LETRA 13

Dhu’l-Ki’de 1329

 

Pretendimi i Dobësisë së Hadītheve

 

Allahu jua bekoftë dorën dhe penën! Sa të lartësuara faqet e tyre përmbi nivelin e atij që sfidon dhe kundërvihet! Sa të patundshme shkrimet e tyre të urta ndaj syrit të kritikut dhe studiuesit! Faqet e tyre luftojnë drejt një pikësynimi, duke ecur përgjatë një rruge të menduar, në një mënyrë të qëlluar. Argumentet e tyre nuk ndeshin me dëgjimin e të urtit, pa ushtuar në brohoritje miratuese.

Lidhur me letrën tuaj të fundit, rrëkeja e saj ishte vërshuese, e mbushur gjer në grykë, e mbështetur nga ajete të përsosura si dhe prova të denja, duke e nxjerrë kështu veten tuaj jashtë akuzave të hedhura ndaj jush, pa patur as edhe një të metë në çdogjë ju është besuar. Kushdo që ju kundërvihet juve është i dobët në argument e kokëfortë, mbrojtës i gënjeshtrës dhe shëmbëlltyrë e injorantit.

Kundërshtarët tuaj, megjithatë, mund të pretendojnë se disa prej atyre që transmetuan ajetet që mbështesin argumentet tuaja, janë shī‘itë e këta s’mund të merren për bazë nga sunnitë. Cila do të ishte përgjigjja juaj atëherë? Ju lutem mirësisht ofrojeni atë, nëse dëshironi dhe gjithashtu ju lutem, pranojini falënderimet e mia. Paqja qoftë me ju.

 

Sinqerisht,

S

 

 


LETRA 14

Dhu’l-Ki’de 1329

 

I Pavërtetësia e Argumentit të Kundërshtarëve,

II Kundërshtarët Nuk i Njohin Shī‘itët,

III Dallimi i Theksimit të Ndalimit të Fallsifikimit të Hadīthit.  

 

1) Përgjigjja jonë është se argumenti i kundërshtarëve të tillë është i gabuar. Ai është i pabazë për shkak të fallsitetit të premisës së tij minore dhe asaj madhore. Sa për premisën e tij minore, d.m.th pretendimin se “ata që i përcollën ajetet sipas argumenteve tuaja janë shī‘itë”, ai është padyshim i gënjeshtërt, siç dëshmojnë autoritetet e besuara sunnite që i kanë regjistruar pohimet e tyre në kuptimin që cituam. Musned-et e tyre dëshmojnë faktin se ata janë edhe më të numërt se shī‘itët, siç kemi shpjeguar në librin tonë Tenzīli’l-Ajāt ul-Bāhire, në kreun “Virtytet e ‘Itres së Pastër.” Ju mund t’i referoheni edhe librit Gājet ul-Merām, që është mjaft i përhapur në mbarë botën islame.

 

 Sa për madhoren, d.m.th. pretendimin se shī‘itët nuk mbahen të besueshëm nga sunnitë (në transmetim hadīthesh), fallsiteti i saj është edhe më i dukshëm se ai i minores. Musned-et e sunnive e dëshmojnë këtë fakt dhe autoritetet mbi të cilët ata u mbështetën janë përplot me emra shī‘itë. Merrni, për shembull, gjashtë sahīh-ët e tyre dhe të tjerët, që i përdorin ata si autoritete, duke qenë këta të fundit të fajësuar nga ata që u mveshin atyre shmangie nga Rruga e Drejtë dhe i damkosin me vulat “rāfidī” e “devijues”. Atyre u kanë mveshur ekstremizëm, fanatizëm dhe dalje nga Rruga.

 

Ndër mentorët e Bukhārīut ka burra shī‘i që janë akuzuar me “rāfd” dhe damkosur me urrejtje; prapëseprapë, kjo s’e ka shtyrë as Bukhārīun e as të tjerët që t’ua dyshojnë ndershmërinë. Këta të fundit u mbështetën mbi ta madje edhe nëpër sahīhë, duke e ndier veten shumë rehat me këtë. A do të gjejnë atëherë, kundërshtarët që thonë se “shī‘itët nuk besohen nga sunnitë”, vesh që t’i dëgjojë? Natyrisht që jo!

 

2) Megjithatë, kundërshtarë të tillë janë injorantë. Sikur ta dinin të vërtetën, do ta kishin njohur faktin se shī‘itët kanë imituar ‘Itre-n e pastruar dhe kanë pasuar gjurmët e saj. Edukata e tyre është ajo e ‘Itre-s; prandaj, cilido që u mbështet tek ta është i pashoq në besnikëri dhe besueshmëri. Të pashoq janë heronjtë e tyre në devotshmëri dhe kujdes. Ata s’kanë të dytë mes dinjitarëve vartës në braktisjen e kënaqësive të kësaj bote, në devotshmërinë, adhurimin, mirësjelljen, vetëpërmbajtjen dhe vetëkritikën e tyre. Askush s’mund t’i arrijë ata në shkoqitjen e fakteve dhe kërkimin e diturisë, me përkujdesje të thellë e maturi të skajshme.

 

Sikur ta kishte peshuar kundërshtari vlerën e tyre, siç është ajo në të vërtetë, ai do ua kishte dhënë atyre besimin e vet, duke ua besuar çështjet atyre. Por injoranca e tij për ta e ka bërë të endet kuturu si ai që i ka hipur një shtaze të verbër natës së errët. Ai do të akuzonte tutorët e Islamit si Muhammed ibn Ja‘kūb el-Kulejnī, një besnik mes muslimanëve si Muhammed ibn ‘Alī Babawejh el-Kummī dhe një mentor të ummetit si Muhammed ibn Hasan ibn ‘Alī et-Tūsī. Ai do përqeshte librat e tyre të shenjtë që janë rojtarët e dijes së familjes së Muhammedit (s), duke i dyshuar kujdestarët e tyre që janë pionierët e dijes dhe të barabartit e Kur’anit Fisnik, të cilët ia kushtuan jetët përhapjes së mësimeve të Allahut të Lartë e Fuqiplotë, Librit, Profetit të Tij (s) dhe Imamëve të muslimanëve.  

 

3) Si të ndershmit ashtu edhe të mbrapshtit kanë mundur ta njohin gjykimin e këtyre njerëzve të virtytshëm për rastin e të gënjyerit. Me mijëra libra të tyre e mallkojnë të gënjyerit, duke i shpallur fallsifikimet e hadītheve si mëkate që dënohen me zjarr. Ata shquhen për gjykimin e tyre ndaj fallsifikimit të qëllimtë të hadītheve dhe e kanë konsideruar prishje agjërimi, duke e bërë të domosdoshëm si kompensimin ashtu dhe pendimin nga personi që e kryen atë gjatë Ramazanit, dhe kërkuar të njëjtën për çdo gjë tjetër që prish agjërimin. Fikh-u dhe hadīth-i i tyre janë fare të qartë mbi këtë; si mund t’i akuzojë atëherë ndokush transmetuesit e tyre kur ata janë të mirët, të virtytshmit, kaluesit e natës në lutje dhe të ditës në agjërim? Që kur janë fajësuar të virtytshmit në mesin e pasuesve dhe përkrahësve të familjes së Muhammedit (s) ndërkohë që harixhītët, murxhi‘ītët e kadrītët nuk janë? Ç’gjë tjetër përveç armiqësisë së hapët dhe injorancës së shëmtuar? Kërkojmë strehim nga Allahu kundër braktisjes sonë dhe ndihmë kundër pasojave të liga të padrejtësisë dhe shtypjes. La hawle we la kuwwete il-lā bi’l-Lāh, subhānehu we Te‘alā; dhe paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,

Sh