LETRA 99

5 Rebī’ul-Thāni 1330

 

I Preferimi i tyre i Interesit të Përbashkët në ato Raste,

II Kërkesa për të Tjerat.

 

1) Kushdo që është i dhuntisur me urti nuk i dyshon qëllimet e tyre të mira dhe preferimin e interesit të përbashkët ndaj tërë atyre konsideratave në sjelljen e tyre në ato raste. Ata gjithmonë synonin atë që do të ishte më mirë për ummetin, më e urtë për dīnin e tij dhe më e mirë për unitetin e tij; ndaj, ata s’duhen fajësuar për çfarëdo që të kenë bërë, paçka se nuk ndoqën disa prej teksteve ose përdorën gjykimin e tyre personal në to. 2) Ne ju patëm kërkuar t’i tregoni të gjitha ato raste, por ju treguat vetëm disa, duke pohuar se ka të tjera tekste mbi Imamin dhe pasardhjen e tij (‘a) përveç atyre që kanë të bëjnë me khilāfetin që të parët nuk i respektuan. Do të kishim dashur që ju t’i kishit treguar ato hollësisht e të na kishit kursyer nga kërkesa e sërishme e tyre, Wesselam.

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 100

8 Rebī’ul-Thāni 1330

 

I Debatuesi Del nga Tema,

II Përgjigja ndaj Kërkesës së Tij.

 

1) Ju e pranuat sjelljen e tyre në ato raste të famshme, dhe ju e besuat atë që patëm thënë më parë; prandaj, el-hamdu li’l-Lāh. Sa i përket qëllimeve të tyre të mira dhe preferimit të tyre të interesit të përbashkët, synimit të tyre të asaj që është më e mirë për ummetin, besimin dhe unitetin e tij, kjo përbën shmangie nga tema e jonë kryesore, siç e dini vetë.

 

2) Në Letrën tuaj të fundit, ju kërkuat hollësitë e hadītheve lidhur me ‘Alīun në çështje të tjera përveç Imametit që ata nuk i ndoqën; jo madje, ata as nuk i kushtuan kurrfarë vëmendjeje. Ju jeni imami i muhadīthëve të sotëm; ju i njihni mirë ato; ju i keni kushtuar një përpjekje të madhe trajtimit të hollësirave të asaj që ju kemi përmbledhur, dhe kush tjetër është më i dijshëm se ju për detajet e asaj së cilës i jemi referuar?

A ka ndonjë të barabartë me ju apo që mund t’ju konkurrojë juve lidhur me Sunnetin?

Padyshim që jo; e megjithatë, çështja është pikërisht siç e thotë aksioma: “Sa shpesh pyesin njerëzit për gjëra të cilat i dinë!”

 

Ju e dini fare mirë se kishte mjaft sahabë që e urrenin ‘Alīun e që ishin armiq të tij. Ata e braktisën, e fyen, e mallkuan dhe i hynë në hak, iu kundërvunë, e luftuan, e goditën fytyrën e tij dhe fytyrat e Ehl ul-Bejtit si dhe ato të pasuesve të tyre me shpatat e tyre, siç dihet fare mirë nga historia e të parëve. I Dërguari i Allahut, paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe pasardhjen e tij, ka thënë:

 

“Kushdo që më bindet mua, i bindet Allahut, dhe kushdo që më mosbindet mua, i mosbindet Allahut;

- kushdo që i bindet ‘Alīut më bindet mua, dhe kushdo që i mosbindet ‘Alīut, më mosbindet dhe mua.”

- “Kushdo që më braktis mua braktis Allahun, dhe kushdo që të braktis ty, o ‘Alī, më braktis dhe mua.”

- “O ‘Alī! Ti je prijës në këtë jetë dhe në jetën tjetër; unë i dua ata që të duan ty, dhe atë që e dua unë e do Allahu;

- armiku yt është armiku im, dhe armiku im është armiku i Allahut; 

- mjerë ai që të urren ty pas meje.”

- “Kushdo që e shan ‘Alīun më shan dhe mua, e kushdo që më shan mua, shan Allahun.”

- “Kushdo që e lëndon ‘Alīun më lëndon dhe mua, e kushdo që më lëndon mua, lëndon Allahun.”

- “Kushdo që e do ‘Alīun më do dhe mua, e kushdo që e urren ‘Alīun më urren dhe mua.”

- “S’të do ty o ‘Alī, veçse mu’mini, e s’të urren veçse munafiku.”

- “O Allah, bëje mik këdo që e bën mik atë, dhe bëhu armik i kujtdo që armiqësohet ndaj tij; mbështete secilin që e mbështet atë, dhe braktise këdo që e braktis atë.”

 

Një ditë, ai vështroi ‘Alīun, Fātimenë, Hasanin e Huseinin dhe tha:

“Unë i luftoj ata që ju luftojnë ju, e jam në paqe me ata që janë paqësorë ndaj jush.” Pasi i mbuloi me mbulesë, ai (s) tha: “Unë i luftoj ata që ju luftojnë ju, e i garantoj mbrojtje atyre që synojnë paqe me ju; unë jam armiku i armikut tuaj.”

 

Ka shumë hadīthe të tilla të cilat nuk u zbatuan nga mjaft sahabë; jo madje, veprimet e tyre iu kundërvunë udhëzimeve të këtyre hadītheve duke preferuar dëshirat e tyre, ngase synuan interesin e tyre vetjak. Ata që kanë shikim të mprehtë e dinë se të gjitha hadīthet e mirënjohura për nder të ‘Alīut - që janë disa qindra, si ato që urdhërojnë pranimin e drejtimit të tij dhe ndalimin e kujtdo që të bëhet armiku i tij - janë të gjitha prova që dëshmojnë statusin e tij të lartë dhe prestigjin e tij të madh, si dhe pozicionin e tij të ngritur në sytë e Allahut e të Dërguarit të Tij (s). Ne kemi përcjellë goxha prej tyre në këto Letra dhe ajo që nuk kemi përcjellë është shumë herë më tepër.

 

 Ju, falë Mëshirës së Allahut, jeni prej atyre që i njohin shumë mirë hadīthet dhe kuptimet e tyre. A keni gjetur ndonjë hadīth që urdhëron kundërvënie apo armiqësi ndaj tij, ose ndonjë të veçantë që tregon lëndim, urrejtje, apo mëri ndaj tij, ose ndonjë gjë si p.sh. fyerje dhe hyrje në hak të tij, mallkim të tij nga minberet e muslimanëve, apo bërjen e këtij mallkimi sunnet për t’u ndjekur nga predikuesit e xhumave dhe bajrameve?

 

Me siguri, jo. Por ata që i bënë tërë këto gjëra nuk u kushtuan kurrfarë vëmendjeje hadītheve të tilla, megjithë bollëkun dhe tewātur-in e tyre. Ato s’i penguan ata nga sjellja në çfarëdo mënyre që t’u shërbente më mirë interesave të tyre politike.

 

Ata e dinin se ai ishte vëllai dhe miku i Profetit (s), trashëguesi dhe i besuari i tij, prijësi i pasardhësve të tij, i pari që pranoi Islamin, më i sinqerti në besim, më i dijshmi, më i zellshmi në bërjen e veprave të mira, më i buti, më i forti në imān, muxhāhidi më i paepur, më trimi, më i virtytshmi, zotëruesi i më shumë cilësive, më i kujdesshmi për interesin e Islamit, më i afërti për të Dërguarin e Allahut (s), më i ngjashmi me të në udhërrëfim, mirësjellje dhe epërsi, më shembullori në vepra, fjalë e heshtje...

 

Por interesat vetjake ishin për ta mbi çdo argument a konsideratë tjetër; prandaj, ç’ne për t’u çuditur me preferimin e tyre të ndjekjes së pikëpamjeve personale mbi Imametin para ndjekjes së frymës së hadīthit të Gadīrit, për shembull? Gjithsesi, a nuk është hadīthi i Gadīrit veçse një prej disa qindra të tjerëve të cilët ata i panë vetëm përmes syzeve të tyre, duke preferuar pikëpamjet e tyre dhe ndjekur interesin vetjak?

 

I Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, ka thënë gjithashtu:

“Shembulli i Ehl ul-Bejtit tim mes jush është si ai i barkës së Nuhit, kushdo që hipën në të është i shpëtuar, dhe kushdo që mbetet pas, fundoset”,

dhe

“Shembulli i Ehl ul-Bejtit tim mes jush është si Porta e pendimit për bijtë e Isrā’īlit: të falura i janë mëkatet atij që hyn në të.”

Ai, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, ka thënë gjithashtu:

“Yjet janë siguria e banorëve të tokës ndaj përmbytjes, dhe Ehli Bejti im është siguria e ummetit ndaj përçarjes; ndaj, nëse ndonjë fis arab u kundërvihet, ata do të polemizojnë të gjithë me njëri tjetrin dhe do bëhen pala e Iblīsit”, krahas shumë hadītheve të tilla të cilat u shpërfillën krejt nga ata..., Wesselam.

 

Sinqerisht,

Sh