LETRA 39

30 Dhu’l-Hixhe 1329

 

Kërkesa për Ajetin e Wilājet-it

 

Dëshmoj se ju jeni i patundur në bindjet tuaja, i sinqertë në fushatën tuaj, i fuqishëm dhe i pashoq në të përballurit me debatuesin, i pathyeshëm në këtë çështje. Unë besoj në ato hadīthe sipas mënyrës që sugjeruat ju. Sikur të mos isha i detyruar të besoj te sahabët, do ta kisha pranuar gjykimin tuaj, por marrja e kuptimit të asaj fjale ashtu siç bënë sahabët është një domosdoshmëri, duke pasuar gjurmët e të parëve të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Por ju nuk na njohët me vargun që, siç pretenduat në fund të Letrës 36, mbështet pikëpamjen tuaj rreth interpretimit të këtyre hadītheve. Recitojeni atë për ne që të mund t’ia kuptojmë domethënien, me dëshirën e Allahut; Wesselām.

 

Sinqerisht,

S

 

 


LETRA 40

2 Muharrem 1330

 

I Ajeti i Wilājet-it dhe Shpallja e tij për Nder të ‘Alīut,

II Përse u Shpall ai,

III Pse të Përdoret si Dëshmi.

 

1) Po, vërtet, do të doja t’ju recitoj një nga ajetet e përkryera të Allahut, të Lartësuarit dhe Fuqiplotit, në Furkānin e Tij të madh. Ai është një nga vargjet e Sures el-Mā’ide:

(Ja përse njerëzit në Siri e quajnë një shī‘a mutewali, për shkak të marrjes nga ai për mawla Allahun, të Dërguarin e Tij dhe ata që vërtet besuan, pra ata për nder të të cilëve u shpall ky ajet. Nga ana gjuhësore, mutewali është njëjës, dhe mutāwla janë shī‘itët. Ata quhen kështu sepse pranuan wilājet-in e ‘Alīut dhe Ehl ul-Bejtit (‘a).)

 

"Vetëm Allahu është wali-u juaj dhe i Dërguari e besimtarët, ata që e falin namazin dhe japin zekatin duke bërë ruku’. Dhe kush merr për wali Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, ata padyshim janë pala e Allahut; ata janë që do të ngadhënjejnë."

 

 Asnjeri s’e dyshon faktin se këto ajete u shpallën për nder të ‘Alīut i cili ofroi unazën e tij në rrugë të Allahut duke qenë në namaz.

 

2) Librat sahīh raportojnë mutewātir, me autoritetin e Imamëve nga Pasardhësit e Pastruar, se ai u shpall për nder të ‘Alīut kur ai ofroi lëmoshë unazën e tij duke qenë në ruku’. Shihni atë që është thënë lidhur me këtë nga të tjerët, si Ibn Selāmi që citon hadīth nga Profeti (s). Drejtojuni kësaj te Sahīh ul-Nesā‘ī, apo el-Xhāmi’ Bejn ul-Sihāh es-Sitte, në kaptinën që merret me Suren el-Mā’ide. Po kështu, referojuni hadīthit të Ibn ‘Abbāsit, që ia shpjegon kuptimin këtyre ajeteve në librin Asbāb un-Nuzūl të Imam Wāhidīt. ElKhātibi e ka përfshirë në el-Muttefek.

(Ky është hadīthi 5991 në Kenz ul-‘Ummāl, në f. 391, vëll. VI.)

Drejtojuni gjithashtu hadīthit të ‘Alīut në Musned-et e Ibn Mardawejhit dhe Ebū’lShejhut. Nëse dëshironi, lexojeni atë në Kenz ul-‘Ummāl.

 

 Shpallja e tij për nder të ‘Alīut është çështje njëzëshmërie mes dijetarëve të tefsīr-it. Një konsensus i tillë dëshmohet nga shumë dijetarë sunni si Imam elKeushexhi në kreun e tij mbi Imametin në Sherh ul-Texhrīd. Kreu 18 i Gejāt ulMerām-it përfshin njëzet e katër hadīthe nga sunnitë në dëshmi të asaj që pohojmë. Po të mos kisha aspiruar të jem i përmbledhur, krahas faktit se kjo çështje është e qartë si dielli i mesditës, do ju kisha cituar shumë komente të tij në kronika autentike, por lavdi Zotit, ajo është një çështje që nuk ngre asnjë dyshim. Megjithkëtë, nuk na pëlqen ta lëmë këtë letër pa disa hadīthe të transmetuara nga shumica e muslimanëve.

 

Na mjafton ajo që ka pohuar Imam Ebū Is‘hāk Ahmed ibn Ibrāhīm el-Nisābūrī Tha‘lebīu (Ai vdiq në 337 H. Ibn Khalikāni e përmend në Wafijjāt ul-A’jān me fjalët: “Ai qe autoriteti unik i kohës së vet në shkencën e tefsīr-it; ai shkroi et-Tefsīr ulKebīr, që ia kaloi të gjithë librave të tefsīrit”, dhe vazhdon duke thënë: “Ai përmendet nga ‘Abdul-Gāfir ibn Ismā‘īl elFārsīu në librin e tij Sijāk Nisabūr, ku autori e lavdëron duke e përshkruar si ‘të saktë në transmetim, të besuar’) në Tefsīr-i Kebīr. Kur autori mbërrin te ky ajet, ai citon Ebū Dher elGhifārīun:

 

 “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqe pastë mbi të dhe familjen e tij, me këto veshë - u shurdhofsha nëse them ndonjë gënjeshtër - dhe e kam parë me këta sy - u qorrofsha nëse gënjej - të thotë: ‘Alīu është prijësi i të përzotshmëve, shfarosësi i të pafeve; kushdo që e mbështet atë mbështetet nga Allahu, dhe kushdo që e braktis atë, braktiset nga Allahu.’

Unë, vërtet, fala namaz njëherë me të Dërguarin e Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, kur një lypës erdhi në xhami dhe askush s’i dha asgjë.

‘Alīu ishte në ruku’ kur i bëri me shenjë të merrte unazën e vet. Lypësi erdhi dhe e mori nga gishti i ‘Alīut, me ç’rast i Dërguari, paqe pastë mbi të e familjen e tij, përgjëroi Allahun Fuqiplotë e të Gjithdijshëm, dhe iu lut Atij për ‘Alīun duke thënë:

‘O Zot! Vëllai im Mūsai t’u pat lutur: "O Zot! Zgjeroma kraharorin, e lehtësoma misionin; zgjidhe gjuhën time që njerëzit të ma kuptojnë fjalën e më cakto një vizir nga familja ime: Harūnin, vëllain tim; që të më përforcojë në misionin tim e të marrë pjesë në nismën time, që të mund të Të madhërojmë pamasë e të Të përkujtojmë pareshtur; vërtet, Ti je Ai që na sheh." (20:25-35). Atëherë, Ti i fole atij: "O Mūsa, t’u dha ajo që kërkove!" (20:36)

O Zot! Unë jam robi dhe Profeti Yt; prandaj, hiqma zorin, lehtësoma misonin e më jep vizir nga familja ime ‘Alīun, për të mbështetur nismën time.’ Për Allah, i Dërguari i Zotit, paqe pastë mbi të e familjen e tij, zor se e kishte mbaruar du‘ānë kur Xhibra’īli besnik i solli ajetin: "Vetëm Allahu është wali-u juaj dhe i Dërguari i Tij e ata që besojnë, të cilët e falin namazin dhe e japin zekatin duke bërë ruku’. Dhe kushdo që merr për wali Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, ata, vërtet, janë pala e Allahut; të tillët janë që do të ngadhënjejnë.”

 

3) Ju, Allahu e mbështestë të drejtën përmes jush, e dini se kuptimi i fjalës wali në një kontekst të tillë është “ai që ka përparësinë kryesore në marrjen me çështjet e dikujt.”

Ne themi: “Filani është wali-u i të miturit.” Leksikografët e kanë qartësuar se kushdo që merr drejtimin e çështjeve të dikujt është wali-u i këtij. Kuptimi i ajetit, pra, është sikur Allahu të thotë se: “ata që marrin përsipër çështjet tuaja e që kanë përparësi edhe mbi jetët tuaja në të vepruarit me to, janë:

Allahu Fuqiplotë e i Gjithdijshëm, i Dërguari i Tij dhe ‘Alīu”, sepse vetëm te ‘Alīu janë ngërthyer tërë këto cilësi: besimi, namazi dhe dhënia e zekatit në ruku’ e për të cilin këto ajete u zbritën. Pra Fuqiploti e ka rezervuar në këto vargje wilājet-in për Vete dhe për të Dërguarin (s) e wasi-un. Wilājeti i Allahut Fuqiplotë e të Gjithdijshëm është i përgjithshëm e gjithpërfshirës.

 

Po kështu është wilājet-i i Profetit (s) dhe i wali-ut të tij; ai mbart të njëjtin kuptim. Nuk është e mundur të zbatohen mbi të, në këtë kontekst, kuptimet e “mbështetës, i dashur, etj.”, pasi një kufizim i tillë është i pabazë, siç edhe vetkuptohet. Besoj se kjo është diçka fare e qartë, we’l-hamdu li’lLāhi Rabb’il ‘alemīn.

 

  Sinqerisht,

Sh