LETRA 91
19 Rebī’ul-Ewwel 1330
I Justifikimi i Sjelljes së Tyre ndaj Ushtrisë së ‘Usāmes,
II Asnjë Hadīth s’i Mallkon Dredhuesit e Mobilizimit.
1) Po, i Dërguari i Allahut (s) i shtyu ata të nxitonin për të marrë pjesë në fushatën e ‘Usāmes, duke i urdhëruar ata të niseshin, siç e përmendët ju, dhe theksuar urdhrin e tij gjersa i tha ‘Usāmes të pushtonte Ubnen në mëngjes, pa e lejuar të priste gjer në mbrëmje duke e porositur të nisej, dhe duke e theksuar urdhrin e tij përsëri duke i thënë të nxitonte. Por ai, paqe pastë mbi të, sipas të gjitha raportimeve, ra i sëmurë dhe filloi të merrte frymë me zor, aq sa ata filluan të merakoseshin e të ndiheshin shumë të shqetësuar për ta lënë në atë gjendje. Ata qëndruan në Xhurf duke pritur lajme mbi shëndetin e tij nga frika për jetën e tij dhe dashuria e tyre ndaj tij.
Ata, pra, janë të justifikuar që pritën, dhe nuk duhen fajësuar. Sa i përket diskutimit nga ata të caktimit të ‘Usāmes nga Profeti (s) pas vdekjes së tij, megjithë atë që mbanin mend nga pohimet dhe theksimi i tij me fjalë e vepra, të cilat i dinin mirë, ai s’ishte asgjë më shumë se kundërshtimi i tyre për moshën e tij të re, të qenurit e tij një djalosh mes burrave të pjekur dhe të vjetër.
Këtyre natyrisht iu duk shumë e vështirë të merrnin urdhra nga të rinjtë, dhe për nga natyra u ndjenë të pakënaqur ndaj nënshtrimit të gjykimit të tyre. Mospëlqimi i tyre ndaj caktimit të tij s’ishte bidat por thjesht pasojë e natyrës njerëzore; ndaj merreni parasysh këtë.
Sa i përket kërkesës së tyre pas vdekjes së të Dërguarit për ta shkarkuar ‘Usāmen, kjo përligjet nga disa dijetarë midis atyre të cilët prisnin që Siddīku të pajtohej me ta. Këta persona menduan se një vendim i tillë, sipas pikëpamjes së tyre, do t’i shërbente interesit publik. Megjithatë, për hir të së vërtetës, unë personalisht nuk mund ta arsyetoj kërkesën e tyre për ta shkarkuar atë pasi e kishin parë se sa i zemëruar kishte qenë Profeti (s) kur ia kishin kërkuar këtë, dhe dalja e tij, me zjarrmi, me kokën e lidhur dhe i mbështjellë në çarçaf për ta dënuar një mendim të tillë në hytben nga minberi i tij.
Ata e dinin se një incident i tillë ishte vërtetë një precedent historik; kështu, motivin e tyre të vërtetë s’e di askush përveç Allahut.
Sa i përket vendosmërisë së tyre për ta anulluar fushatën, dhe presionit të tyre ndaj Siddīkut për ta bërë këtë, megjithëse e kishin parë theksin që kishte vënë Profeti mbi dërgimin e saj, shqetësimin e tij për nisjen e menjëhershme, si dhe pohimet e përsëritura me këtë qëllim, ajo s’është veçse [nga] kujdesi i tyre që kryeqendra e Islamit të mos sulmohej nga politeistët përreth kur të zbrazej nga forca mbrojtëse, dhe kur ushtria të ishte larg saj, sidomos ngaqë hipokrizia nxori krye porsa vdiq Profeti (s), dhe shpresat e çifutëve dhe kristianëve u ringjallën, një grup arabësh mohuan fenë ndërsa të tjerët refuzuan të jepnin zekatin.
Sahabët e Profetit, pra, i folën zotëriut tonë es-Siddīk dhe i kërkuan t’ia ndalonte nisjen ‘Usāmes, por ai refuzoi dhe tha: “Më mirë të ma shqyejnë shpendët mishin sesa ta filloj sundimin tim duke shkelur urdhrin e të Dërguarit të Allahut (s).” Ja çfarë kanë thënë tanët për Siddīkun. Sa u përket të tjerëve, ata nuk duhen fajësuar pse u përpoqën ta ndalonin fushatën ngaqë synimi i tyre s’ishte gjë tjetër veçse një shqetësim i natyrshëm për sigurinë e dīnit.
Sa i përket pyetjes përse Ebū Bekri, ‘Umeri, dhe të tjerët që u mobilizuan në regjiment, mbetën prapa kur u nis ‘Usāma, kjo ishte thjesht për të hedhur themelet e forta të qeverisë islame, për të mbështetur ligjin e Muhammedit (s), dhe për të ruajtur khalīfatin, që ishte mbrojtësi i vetëm i besimit dhe i besimtarëve.
2) Sa për atë që keni cituar nga el-Milel we’n-Nihel i Shehristānīt, ne e pamë të transmetuar pa emrin e transmetuesit. Si Halebīu, ashtu dhe Sejjid Dehlānīu, kanë thënë në librat e tyre të sīres se në të vërtetë nuk ka patur aspak një hadīth të tillë në atë kuptim. Nëse ju, Allahu ju ruajtë, jeni në gjendje të tregoni hadīth nga sunnitë në mbështetje të tij, atëherë më çoni tek ai, Wesselam.
Sinqerisht,
S
LETRA 92
22 Rebī’ul-Ewwel 1330
I Pretekstet e Tyre Nuk i Bien Ndesh Pohimit Tonë,
II Hadīthi i Shehristānīut është i Dokumentur.
1) Ju, Allahu Fuqiplotë ju mbrojtë, e pranuat se ata mbetën prapa regjimentit të ‘Usāmes dhe qëndruan në Xhurf, duke kundërshtuar të vazhdonin megjithëse ishin urdhëruar nga Profeti (s) të nxitonin dhe të niseshin. Ju gjithashtu e pranuat se ata me të vërtetë ngritën dyshime mbi urtinë e caktimit të ‘Usāmes megjithëse i kishin parë dhe dëgjuar fjalët dhe veprat lidhur me caktimin e tij.
Ju pranuat më tej se ata, me të vërtetë, i kërkuan Ebū Bekrit ta shkarkonte edhe pse e kishin parë zemërimin e Profetit (s) kur ai e kishte vërejtur diskutimin e tyre të caktimit të tij, shkuarjen e tij tek ata, në zjarrmi, kokëlidhur dhe i mbështjellë me mbulesë, për të mbajtur një fjalim nga minberi, në të cilin ai e dënoi ankesën e tyre, një fjalim që ju vetë e përshkruat si një nga ngjarjet e rëndësishme historike, ku ai (s) e cilësoi ‘Usāmen të denjë për një post të tillë.
Ju pranuat faktin se ata i kërkuan khalīfit ta kthente mbrapsht regjimentin e dërguar nga Pejgamberi dhe ta zgjidhte nyjën që ai e kishte lidhur me duart e tij të famshme, edhe pse ia kishin parë shqetësimin për dërgimin e tij dhe përkujdesjen e plotë për nisjen e tij, krahas shumë pohimeve që ai bëri mbi domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj.
Ju, për më tepër, pranuat se disa prej atyre që ishin mobilizuar në ushtri nga vetë Profeti, i cili i kishte urdhëruar të rreshtoheshin nën urdhrat e ‘Usāmes, kishin qëndruar pas. Ju i pranuat tërë këto fakte, që janë të shkruara në librat e historisë dhe që janë pohuar njëzëri nga muhadīthët dhe historianët, duke thënë se ata s’duhet të fajësohen për çfarë bënë.
Përmbledhja e pretekstit të tyre, siç e shprehët ju, është se ata kishin preferuar në këto çështje interesin e Islamit sipas opinionit të tyre, e jo sipas fjalës së Profetit (s) mbi to. Ne s’kishim për qëllim në këtë çështje të pohonim asgjë më tepër se kaq. Me fjalë të tjera, tema e diskutimit tonë është nëse ata i ndiqnin të gjitha fjalët e Profetit (s) apo jo. Ju zgjodhët të parën, ndërsa ne të dytën, dhe pranimi nga ju se ata nuk i ndoqën këto fjalë vërteton pikëpamjen tonë. Të qenurit e tyre të justifikuar apo jo qëndron, pa dyshim, përtej diskutimit tonë.
Meqë, sipas pikëpamjes tuaj, është provuar se në incidentin e regjimentit të ‘Usāmes ata preferuan interesin e Islamit, duke ndjekur pikëpamjet e tyre e jo ato të Profetit (s) të përmbajtura në fjalët e tij, atëherë përse nuk thoni njëlloj se ata preferuan të ndiqnin pikëpamjet e tyre në çështjen e khilāfetit rreth asaj se ç’është e mirë për Islamin, para atyre të Profetit (s) të pohuara në hadīthin e Gadīrit dhe të ngjashmëve me të?
Ju gjetët justifikime për ata që hodhën dyshime mbi caktimin e ‘Usāmes, duke thënë se ata vepruan kështu për shkak se ai ishte i ri dhe ata ishin të pjekur e të vjetër, e se njerëzit në moshë nuk e durojnë për nga natyra që të marrin urdhra nga të rinjtë; atëherë përse nuk e zbatoni ju të njëjtin argument mbi ata që s’i ndoqën tekstet e Gadīrit që emëronin ‘Alīun, asokohe i ri, të merrte drejtimin e sahabëve të pjekur e të vjetër që e konsideruan të ri kur i Dërguari i Allahut (s) vdiq, pikërisht siç e konsideronin të ri ‘Usāmen, kur Profeti (s) e caktoi atë si komandantin e regjimentit të tyre? Ç’ndryshim i madh midis khilāfetit dhe drejtimit të një regjimenti!
Nëse natyra e tyre refuzonte të pranonte prijësinë e një të riu në të drejtuarit e një regjimenti, ata ishin edhe më të prirur të refuzonin prijësinë e përhershme të një të riu në të gjitha çështjet fetare e sekulare.
Por argumenti juaj se njerëzit e pjekur dhe të vjetër e kanë zët për nga natyra marrjen e urdhrave nga të rinjtë, bie poshtë - nëse e zbatoni mbi të gjitha çështjet - sepse ata me imān të fortë nga besimtarët e parë mesiguri s’e kishin zët të urdhërohen nga Allahu e i Dërguari i Tij që të merrnin urdhra nga një i ri, në atë e në çdo çështje tjetër. {Jo, pra!
Për Zotin, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet e tyre, e pastaj të mos ndjejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe t’i binden sinqerisht} (4:65). "Çfarëdo që t’ju japë Pejgamberi, merreni, dhe përmbahuni nga ajo që ai jua ndalon. Kinie frikë Allahun, se Ai është ndëshkues i ashpër." (59:7).
2) Sa i përket [raportimit të] Shehristānīut, i cili i diskuton ata që i bënë bisht mobilizimit në ushtrinë e ‘Usāmes, duke e dhënë ngjarjen e tyre si një fakt të pranuar njëzëri, ai është transmetuar në një hadīth të dokumentuar nga Ebū Bekr ibn ‘Abdul-‘Azīz el-Xheuherī në librin e tij es-Sakīfe, nga ku po ju citoj shprehimisht:
“Ahmed ibn Is’hāk ibn Sālīu na ka transmetuar nga Ahmed ibn Sijāri një hadīth prej Sa‘īd ibn Kethīr el-Ensārīut njerëzit e të cilit citojnë ‘Abdullāh ibn ‘Abdur-Rahmānin duke thënë se kur i Dërguari i Allahut (s) u sëmur pak përpara se të vdiste, ai caktoi ‘Usāma bin Zejd ibn Harīthen që të merrte përsipër drejtimin e një ushtrie pjesën më të madhe të së cilës e përbënin muhāxhirë dhe ensārë. Midis tyre ishin:
Ebū Bekri, ‘Umeri, Ebū ‘Ubejde ibn ul-Xherrah, ‘Abdur-Rahmān bin ‘Aufi, Talha, e Zubejri, dhe i urdhëroi ata të zaptonin Mu’ten, ku ishte vrarë i ati i tij Zejdi, e të pushtonin luginën e Palestinës. ‘Usāma vonoi, dhe po kështu tërë ushtria, dhe i Dërguari i Allahut, paqe e bekime pastë mbi të, ndonëse i sëmurë, vazhdoi të këmbëngulte se ushtria duhej të nxitonte atje, derisa ‘Usāma i tha: ‘O i Dërguari i Allahut!
A do më lejoje të qëndroj për disa ditë gjersa Allahu Fuqiplotë të të shërojë?’
Ai u përgjigj: ‘Shko dhe nisu, me bekimet e Allahut.’
Ai tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Nëse unë nisem ndërkohë që ti je kaq i sëmurë, do të shkoj me zemrën plot dhimbje.’
Ai (s) iu përgjigj: ‘Vazhdo drejt fitores, me shëndet të mirë.’
‘Usāma ngulmoi: ‘Por mua s’më pëlqen t’i pyes udhëtarët për shëndetin tënd.’
Ai tha: ‘Nisu dhe zbato urdhrat e mia’, pastaj atij, paqe e bekime pastë mbi të, i ra të fikët.
‘Usāma iku dhe u përgatit të nisej. Kur i Dërguari i Allahut (s) u zgjua, ai pyeti menjëherë për ‘Usāmen dhe i thanë se ai dhe njerëzit e tij po bëheshin gati për t’u nisur, me ç’rast ai vazhdoi të përsëriste:
Kryejeni misionin e ‘Usāmes; mallkimi i Allahut qoftë mbi këdo që i bën bisht atij.’
‘Usāma më në fund e la qytetin, me flamur mbi krye, i rrethuar nga sahabët, gjersa mbërriti në Xhurf. Bashkë me të ishin Ebū Bekri, ‘Umeri dhe shumica e muhāxhirëve dhe ensārëve si Asīd ibn Hedri, Beshīr ibn Sa‘di e shumë dinjitarë të tjerë. Atëherë ai mori lajm nga Umm Ejmeni e cila e njoftonte që të vazhdonte përpara e të hynte në qytet sepse Profeti (s) po vdiste.
Ai u nis menjëherë për Medine, me flamurin ende në dorë. Kur mbërriti në shtëpinë e Profetit, ai e nguli te pragu kur Profeti (s) sapo kishte dhënë shpirt."
Kjo është cituar nga një grup historianësh si dijetari mu‘tezilī Ibn Ebī’l-Hadīd, në mbyllje të f. 20 dhe asaj që vijon, në vëll. II të Sherh Nehxhul-Belāgës,
Wesselam.
Sinqerisht,
Sh