktësinë e Tekstit me Besnikërinë e Sahabëve?
Ata që janë dhuntisur me shikim të mprehtë dhe të kuptuarit e thellë i mbajnë sahābët të jenë përmbi të bërit e çfarëdo gjëje kundër dëshirës së Profetit (s), në gjithçka ai urdhëron apo ndalon e as që lejojnë ata ndonjë gjë përveç një qëndrimi të tillë. Prandaj, ata nuk mund ta kenë dëgjuar tekstin mbi Imamin një, dy, apo tri herë e pastaj t’i jenë shmangur. Si mund të përshkruhen shokë të tillë si besnikë nëse ata e kanë dëgjuar tekstin rreth tij e pastaj janë tërhequr nga të ndjekurit e tij? Nuk mendoj se ju mund t’i pajtoni të dyja situatat, Wesselam.
Sinqerisht,
S
LETRA 84
5 Rebī’ul-Ewwel 1330
I Pajtimi i Saktësisë së Tekstit me Besnikërinë e Tyre,
II Shpjegimi i Ngurrimit të Imamit për të Kërkuar të Drejtën e Tij.
1) Trashëgimia jonë e hadītheve, që na është lënë nga ata sahābë, tregon se ata iu përmbajtën të gjitha teksteve, për sa kohë që ato kishin të bënin me besimin dhe merreshin me çështjet e lidhura me ahiretin, si p.sh. hadīthi i tij (s) mbi agjërimin e detyrueshëm gjatë muajit të Ramazanit dhe jo në ndonjë muaj tjetër, drejtimin vetëm nga kibla gjatë namazit, numrin e vakteve të detyrueshme gjatë ditës apo natës, numrin e rekateve në secilin, si dhe mënyrën e kryerjes së tyre, hadīthi i tij se tawafi rreth Qa‘bes është shtatë herë, dhe hadīthe të tilla që synojnë arritjen e shpërblimeve në ahiret.
Sa u përket teksteve të tija, që lidhen me çështjet politike, si: khilāfeti, qeverisja, administrimi, legjislimi, pushtimet etj., ata nuk e panë të domosdoshme t’i ndiqnin apo t’u përmbaheshin atyre në të gjitha rrethanat; përkundrazi, ata i lejuan vetes ushtrimin e një sasie opinioni personal dhe ixhtihādi.
Nëse në të kundërshtuarit e këtyre teksteve shihnin mbështetje të kauzës së tyre, ose dobi për pushtetin e tyre, ata u kundërviheshin atyre. Ata madje mund të synonin të kënaqnin Profetin (s) duke vepruar pikërisht kështu. Ata ishin të bindur se arabët as nuk do e pranonin sundimin e ‘Alīut dhe as nuk do ta pasonin një tekst mbi atë çështje, ngase ai i shtrëngonte shumë duke zbatuar Ligjin e Allahut mbi ta, duke patur derdhur gjakun e tyre me shpatën e tij gjatë përhapjes së Fjalës së Allahut, gjersa Vullneti i Tij mbizotëroi, megjithë orvatjet e të pafeve.
Kështu, ata nuk i bindeshin atij me dëshirë e as nuk i ndiqnin tekstet e tilla përveç se me forcë, duke ia atribuar atij tërë gjakderdhjen në rrugën e Allahut gjatë kohës së Profetit (s), sipas zakonit të tyre të hakmarrjes në situata të tilla, sepse ata e panë atë si kandidatin e vetëm mbi të cilin do kërkonin shpagim, sidomos kur hakmarrja i bëhet zakonisht më të shquarit prej burrave të fisit armik dhe më të zgjedhurës prej familjeve të tij.
Ata e dinin se ai ishte më i miri ndër hāshimītë, pas të Dërguarit të Allahut (s), pa asnjë dyshim a diskutim. Për këtë arsye, arabët pritën rastin për ta asgjësuar; ata kërkuan lloj-lloj metodash që t’ia dilnin ndaj tij dhe ushqyen një urrejtje të madhe kundër tij e pasardhësve të tij, gjersa iu vërsulën atyre në një mënyrë që u bë e mirënjohur kudo dhe turpi i saj mbushi tokën dhe qiejt.
Ekziston një arsye tjetër. Kurejshët në veçanti dhe arabët në përgjithësi e kritikonin fuqinë e të vepruarit të ‘Alīut ndaj armiqve të Allahut, forcën e metodës së tij të trajtimit të shkelësve të kufijve të Allahut apo lejuesve të asaj që Ai ka ndaluar.
Ata i frikësoheshin urdhërimit nga ai të së mirës dhe ndalimit të tij të së keqes; ata i tmerroheshin drejtësisë së tij në raport me vartësit dhe barazisë së tij në çështjet publike. Asnjeri nuk shpresonte për lëshime nga ai e as që ëndërronte për kompromis me të.
Të fortit dhe të pushtetshmit ishin të dobët deri sa ai të zbatonte drejtësinë mbi ta, dhe të dobtit e të nëpërkëmburit ishin të fortë e të nderuar kur ai u jepte atyre hakun. Atëherë, si mund t’i nënshtroheshin me dëshirë arabët një njeriu të tillë, kur {Ata ia kalojnë të gjithëve në mosbesim dhe hipokrizi, aq sa më mirë të mos i njohin dispozitat e asaj që Allahu i ka shpallur të Dërguarit të Tij} (9:97), dhe {Nga banorët e Medines ka prej atyre që janë vërtet kokëfortë në hipokrizi; ti [o Muhammed] nuk i di, Ne i dimë} (9:101) e midis tyre ka nga ata që nuk ngurrojnë të kryejnë asgjë të krisur.
Ka edhe një arsye tjetër. Kurejshët në veçanti dhe arabët në përgjithësi e kishin zili atë për epërsitë që i kishte dhuruar Allahu. Ai ishte lartësuar nga Allahu, i Dërguari i Tij dhe të mençurit, në një status sublim falë dijes dhe bëmave të tij; të tjerët s’i arrijnë dot ato lartësi dhe ata që kishin aftësi ngurruan të konkurronin me të. Përmes famës dhe cilësive të tij, ai fitoi tek Allahu dhe i Dërguari i Tij një pozicion të lakmuar nga më shpresuesit dhe një prestigj të paarritshëm nga më ambiciozët. Kështu, xhelozia mbushi zemrat e hipokritëve. Hipokritët e ligë, mosmirënjohës dhe inatçi, krahas oportunistëve, u pajtuan të gjithë që të bënin punën e tyre ndaj tij; prandaj ata i hodhën këto tekste pas shpine, duke ua lënë harresës.
Ç’u bë - u bë, unë s’po të tregoj ç’kam parë;
Mendo të mirën e mos pyet: kush, kur e çfarë!
Gjithashtu, kurejshët dhe të gjithë arabët e tjerë kishin filluar ta lakmonin dominimin politik për fiset e tyre përkatëse dhe ambicjet e tyre zgjateshin më tej. Për këtë arsye, ata vendosën ta flaknin zotimin dhe ishin të vendosur ta shpërfillnin testamentin. Prandaj, ata bashkëpunuan të gjithë për ta lënë në harresë tekstin, duke vendosur të mos e përmendnin më kurrë. Ata ranë dakort të gjithë ta shmangnin khilāfetin, qysh në lindjen e tij, prej kandidatit të duhur, të cilit ai i ishte caktuar nga Profeti (s) dhe ta bënin me zgjedhje e pëlqime, që çdonjëri prej tyre të kishte justifikim për ta shpresuar arritjen e tij, ndonëse pas ca kohësh.
Sikur të kishin ndjekur tekstin dhe ta kishin lejuar ‘Alīun si khalīf të të Dërguarit të Allahut (s), ai khilāfet nuk do ishte larguar kurrë nga pasardhësit e tij të pastruar, ngase ai i kishte barazuar ata në Ditën e Gadīrit, si dhe në raste të tjera, me Librin e pacenueshëm të Allahut, duke i paraqitur si modele për ata që kanë mend gjer në Ditën e Gjykimit. Arabët s’do ta kishin duruar dot kufizimin e khilāfetit në një familje të vetme, sidomos kur të gjitha fiset e tyre e lakmonin dhe ai synohej nga të gjithë ata që e donin për kampet e veta.
Ai, vërtet, është fishkur, dobësuar dhe venitur -
Një skelet i palakmuar edhe nga xhepat më të sfilitur
Gjithashtu, kushdo që e njeh historinë e kurejshëve dhe të arabëve në agimet e Islamit do ta shohë se ata s’iu nënshtruan profetësisë së një hāshimīti veçse pasi u dërrmuan e u shfuqizuan; e si mund të ishin pajtuar atëherë, që pasardhësit e Hāshimit të bënin për vete edhe khilāfetin? ‘Umer ibn el-Khattābi i tha një herë Ibn ‘Abbāsit në një dialog mes tyre:
“Kurejshët e urrenin që edhe profetësia edhe khilāfeti të kufizohen brenda familjes tuaj nga frika se ju do i shtypnit të tjerët.”
(Kjo citohet nga Ibn Ebī’l-Hadīdi në f. 107, vëll. III I Sherh Nehxhul Belāgës, gjatë diskutimit të një çështjeje që meriton vëmendjen e studiuesve, të cilën e shqyrton edhe Ibnu’l-Athīri pranë mbylljes së biografisë së ‘Umerit në f. 24, vëll. III i Tarīkh ul-Kāmil, para diskutimit të ngjarjes së “shūras”.)
2) Të parët e mirë, atëherë, nuk mund t’i detyronin këta njerëz ta zbatonin frymën e tekstit nga frika se ata mund të rebeloheshin po ta bënin dhe të shqetësuar për pasojat e rënda të fitnes mbi një çështje të tillë. Hipokrizia nxori krye menjëherë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut dhe fuqia e hipokritëve u rrit nga kjo humbje. Shpirtrat e errët të të pafeve u bënë edhe më të errët, themelet e besimit u dobësuan dhe zemrat e muslimanëve u venitën, aq sa ata u bënë si gjedhët e frikësuara në një natë dimri, të rrethuar nga ujqërit dhe bishat e egra. Një grup prej arabëve braktisën fenë, ndërkohë që një tjetër ishte në pritje, siç shpjeguam tek Letra 82.
Në rrethana të tilla, ‘Alīu i druhej pasojave të rënda nga nxitimi i çështjeve po ta merrte përsipër ai drejtimin, duke ua njohur zemrat njerëzve, siç thamë, kur hipokritët ishin ata që ishin, teksa kafshonin thonjtë në zemërim, si dhe femohuesit që përmendëm, ndërkohë që popujt politeistë ishin ashtu siç i treguam. Ensārët kishin dalluar e ishin devijuar nga muhāxhirët, duke thënë ‘ne po zgjedhim udhëheqësin tonë e ju zgjidhni tuajin...’
Shqetësimi për fenë e nxiti të tërhiqej nga të kërkuarit e khilāfetit për vete dhe të kapërcente çështje të caktuara, duke e ditur se kërkimi i khilāfetit në rrethana të tilla do ta rrezikonte ummetin dhe vinte në pikëpyetje sigurinë e fesë; ndaj ai zgjodhi të përmbahej, vetëm në preferim të interesit të Islamit e mirëqenies së përbashkët, të mirën e së ardhmes përpara asaj të së shkuarës.
Ai pra qëndroi në shtëpi, duke refuzuar të jepte betimin deri sa e detyruan të dilte, thjesht për ta theksuar të drejtën e tij, duke i kundërshtuar në heshtje ata që e braktisën. Po të ishte nxituar për të dhënë betimin, ai s’do të kishte patur as argument e as pretekst, por duke vepruar kështu, ai e ruajti edhe fenë edhe të drejtën e tij për t’i udhëhequr besimtarët, duke vërtetuar kësisoj mprehtësinë e mendjes së tij, butësinë e tij mahnitëse, durimin dhe preferimin e tij të interesit publik mbi atë personal. Çdo njeri, që jep kaq shumë duke përballuar kaq shumë vuajtje me siguri do të shpërblehet nga Allahu me shpërblime hyjnore. Synimi i tij ishte pa dyshim arritja e kënaqësisë së Allahut - si në atë epokë, ashtu edhe në vijueset.
Sa u përket tre khalīfëve dhe përkrahësve të tyre, ata e kanë interpretuar tekstin mbi khilāfetin e ‘Alīut në mënyrën që treguam më lart. Kjo nuk duhet të na habisë aspak, kur shohim se si ata i interpretojnë dhe i kuptojnë individualisht tekstet e tjera të Profetit (s) lidhur me çështje si khilāfeti, qeverisja, administrimi, legjislimi etj. Ata mesa duket nuk i konsideronin ato si çështje fetare; prandaj ishte e lehtë për ta që në praktikë t’u binin ndesh atyre. Kur më në fund e morën pushtetin, ata u kapën pas politikës së braktisjes së teksteve të tilla, duke u betuar se do i dënonin ata që i përmendnin apo madje dhe i aludonin ato.
Kur ia arritën në vendosjen e rendit, përhapjen e fesë, pushtimin e popujve dhe ngritjen e pasurisë e të pushtetit, ata nuk u shthurën në dëshirat vetjake, çka i lartësoi e i bëri të fitojnë respektin, besimin dhe dashurinë e popullit. Njerëzit i ndoqën pas në të harruarit e tekstit dhe kur ummejadët morën pushtetin, objektivi i tyre u bë zhdukja dhe shfarosja e familjes së Profetit. Megjithë tërë këtë, ca tekste të sakta kanë mbërritur te ne dhe janë ruajtur në librat autentike të hadīthit; këta, elhamdu li’l-Lāh, mjaftojnë si provë, Wesselam.
Sinqerisht,
Sh