LETRA 81

28 Sefer 1330

 

Konsensusi u Arrit kur Grindja u Shua.

 

Sunnitë nuk e mohojnë faktin se betimi nuk u mor pas ndonjë konsultimi apo shqyrtimi serioz. Përkundrazi, ata e pranojnë se ai ndodhi befasisht dhe papritur. Ata nuk e mohojnë se kjo ishte kundër vullnetit të ensārëve dhe preferimit të tyre të Sa‘dit, dhe as se ishte kundër hāshimīve dhe ndjekësve të tyre nga muhāxhirët e ensārët, të cilët u bashkuan me Imamin në bojkotin e tij. Por ata thonë se khilāfeti më në fund iu dha Ebū Bekrit, që u pranua nga të gjithë si Imam; grindja u shua, armiqësitë u ndërprenë dhe secili u bë i vendosur për ta mbështetur esSiddīkun e për t’i dhënë atij këshilla fshehtasi e haptasi; ndaj, ata luftuan në betejat e tij, e mbështetën kur bëri marrëveshje paqeje dhe ia zbatuan urdhrat. Askush nuk dalloi ndopak lidhur me këtë; kështu, një konsensus total u arrit më në fund dhe ngarkimi i khilāfetit u krye. Falënderimi i takon Allahut për njësimin e fjalës së tyre pas trazisë dhe bashkimin e zemrave të tyre pas përçarjes, Wesselam.

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 82

30 Sefer 1330

 

Konsensusi Nuk u Arrit; Mosmarrëveshja Nuk u Shua

 

Bashkimi i tyre në mbështetjen e Siddīkut dhe dhënia e këshillave atij fshehtasi e haptasi është një gjë; kurse vlefshmëria e dorëzimit të khilāfetit me konsensus është krejt një tjetër. Ato nuk janë të ndërlidhura, nëse gjykohen nga arsyeja dhe tradita, sepse ‘Alīu dhe tërë Imamët e pagabueshëm nga pasardhësit e tij kanë një qëndrim të mirënjohur në mbështetje të autoritetit islam; ai është i njëjtë me atë me të cilin ne e adhurojmë Allahun. Po e përmendim këtu në përgjigje të asaj që ju pohuat. Ai mund të përmblidhet kështu: Ata besojnë se ummeti islam s’mund ta arrijë kurrë lavdinë përveç se me anë të një shteti i cili e bashkon popullin e tij, riparon çdo të plasur në strukturën e tij, mbron kufijtë e tij dhe ruan nismat e tija. Një shtet i tillë nuk mund të vendoset përveç se me vartës që e mbështesin me jetët dhe pasuritë e tyre.

Nëse është e mundur për një shtet të tillë që të udhëhiqet nga një prijës legjitim i cili përfaqëson në kuptimin e vërtetë të fjalës qeverinë e të Dërguarit të Allahut (s), atëherë ai është personi që duhet vendosur për një përgjegjësi të tillë e askush tjetër. Por nëse kjo bëhet e pamundur, dhe qeverisja uzurpohet nga dikush tjetër, atëherë ummeti duhet ta mbështesë atë në çdo çështje mbi të cilën varet dinjiteti dhe fati i Islamit, po ashtu si mbrojtja e kufijve dhe e shtetit islam, si dhe ruajtja e sigurisë së tij kombëtare.

 

Nuk lejohet që të ndahen muslimanët apo të krijohet përçarje mes tyre duke i kundërvënë ata; përkundrazi, ummeti duhet ta trajtojë atë, madje edhe po të jetë një skllav me gjymtyrë të prera, ashtu siç trajtohen khalīfët e drejtë, duke ia besuar atij haraçin dhe pjesën e tij në të, zekatin e gjedhëve dhe produkteve të tjera. Ai ka të drejtën të marrë të njëjtën prej tij me anë të shitjes a blerjes, si dhe të gjitha mjetet e zhvendosjes së pasurisë, si p.sh. me anë të shpërblimeve, dhuratave e të ngjashme.

 

Nuk ka dyshim për ndërgjegjen e pastër të atij që ua paguan atyre detyrimet, sikurse t’ua jepte ato Imamit të vërtetë dhe khalīfit të drejtë. Kjo është udha e ‘Alīut dhe Imamëve të pastruar nga pasardhësit e tij. I Dërguari i Allahut (s) ka thënë:

“Pas meje do të ketë anshmëri dhe çështje të shëmtuara” siç pohohet në një hadīth të përcjellë nga ‘Abdullāh ibn Mes’ūdi, cituar nga Muslimi në faqe 118, vëll. II i Sahīh-ut të tij dhe shumë autorë të sahīhëve e sunen-eve. Njerëzit e pyetën:

“O i Dërguari i Allahut! Çfarë i urdhëron ndonjërit prej nesh që do t’i shohë ata?” Ai (s) u përgjigj: “Kryeni obligimet tuaja dhe lutjuni Allahut për arritjen e hakut tuaj.”

 

Ebū Dher el-Gifārīu citohet nga Muslimi në Sahīh, vëll. II, duke thënë:

“Miku im i Dërguari i Allahut (s) më ka këshilluar të dëgjoj e t’i bindem edhe një [sundimtari që është] rob me gjymtyrë të prerë.”

 

Seleme el-Xhu‘fī citohet nga Muslimi e të tjerë, duke e pyetur Profetin (s):

“O i Dërguari i Allahut! Po të sundohemi nga ata që na kërkojnë t’i kryejmë obligimet ndaj tyre, ndërkohë që ata vetë na i mohojnë të drejtat, ç’na këshillon të bëjmë atëherë?” Ai (s) iu përgjigj: “Dëgjoni e binduni, sepse ata do të mbartin barrën e mëkateve të tyre dhe ju do të mbartni tuajën.”

 

Në një hadīth të veçantë të cituar nga Muslimi në f. 120, vëll. II i Sahīh-ut të tij, që përcillet nga të gjithë autorët e librave të hadīthit, Hudheife el-Jemānī (r.a.) citon Profetin (s) duke thënë:

“Pas meje do të ketë sundimtarë të cilët as do të udhëzojnë sipas udhëzimit tim e as do të ndjekin Sunne-tin tim; dhe midis tyre do të ketë njerëz zemrat e të cilëve janë si veshja e djajve në formë njeriu.” Hudheife e pyeti atë (s): “Çfarë duhet të bëj atëherë, o i Dërguari i Allahut, nëse ndodh që t’i shoh?” Ai u përgjigj: “Do ta dëgjosh sundimtarin e do t’i bindesh; nëse ai ta kamzhikos shpinën e ta konfiskon pasurinë, nuk do të [mund të] bësh tjetër veçse ta dëgjosh e t’i bindesh.”

 

I ngjashëm me këtë hadīth është ai i përcjellë nga Ummi Seleme:

“Do ketë sundimtarë [të padrejtë] mbi ju e ose do ta pranoni [të qenit e tyre të padrejtë], ose do ta mohoni. Ata që do e pranojnë do mbahen të pafajshëm, ndërsa ata që e mohojnë do të shpëtojnë nga mundimi.” Ata e pyetën: “A nuk duhet që t’i luftojmë ata?” Ai (s) u përgjigj: “Jo, për sa kohë të vazhdojnë namazin.”

(Ky hadīth citohet nga Muslimi në f. 122, vëll. II i Sahīh-ut të tij. Kuptimi i frazës së tij “Kushdo që e njeh atë është i pafajshëm”, është se kushdo që e din ligësinë dhe e tregon atë si të tillë do t’i hyjë një rruge që do ta ndajë nga mëkati dhe dënimi i saj, duke e ndryshuar me dorën ose gjuhën e tij, por nëse nuk mundet, le ta urrejë atë me zemër.)

 

Sahīh-ët janë mutewātir në përcjelljen e hadītheve të mësipërme, veçanërisht nëpërmjet pasardhësve të pastruar (‘a). Për këtë arsye, këta qëndruan të palëkundur teksa panë sy të ënjtur, dhe ndenjën gojëkyçur, duke vepruar sipas atyre urdhëresave të shenjta dhe të tjerave, për të cilat ishin obliguar. Ata ishin urdhëruar ta duronin vuajtjen ngase ishin të detyruar të mos i vinin re sytë lëngues, duke ruajtur unitetin e ummetit dhe duke e mbajtur atë të paprekur. Ata u kapën pas kuptimit të këtyre teksteve, në trajtimin e personave të cilëve u ishte besuar përkujdesja e çështjeve të muslimanëve.

 

Duke qenë të ndërgjegjshëm për faktin se ishin vetë më të denjë për atë pozitë, ata shijuan ithtësinë e shajtimit, duke shpresuar se një ditë do mund t’i shpienin në Rrugë të Drejtë. Ngjitja e atyre individëve në pushtet ishte më e dhimbshme për ta sesa goditjet e shpatave të mprehta e megjithatë ata duruan vetëm për të përmbushur zotimin, plotësuar përkushtimin dhe kryer detyrat e tyre ndaj Sherī‘atit, duke i dhënë përparësi - gjatë kundërshtimit të atyre sundimtarëve - preferimit të asaj që është më e rëndësishme ndaj asaj që është më e pëlqyeshme. Për këtë arsye, Prijësi i Besimtarëve u përpoq me sa mundi që t’u ofronte këshilla të tre khalīfëve, duke e vënë veten në dispozicion për këtë.

 

Kushdo që e njeh qëndrimin e tij gjatë epokës së tyre do ta shohë se, pasi i humbi të gjitha shpresat për ta marrë të drejtën e tij si zëvendësi i të Dërguarit të Allahut (s), ai u veçua mënjanë me urti, duke parapëlqyer paqe me ata që ishin në fuqi. Ai s’i luftoi ata kur pa fronin e tij të premtuar në duart e tyre, e as që iu kundërvu atyre haptazi. Ai veproi kështu vetëm për të ruajtur forcën e ummetit dhe mbrojtur besimin, duke mbajtur parasysh gjithmonë interesin e fesë, e pëlqyer ahiretin ndaj duniasë.

Ai vuajti nga agoní prej të cilave s’vuajti askush tjetër. Atë e kapluan dy fatkeqësi: khilāfeti në tekstet dhe urdhëresat e tij po e thërriste fuqishëm me një zë që ia çonte zemrën peshë nga njëra anë e përçarja shtypëse po e paralajmëronte frikshëm ndaj një trazie të mundshme në gadishull, nga tjetra. Ekzistonte rreziku që beduinët arabë ta braktisnin fenë, duke e asgjësuar dinin islam. Feja po kërcënohej nga hipokritët e Medines të cilët hipokrizinë e kishin të ngulitur në natyrë e që ndihmoheshin nga beduinët hipokritë përreth, siç dëshmon ajeti kur’anor. Jo madje, këta ishin edhe më të këqinj në mosbesim e hipokrizi se të parët, aq sa ishte më mirë të mos i dinin dispozitat që i kishte shpallur Allahu të Dërguarit të Tij (s). (Kur’an, 9:97. (red.)

 

Vdekja e Profetit (s) i trimëroi ata dhe pas kësaj muslimanët u bënë si gjedhët e frikësuara në një natë dimri, të rrethuar nga ujqit dhe bishat e egra. Ndërkohë që soji i tyre ishte mjaft aktiv në përpjekjet për ta fshirë fenë islame nga faqja e dheut dhe për t’i shfarosur muslimanët, romakët, kisrat dhe të tjerët po pritnin me padurim, si shumë të tjerë në listën e gjatë të këtyre elementeve gëluese që kishin urrejtje ndaj Muhammedit (s).

Këto palë kishin mëri e xhelozi për mesazhin e Islamit; ata dëshironin t’ia rrënonin themelet e t’ia shkatërronin fuqinë. Në një orvatje të tillë, ata do të tregoheshin shumë të shpejtë, duke e parë që kishin rastin e artë në nisjen e Profetit tek Shoku i tij i Lartë. Atyre u kishte ardhur mundësia pra, që ta përdornin kaosin përpara se Islami të rimerrte forcat dhe të riorganizohej. Atëherë, Prijësi i Besimtarëve i kuptoi të dyja rreziqet, dhe ishte krejt e natyrshme që ai ta sakrifikonte të drejtën e tij për të mbështetur fenë e Islamit, duke preferuar kështu interesin e përgjithshëm ndaj atij personal.

 

Ja se si mbaroi konfuzioni, dhe se si u pezullua debati ndërmjet tij dhe Ebū Bekrit, sepse ai s’i frikësohej asgjëje përveç përçarjes së muslimanëve dhe interesi i tij i vetëm qe që fitimtarë të dilnin muslimanët. Prandaj, ai, tërë anëtarët e shtëpisë së tij dhe mbështetësit e tyre nga muhāxhirët dhe ensārët, qëndruan gojëkyçur e duruan, edhe kur panë sy lëngues. Ligjërata e tij pas nisjes së të Dërguarit të Allahut (s) është shumë e sinqertë në të pasqyruarit e këtij qëndrimi dhe raportimet përkatëse janë mutewātir nga Imamët e pasardhjes së pastruar.

 

Mirëpo, prijësi i ensārëve Sa‘d ibn ‘Ubāde s’u pajtua kurrë me dy khalīfët e parë dhe ai nuk u pa kurrë në publik në praninë e tyre as nëpër bajrame, as nëpër xhuma dhe ai nuk i përqafoi asnjëherë pikëpamjet e tyre dhe as që iu bind urdhrave të tyre, gjersa u vra në Hurān, gjatë sundimit të khalīfit të dytë, ku vrasësit e tij pretenduan se atë e kishin mbytur xhinët. Ai bëri një pohim të paharrueshëm gjatë incidentit të sakīfes, por më mirë nuk po e citojmë atë këtu.

(Sa‘d ibn ‘Ubādeh, babai i Thābitit, ishte i pranishëm në zotimin në ‘Akabe. Ai gjithashtu mori pjesë në betejën e Bedrit dhe të tjera. Ai ishte prijësi i khazrexhëve dhe i deleguari i tyre, një burrë bujar dhe parí e ensārëve. Pohimi i tij mbush librat e historisë dhe jetëshkrimeve. Ju mjafton ajo që ka thënë Ibn Kutejbe në librin e tij el-Imāme we’l-Sijjāse, Ibn Xherīr et-Taberīu në Tarīkh, Ibnu’l-Athīri në el-Kāmil, Ebū Bekr Ahmed ibn ‘Abdul-‘Azīz el-Xheuherī në es-Sakīfe dhe të tjerë)

 

 Sa u përket miqve të tij si Habāb ibn el-Mundhiri (Habābi ishte një nga prijësat e ensārëve dhe hero i Bedrit e i Uhudit, një burrë nami dhe bëmash të mëdha. Ai është personi që tha: “Unë jam [i fortë e i patundshëm si] një shtyllë druri e fërkuar nga devetë dhe një frut i ëmbël i lakmuar shumë. Unë jam biri i një luani në strofkën e tij; për Allah, po të doni, ne [ensārët] do t’i kthehemi luftës e cila do të bluante edhe të rinjtë.” Ai tha të tjera pohime shumë më të forta, por menduam se do të ishte më e mençur të përmbahemi nga të cituarit e tyre këtu.) dhe ensārëve të tjerë, ata u nënshtruan kundër vullnetit, duke iu dorëzuar presioneve; atëherë, a i konsideroni ju veprimet e diktuara nga shpata apo djegia me flakë (Kërcënimi i tyre për t’ia djegur shtëpinë ‘Alīut vërtetohet me tewātur absolut. Shqyrtoni atë që ka treguar Imam Ibn Kutejbe në fillim të kreut të parë të elImāme we’l-Sijāse, Imam Taberīu në dy vende ku diskuton ngjarjet e vitit 11 H. në Tarīkh-un e tij të famshëm, Ibn ‘Abd Rabbih el-Mālikīu në hadīthin e tij të sakīfes cituar në vëll. I, f. 134 të Sherh Nehxhul Belāgës nga Ibn Ebī’l-Hadīdi, Mes’ūdi në Murūxh ul-Dheheb që citon ‘Urweh ibn Zubeirin kur ky kërkoi ndjesë në emër të të vëllait ‘Abdullāhit i cili gati sa s’u vuri flakën shtëpive të hāshimive sepse ata bojkotuan dhënien e betimit Ebū Bekrit, el-Shehristānī që citon Nizāmīun kur diskuton grupin e nizāmive në librin e tij el-Milel we’n-Nihel. Ebū Mikhnafi i ka kushtuar një libër të tërë ngjarjeve të lidhura me sakīfen, në të cilin ai shkoqit hollësisht atë që përmblodhëm këtu, pa përmendur famën dhe tewāturin e këtij hadīthi, krahas vargjeve poetike nga el-Hāfiz Ibrāhīmi, të cilat janë bërë të famshme si “poema e ‘Umerit”: Një fjalë që ‘Umeri i tha ‘Alīut; pa mendo njëherë; Nderoja dëgjuesin, respektoja thënësin, bëji veshët katër: “A ta djeg shtëpinë e ta bëj një pirg me hi në erë Nëse tregohesh kokëfortë dhe s’betohesh pa e zgjatur Edhe pse aty brenda ndodhet e bija e Mustafāit!” Askush tjetër përveç Ebū Hafsait s’i tha këto fjalë Ndaj kalorësit të Adnānit dhe mbrojtësit të rrallë… Kështu pra e trajtuan ata Imamin pa pajtimin e të cilit, konsensusi - sipas nesh - s’mund të jetë kurrë obligues; atëherë, po i pyesim të paanshmit se si mundet “konsensusi” i tyre të jetë detyrues për ne, kur punët janë kështu?) si besim në dhënien e bejatit? Apo mos është kjo një dëshmi e “ixhmāsë” së nënkuptuar te thënia e Profetit (s): Ummeti im s’do të gabojë në konsensusin e opinionit të tij? Ju lutem parashtrojeni vendimin tuaj; Allahu jua shpërbleftë, wesselām.

 

Sinqerisht,

Sh