LETRA 109
23 Rebī’ul-Thāni 1330
Përse Disa Fanatikë e Vënë në Dyshim Derivimin e Medhhebit Shī‘it nga Imamët e Ehl ul-Bejtit (‘a.s.)?
Në Letrën 19, ne patëm pohuar se disa fanatikë e vënë në dyshim nxjerrjen e medhhebit tuaj, në rrënjët dhe degët e besimit, nga Imamët e Ehl ul-Bejtit, dhe deshëm t’ju pyesnim mbi këtë çështje. Tani është koha për ta shtruar një pyetje të tillë; ndaj a do mund t’i përgjigjeshit në një mënyrë që do ta rrëzonte pretendimin e tyre? Wesselām.
Sinqerisht,
S
LETRA 110
29 Rebī’ul-Thāni 1330
I Besimi Shī‘it Është i Derivuar mutewātir nga Imamët e Ehl ul-Bejtit,
II Përparësia i Shī‘itëve në Shkrimin e Dijes në Epokën e Sahabeve,
III Autorët e Kohës së Tabi’īnëve dhe Tabi-Tabi’īnëve.
1) Të gjithë ata që janë të dhuntisur me urti dhe maturi e dinë mirë se derivimi i rrënjëve dhe degëve të besimit shī‘i imāmī është prej stërgjyshërve dhe të parëve të tyre, dhe përfundon tek pasardhësit e pastruar. Pikëpamjet e tyre, pra, janë pasqyrë e atyre të Imamëve të ‘Itre-s së pastruar, në rrënjët e degët e besimit, si dhe deduktimet e nxjerra nga studimi i Librit dhe Sunnetit, ose në çdo çështje të lidhur me to apo të gjitha degët e teologjisë.
Ata nuk mbështeten mbi askënd në të kuptuarit e tyre të këtyre të fundit, përveç ‘Itre-s dhe nuk i referohen askujt përveç tyre. Ata e adhurojnë Allahun e Lartësuar dhe kërkojnë afrinë e Tij, i Madhëruar qoftë, nëpërmjet besimit të Imamëve të Ehl ul-Bejtit, pa bërë ndonjë shmangie prej tyre a dëshiruar ndonjë zëvendësues për ta. Ky ka qenë qëndrimi i të parëve të tyre të mirë që nga koha e Prijësit të Besimtarëve, Hasanit, Huseinit dhe nëntë Imamëve nga pasardhja e Huseinit deri më sot.
Ata që i kanë mësuar rrënjët dhe degët e besimit nga Imamët e Ehl ul-Bejtit janë disa shī‘itë të besuar, dhe numri i atyre që mësuan prej këtyre është shumë më i madh. Numri i atyre që njihen mirë për tekwā’, verifikim e ndreqje është mëse mutewātir. Ata ia kanë përcjellë të gjitha këto atyre që i pasuan me tewātur, dhe pas tyre iu përcollën të tjerëve e kështu me rradhë. Ky ka qenë realiteti me secilin brez, gjersa na mbërriti neve, aq i qartë sa dielli i mesditës, pa ndonjë re për ta penguar.1
Ne tani jemi, në të kuptuarit e rrënjëve dhe degëve, pasuesit e Imamëve nga pasardhja e të Dërguarit (s). Ne cituam paraardhësit tanë që i citojnë ata me rradhë. Kjo ka qenë kështu në të gjithë brezat deri në kohën e Nekīve, ‘Askerīve, Ridāve, Xhevādëve, Kādhimëve, Sādikëve, Bākirëve, ‘Ābidīnëve, dy nipave të Profetit e në fund Prijësit të Besimtarëve, pa përfshirë të parët shī‘itë që u shoqëruan me Imamët e Ehl ul-Bejtit, duke i mësuar dispozitat fetare prej tyre e duke i cituar ata gjatë diskutimit të diturisë islame.
Këtu nuk ka vend për t’i numëruar të gjithë dhe për të bërë apelin e tyre. Mjafton për ju ajo që kanë shkruar penat e dijetarëve të tyre të shquar nga veprat e veçanta, një listë e të cilave s’mund të përfshihet në këtë rrëfim. Ata e nxorrën krejt atë nga drita e Imamëve të udhërrëfimit, pasardhësve të Muhammedit, paqe pastë mbi të dhe ta, duke e cituar atë nga vetë oqeanet e tyre të dijes dhe duke e dëgjuar drejtpërsëdrejti nga ata. Ata janë shkruesit e diturisë dhe urtisë së tyre. Veprat e tyre u shkruan gjatë jetës së atyre të pastruarve, dhe u bënë referenca për të gjithë shī’itët që i pasuan ata. Përmes tyre, epërsia e shkollës së Ehl ul-Bejtit e shpalosi veten përmbi të gjitha shkollat e tjera islame.
Ne nuk njohim asnjë ndjekës të katër Imamëve sunni, për shembull, që të ketë shkruar ndonjë libër gjatë jetës së Imamëve të tyre. Përkundrazi, njerëzit shkruan libra me bollëk lidhur me besimin e tyre pasi që ata Imamë e kishin lënë këtë botë, kur u vendos që teklid-i të kufizohej vetëm në medhhebet e tyre. Gjatë jetës së tyre, ata ishin si cilido prej fekīhëve apo muhadīthëve të tyre bashkëkohës, duke mos gëzuar kurrfarë dallimi mbi të tjerët në llojin e tyre; prandaj, askush prej bashkëkohësve të tyre nuk ishte i interesuar të preokupohej për ta regjistruar fjalën e tyre siç u përkujdesën shī‘itët në regjistrimin e pohimeve të Imamëve të papërlyer.
Qëkur lindi medhhebi shī‘it, askujt nuk iu lejua t’i referohej në çështjet fetare ndokujt tjetri përveç Imamëve të tyre. Për këtë arsye, një përkujdesje e tillë ishte e pashmangshme, dhe ata u bënë burimi i vetëm i diturisë fetare. Një përpjekje e madhe e burime të shumta u harxhuan në regjistrimin e pohimeve të tyre, dhe shumë syresh i shterrën pasuritë për ta bërë këtë në një mënyrë të pashoqe, që të mund ta ruanin diturinë e cila, sipas atij medhhebi, është e vetmja që pranohet nga Allahu. Vetëm librat e shkruar gjatë kohës së Imam Sādikut i kalojnë të katërqindët, mbi katërqind tema të ndryshme që përmbanin fetwā-të e tij. Nxënësit e Sādikut kanë shkruar shumë, shumë herë më tepër se kaq, siç do ta shikoni në hollësi së shpejti, insha-Allāh.
Sa i përket katër imamëve sunni, askush s’i sheh ata me sytë që i shohin shī‘itët Imamët e Ehl ul-Bejtit. Jo madje, ata nuk kishin ndjekës as gjatë kohës së tyre! Ata nuk ia mbërritën ta shijonin statusin që iu dha atyre pas vdekjes, siç pohon Ibn Khaldūni në një kaptinë që i kushtohet fikh-ut në Mukāddime-në e tij të famshme, dhe ky është një fakt i pranuar nga shumë prej dijetarëve të tyre të shquar.
Megjithkëtë, ne s’e dyshojmë që pasuesit e tyre ndoqën tjetërkënd përveç tyre, sepse pikëpamjet e tyre janë padyshim ato të atyre Imamëve, që u mbajtën të besueshme në të marrurit me çështjet e tyre në çdo brez. Ata i regjistruan ato në librat e tyre sepse pasuesit e tyre i dinin më mirë medhhebet e tyre, pikërisht siç e dinë më mirë shī‘itët medhhebin e Imamëve të tyre, që e adhurojnë Allahun sipas mësimeve të tyre, me besimin se kjo është rruga e vetme për të kërkuar afrinë e Tij.
2) Studiuesit e pranojnë pa ngurrim faktin se shī‘itët ishin pionierët e regjistrimit të degëve të dijes, më shumë se kushdo tjetër. Në fakt, gjatë shekullit të parë askush përveç ‘Alīut dhe të dhuntisurve me dije mes shī‘itëve të tij s’e bënë këtë. Arsyeja për këtë mund t’i atribuohet dallimeve të opinionit midis sahabëve për lejimin apo ndalimin e shkrimit të dijes.
Sipas Hyrjes së ‘Askalānīut në veprën e tij Fet’h ul-Melik el-‘Alī Bisihhati Bābil ‘Ilm ‘Alī dhe sipas të tjerëve, ‘Umer ibn elKhattābi dhe disa të tjerë nuk e pëlqyen këtë ide nga frika se hadīthi mund të përzihej me Kur’anin, përkundrejt lejimit të dhënë nga ‘Alīu e pas tij Hasan el-Muxhtabai, nipi i Profetit (s) dhe një grup sahabësh të tjerë, për një shkruarje të tillë. Asokohe, Ibn Xhurejhi shkroi në Medine librin e parë mbi trashëgimitë ku ai citoi Muxhāhidin dhe ‘Atā’in.
Gazālīu thotë se ai është libri i parë i shkruar në Islam. E vërteta është se ai është libri i parë i shkruar nga një jo-shī’i në Islam. Pas tij, Mu’ammer ibn Rashīdi nga Sanā’ja në Jemen, shkroi librin e tij, e pastaj Māliku shkroi Mawāta-në e tij. Hyrja e Fet’h ul- Melik ‘Alī Bisihhāti Bābil ‘Ilm ‘Alī pohon se el-Rebī’ ibn Sebīhu qe i pari që përpiloi të dhëna, dhe se ai jetoi nga fundi i periudhës së tabi‘īnëve. Gjithsesi, konsensusi i opinionit është se sunnitë nuk shkruan as edhe një libër gjatë shekullit të parë hixhri.
Sa i përket ‘Alīut dhe shī‘itëve të tij, ata harxhuan kohë dhe mund të madh për t’ia arritur atij qëllimi gjatë shekullit të parë hixhrī. Shkrimi i parë i Emīr ul-Mu‘minīnit ishte Libri i Allahut, të Lartësuarit, të Madhëruarit. Pasi kreu ritualet e pregatitjes së nisjes së Profetit (s) nga kjo botë, ‘Alīu vendosi të mos dilte veçse për t’u falur, që të mblidhte Kur’anin.
Ndaj, ai e përpiloi atë të renditur sipas radhës së shpalljes. Ai theksoi kuptimet e tij të përgjithshme e të veçanta, absolute dhe të kufizuara, të përkryera e alegorike, shfuqizuese dhe të shfuqizuara, të theksuara e të shtendosura, urdhëruese dhe udhëzuese, duke treguar rastet që e kishin bërë të domosdoshme shpalljen e ajeteve të tij të përsosura dhe shpjeguar atë që mund të ishte e paqartë për njerëzit.
Ibn Sirīni e kishte zakon të thoshte:
“Nëse je me fat ta gjesh atë libër, atëherë do të shohësh në të dije të bollshme.”
Këtë e pohon Ibn Haxheri në es-Sawā‘ik ul-Muhrike, si dhe shumë dijetarë të shquar. Disa sahabë që dinin shkrim e këndim iu përveshën punës së mundimshme të mbledhjes së Kur’anit të Lartë, por ata nuk mund ta hartonin sipas radhitjes së shpalljes e as që mund ta pajisnin me shpjegimet e mësipërme, duke e bërë përpilimin e ‘Alīut më shumë se thjeshtë një përpilim - jo madje, një zbërthim.
Me të mbaruar përpilimin e Librit të Allahut të Dashur, ai shkroi një libër të cilin ia kushtoi Zonjës së Grave të Botës. Ai u bë i njohur si Mus‘hafi i Fātimes, që përmbante thënie, fjalë urtie, këshilla, moral, ngjarje historike e ndodhira unike, të shkruara si ngushëllim për të pas pikëllimit të saj nga humbja e të atit, Profetit (s). Pas tij, ai shkroi një libër që lidhej me dëmshpërblimin e gjakut (dhe çështje të tjera) të cilin e quajti es-Sahīfe. Atij i referohet Ibn Sa‘di në fund të veprës së tij el-Xhāmi’ duke ia njohur autorësinë Prijësit të Besimtarëve. Si Bukhārīu dhe Muslimi e përmendin dhe e citojnë atë në disa vende të Sahīh-ëve përkatës.
Midis këtyre është ajo që ata citojnë nga elA’meshi prej Ibrāhīm et-Tejmīut që citon babain e tij duke thënë:
"Alīu (r.a.) më tha njëherë: “Nuk kemi për ty asnjë libër për lexim, përveç Librit të Allahut dhe kësaj Sahīfe.” Pastaj ai ma solli. Ajo përmbante çështje rreth plagëve e dhëmbëve të devesë. Përmbajtja e saj përfshinte edhe një pohim të tillë: ‘Medina është tokë e shenjtë nga Iri te Thewri; ai që e përdhos atë, apo strehon një përdhosës, do të mbarti mallkimin e Allahut, melekëve dhe njerëzve."
Ky është formulimi i Bukhārīut në kreun e tij mbi mëkatet e atyre që i mohojnë mawali-të e tyre, në kreun e dispozitave, f. 111, vëll. IV i Sahīh-ut, dhe përmendet në kreun e tij mbi shenjtërinë e Medines, gjatë diskutimit të haxhit, në f. 523, vëll. I i Sahīh-ut të Muslimit.
Imam Ahmed ibn Hanbeli i referohet vazhdimisht hadīthit mbi këtë Sahīfe në Musned-in e tij. Ai e citon ‘Alīun në f. 100, vëll. I i Musnedit, në një rivājet të transmetuar nga Tārik ibn Shihābi, që thotë:
“E kam parë ‘Alīun, duke thënë nga minberi:
‘Për Allah! Nuk kemi gjë për t’ju lexuar përveç Librit të Allahut Te‘alā e kësaj Sahīfe’, të cilën ai po e ngjeshte rrëzë shpatës, ‘E kam mësuar përmbajtjen e saj nga i Dërguari i Allahut (s)’.”
Duke cituar ‘Abdul-Melīkun, el-Saffāri thotë:
“Ebū Xha‘feri kërkoi t’i sillnin librin e ‘Alīut dhe djali i tij Xha‘feri solli diçka të rëndë në formën e një kofshe. Mes të tjerash, aty ndodhej një fjali që thoshte: ‘Nëse një burrë vdes, gruaja e tij nuk do të trashëgojë asnjë prej pronave të tija.’ Ebū Xha‘feri tha: ‘Për Allah, ky është shkrimi i ‘Alīut dhe diktimi i të Dërguarit të Allahut (s)!” Një grup shī‘itësh të Imamit pasuan gjurmët e Prijësit të Besimtarëve dhe shkruan disa libra. Mes tyre ishin: Selmān Fārsīu dhe Ebū Dher Gifārīu, siç pohon Ibn Shehr Āshūbi: “Autori i parë në Islam është ‘Alī ibn Ebū Tālibi, pastaj Selmān Fārsīu, pastaj Ebū Dheri.”
Ndër ta është edhe Ebū Rāfi’u, robi i liruar i të Dërguarit të Allahut (s) dhe administrues i bejt ul-mālit gjatë sundimit të Prijësit të Besimtarëve. Ai qe nga elita e pasuesve të tij që kërkuan udhërrëfimin e tij. Ai shkroi një libër që merret me hadīthe, dispozita dhe çështje të tjera të cilat i mblodhi kryesisht nga ‘Alīu. Ai gëzoi një pozitë prestigjioze ndër të parët tanë që e përdorën si burim citimesh e hadīthesh. Midis tyre është ‘Alī ibn Ebū Rāfi’u, i cili, sipas biografisë së tij në Isābe, u lind gjatë kohës së Profetit (s) që e quajti atë ‘Alī. Ai shkroi një libër mbi shkencën e fikh-ut sipas mësimeve të Ehl ul-Bejtit, që e mbanin gjallë atë libër e i drejtonin shī‘itët e tyre tek ai. Mūsa ibn ‘Abdullāh ibn el-Hasani ka thënë:
“Një njeri e pyeti tim atë për teshehhud-in. Im atë më tha t’i sillja librin e shkruar nga Ebū Rāfi’u. Ai e mori dhe na diktoi prej tij.”
Autori i Rawdet ul-Xhenāt e mbyll diskutimin e tij duke pohuar se ky qe libri i parë që merrej me fikh i shkruar nga shī‘itët, por ai, Allahu e mëshiroftë, me siguri gabohej. Mes tyre është ‘Ubejdullāh ibn Ebū Rāfi’u, shkrues i shpalljes dhe pasues i ‘Alīut, i cili mësoi nga Profeti (s) dhe ia përcolli Xha‘ferit thënien e tij: “Brumi dhe edukata jote janë si të miat.”
Kjo citohet nga një grup dijetarësh që përfshijnë Imam Ahmedin në Musned. Ibn Haxheri e përmend në Pjesën I të el-Isābe me titull “‘Ubejdullāh ibn Eslem”. Emri i babait të Rebī’ut është Eslem. ‘Ubejdullāhi shkroi një libër mbi sahabët që morën pjesë në Siffīn me ‘Alīun, nga i cili Ibn Haxheri citon gjerësisht në el-Isābe; 2 ndaj ju mund t’i drejtoheni atij. Gjithashtu mes tyre është Rabī’e ibn Semi i cili shkroi një libër për zekatin mbi tufat e gjedhëve, të nxjerrë nga hadīthi i Profetit (s) i përcjellë nga ‘Alīu. Ata përfshijnë ‘Abdullāh ibn Hurr el-Fārsīun që transmeton një shkëndijë hadīthesh të përcjella nga Profeti (s) prej ‘Alīut. Midis tyre është edhe el-Asbagh ibn Nebete, mik e nxënës i Prijësit të Besimtarëve që citon Letrën e Imamit për Mālik el-Eshterin dhe testamentin e tij për të birin Muhammedin. Të dyja regjistrohen nga dijetarët tanë në librat e tyre të saktë të hadīthit, direkt prej tij. Një tjetër është Selīm ibn Kejs el-Hilāli, një shok i ‘Alīut, që citon hadīthin e tij dhe të Selmānit.
Ai shkroi një libër rreth Imāmetit që përmendet nga Imam Muhammed ibn Ibrāhīm el-Numāni në librin e tij el-Gājbe, me fjalët:
“Asnjë nga dijetarët dhe transmetuesit shī‘itë të hadīthit të Imamëve nuk e diskuton faktin se libri i shkruar nga Selīm ibn Kejs el-Hilāli është një bibliografi madhore e punimeve mbi usūl-in të përcjella nga dijetarët dhe muhadīthët e Ehl ul-Bejtit, dhe një nga pionierët e këtij lëmi. Ai është një nga burimet madhore të cilit i referohen dhe mbi të cilin mbështeten shī‘itët.”
Dijetarët tanë kanë regjistruar gjithashtu emrat dhe veprat e atyre të po këtij kalibri midis të parëve tanë të mirë që shkruajtën libra, krahas indekseve dhe jetëshkrimeve, autorëve të të cilave u janë referuar të gjithë.
3) Sa u përket autorëve nga të parët tanë që i përkasin brezit të dytë, d.m.th atij të tabi’īnëve, kjo Letër s’ia del që të shkoqisë mbi ta, dhe për t’u njohur me ta, me veprat dhe burimet e tyre në hollësi, është më mirë të konsultohen bibliografitë dhe jetëshkrimet e hartuara nga dijetarët tanë.
Drita e Ehl ul-Bejtit shndriti fuqishëm mbi atë brez, ndërkohë që më parë ajo ishte penguar nga retë e shtypjes së tiranëve. Katastrofa e Qerbelāsë i nxorri sheshit armiqtë e pasardhësve të Muhammedit (s) e ua mori fytyrën para atyre që kanë sy e mend. Ajo gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj mizorive që e kapluan Ehl ul-Bejtin pas kalimit të të Dërguarit të Allahut (s). Pasojat e tyre të tmerrshme i detyruan njerëzit t’ua kërkonin arsyet dhe i obliguan t’ua hetonin shkaqet. Kështu e mësuan ata farën dhe rrënjët e katastrofës.
Ata nga mesi i tyre të cilët ishin të bekuar me ndërgjegje u ngritën për të mbrojtur statusin e Ehlul-Bejtit (‘a) dhe mbështetur ata [dy Imamë], sepse është në natyrën njerëzore që t’i ndihmojë të shtypurit dhe ta urrejë padrejtësinë. Pas atij incidenti katastrofik, muslimanët hynë në një erë të re në të cilën vërshuan për ta përkrahur Imam ‘Alī ibn Husein Zejnul ‘Ābidīnin, për t’iu referuar atij në kërkesën e tyre për përgjigje ndaj pyetjeve mbi rrënjët dhe degët e besimit, dhe të gjitha shkencat islame të nxjerra nga Libri i Allahut dhe Sunneti. Pas vdekjes së tij, ata filluan t’i referoheshin të birit të tij Imam Ebū Xha‘fer el-Bākir.
Pasuesit e të dy Imamëve, d.m.th Zejnul ‘Ābīdinit dhe el-Bākirit, nga imāmītë e hershëm, shkruan libra të panumërt, por numri i atyre dijetarëve emrat dhe jetëshkrimet e të cilëve u përfshinë në librat e biografisë ishin rreth katërmijë heronj, dhe punimet e tyre numëronin mbi dhjetëmijë që përcillen nga tanët në çdo brez duke i cituar ato nga burime të besuara. Një grup nga elita e atyre heronjve arriti nderin t’u shërbente atyre, ndërsa të tjerët i shërbyen Imam Sādikut, dhe fati e deshi që një numër i madh ta përmbushnin synimin e tyre përfundimtar të arritjes së dijes së vërtetësishme.
Nga mesi i këtyre është Ebū Sa‘īd Abān ibn Taghlib ibn Rabā el-Xherīri, recituesi i famshëm i Kur’anit, muhadīthi, leksikografi e gjuhëtari i njohur që ishte njëri prej dijetarëve më të besuar. Ai qe bashkëkohës i tre Imamëve nga të cilët përcolli dije të madhe dhe një numër të lartë hadīthesh. Mjafton për ju fakti se ai transmeton tridhjetë mijë hadīthe vetëm nga Imam Sādiku, siç pohon el-Mīrzā Muhammedi në jetëshkrimin e Abānit në veprën Minhaxh ul-Mekāl ku ai citon Abān ibn ‘Uthmānin duke cituar Imam Sādikun. Ai gëzoi respektin dhe nderimin e tyre të lartë.
Imam Bākiri i tha atij njëherë, kur ndodheshin në Medinen e shenjtë:
“Zër vend në xhami dhe jepjua fetwātë e tua njerëzve, sepse më pëlqen që njerëzit të vështrojnë një nga shī‘itët e mi si ti.”
Imam Sādiku i tha njëherë: “Debato me medinasit, sepse më pëlqen të shoh njerëz si ti mes transmetuesve e miqve të mi.”
Saherë që vinte në Medine, njerëzit e vizitonin atë me turma dhe e vinin të ulej aty ku ulej Profeti (s). Imam Sādiku i tha Selīm ibn Ebū Hebbes: “Vizitoje Abān ibn Taghlibin, se ai ka mësuar një numër të madh hadīthesh prej meje, dhe çdo gjë që të transmeton ai, transmetoje dhe ti.” Ai i tha Abān ibn ‘Uthmānit: “Abān ibn Taghlibi përcjell tridhjetë mijë hadīthe prej meje; ndaj, citoji prej tij.” Sa herë që Abān ibn Taghlibi i bënte vizitë Imam Sādikut, ai e përqafonte, i shtrëngonte dorën dhe urdhëronte t’i sillnin një minder për t’u mbështetur e i kushtonte tërë vëmendjen e tij. Kur i mbërriti lajmi për vdekjen e tij, ai tha: “Për Allah! Po më dhemb zemra nga vdekja e Abānit.”
Ai vdiq më 141. Abāni ka përcjellë hadīth nga Enes ibn Māliku, elA’meshi, Muhammed ibn Munkediri, Sammāk ibn Harbi, Fudejl ibn ‘Umeri, Ibrāhim el-Nekha‘īu dhe el-Hakami. Tek ai mbështetet Muslimi e autorët e katër librave të hadīthit, siç shpjeguam gjatë diskutimit të tij te Letra 16.
Abānit s’i bën dëm mosdashja e Bukhārīut për t’u mbështetur mbi autoritetin e tij, sepse ngushëllim për të është fakti se ky nuk mbështetet as mbi autoritetin e Imamëve të Ehl ul-Bjetit si esSādik, el-Kāzim, er-Ridā, el-Xhewād, etTekī dhe Hasan el-‘Askerī el-Zekī, paqe pastë mbi ta. Bukhārīu nuk i konsideron këta burra si të besueshëm; jo, ai madje s’mbështetet as në autoritetein e nipit të madh të Profetit (s) dhe prijësit të të rinjve të Xhennetit! Nga ana tjetër, ai mbështetet në njerëz si Merwān ibn el-Hakāmi, ‘Umrān ibn Hattāni, Ikrime el-Berberi dhe soji i tyre; ndaj, të Allahut jemi, dhe Atij i kthehemi.
Abāni ka shkruar libra shumë interesantë. Njëri prej tyre është Tefsīr Gharīb ul-Kur’ān [zbërthimi i së pazakontës në Kur’an], që përbëhet kryesisht nga vargje poezie në arabisht të cituara për të dëshmuar të vërtetën e përmbajtur në Shpalljen e Përsosur. Më vonë, ‘Abdur-Rahmān ibn Muhammed elEsdī el-Kūfī i kombinoi përmbajtjet e librit të Abānit me ato të Muhammed ibn el-Sā‘ib el-Kalbīut dhe Ibn Rawāk ‘Atijje ibn elHārithit dhe i botoi ato në një vëllim, duke treguar pikëpamjet në të cilat dallonin si dhe ato mbi të cilat pajtoheshin.
Ai e citon njëherë Abānin në mënyrë të pavarur e një tjetër ai citon atë që puqet me pikëpamjet e ‘Abdur-Rahmānit. Njerëzit tanë i kanë cituar të dy librat përmes burimesh tepër të besueshme. Abāni ka shkruar një libër mbi virtytet morale, e një tjetër mbi Luftën e Siffīnit dhe ka shkruar një nga referencat madhore mbi të cilat mbështeten imāmītë në nxjerrjen e rregullave juridike. Tërë librat e tij janë raportuar duke e përmendur autorësinë e tij. Hollësitë e tyre ndodhen në librat e bibliografisë.
Një ndër ta është Ebū Hamza elThemāli ibn Dināri, një autoritet i besuar dhe fisnik ndër të parët tanë. Ai e mori dijen nga tre Imamë: Sādiku, Bākiri dhe Zejnul ‘Ābidīni, paqe pastë mbi ta. Ai mbajti lidhje të ngushta me ta dhe fitoi respektin e tyre. Imam Sādiku e lavdëroi atë me fjalët: “Në atë moshë që ka, Ebū Hamzai është si Lukmāni në kohën e vet.” Ai ka shkruar një libër mbi zbërthimin e Kur’anit dhe vura re imam Tabarsīun ta citojë atë në Muxhma’ul-Bejān fī Tefsīri’l-Kur’ān.
Ai gjithashtu ka shkruar një libër mbi hadīthet e rralla, një tjetër mbi zuhdin dhe një traktat mbi të drejtat6 nga Imam Zejnul ‘Ābidīni prej të cilit ai përcjell du‘ānë e tij të sabahut që ndriçon më shumë se dielli dhe hëna. Ai po ashtu transmeton nga Enesi dhe el-Sha‘bīu. Atë e citojnë Wakīu, Ebū Na‘īmi dhe një grup i kalibrit të tyre që janë miqtë tanë e të tjerë, siç pohuam në biografinë e tij në Letrën 16.
Ka burra të tjerë për t’u lavdëruar që nuk ia mbërritën Imam Zejnul ‘Ābidīnit, por patën nderin t’u shërbenin Imam Bākirit dhe Imam Sādikut, paqe pastë mbi ta. Mes tyre janë: Ebū’l-Kāsim Bard ibn Mu‘āvije el-‘Axhlī, Ebū Basīr el-Asger Lejth ibn Murād el-Bakhtarī el-Murādi, Ebū’lHasan Zarāre ibn ‘Ajāni, Ebū Xha’fer Muhammed ibn Muslim ibn Rabā el-Kūfī et-Tā’ifi el-Thekefī, e shumë flamuj të tjerë të udhërrëfimit dhe fanarë që ndriçuan në errësirë. Shkoqitja e tyre këtu është e pamundur.
Sa u përket këtyre katër burrave, ata me të vërtetë kanë arritur një status të veçantë dhe kanë fituar çmimin e lakmuar e një pozitë të lartë.
Kur Imam Sādiku i përmendi njëherë, ai tha: “Nuk shoh kënd që ta ketë mbajtur gjallë emrin tonë si Zarāre, Ebū Basīr Lejthi, Muhammed ibn Muslimi dhe Burejde; pa ta, askush nuk do të kishte mësuar gjë.”
Pastaj ai shtoi:
“Këta janë rojtarët e dīnit të cilëve babai im ua besoi mbrojtjen e asaj që Allahu ka urdhëruar dhe ndaluar. Ata janë të parët në kërkimin e shoqërisë sonë në këtë jetë, dhe ata do të jenë të parët të na bashkohen në Ahiret.”
Njëherë, ai, paqe pastë mbi të, recitoi: {Përgëzoji me sihariqe ata që luten për të arritur Xhennetin Tonë} (22:34), dhe menjëherë i përmendi këta katër persona, duke shtuar në një pohim të gjatë lavdërues për ta: ‘Thuhet se im atë u ka besuar atyre ruajtjen e çështjeve të lejuara dhe atyre të ndaluara nga Allahu, dhe ata ishin mbrojtësit e dijes së tij; sot, ata janë të besuarit e mi besnikë dhe miqtë e sinqertë të tim eti; ata janë yjet e shī‘itëve të mi gjallë a vdekur; përmes tyre Allahu e largon çdo bidat. Ata e mbrojnë këtë fe nga gënjështrat e bidatçinjve dhe interpretimet e ekstremistëve,’ krahas pohimeve të tjera të larta me të cilat ai i lavdëroi ata për ndihmesën, nderin, dinjitetin dhe shërbimin e tyre të vërtetë në një mënyrë që s’mund ta përshkruajmë dot.
Megjithatë, ata u akuzuan nga armiqtë e Ehl ul-Bejtit (‘a) me çdo akuzë të rreme që ekziston, siç e kemi shpjeguar në punimin tonë Mukhteser ul-Kelām fī Mu’alifī el-Shī’a min Sadr ul-Islām. Kjo nuk e zbeh aspak statusin e tyre të lartë dhe rëndësinë e tyre të madhe në sytë e Allahut, të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve. Ata që i kishin smirë profetët vetëm sa e rritën lartësinë e statusit të atyre profetëve, pa i ndikuar ligjet që ata sollën veçse duke i promovuar ato edhe më tepër mes atyre që e njohin dhe e pasojnë të vërtetën, çka i bëri ata të pranueshëm për të pajisurit me mend.
Gjatë jetës së Imam Sādikut, paqe pastë mbi të, dija u përhap si kurrë më parë dhe shī‘itët e stërgjyshërve të vet vërshuan drejt tij nga anekënd. Ai iu qas atyre me pamje të këndshme, duke i bërë të ndjehen si në shtëpi, pa kursyer asnjë përpjekje për t’i mësuar dhe njohur me sekretet e diturisë, veçantitë e urtisë dhe natyrën e çështjeve, siç e pranon edhe Ebū Fet’h el-Shehristānī në el-Milel we’nNihel. Kur përmend Imam Sādikun, ai komenton: “Ai ishte tejet i informuar mbi fenë, i dhuntisur me edukatë të përkryer në urti, heqje dorë nga dunjaja dhe përmbajtje të plotë nga joshjet.”
Ai gjithashtu ka thënë për të: “Ai qëndroi në Medine për ca kohë duke mësuar shī‘itët që i përkitnin besimit të tij dhe derdhur sekretet e diturisë mbi besnikët e tij. Pastaj ai shkoi në Irak dhe qëndroi atje për mjaft kohë gjatë së cilës ai nuk e kritikoi në publik qeverisjen e as nuk e lakmoi atë... Kushdo që kridhet në oqeanin e dijes nuk dëshiron ta shohë më bregun dhe ai që arrin majën e realitetit s’frikësohet kurrë se do zbresë” gjer në fund të pohimit të tij: “Dhe e vërteta i shpaloset qartë të paanshmit dhe kokëfortit.”
Një numër i madh shokësh të Imam Sādikut arritën urtinë e lartë, e u bënë prijësa të ndershmërisë, pishtarë në errësirë, oqeane të dijes, yje të udhërrëfimit. Mes atyre emrat dhe jetëshkrimet e të cilëve ndodhen në librat e biografive, janë katër mijë burra nga Iraku, Hixhazi, Irani dhe Siria. Ata janë autorë të veprave të mirënjohura nga dijetarët imāmī. Mes tyre janë katër qind librat mbi bazat e fikh-ut që u përmendën më lart, të cilat merren me katërqind tema, të gjitha të shkruara gjatë kohës së Imam Sādikut dhe të nxjerra nga fetwātë e tija.
Ato u bënë të domosdoshme si për dijen teorike, ashtu edhe për atë praktike, aq sa një grup dijetarësh të ummetit e mëkëmbësish të Imamëve i përmblodhën përmbajtjet e tyre në libra të veçantë për t’ua lehtësuar kuptimin nga studentët dhe për t’i bërë më të kapshme. Më të mirat e këtyre përpilimeve janë katër librat që përbëjnë burimet kryesore të imāmīve në të referuarit çështjeve të rrënjëve dhe degëve të besimit. Ata u janë referuar atyre që nga shekulli i parë i Hixhretit, dhe ata janë: el-Kāfī, Men la Jahderuhu’l-Fekīh, el-Tehdhīb ul-Ahkam dhe el-Istibsār. Të gjithë janë mutewātir, dhe saktësia e asaj që përmbajnë s’dyshohet kurrë.
El-Kāfī është më i vjetri ndër ta, më i madhi, më i miri e më i sakti. Ai përmban gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë hadīthe që përfshijnë gjithçka që ndodhet tani në es-Sihāh usSitte të sunnive, siç e pranon edhe elShehīdi në veprën e tij el-Thikre, si dhe shumë dijetarë të tjerë të shquar [sunni].
Hishām ibn el-Hakami, një nga shokët e Imam Sādikut dhe Imam Kāzimit, shkroi shumë libra nga të cilët nëntëdhjetë e nëntë u bënë mjaft të famshëm. Ato transmetohen nga miqtë tanë që e citojnë atë, dhe hollësirat e tyre ndodhen në librin tonë Mukhteser ul-Kelām fī Mu’alifī elShī‘a min Sadr ul-Islām. Ata janë të gjithë libra shumë intersantë, verbues në qartësinë e përmbajtjes e vezullimin e argumenteve të tyre.
Ato merren me rrënjët dhe degët e besimit, si dhe tewhīd e kelām; hedhin poshtë ateistët, heretikët, panteistët, fatalistët, deterministët dhe ekstremistët në pikëpamjet rreth ‘Alīut e Ehl ul-Bejtit. Ata gjithashtu hedhin poshtë harixhitë dhe nāsibitë, ata që mohuan se Profeti (s) i kishte lënë testament ‘Alīut, ata që e penguan të merrte khilāfetin dhe ata që predikuan se para ‘Alīut duhej të zgjidhej tjetërkush khalīf, krahas temave të tjera.
Në shekullin e dytë, Hishāmi ishte personi më i ditur në shkencën e retorikës, teosofi dhe shkencat racionale e deduktive. Ai shquhej në fikh dhe hadīth, duke ia kaluar të gjithëve në tefsīr dhe në disiplinat e mjeshtëritë e tjera. Ai është personi që e shtjelloi konceptin e imāmetit dhe e çoi përpara medhhebin me përkujdesje. Ai citoi Imamët Sādik e Kādhim dhe gëzoi në sytë e tyre një status të veçantë që s’mund të përshkruhet. Ai mori një lavdërim të tillë nga ata, që e ngriti në qiell. Në fillim ai ishte xhehmī, por pastaj u takua me Imam Sādikun dhe e pa dritën e udhërrëfimit përmes tij; ndaj, iu bashkangjit palës së tij e më pas ndoqi Imam Kādhimin dhe ua kaloi tërë nxënësve të Imamëve.
Ata që dëshiruan ta shuanin dritën e Allahut, nga zilia për Ehl ul-Bejtin (‘a) dhe ligësia, e akuzuan se ai pohonte që Allahu ka formë fizike, si dhe akuza të tjera të rënda. Ne jemi më se të njohur me bindjet e tij. Ne kemi në dorë raportime për mënyrën e tij të jetesës dhe metodën e të folurit. Ai ka shkruar vepra të tëra në mbrojtje të medhhebit tonë siç përmendëm më lart; prandaj, asnjë fjalë nga pohimet e tija s’mund të njihet prej të tjerëve e të mos njihet prej nesh, ngase ai është prej të parëve tanë, ndërkohë që kritikët e tij janë larg bindjeve dhe shijeve të tija. Ajo që ka cituar Shehristānīu në el- Milel we’n-Nihel nga pohimet e Hishāmit nuk nënkupton se ai beson në një formë fizike të Allahut. Më lejoni t’jua citoj atë që ai ka shkruar:
“Hishām ibn el-Hakāmi e ka studiuar usūl-in në thellësi. Nuk duhet të harrojmë debatet e tij me mu’tezilītë, sepse ai burrë qëndron përmbi atë që e akuzojnë kundërshtarët, dhe nën atë që të sjell ndërmend, sepse ai debatoi me el-‘Alāfin duke thënë: ‘Ti pohon se Krijuesi është Ai që di, dhe se dija e Tij është vetë thelbi i tij; kështu, Ai bëhet një qenie e dijshme që është e ndryshme nga bota [krijimi i Tij]; përse nuk thua atëherë që Ai ka një formë ndryshe nga të gjitha format’?”
Nuk përbën sekret që ky pohim, nëse është i vërtetë, vërteton vetëm se ai e kundërshton pikëpamjen e el-‘Alāfit. Jo gjithkush që debaton rreth diçkaje beson në të, ngase është e mundur që ai të ketë si qëllim të testojë bindjet e el-‘Alāfit dhe ta shoshisë dijen e tij, siç sugjeron Shehristānīu, kur thotë: “Ai burrë qëndron përmbi atë që e akuzon kundërshtari dhe nën atë që të sjell ndërmend.” Nëse supozojmë se vërtetohet që Hishāmi e beson një gjë të tillë, kjo mund të ketë qenë para se ai t’i kthehej udhërrëfimit të vërtetë.
Ju e patë se ai kishte bindje xhehmīte, dhe më pas e pa dritën e udhërrëfimit përmes pasardhësve të Muhammedit (s), e u bë imam i atyre që ndoqën Imamët e tyre. Askush nga të parët tanë nuk ka gjetur as edhe një provë të asaj që i mvesh atij kundërshtari, e megjithatë ne gjejmë gjurmë të asaj që i kanë atribuar Zerāre ibn ‘Ajānit, Muhammed ibn Muslimit, Mu’min et-Tākut, dhe shokëve të tyre. Kjo megjithë faktin se ne nuk kursyem asnjë përpjekje për ta hetuar akuzën dhe pamë se bazat e saja s’ishin asgjë më tepër se padrejtësi e mëri, intrigë dhe shpifje; {Mos mendoni se Allahu është i pavëmendshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët} (14:42) (27:93).
Sa i përket pretendimit të Shehristānīut që Hishāmi beson se ‘Alīu është Allah, kjo është një shaka’ që e bën edhe një grua të pikëlluar, të cilës sapo i ka vdekur foshnja, të shpërthejë në gaz. Pohimet e Hishāmit lidhur me tewhīd-in ftojnë për lartësimin e Allahut përmbi çdo reduktim në formë fizike të çfarëdo lloji dhe madhërimin e Tij përmbi atë që pandehin injorantët. Pohimet e tij lidhur me imāmetin dhe wisājet-in pasqyrojnë preferimin e tij të të Dërguarit të Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhësit e tij, mbi ‘Alīun.
Ai deklaron se ‘Alīu është si çdo pjesëtar tjetër i ummetit të Pejgamberit (s) dhe vartësi, mëkëmbësi e zëvendësi i tij; dhe se ai është rob i Allahut të cilit i është bërë padrejtësi dhe shtypje e i cili nuk e siguroi dot atë që i takonte, duke u detyruar t’i nënshtrohej pushtetit të kundërshtarëve, në frikë të vazhdueshme për sigurinë e tij, pa mbështetës apo ndihmës. Si mundet, pra, Shehristānīu të thotë: “Hishām ibn el-Hakami ka studiuar usūl në thellësi.
Nuk duhet t’i harrojmë debatet e tija me mu‘tezilītë, sepse ai burrë është mbi atë që e akuzon kundërshtari dhe nën atë që të kujton, ngase ai debatoi me el-‘Alāfin me fjalët: ‘Ti pohon se Krijuesi është Ai që di dhe se dija e Tij është vetë thelbi i Tij; atëherë, Ai bëhet një qenie e dijshme që është e ndryshme nga bota [krijimi i Tij]; përse s’thua atëherë se Ai ka një formë ndryshe nga të gjitha format’?” Ai pastaj i mvesh ‘Alīut pretendimin se ai është Allahu!
A s’është kjo një vetëkundërshti e dukshme? A është me vend t’i mvishet Hishāmit, megjithë tërë dijen e tij të bollshme dhe ndihmesat e tij të shumta, një gjepur e tillë? Padyshim që jo. Por këta njerëz ngulmuan të stivojnë akuza nga smira dhe keqdashja ndaj Ehl ul-Bejtit dhe atyre që ndjekin pikëpamjet e tyre; ndaj, të Allahut jemi dhe Atij i kthehemi.
Autorësia lulëzoi gjatë jetës së Imamëve el-Kādhim, er-Ridā, el-Xhewād, el-Hādī, el-Hasan el-Zekī el-‘Askerī, paqe pastë mbi ta, në një mënyrë që s’ish parë gjer atëherë dhe muhadīthët që i citonin ata dhe Imamët e tjerë u përhapën anembanë, duke bërë çmosin për të arritur dituri, në kërkim të saj dhe sekreteve të saja, duke ia sistematizuar çështjet, verifikuar faktet, pa kursyer asnjë përpjekje për të regjistruar mjeshtëritë dhe mbledhur thërrimet e urtisë.
El-Muhakkīk el-Hīlī thotë në el-Mu‘teber:
“Mes nxënësve të Xhevādit, paqe pastë mbi të, kishte burra të virtytshëm si Husein ibn Sa‘īdi dhe vëllai i tij Hasani, Ahmed ibn Muhammed ibn Ebū Nasr el-Bezantī, Ahmed ibn Muhammed ibn Khālid el-Barkī, el-Shathāni, Ebū’l-Fadl el-‘Emi, Ahmed ibn Muhammed ibn ‘Īsai, Ejjūb ibn Nūhi dhe të tjerë, lista e të cilëve është mjaft e gjatë... Librat e tyre janë në qarkullim edhe sot e kësaj dite ndër tanët, duke pasqyruar diturinë e tyre të bollshme.”
Mjafton për ju fakti se librat e el-Barkīut i kalojnë të njëqindët, dhe el-Bezantīu ka shkruar veprën e tij të shquar Xhami’ ul-Bezantī, ndërsa el-Husein ibn Sa‘īdi ka shkruar tridhjetë libra. Nuk është e mundur që në një Letër si kjo të numërojmë atë që është shkruar nga studentët e gjashtë Imamëve që vijuan nga Imam Sādiku, paqe pastë mbi ta, por po ju drejtoj tek jetëshkrimet dhe bibliografitë e disponueshme; prandaj, lexoni për jetën e Muhammed ibn Sinānit, ‘Alī ibn Mahziārit, Hasan ibn Mahbūbit, Hasan ibn Muhammed ibn Sam’ait, Safwān ibn Jahjāit, ‘Alī ibn Jektīnit, ‘Alī ibn Fadalit, ‘Abdur-Rahmān ibn Nexhrānit, el-Fadl ibn Shathānit (që shkroi dyqind libra), Muhammed ibn ‘Umejrit, Ahmed ibn Muhammed ibn ‘Īsait (që citoi 100 shokë të Imam Sādikut), Talha ibn Talha ibn Zejdit, Muhammed ibn ‘Alī ibn Mahbūbit, ‘Ammār ibn Mūsa el-Sabātit, ‘Alī ibn el-Nu’mānit, el-Husein ibn ‘Abdullāhit, Ahmed ibn ‘Abdullāh ibn Mahrānit që njihet më mirë si Ibn Khānībe, Sadfa ibn el-Munthir elKummīut, ‘Ubejdullāh ibn ‘Alī el-Halebīut që ia solli librin e tij Imam Sādikut për ta redaktuar e verifikuar, që ia çmoi e i tha:
“A të duket se këta njerëz kanë një libër si ky?!”
Shtojini atyre mjekun Ebū ‘Amr, ‘Abdullāh ibn Sa’īdin që ia solli librin e tij Ebū’l-Hasan er-Ridāit, paqe pastë mbi të, për të njëjtin qëllim dhe Ūnus ibn ‘Abdur-Rahmānin që ia solli librin e tij Imam Ebū Muhammed el-Hasan el-Zekī el-‘Askerīut, paqe pastë mbi të.
Kushdo që i hulumton jetëshkrimet e pasuesve të pasardhësve të Muhammedit, paqe pastë mbi të dhe ta, e i studion ata që u shoqëruan me nëntë Imamët nga pasardhësit e Imam Huseinit, duke i numëruar veprat e tyre në kohën e Imamëve përkatës të rishqyrtuara prej atyre që ata cituan, në përhapje të hadīthit nga pasardhësit e Muhammedit (s) në çdo rrënjë dhe degë të fesë..., do të ndeshet me mijëra burra të tillë.
Pastaj, nëse njihet me ato shkenca në çdo klasë siç janë përcjellë brez pas brezi që nga koha e nëntë Imamëve të Papërlyer (‘a) e deri më sot, atëherë ai do të bindet patjetër se medhhebi i atyre Imamëve është mutewātir, duke larguar çdo dyshim që mund të ketë mbi faktin se adhurimi ynë i Allahut Fuqiplotë në rrënjët dhe degët e besimit është nxjerrë nga Ehl ul-Bejti i të Dërguarit të Allahut. Askush nuk e vë në dyshim këtë fakt përveç arrogantit dhe të paragjykuarit, ose injorantit shurdhmemec; ndaj, falënderimi i takon Allahut që na udhëzoi në këtë, se pa udhërrëfimin e Tij, nuk do të ishim udhëzuar; Wesselam.
Sinqerisht,
Sh