Autori

Lindja dhe Edukimi

 

Sejjid ‘Abdul-Husein Sherafuddīni, Allahu ia zgjastë hijen, lindi në Kādhimijje më 1290/1874, nga prindër të mirë të lidhur me njëri tjetrin përmes fisnisë dhe të bashkuar nga një peme familjare e rrënjëve fisnike. Babai i tij qe i virtytshmi Jūsuf ibn Sherif Xhevād, bir i të fismit Ismā‘īl. Nëna e tij qe e virtytshmja Zehrā bint Sejjid Hādī ibn Muhammed ‘Alī dhe përfundonte në farefisni të afërt me Sherafuddīnin, një nga të nderuarit e shquar të kësaj dere të mirë. Ai u rrit në një shtëpi, për të cilën trasetë e shkëlqimit në dije ishin shtruar dhe shtyllat e së cilës ishin ngritur mbi fisnikë të shquar të një nami të mirë, dobia dhe shërbesat e të cilëve janë shpallur e çmuar përgjatë mbarë dār ul-Islāmit.

Ai u rrit në atë shtëpi të ngritur, i ushqyer në kopshtet e dijes dhe etikës, duke ngjitur majat e dinjitetit. Kur arriti rininë e njomë ai ishte njohur plotësisht me kauzat e mirësisë, pasimi i të cilave e bëri atë mishërimin e virtytit. Pas hedhjes së hapit të parë të madh në jetën akademike, ai u shqua për suksese dhe arritje të jashtëzakonshme. Studentët dhe admiruesit i qëndronin gjithnjë përkrah. Zëri i tij kumboi në qendrat e dijes së Samārrasë dhe el-Nexhef ul-Eshrefit, ku arriti të shquhej.

 

Që atëherë, ylli i tij ka vazhduar të shkëlqejë në qarqet e dijes, drita e tij s’ka reshtur së shtriri në largësi dhe gjerësi, ndërkohë që dija e tij zgjerohet gjithnjë e më tej. Ai përparoi nëpër shkallët e suksesit gjersa jeta skolastike iu kultivua në duart e shumë gjenive në mesin e shtyllave të dijes në el-Nexhef ul-Eshref e Samārra, si: et-Tabātabā’ī, el-Khurasānī, Fet’hullāh el-Isfahānī, Shejh Hasan elKerbelā’ī dhe të tjerë viganë të shquar të fesë e imamë të dijes.

 

Në ‘Āmile

 

Kur pjekuria e tij mori dhenë dhe ylli i tij në qarqet kërkimore dhe takimet e debatit e të mësimit filloi të shkëlqejë, ai, në moshën tridhjetëedyvjeçare, u kthye në malin e ‘Āmilit (Libani jugor), i nderuar, i mirënjohur, i kënaqur, premtues, i shquar, flakërues në shkëlqim.

Dita e mbërritjes së tij ishte e paharrueshme. ‘Āmili i nisi bijtë e vet t’i uronin mirëseardhjen mbërritjes së tij, aq ndriçuese ndër stere e qiej, duke e mirëpritur me manifestime që përfshinin njerëz të dijes dhe udhëheqjes së vendit, deri në kufijtë e malit nga rruga e Sirisë, duke festuar si të ishte bajram. 

 

Reformat e Tij

 

Një jetë e re filloi në ‘Āmile me synim zbatimin e fesë, përmirësimin e sjelljes, forcimin e së drejtës me të fortën, mirësinë ndaj të dobtëve, urdhërimin e së mirës dhe ndalimin e së keqes, përkrahjen e prijësve të fesë dhe përulësinë ndaj njerëzve të dijes. Gojtaria e Tij Ligjëratat e tija elokuente dhe metodat udhëzuese ekspresive patën meritën më të madhe në arritjen e reformës së shumëdëshiruar. Kjo s’është për t’u habitur kur dimë se Sejjidi zotëronte një gojtari të atillë të fjalës, që e bënte atë zilinë e oratorëve të mbarë Arabisë.

 

Feja, dija dhe etika krenohen të gjitha për të. Krahas elokuencës, ai ishte i madh edhe në të zgjedhurit e xhevahirëve të mendimeve të tija, si dhe veshjeve të opinioneve të veta të cilat ai i përshtati dhe i organizoi mjeshtërisht, duke i dhënë jetë çdonjërit prej argumenteve, shpjegimeve, logjikës, shpalosjeve përshkruese e shtesave sqaruese që dëshironte, si dhe në të gjitha punimet e tija që janë organizuar përmes harmonisë dhe ekuilibrit.

 

Shërbesat e Tij

 

Sa i përket ndihmesës së tij në përpjekjen kundër kolonializmit të huaj, mund të flasësh sa të ka ënda. Kjo ndërmarrje megjithatë nuk na lejon t’i qasemi një nisme të tillë në imtësi; prapëseprapë, mund ta përmbledhim në një fjali të vetme: Shërbesat e tij të mëdha gjatë regjimit turk, pastaj pushtimit francez e më tej pas pavarësisë, ishin thjesht tejzgjatje të lëvizjeve për çlirim. Ai ua ngriti atyre nivelin e efikasitetit dhe i drejtoi ato drejt objektivave fisnike të sigurimit të drejtësisë dhe stabilitetit, duke u sjellë kështu shpresa të freskëta masave. Mirëpo, të gjitha autoritetet përgjatë këtyre regjimeve nuk kursyen asnjë mjet për t’iu kundërvënë dhe për t’ia minuar planet, përmes mbjelljes së lloj lloj kurtheve, persekutimeve dhe masave ndëshkuese që mund të sajonin. Fatkeqësitë si ato nga të cilat vuajti ky imam i madh, në përpjekje për ta lumturuar popullin e tij, nuk janë përballuar veçse nga udhëheqësit dhe prijësit më të shquar arabë, që luftuan heroikisht dhe vuajtën rëndë gjatë tyre.

 

S’ka nevojë të thellohem në surprizën që autoritetet pushtuese franceze i kishin pregatitur kur ai ua solli në majë të hundës. Ata urdhëruan disa nga katilët e tyre xhelatë që ta vrisnin. Ibn ul-Hallāxhi i hyri me forcë në shtëpi, kur ai bashkë me pjesëtarët e familjes dhe fisit të tij nuk kishin asnjë nga mbështetësit e tyre përrotull. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar kishte dëshiruar të kundërtën e dëshirës së tyre. Ai e mbajti ligësinë e tyre larg prej tij dhe ata u tërhoqën të poshtëruar, duke u rrëzuar në dështimin dhe turpin e tyre.

 

Porsa lajmi i këtij sulmi të papritur u përhap në ‘Āmile, turma të tëra vërshuan me nxitim për në Sūr, nga të gjitha anët, për t’u vënë nën urdhrat e prijësit të tyre, që të ndërmerrnin diçka rreth incidentit. Mirëpo, pasi i falënderoi, Sejjidi i shpërndau ata, duke i këshilluar që thjesht ta kapërcenin. Ky incident u pasua nga shumë e shumë të tjerë të ngjashëm. Hendeku u bë më i gjërë dhe përplasja shpërtheu gjersa në fund, Sejjidit bashkë me farefis mes prijësve të ‘Āmiles iu desh të kërkonte strehim në Damask, ku ai mbërriti megjithë përpjekjen e ushtrisë franceze për t’ia mbyllur rrugën para këmbëve. Autoritetet xhelate po e ndiqnin me disa nga trupat e tyre të armatosura për ta ndaluar të arrinte Damaskun.

 

Kur humbën shpresën e fundit për ta kapur, ata u kthyen për t’i vënë flakën shtëpisë së tij në Shahūr, duke e lënë në shkrumb e hi të shkërmoqur në ajër; pastaj zaptuan banesën e tij në Sūr pasiqë lejuan duart mëkatare ta plaçkisnin dhe grabisnin, derisa nuk lanë gjë të çmuar apo një send të vetëm në të. Humbja dhe dëmi më i madh në atë tragjedi qe djegia e bibliotekës së Sejjidit me tërë librat e saj të çmuar e veprat më të shkëlqyera, duke përfshirë nëntëmbëdhjetë nga të tijat, ende në dorëshkrim.

Pastaj ai udhëtoi për në Egjipt, gjatë kulmit të kryengritjeve që mbërthyen zonën. Kur mbërriti atje, egjiptianët e mirëpritën ngrohtësisht dhe e njohën, megjithë maskimin e tij nën një kafijje dhe ikal, veshje të zakonshme të beduinëve të shkretëtirës.

 

Në Egjipt ai mbajti qëndrime të caktuara, të cilat tërhoqën vëmendjen e elitës mes shkollarëve të dijes, shtyllave të letërsisë dhe njerëzve të politikës, sipas kërkesave të personalitetit të tij të nderuar. Kjo s’ishte vizita e tij e parë në Egjipt. Egjipti e kish njohur atë tetë vjet më parë, kur ai e pat vizituar në mbyllje të 1329, duke qëndruar aty deri më 1330, gjatë një udhëtimi në kërkim të dijes. Atëherë ai u takua me hulumtuesit dhe kryemendjet e ndritura të egjiptianëve të dijshëm. Pas kësaj, ai dhe Shejh Selīm el-Bishrī, rektori i atëhershëm i el-Ez‘herit, u takuan dendurazi e shkëmbyen mendime rreth çështjeve të rëndësishme të kelām-it dhe usūl-it. Ndër frytet e atyre takimeve të bekuara qe libri el-Murāxha‘āt, me të cilin kemi të bëjmë këtu. 

 

Kërkimi prej Tij i Dijes

 

Duke vështruar parathënien e mësipërme, në fillim mund t’ju krijohet përshtypja se problemet shoqërore që e rrethuan e kanë zhvendosur vëmendjen e tij nga ndjekja e dijes duke e mbajtur larg nga puna letrare. Në të vërtetë, kushdo që është goditur ashtu siç u godit Sejjidi ynë, normalisht shmanget nga dija dhe autorësia e arritshme. Problemet që e rrethonin do t’ia kishin kufizuar vërtet mundësitë për t’i hedhur një sy ndonjë libri në bibliotekë apo shkruar ndonjë faqe në shtëpi.

Por e vërteta është se koha e tij është e bekuar, zemra e tij e gjerë dhe mendja e tij e fuqishme. Në të njëjtën kohë që ia dilte mbanë me sukses problemeve që ndeshte, ai gjithashtu shuante etjen e tij për dije. Ai mori nga biblioteka e vet pjesën e dijes që jeta e tij praktike kërkonte. Qëkur la Nexhefin e ndershëm, ai vazhdoi të hulumtonte, lexonte, shkruante dhe të debatonte pareshtur. Gjatë orëve të pushimit, ai shkonte përditë në bibliotekën e tij për të gjetur qetësinë e mendjes në çështjet e veta dhe harruar gjithçka që jeta e zënë dhe dërrmuese shtrinte përtej mureve të saj.

 

Veprat e Tija

 

1) El-Murāxha‘āt (“Letërkëmbimi”) s’është tjetër veçse një model i vërtetë i të shkruarit të tij dhe unë s’mund t’ju them sa duhet për të këtu. Gjuha e tij është, pa dyshim, shumë më elokuente dhe zemërhapur se imja. Ai u botua në revistën el-‘Irfān, Saide (Liban), më 1355, dhe të gjitha kopjet u shitën menjëherë. Është përkthyer në persisht dhe kam dëgjuar se është përkthyer në anglisht nga Dr. Zejdi - një indian, e gjithashtu në urdisht.

 

2) El-Fusūl ul-Muhimme fī Tā’līf ul-Ummeh (“Kaptinat e Rëndësishme në Bashkimin e Ummetit”) është një nga librat më të shkëlqyer islamë që kanë të bëjnë me çështjet kontradiktore lidhur me të cilat sunnitë e shī‘itë debatojnë nën dritën e kelām-it, arsyes, deduksionit dhe analizës. Ai përfundoi më 1327 dhe u botua dy herë në Saide. Përmbajtja e botimit të dytë (1347) u rrit ndjeshëm. Në temën e vet, elFusūl ul-Muhimme fī Tā‘līf ul-Ummeh mjafton sa për një bibliotekë të tërë. Ai përmban 192 faqe të formatit mesatar.

 

3) Axhwibet Mesā‘il Mūsa Xherullāh (“Përgjigje ndaj Pyetjeve të Mūsa Xherullāhit”). Ndonëse i vogël në përmasa, ky është një libër madhështor i një dijeje kolosale. Siç tregon dhe titulli, ai përmban përgjigje ndaj njëzet pyetjeve të shtruara nga Mūsa Xherullāh ndaj dijetarëve shī‘i. Ai mendon se ato përfshijnë pyetje të sikletshme si: përse shī‘itët i konsiderojnë disa sahabë jobesimtarë e i demaskojnë ata; shpifjen se shī‘itët ndryshuan tekstin e Kur’anit dhe e bënë xhihadin haram, çështje si bedā’, mut’a, berā’a, ‘awl etj. Përgjigjet e tij ishin më se të vërtetësishme, të nxjerra nga një dije e bollshme e mbështetur mbi prova dhe logjikë, duke mos lënë vend për asnjë dyshim. Libri ka një Hyrje mbi kushtrimin për bashkim dhe një Përfundim lidhur me injorancën e atyre që shtrojnë çështje të tilla e përhapin shpifje të ulëta për literaturën shī‘ite, si dhe konfuzionin ekzistues në disa libra sunni. Është shtypur në 152 faqe të mesme nga revista el-‘Irfān, më 1355/1936.

 

4) El-Kelīmetu’l-Garrā’ fī Tefdīli’z-Zehrā (“Pohimi Bindës në të Preferuarit e Fātimes”). Dyzet faqet e tij janë ndërthurur me tekstin e botimit II të el-Fussūl ulMuhimme. Përmban hulumtimet më të thella. Është jashtëzakonisht autentik në stil dhe burim. Ky libër dëshmon për vërshimin e penës së autorit, mendjen e tij prej burimi të pashtershëm.

 

5) El-Mexhālis el-Fākhireh fī Me‘ātim el-‘Itreh et-Tāhire (“Tubimet e Mrekullueshme Përkujtimore në Nderim të Pasardhësve të Pastruar”). Hyrja e këtij libri tashmë është botuar dhe ai përmban 72 faqe gjysëmpërmasëshe. Autori sqaron filosofinë e mbajtjes së ceremonive përkujtimore huseinijje, ndërsa sekretet e shehādetit të Kerbelasë shpjegohen bukur e saktë.

 

6) Ebū Hureira, i shtypur më 1365 në revistën el-‘Irfān. Ai përbën një metodë të re në autorësi dhe një triumf në lëmin e biografive, për shkak të stilit të tij analitik që të bën për vete. Për nga hollësia e stili, ai mund të krahasohet lirshëm me veprat më në zë të llojit të vet. Ai, nën dritën e dijes dhe intelektit, merret me jetën e Ebū Hureires, kohën e tij, rrethanat, miqtë, hadīthet dhe vëmendjen e veçantë dhuruar atij nga gjashtë sahīh-ët, që ia citojnë hadīthet.

 

7) Bughijetu’l-Raghibīn (“Gjurmimi i të Vullnetshmëve”) është një dorëshkrim unik familjeje, që gjurmon pemën fisnore e të afërmit e Sherafuddīnit. Ajo qëndron mënjanë si një vepër madhështore, e mrekullueshme dhe e shkëlqyer në literaturën e ditarëve për nga metoda e saj e arrirë e klasifikimit. Aty, ai rrëfen jetëshkrimet e disa mjeshtërve të famshëm të penës si dhe kohët e rrethanat e tyre. Kështu, ju do ta gjykoni një punim letrar të shkëlqyer e interesant; jo madje, një histori të tërë brezash fisnikësh.

 

8) Thebt ul-Athbāt fī Silsilet ul-Ruwāt (“Prova Vulosëse në Zinxhirin e Rrëfyesve”). Në këtë libër, autori rreshton mentorët e tij mes shkollave muslimane në një varg që shkon deri te Profeti (s) dhe Imamët (‘a), tek veprat dhe autorët e tyre - të gjurmuara përmes shtigjesh të shumta e të ndryshme. Ai i përcjell ato nga të lexuarit a të dëgjuarit, ose duke u mbështetur në autoritetin e burrave të shquar nga shī‘itët ithna-asherī e zejdī si dhe sunnive të famshëm. Të shkoqiturit e gjithë këtyre metodave këtu do të kërkonte imtësi kohëharxhuese, ndaj po mjaftohem me përmendjen e përmbajtjes së Thebt-it, i shtypur dy herë në Saide. Ai ka autorësuar libra të tjerë të papërmendur këtu si Mesā‘il Khilāfijje (“Çështjet e Khilāfetit”), Risāleh Kelāmijje (“Trajtesë mbi Teologjinë”)

 

Veprat e Vyera të Tij që Humbën

 

Krahas gjithë këtyre xhevahirëve të pavdekshëm, ai ka shkruar vepra të tjera të vyera. Sikur të mos ishin djegur ose grisur gjatë bastisjeve të 1920-ës, ato mund të ishin përfshirë midis thesareve të rralla të intelektit dhe mendimit. Por medet, ato u humbën gjatë këtyre ngjarjeve aq të dhimbshme; ndaj, institucioni i diturisë vuajti një humbje të rëndë. Sikur koha e mjeshtrit tonë të zgjatej për ta kompensuar humbjen duke i kthyer ato sërish në jetë! Këtu po i rreshtojmë me radhitjen që i ka bërë autori në fund të komentit të tij mbi el-Kelīmetu’lGarrā (“Fjala e Vyer”):

 

1) Sherh ul-Tebsire (“Zbërthimi i Librit Tebsire”) pra Prova(ve) në Jurisprudencë Lidhur me Deduksionet Ndriçuese; këto janë tre vëllime të mëdha të plota që përmbajnë kaptina mbi pastërtinë, drejtësinë, dëshminë dhe trashëgiminë.

 

2) Komenti i tij në një vëllim, mbi temën e el-Istis‘hāb nga letrat e Shejh Ansārīut; merret me parimet e jurisprudencës (usūl-i fikh).

 

3) Risāleh fī Munxhezāt ul-Mārīd (“Traktat mbi Rrugën drejt Shëndoshjes së të Sëmurit”) e shkruar në një qasje racionale.

 

4) Sebīl ul-Mu‘minīn, (“Rruga e Besimtarëve”) në 3 vëllime; merret me çështjen e Imametit.

 

5) El-Nussūs ul-Xhelijjeh (“Tekstet e Padiskutueshme”) trajton po ashtu Imametin dhe përmban dyzet hadīthe të rëna dakort njëzëri nga muslimanët, krahas dyzet të tjerave të përcjella nga zinxhirë shī‘itë, të lustruara nga analiza dhe filosofia.

 

6) Tenzīl il-Ājāt ul-Bāhire (“Shpallja e Vargjeve Verbuese”) po ashtu shqyrton çështjen e Imametit. Është shkruar në një vëllim e mbështetet mbi njëqind vargje kur’anore të shpallura në lavdërim të Imamëve të Shenjtë të Ehl ul-Bejtit, sipas librave sahīh.

 

7) Tuhfet ul-Muhadithīn fīme Akhrexhe ‘anhū es-Sitte minel Mudā’afīn (“Kurorë e Argëtuesve nga Hadīthet e Konsideruar të ‘Dobët’ prej Autorëve të Gjashtë Sahīhëve”). Ky është një libër krejtësisht i ri në temën e tij, shoku i të cilit nuk është shkruar kurrë më parë.

 

8) Tuhfetul As‘hāb fī Hukm Ehl ul-Kitāb (“Kurorë e As‘habëve në të Gjykuarit e Popujve të Librit”).

 

9) El-Therī’e (“Preteksti”) është një libër që hedh poshtë Badī’a-në e el-Nabahānīut.

 

10) El-Mexhālis ul-Fākhire (“Tubimet e Shkëlqyera”) është një libër katërvëllimësh. I pari është mbi biografinë e Profetit (s), i dyti mbi biografitë e Emīr ulMu‘minīnit, el-Zehrāsë dhe el-Hasanit, i treti mbi biografinë e Imam Huseinit e i katërti mbi biografitë e nëntë Imamëve.

 

11) Mu’alifū esh-Shī‘a fī Sadr ul-Islām (“Autorët Shī‘itë në Agimet e Islamit”). Disa nga kaptinat e këtij libri janë botuar në revistën el-‘Irfān të Saides (vëll. I & II).

 

12) Bughijetul Fā’īz fī Nakl-i Xhenā’iz (“Kërkimi i Fitimtarit në Mbajtjen e Arkivolit”). Pjesa më e madhe e tekstit të këtij libri është botuar në revistën el-‘Irfān.

 

13) Bughijetul Sā’īl ‘an Lethm el-Ejdi we’lEnāmil (“Kërkimi i të Interesuarit për Puthjen e Dorës dhe të Gishtit”). Ky është një traktat skolastik në humor letrar e inteligjent, që përmban tetëdhjetë hadīthe nga ana jonë dhe e të tjerëve.

 

14) Zekāt ul-Ahlāk (“Pastrimi i Etikës”). ‘Irfāni i botoi disa kaptina.

 

15) El-Fewā‘id wa’l-Ferā‘id (“Përfitimet dhe të Rrallat”) është një libër i dobishëm ngërthyes.

 

16) Komenti i tij mbi Sahīh ul-Bukhārīun.

 

17) Komenti i tij mbi Sahīh Muslīmin.

 

18) El-Eselīb ul-Badī’e fī Ruxhhān Me‘ātim ush-Shī‘a (“Metodat e Mprehta në Përshtatshmërinë e Kremtimeve të Shī‘tëve”) është libër i mbështetur në prova logjike dhe hadīth, që për nga tema përbën krijim të një lloji të ri. Përveç këtyre, ai ka shkruar Hyrje që kanë të bëjnë me tema të ndryshme, disa prej të cilave kanë humbur, ndërkohë që të tjerat janë kthyer në jetë dhe kanë ende për t’u përfunduar.

Librat e tij shquhen për vëzhgim të mprehtë, hulumtim të thellë, kërkim gjithëpërfshirës, përfundim të vërtetësishëm, mbarim të mirë, citime të ndershme e ndërthurje cilësore të kapitujve, të cilat i zhvleftësojnë kritikat dhe sfidojnë të pabindurit.

 

Mirësjellja dhe Dhuntitë e Tija

 

Ai është shumë i durueshëm, fisnik, mendjeçelët, i dashur, trim dhe shumë i respektuar. Figura e tij frymëzon një mahnitje që të detyron ta nderosh dhe duash edhe nëse nuk e njeh. Ai nuk e kompromenton të drejtën e as nuk pranon çlodhje a përtesë kur ushtrohet përpjekje për t’iu kundërvënë padrejtësisë apo keqbërjes; e megjithatë, ai mbetet i përulur në modesti e bujar në mirësi, duke ruajtur një shprehje të këndshme të fytyrës.

 

Paanshmëria zë një vend të atillë brenda tij saqë ai është i ndershëm si me të huajin, ashtu dhe me të afërmin; bërja e së mirës është shtytësi dhe motoja e tij. Ai është një model i përzotshmërisë, shpengimit, ndërgjegjes së pastër dhe thënies të së drejtës.

 

Përveç kësaj, ai është i mprehtë në qëndrimet e tij, largpamës. Ai ua shoshit gjendjen shpirtërore njerëzve, arrin realitetin dhe depërton thellësinë e çështjeve. Ai s’mund të gënjehet nga pamja e jashtme e as të mashtrohet haptas. Ai nuk shmanget nga saktësia dhe as nuk joshet në hipokrizi. Këto mënyra mirësjelljeje mund të kenë kontribuar në arritjet, ndikimin dhe aftësitë e tij të vërteta. Ai pra, rreshtohet me arabët më elokuentë kur flet, më zemërhapurit kur ligjëron, më prekësit kur predikon, më efikasët në të zbatuarit e ligjit, më të ndershmit në gjykim e qartësi argumenti dhe më i thelli në filosofinë e jetës.

 

Udhëtimet e Tij

 

Siç thamë, më 1329-30 ai ndërmori një vizitë akademike në Egjipt. Gjatë saj ai takoi intelektualët më të shquar të Egjiptit, me në krye Shejh Selīm el-Bishrī elMālikīun, rektorin e atëhershëm të elEz‘herit. Rezultat i të takuarit dhe të letërkëmbyerit me të është ky libër, që mjafton si fryt i ëmbël i asaj vizite. Më 1338 ai bëri hixhrën e tij fetaropolitike, mbi të cilën ju lexues të çmuar mësuat pak më lart. Gjatë saj, ai vizitoi Damaskun, Egjiptin dhe Palestinën.

 

Në tërë këto vende, ai voli frytet e dijes dhe bëri ligjërime të paçmueshme. Ai qe i pari dijetar shī‘it që priu masat e shpërndara të turmave gëluese që ishin mbledhur në Mesxhīdu’l-Haram. Ishte hera e parë që mijëra njerëz u falën haptazi pas një imami shī‘it, pa u strehuar në tekijje. Ja përse lajmi i kryerjes së Haxhxhit nga ai fitoi aq famë, saqë njerëzit vazhduan të flisnin për të anekënd trevave muslimane. Mbreti Husein ibn ‘Alī i afroi atij mirëseardhjen më të mirë e ata u takuan më se një herë dhe së bashku e lanë Qa‘ben.

 

Aty nga fundi i 1355, ai vizitoi faltoret e Imamëve në Irak, e pati një mbledhje me familjen dhe fisin e tij. Ditën e mbërritjes së tij, ministrat, fisnikët e udhëheqësit e Irakut, të drejtuar nga hirësia e tij Sejjid Muhammed Bākir es-Sadr i uruan mirëseardhjen dhe e shoqëruan përgjatë rrugës nga Bagdādi në urën e Fallūxhes, me motobarka. Në Kerbelā e Nexhef ai u prit me një mirëseardhje madhështore nga njerëzit e dijes dhe publiku i gjerë. E ngjashmja e asaj mirëseardhjeje fantastike është vërtet e rrallë.

 

E përfytyroj atë duke thënë, me të mbërritur në sheshet e fëmijërisë dhe rinisë së tij: Lotët më mbuluan kur Tawbadi para sysh m’u shtrua Dhe ai madhëroi Gjithëmëshiruesin kur më pa mua... Ishte krejtësisht e natyrshme që ai të shpërthente në lotë të rrëkeshëm, falë ankthit të tij për të parë institucione të tilla zemër-ngushëlluese; edhe këto lartësuan Allahun duke e mirëpritur, në ekstazë për mbërritjen e tij pas një mungese që zgjati për shumë vite të gjata. A s’i kish lënë ai të kënaqur? A nuk e kishin brohoritur atë kur i kish mbushur sallat e tyre me më të mirën që mund të mbushet një institucion plot e përplot me studentë të shkëlqyer?

 

Po, vërtet. Ata të dy shkëmbyen pasion, dëshirë të zjarrtë, ankth e përshëndetje të përzemërta. Një shkëmbim i tillë i pastër shpirtëror u shpërblye me të gjitha elementet e mirësisë dhe sinqeritetit në Nexhef, Kerbelā, Kadhīmijje e Samarrā’. Pati shumë festime të hareshme e shumëngjyrëshe, nga të cilat koha e kishte mbajtur larg dhe penguar atë së shikuari ato e të virtytshmit e tyre.

Takimet e tij me pionierët e shquar të dijes dhe kërkimit ishin plot me fryte në degët e ndryshme akademike të dijes. Ai vazhdoi së udhëtuari nga Iraku në Iran. Aty, ai mori bekimet e të vizituarit të faltores së Imam Ridāit. Rrugës, ai kaloi nga Komi, Teherani dhe qytete të tjera iraniane. Në tërë ato vende ai u prit me të gjitha llojet e mirëseardhjes që personaliteti i tij i dashur meritonte.

 

Trashëgimia dhe Projektet e Tij

 

Ndërtuese

 

1) Ai përuroi projektet e tija ndërtuese me një vakf huseinī të cilin ai e ngriti që njerëzit të mund të takohen atje në raste dhe rrethana të ndryshme, për të ruajtur shtyllat e besimit, për të marrë arsimim fetar e udhëzim shpirtëror dhe për t’u falur. Kur ai vizitoi Sūrin, shī‘itët nuk kishin xhami atje.

 

2) Në etapat e para, ai ngriti gjashtë depo në hyrje të qytetit. Ai ndërtoi një shtëpi të gjërë mbi tarracat e tyre, të cilën kishte planifikuar ta kthente në shkollën e shumëdëshiruar. Fatkeqësisht, përfundimi i projektit nuk qe i mundur atëherë për shkak të kundërvënies së autoritetit sundues si dhe ndjekësve të interesit vetjak që pasuan rrugën e tij; kështu që atij iu desh të ngushëllohej me atë copëz, duke pritur rastin e volitshëm.

 

3) Në anën tjetër të ndërtesës ai kishte një klub unikal që e kishte quajtur klubi i Imamit Xha‘fer es-Sādik, 22.5 m i gjatë dhe 15.5 m i gjerë, të cilin e rezervoi për raste festive, mësimore, fetare, shoqërore dhe akademike. Pastaj, më 1361 ai ndërtoi një shkollë për vajza. Si ajo e djemve, kjo shkollë zbatoi një program mësimor që promovonte përvetësimin e temave dobiprurëse, të cilat do të siguronin një normë më të mirë jetese. Vendndodhja e shkollës dhe klubit është më e përkryera në bukuri, peisazh dhe gjerësi hapësinore. Pamja përbëhet nga uji i mrekullueshëm që zgjatet pafundësisht e, nëse deti dhe valët e tij ju mërzitet, mund të vështroni në një kah tjetër: drejt fushave dhe maleve që përqafojnë fshatrat aq larg sa ç’mund të kapi syri.

 

Vështrimi juaj do hidhet sa këtu atje, i gjallë, i verbuar dhe ëndërrues për bukurinë magjepsëse e ngazëllyese të asaj pamjeje natyrore, që tejzgjatet në harmoni, duke gumëzhitur e shpenguar, në kënaqësi dhe lumturi. Nëse qëndroni pranë rreshtit të gjithë këtye ndërtesave, do të shikoni një strukturë të madhe të bashkërenditur shkëlqyeshëm, të ngritur fuqishëm dhe qëndrueshëm, e cila frymëzon në ju një mahnitje me bukurinë e tyre të përpiluar dhe skicimin madhështor. Pastaj mahnitja juaj sa vjen e rritet, kur të mësoni frytet e saja pjellore që kombinojnë bollëkun e sasisë me mirësinë e cilësisë.

 

E gjithë kjo, në përfundimin dhe përsosjen e vet, s’është veçse një farë, duke patur parasysh ambicjen e kryemjeshtrit tonë i cili bleu në jug të vendndodhjes së saj një hapësirë të gjërë toke dhe e lidhi atë me institucionin, që të plotësonte nëpërmjet saj projektet e tija bamirëse dhe të arrinte synimet e tija islame. Ai shpresonte se në fund do mund të hidhte themelet e një universiteti që do t’u mësonte studentëve të vet parimet më të vyera në fushat më të gjëra të dijes.

Ai e pa se kjo ishte mënyra më e mirë që t’i bëhej ballë çdo rreziku të afërt për ta mbrojtur brezin e ri duke zbritur në brezat që mund ta detyrojë atë të bëhet armik i tonit. Allahu e marrtë për dore dhe e drejtoftë në atë që sjell mirëqenien e kësaj jete dhe fesë, si dhe mbarësinë e Islamit dhe muslimanëve!

We’l-hamdu li’l-Lāhi Rabb’il-‘alemin.

Murtedā Āl-Jāsīn Kād himijje,

Irak 1365/1946.