LETRA 71

10 Sefer 1330

 

Përse të Refuzohet Hadīthi i Nënës së Besimtarëve dhe më të Mirës nga Bashkëshortet e Profetit (s)?

 

Përse u kthyet mënjanë - Allahu ju faltë - nga nëna e besimtarëve dhe më e mira nga bashkëshortet e Profetit dhe e flakët hadīthin e saj, duke ia lënë atë harresës, ndërkohë që fjala e saj është gjykimi përfundimtar dhe i drejtë? Megjithkëtë, ju mund të na jepni pikëpamjen tuaj për shqyrtim, Wesselam. Sinqerisht,

S

 


LETRA 72

12 Sefer 1330

 

I Ajo Nuk Ishte Bashkëshortja më e Mirë e Profetit (s),

II Më e Mira është Hatīxheja,

III Sqarim i Përgjithshëm për Arsyen e Refuzimit të Hadīthit të Saj.

 

1) Nëna e besimtarëve ‘Ā’ishe gëzon pozitë të veçantë dhe ka kontributin e saj të merituar, por ajo nuk është më e mira ndër gratë e Profetit (s). Si mund të jetë ajo më e mira kur një hadīth i saktë e citon atë duke thënë:

“I Dërguari i Allahut (s) përmendi njëherë Hatīxhen e unë kundërshtova duke thënë: ‘Ajo ishte një grua plakë dhe kështu e ashtu, e Allahu të ka dhuruar një më të mirë se ajo [duke nënkuptuar veten].’ Ai tha: ‘Aspak; Allahu s’më ka dhuruar asnjë më të mirë se ajo; ajo më besoi kur njerëzit më mallkonin dhe më besoi kur njerëzit më quanin gënjeshtar; ajo e ndau pasurinë me mua kur njerëzit më shpronësuan dhe Allahu më bekoi me fëmijë prej saj duke më privuar nga fëmijë prej tërë të tjerave’”?

 

‘Ā’ishja tregohet të ketë thënë gjithashtu:

“I Dërguari i Allahut (s) s’dilte kurrë nga shtëpia pa e përmendur dhe lavdëruar Hatīxhen. Një ditë, ai e përmendi atë dhe unë u bëra xheloze. I thashë: ‘Ajo s’qe veçse një grua plakë e Allahu të ka dhënë një më të mirë!’ Ai u fye aq shumë saqë flokët e përparmë iu tundën nga zemërimi e tha: ‘Jo, për Allah! Allahu s’më ka bekuar me asnjë më të mirë se ajo! Ajo besoi në mua kur njerëzit nuk besonin; më mbajti për besnik kur njerëzit më quajtën gënjeshtar; më dha pjesë të barabartë nga pasuria kur njerëzit më shpronësuan, e Allahu më bekoi me fëmijë prej saj duke më privuar nga ata prej të tjerave."

(Ky hadīth dhe ai që e pason, janë ndër më të detajuarit e përcjellë nga sunnitë. Drejtojuni atyre në diskutimin e Hatīxhe el-Kubres në el-Istī‘āb dhe do t’i gjeni shprehimisht siç i kemi cituar këtu. Ato citohen nga Bukhārīu dhe Muslimi në Sahīh-ët e tyre me formulim thuajse të njëjtë.) 

 

2) Më e mira e bashkëshorteve të Profetit (s), pra është Hatīxhe el-Kubra, besnikja e ummetit, e para që besoi në Allah e Kur’an dhe që e ngushëlloi Profetin e Tij (s). Allahu e frymëzoi të Dërguarin e Tij t’i përcillte asaj sihariqet se ajo kishte në Xhennet një shtëpi të ndërtuar me tulla ari e argjendi (Siç transmeton Bukhārīu në kreun mbi xhelozinë dhe sentimentalitetin e grave, pranë mbylljes së librit të tij mbi martesën, f. 175, vëll. III i Sahīh-ut.) dhe se ajo kishte qenë e preferuara e Allahut. Fuqiploti tha për të:

“Më të mirat e grave të Xhennetit janë Hatīxhe bint Khuwejlid, Fātime bint Muhammed, Āsije bint Muzāhim e Merjem bint ‘Imrān.”

Ai tha: “Mes tërë grave të botës, të lëvduara janë Hatīxhe bint Khuwejlid, Fātime bint Muhammed, Āsije bint Muzāhim e Merjem bint ‘Imrān.”

Ka hadīthe të tjera nga më të saktit e të besuarit që e theksojnë këtë. (Ne e kemi cituar atë në paragrafin e dytë të pohimit tonë të njohur dhe kushdo që dëshiron të hulumtojë, le të drejtohet aty.)

 

Gjithashtu, nuk mund të thuhet as se ‘Ā’ishja ishte më e mira nga nënat e besimtarëve, pas Hatīxhes. Hadīthe të besueshme dhe ngjarje të dokumentuara refuzojnë ta favorizojnë atë mbi të tjerat, siç është fare e qartë për ata që kanë mend. Ajo me siguri e mendonte veten superiore mbi të gjitha të tjerat, dhe Profeti, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, nuk u pajtua me vetvlerësimin e saj. Kjo u pa kur i Dërguari i Allahut (s) hyri në dhomën e Safijje bint Hujejit dhe e gjeti duke qarë. Ai e pyeti:

“Çfarë të pikëllon?” Ajo u përgjigj: “Mora vesh se si ‘Ā’ishja dhe Hafsaja flasin keq për mua dhe thonë se janë më të mira se unë.” Ai, paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij, i tha: “A nuk munde t’u thoje: ‘Si qënkeni më të mira se unë, kur babai im është Harūni, xhaxhai im është Mūsai, e burri im është Muhammedi’?”

(Kjo citohet nga Tirmidhīu prej Kinānes, robit të nënës së besimtarëve Safijjes, dhe transmetohet nga Ibn ‘Abd el-Berri në biografinë e tij të Safijjes në el-Istī‘āb, Ibn Haxheri në biografinë e saj në el-Isābeh, Shejh Rashīd Ridā në fund të faqes 589, vëll. XII i Menār-it të tij dhe shumë muhadīthë të tjerë.)

Kushdo që e ndjek nënën e besimtarëve në veprat e fjalët e saja do ta gjejë siç e tregojmë këtu.

 

3) Arsyeja përse e kemi flakur hadīthin e saj lidhur me testamentin është se ai nuk përbën një argument, dhe ju lutem mos më kërkoni ta shkoqis këtë pikë, Wesselām.

 

Sinqerisht,

Sh