LETRA 25

16 Dhu’l-Hixhe 1329

 

I Besimi i tij te Teksti, II Kërkesa për të Tjera Tekste.

 

1) Unë i kam besuar Atij që ju bëri juve ta davarisni errësirën, ta qartësoni të dyshimtën, e [që ju bëri] një nga shenjat e Tij dhe faqe të vetë shpalosjeve të Tija. 2) Allahu jua bekoftë babain, më sillni të tjera tekste të tilla; dhe paqja qoftë me ju.

Sinqerisht,

S

 

 


LETRA 26

17 Dhu’l-Hixhe, 1329

 

I Tekste të Qarta që Tregojnë Dhjetë nga Meritat Ekskluzive të ‘Alīut,

II Përse Duhet Mbështetur mbi Të.

 

1) Ju mjafton, krahas hadīthit të farefisit, ajo që Imam Ahmedi ka theksuar në vëll. I të Musned-it dhe Dhehebīu në Telkhīs, të cilët ia pranojnë që të dy vërtetësinë, si dhe autorët e sunen-eve, në rrugë të pranuara njëzëri. Ata të gjithë citojnë ‘Umer ibn Mejmūnin që ka thënë:

“Po rrija njëherë me Ibn ‘Abbāsin kur erdhën nëntë burra e thanë:

‘O Ibn ‘Abbās! O eja debato me ne o thuaju këtyre njerëzve se preferon debatin vetjak.’

Ai s’e kishte humbur ende shikimin dhe tha: ‘Më mirë po debatoj me ju.’

Kështu ata ia nisën bisedës, por s’isha i sigurt se për çfarë po flisnin. Pastaj ai u ngrit në këmbë dhe u foli i zemëruar:

‘Ata po debatojnë për një njeri, i cili kishte dhjetë merita, që askush nuk i pat ndonjëherë.

Ata po diskutojnë mbi një njeri për të cilin Profeti (s) ka thënë:

‘Unë do të nis një burrë të cilin Allahu nuk do ta poshtërojë kurrë, dhe i cili e do Allahun e të Dërguarin e Tij dhe i cili duhet nga të dy’, e kështu secili prej tyre mendoi se kujt i përkiste një nder i tillë.

Profeti (s) pyeti për ‘Alīun. Kur ky erdhi, me sytë e ënjtur nga dhimbja, ai (s) i fryu në sy, e lidhi flamurin tri herë e ia dha atij. ‘Alīu u kthye ngadhënjimtar me Safijje bint Hujejin ndër të kapurit’.” Ibn ‘Abbāsi vazhdoi:

“Pastaj i Dërguari i Allahut (s) dërgoi dikë me Suren et-Teubeh, por iu desh të niste ‘Alīun pas tij për ta kryer detyrën, duke thënë:

‘Askush nuk mund ta kryejë atë përveç një njeriu që është nga unë dhe unë jam prej tij’.”

Ibn ‘Abbāsi po ashtu tha:

“I Dërguari i Allahut (s), me ‘Alīun përbri i pyeti të afërmit e tij njëherë: ‘Cili nga ju dëshiron të bëhet wali-u im në këtë jetë dhe tjetrën?’

Asnjëri nuk pranoi, por ‘Alīu tha: ‘Unë do të doja të jem wali-u yt në këtë jetë e në tjetrën’.”

Ibn ‘Abbāsi vazhdoi e tha se ‘Alīu ishte personi i parë që e pranoi Islamin pas Hatīxhes dhe se i Dërguari i Allahut me gunën e vet mbuloi ‘Alīun, Fātimen, Hasanin e Huseinin, pastaj recitoi ajetin: "Allahu dëshiron të heqë tërë ndytësinë nga ju, o Ehl ul-Bejt e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm".

Ai gjithashtu tha:

“Alīu e bleu shpirtin e tij; ai veshi rrobën e Profetit dhe fjeti në shtratin e tij, kur të pafetë deshën ta vrisnin” dhe:

“i Dërguari i Allahut (s) shkoi në fushatën e Tebūkut i shoqëruar nga shumë njerëz.

‘Alīu e pyeti: ‘A të vij me ty?’

I Dërguari i Allahut (s) refuzoi dhe ‘Alīut i shpëtuan lotë.

Atëherë Profeti e pyeti: ‘A nuk je i kënaqur që pozita jote ndaj meje është si e Harūnit ndaj Mūsait, veçse s’do të ketë profet pas meje? Nuk bën që ta lë këtë vend pa të caktuar ty si mëkëmbësin tim.’ I Dërguari i Allahut (s) i ka thënë gjithashtu se:

‘Ti je wali-u i çdo besimtari e besimtareje’.”

Ibn ‘Abbāsi ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (s) i mbylli tërë dyert që çonin në xhaminë e tij, përveç asaj të ‘Alīut i cili kalonte nëpër xhami edhe xhunūb.

I Dërguari i Allahut (s) tha po ashtu: ‘Ai që më pranon mua si wali, le të marrë ‘Alīun për wali."

 

Ç’është e vërteta, Hākimi, pasi numëron burimet nga të cilat e citon këtë hadīth, komenton: “Ky është hadīth i saktë me isnād, megjithatë dy shejhët s’e transmetuan kështu.” Dhehebīu e ka cituar në Telkhīs ul-Mustedrek dhe e ka quajtur të saktë.

 

2) Prova të qarta dhe të pakundërshtueshme ndriçojnë faktin se ‘Alīu ishte zëvendësi i Profetit. A e patë se si Profeti (s) e quajti atë wali në këtë jetë e në tjetrën, duke e pëlqyer përmbi tërë fisin e tij, dhe se si ai e konsideroi statusin e ‘Alīut ndaj tij të ngjashëm me atë të Harūnit ndaj Mūsait, pa asnjë përjashtim përveç profetësisë, gjë që pasqyron përgjithësim?

 

Ju gjithashtu e dini se ajo që e dalloi Harūnin nga Mūsai ishte qenia e tij vezir i të vëllait, pjesëmarrja e tij de facto në Mesazhin e të vëllait, mëkëmbjen e tij dhe urdhrin e Mūsait ndaj njerëzve për t’iu bindur Harūnit, siç tregon pohimi i tij që përmendet në Kur’an (20:29-32), e i cili thotë qartë:

"Dhe më cakto një vezir nga familja ime: Harūnin, vëllain tim; që të më përforcojë; dhe bëma shok në punën time."

dhe pohimi i tij: "Bëhu zëvendësi im tek populli im; rregullo, e mos ndiq udhën e të këqijve." (7:142) dhe përgjigjja e Fuqiplotit: "O Mūsa! T’u plotësua lutja} (20:36).

 

Sipas këtij teksti, ‘Alīu është mëkëmbësi i Profetit në popullin e tij, veziri nga farefisi i tij, ndihmësi në nismën e tij, jo në profetësi, zëvendësi i tij, më i miri i tërë popullit të tij, më i vlefshmi për udhëheqjen e tyre gjallë a vdekur. Ata i detyroheshin bindjen gjatë jetës së Profetit si viziri i tij, siç i detyrohej populli i Mūsait Harūnit, gjatë kohës së Mūsait. Kushdo që njihet me hadīthin e pozitës do t’i kuptojë menjëherë implikimet e tij të thella pa hedhur asnjë dyshim në thelbin e kontekstit të tij. I Dërguari i Allahut (s) e bëri fare të qartë këtë kur tha: “Nuk bën për mua ta lë këtë vënd pa të caktuar ty si mëkëmbësin tim.”

 

Ky është një tekst i qartë mbi khilāfetin; jo, ai madje sugjeron që nëse Profeti (s) do të ishte nisur pa e kryer këtë, ai do të kishte bërë diçka që s’duhej bërë. Kjo vetëm sepse ai u urdhërua nga Allahu ta caktonte atë si khalīfin e tij sipas kuptimit të ajetit që thotë: "O Profet! Përcille atë që t’u shpall nga Zoti yt, e nëse nuk e bën, atëherë s’do ta kesh përcjellë aspak Mesazhin e Tij." (5:67).

 

Kushdo që heton frazën “atëherë s’do e kesh përcjellë aspak Mesazhin”, dhe pastaj heton pohimin e Profetit: “Nuk bën që ta lë këtë vënd pa të caktuar ty si mëkëmbësin tim”, do kuptojë se ata të dy synojnë tek i njëjti drejtim, siç është fare e qartë. Ne s’duhet gjithashtu të harrojmë hadīthin e Profetit që thotë: “Ti je wali-u i çdo besimtari e besimtareje pas meje.” Ky është një referim i qartë mbi faktin se ai është wali-u i Profetit (s) dhe ai që zë vendin e tij, siç e ka potencuar Kumeiti, Allahu e mëshiroftë, me fjalët: “Mëkëmbës i madh, burim i përzotshmërisë, edukues!” Wesselām.

 

Sinqerisht,

Sh