LETRA 63
3 Sefer 1330
I Tekstet Shī’ite nuk Pranohen si Dëshmi,
II Përse Janë Përmbajtur të Tjerët nga Citimi i Tyre?
III Kërkesa për të Tjera Tekste.
1) Për sa kohë që këto tekste nuk citohen nga jo-shī‘itët, sunnitë s’janë të detyruar t’i pranojnë ato si dëshmi. 2) Nëse janë verifikuar, përse nuk i ka cituar askush ato? 3) Le t’i referohemi vetëm hadītheve të përcjella rreth kësaj nga sunnitë, Wesselam.
Sinqerisht,
S
LETRA 64
4 Sefer 1330
I Tekstet e Mësipërme u Cituan me Kërkesë,
II Sahīh-ët Sunni janë Prova kundër Shumicës, III Nuk u Cituan Sepse Ndodheshin në Sahīh-ët Tanë.
1) Ne i cituam tekstet për t’ju njohur juve me to dhe në përgjigje të vetë kërkesës suaj.
2) Dëshmia jonë ndaj argumentit tuaj është ajo që ne tashmë kemi cituar nga vetë Sahīh-ët tuaj.
3) Arsyeja përse ato tekste nuk u përfshinë është paragjykimi, me të cilin ne jemi të familjarizuar, i atyre që e maskuan mërinë e tyre dhe e fshehën armiqësinë e tyre, nga pala e Faraonit gjatë agimit të Islamit, adhuruesve të autoritetit dhe dominimit të cilët shpenzuan gjithçka që zotëronin në fuqi dhe mjete për t’i mbuluar kontributet e Ehl ul-Bejtit dhe për ta shuar dritën e tyre kudo. Ata i detyruan njerëzit t’ua mohonin atyre meritat dhe cilësitë, me anë të mjeteve dhe metodave të tundimit e kërcënimit, herë me anë të pasurisë e herë me anë të pozitave e posteve politike.
Ata i derdhën favoret e tyre mbi mohuesit e këtyre meritave, duke i dëbuar, syrgjynosur dhe madje vrarë ata që besonin në to. Ju e dini se tekstet e lidhura me imametin dhe zotimet e khilāfetit mbahen me frikë nga ata që druhen se tekste të tilla mund t’ua rrezikojnë fronet apo shkërmoqin vetë themelet e qeverive. Siguria e këtyre teksteve ndaj fallsifikimit të njerëzve të tillë, atij të ndjekësve e lajkatarëve të tyre dhe aftësia e tyre për të na mbërritur përmes shumë burimeve e rrugëve, është padyshim një mrekulli që dëshmon për vërtetësinë e tyre.
Kjo për faktin se ata që e mohuan statusin e Ehl ul-Bejtit, dhe uzurpuan pozitat caktuar drejtësisht e hyjnërisht për ta, jepnin ndëshkimet më të këqija mbi këdo që tregonte dashuri për Ehl ul-Bejtin. Ata i rruanin mjekrën, e hipnin mbi një gomar dhe i binin mespërmes pazareve duke e poshtëruar, rrahur e deprivuar nga e drejta më themelore dhe më e thjeshtë njerëzore, gjersa ai të humbiste çdo shpresë për drejtësi nga ata sundimtarë e të hiqte dorë nga të paturit miq ndër njerëz.
(Drejtojuni faqes 15, vëll. III i Sherh Nehxhul Belāga nga Ibn Ebū’l-Hadīdi dhe do të zbuloni ç’fatkeqësi i kapluan Ehl ulBejtin dhe shī‘itët e tyre në ato ditë. Imāmi el-Bākir ka bërë një pohim lidhur me këtë, tek i cili i drejtojmë hulumtuesit.)
Kështu, nëse dikush fliste mirë për ‘Alīun, ai mohohej dhe pllakosej nga fatkeqësia; atëherë, pronat e tij konfiskoheshin dhe ai ekzekutohej.
Mes përcjellësve të hadīthit dhe “mbrojtësve të Sunne-tit” pati njerëz që i adhuruan këta monarkë e tiranë si dhe sundimtarët e tyre përkrah Allahut, të Madhëruarit, të Lartësuarit dhe kërkuan afrinë e tyre me tërë mjetet e tyre të dijes, duke shtrembëruar fakte, duke dëshmuar për vërtetësinë e këtij apo kundër vërtetësisë së atij, ashtu si shumë të tjerë të cilët i shohim sot nga lajkatarët në mesin e Shejhanëve, dijetarëve të blerë, gjykatësve të këqinj që garojnë për të kënaqur sundimtarët duke mbështetur politikat e tyre, qofshin ato të drejta apo jo, duke ua quajtur fetvātë të sakta, qofshin këto vërtet të sakta apo të shthurura, e sundimtari as që ka nevojë t’i pyesë për ndonjë fetvā në mbështetje të regjimit të tij a përndjekje të kundërshtarëve të tij, sepse ata e bëjnë këtë sipas dëshirës e kërkesave të politikave të tija, edhe nëse kjo nënkupton kundërvënien ndaj Librit e Sunne-tit, duke dhunuar kështu ixhmā’-në e umme-tit, nga etja e tyre për të ruajtur pozitat, apo lakmimi i një posti që aspirojnë të arrijnë.
Ç’hendek i ndan këta nga ata! Ata nuk i dhanë kurrfarë vlere qeverive të tyre, kurse të tjerëve iu duheshin monarkët e tyre aq dëshpërueshëm, pasi ata do i përdornin për të luftuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Për këtë arsye, ata gëzuan një status veçanërisht të lartë te monarkët e sundimtarët, dhe fjala e tyre u dëgjua; prandaj, ata arritën autoritet e prestigj, dhe ishin fanatikë kundër hadītheve të sakta nëse këto tregonin ndonjë cilësi të ‘Alīut apo pjesëtarëve të tjerë të shtëpisë së profetësisë; kështu, ata do i refuzonin fuqimisht ato, duke i hequr me dhunë e duke u mveshur transmetuesve të tyre rāfd - dhe rāfdi është vesi më i keq sipas gjykimit të tyre. Kjo është politika e tyre ndaj hadītheve që lavdërojnë ‘Alīun, sidomos nëse këto vlerësohen lart nga shī‘itët.
Sa për lajkatarët, këta kanë patur miq në klasat e larta në çdo tokë, të cilëve u thurnin lavde, dhe kishin si pasues dijetarë laikë që ua përhapnin pikëpamjet, nga mesi i atyre që kapardisen si asketë apo të përzotshëm, ndër udhëheqës e prijës fisesh. Kur këta do e dëgjonin atë që ata thonin lidhur me këto hadīthe të vërteta, ata do t’i mbanin pohimet e tyre si të shpallura dhe do i përhapnin ndër masat e gjëra dhe popullin injorant, duke i bërë ato të mirënjohura në çdo tokë e duke i përdorur si parime që vlejnë në çdo kohë.
Ka një grup tjetër njerëzish që ishin rojtarë të hadīthit në ato ditë, dhe ata u detyruan nga frika që t’i kapërcenin hadīthet në lavdërim të ‘Alīut dhe Ehl-i Bejtit. Nëse ata të mjerë do të pyeteshin mbi atë që ata lajkatarë thonin për kundërshtimin e sunen-eve të sakta që përmbanin meritat e ‘Alīut dhe Ehl-i Bejtit, ata do të frikësoheshin se, nëse i tregonin publikut të gjerë atë që dinin, atëherë mund të ndodhte një trazi e verbër, e shurdhët dhe memece.
Ata, pra, ishin të detyruar nga frika që të ruheshin duke i bërë bisht temës, nga frika se do të qortoheshin ashpër nga lajkatarët dhe ata që shpallin për ta, dhe nga frika e atyre që ua përsërisin fjalët si papagalli, nga mesi i popullit të rëndomtë dhe individëve injorantë. Mbretërit dhe sundimtarët i urdhëruan njerëzit ta mallkonin Prijësin e Besimtarëve.
Ata i detyruan ta bënin këtë herë duke i joshur me para, herë duke i kërcënuar me ushtritë dhe betimet e tyre të tmerrshme për hakmarrje, duke i shtyrë ta tallnin atë dhe prejardhjen e tij, aq sa krijuan një pamje të pështirë të tij nëpër librat e tyre dhe treguan hadīthe me të cilat veshët ndjehen të fyer, duke e bërë mallkimin e emrit të tij nga minberet, sunne-t, për t’u ndjekur nga muslimanët gjatë bajrameve dhe xhumāve.
Drita e Allahut nuk mund të fiket, dhe kontributet e wali-ve të tij s’mund të fshihen; përndryshe, këto hadīthe nuk do të na kishin mbërritur përmes burimeve të të dyja grupeve, duke nënkuptuar saktë dhe haptas khilāfetin e tij. Nuk ka tekste (nussus) që të jenë më mutewātir sesa ato në lavdërim të tij e unë, për Allah, habitem me përparësitë që Ai i ka dhuruar ‘Alī in Ebī Tālibit, robit të Tij dhe vëllait të të Dërguarit të Tij; se si drita e tij shpoi qiejt dhe çullin e errësirës, e i mbijetoi dallgët e trazuara, duke i mundësuar rrezes së saj të shndriste anembanë, porsi dielli i mesditës!
4) Ju mund t’i referoheni, krahas tërë provave të palëkundshme që dëgjuat, tekstit të trashëgimisë, sepse ai është vetë një provë e pakundërshtueshme. Wesselam.
Sinqerisht,
Sh