LETRA 73

13 Sefer 1330

 

Kërkesa për Shpjegim të Refuzimit tonë të Hadīthit të ‘Ā’ishes

 

Ju nuk jeni prej atyre që mashtrojnë apo shtiren, e ju as që akuzoni dikë rrejshëm. Ju qëndroni përmbi të akuzuarit apo të fajësuarit se jeni i tillë. Unë, el-hamdu li’lLāh as nuk kritikoj, as nuk kundërshtoj dhe as që rrëmoj për gabimet ose të metat e dikujt; e vërteta është synimi im. Nuk mund të rri pa ju pyetur përse jeni kthyer mënjanë nga hadīthi i saj - dhe përgjigja juaj e dokumentuar e kësaj pyetjeje është e pashmangshme. Përcille mesazhin, e mos rri dëshpëruar Le të të freskohen sytë, e bëhu i gëzuar. Argumenti që po theksoj rrënjëzohet në kuptimin e ajetit të Kur’anit Famëlartë: 

"Ata që fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, pasi që ua sqaruam ato në Libër, janë të mallkuar nga Allahu dhe ata që mallkojnë." (2:159)...,

Wesselam.

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 74

14 Sefer 1330

 

I Shpjegimi Përse Ne e Hedhim Poshtë Hadīthin e Saj,

II Arsyeja Konfirmon Testamentin, III Pretendimi i Saj se Profeti Vdiq në Gjoksin e Saj Bie Poshtë.

 

Ju, Allahu ju asistoftë, ngulët këmbë që unë të shkoqis dhe s’po më lini rrugë tjetër veçse të bëj pikërisht këtë. Falë pasurisë së dijes tuaj, ju e dini se nga vijmë ne. Këtu është burimi i testamentit, këtu shtrihet fushëbeteja e teksteve eksplicite; këtu ndodhet asgjësimi i khums-it, trashëgimisë e besimit; këtu qëndron shkaku i fitne-s; këtu është arsyeja e trazisë... 

(Kjo puqet me librat sunni të traditave; prandaj, drejtojuni Sahīh-ut të Bukhārīut, në kreun mbi shtëpitë e grave të Profetit, kaptina mbi xhihadin dhe mikpritjen, f. 125, vëll. II, dhe aty do t’i gjeni hollësirat.)

 

Kur luftoi Prijësin e Besimtarëve, ajo mori dhenë, në krye të një ushtrie të madhe për t’ia uzurpuar qeverisjen e për t’i dhënë fund sundimit të tij. Ç’u bë, u bë; unë s’po tregoj ç’kam parë - Mendo të mirën e mos pyet kush, kur e çfarë! Të debatohet në mbështetje të mohimit të testamentit të ‘Alīut duke përdorur pohimin e saj, armikes më të ashpër të tij, është një orvatje që nuk pritet aspak nga asnjë njeri i ndershëm. Dhe ai nuk ishte incidenti i vetëm që shpalosi armiqësinë e saj ndaj ‘Alīut. T’i mohosh testamentin ‘Alīut ka shumë më pak rëndësi se sa Beteja e Vogël e Devesë (Trazia e Betejës së Vogël të Devesë ndodhi në Basra, pesë ditë para fundit të Rebī’ul-Thāni 36 H, para mbërritjes së Prijësit të Besimtarëve aty, kur qyteti u sulmua nga nëna e besimtarëve e shoqëruar nga Talhai e Zubeiri. Guvernatori i ‘Alīut për Basrën asokohe ishte ‘Uthmān ibn Hanīf el-Ensārīu. Dyzet mbështetës të ‘Alīut u vranë në xhaminë e saj dhe shtatëdhjetë të tjerë gjetiu. ‘Uthmān ibn Hanīfi, që ishte një nga sahabët më të nderuar, u zu rob, dhe zaptuesit e tij deshën ta vritnin por iu druajtën hakmarrjes nga vëllai i tij Suhejli dhe ensārët e tjerë; prandaj, ata ia rruajtën mjekrën, mustaqet, vetullat dhe kokën; e rrahën, e burgosën dhe e degdisën nga Basra. Ata i luftoi Hakīm ibn Xhebeli me një grup nga fisi i tij Abd Kejs ku ai qe prijës. Hakīmi ishte njeri i mençur, i matur e prestigjioz, dhe u pasua nga një grup i Beni Rabī’es të cilët refuzuan të reshtnin së luftuari gjersa edhe i fundit prej tyre ra shehid, përfshi Hakīmin, djalin e tij më të nderuar dhe vëllain e tij trim, dhe Basra ra në duart e ushtrisë pushtuese. Kur erdhi, ‘Alīut iu desh të përballej me ushtrinë e ‘Ā’ishes, kështu filloi Beteja e Madhe e Devesë. Hollësitë e secilës betejë janë ruajtur në librat e historisë nga Ibn Xherīr Taberīu, Ibnu’l-Athīri e shumë të tjerë.)  dhe Beteja e Madhe e Devesë, ku qëllime të liga dolën sheshit dhe perdja ra. Po ashtu, ajo e shprehu qëndrimin e saj haptasi edhe para se të dilte në luftë ndaj tij, që ishte wali-u i saj dhe wasi-u i Profetit (s), gjersa i mbërriti lajmi i vdekjes së tij, me ç’rast ajo bëri sexhde për të falënderuar Zotin e thuri këto vargje: (Siç citojnë historianët e besuar si Ebū’l-Faraxh el-Isfahānī në mbyllje të diskutimit të tij të ‘Alīut në librin e tij Mekatīl ut-Tālibijjīn.)

 

Ajo hodhi shkopin e lumtur, me shpirtin plot kënaqje,

Zemra e saj e gëzuar dhe mendja krejt në paqe;

Kur udhëtari në shtëpi mbërriti, nga ngarkesa i çliruar;

Kurrë mos thuaj: ‘Ā’ishja, nga vdekja e ‘Alīut, u pikëllua.

 

Nëse dëshironi, unë mund të citoj për ju nga hadīthi i saj që ju vërteton se ajo ishte në gabim të rëndë. Ajo ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (s) u sëmur rëndë, ai doli duke tërhequr këmbët zvarrë, i mbështetur mbi dy veta: ‘Abbās ibn ‘Abdul-Muttalibin e një tjetër.”

(Siç citon Bukhārīu për të në kreun e tij mbi sëmundjen dhe vdekjen e Profetit (s), f. 62, vëll. III i Sahīh-ut të tij.)

 

Transmetuesi i këtij hadīthi komenton:

“E njoftova ‘Abdullāh ibn ‘Abbāsin për fjalët e ‘Ā’ishes dhe ai m’u përgjigj: ‘A e di ti emrin e njeriut që ‘Ā’ishja nuk e përmendi?’

‘Jo’- i thashë.

Ibn ‘Abbāsi tha: ‘Ai ishte ‘Alī ibn Ebī Tālibi.

Transmetuesi vazhdon e thotë se ‘Ā’ishja nuk ia do aspak të mirën ‘Alīut."

(Ky pohim në veçanti, d.m.th thënia e Ibn ‘Abbāsit se ‘Ā’ishja nuk ia do atij aspak të mirën, lihet jashtë nga Bukhārīu, i cili e ndërpret citimin e tij në pohimin paraprirës, duke ndjekur shprehinë e tij të zakonshme në situata të tilla, por shumë autorë të librave të hadīthit e cituan atë nga transmetuesit e tyre të besuar. Shqyrtoni atë që ka regjistruar Ibn Sa‘di në f. 29, P. 2, vëll. II i Tabakāt-it, ku ai citon një zinxhir që përfshin Ahmed ibn elHaxhxhaxhin, ‘Abdullāh ibn Mubarākun, Junūsin, Mu‘ammerin, Zuhrin, ‘Ubejdullāh ibn Utbe ibn Mes’ūdin deri te Ibn ‘Abbāsi. Transmetuesit e këtij hadīthi mbahen besnikë sipas pajtimit të dijetarëve. [Po ashtu: Ahmedi në Musned, vëll. VI, ff. 34, 228; Taberīu në Tarīkh, vëll. I, ff. 1800- 1801; Balādhūrīu në Ansāb ul-Ashrāf, vëll. I, ff. 544-5; Bejhakīu në Sunen ul-Kubra, vëll. III, f. 396.])

 

Nëse ajo nuk ia donte aspak të mirën një njeriu, me të cilin i Dërguari i Allahut (s) po ecte, si mund të pritet prej saj të ndihej e kënaqur të përmendte testamentin, që përmban shumëçka të mirë për ‘Alīun? Imam Ahmedi citon në Musned, vëll. VI, f. 113, ‘Atā’ ibn Jaserin duke thënë.

“Një njeri erdhi e foli keq për ‘Alīun dhe ‘Ammārin te ‘Ā’ishja, e cila iu përgjigj: ‘Sa për ‘Alīun, s’kam asgjë për të thënë në mbrojtje të tij; por në lidhje me ‘Ammārin, e kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit (s) të thotë se kurdoherë që ‘Ammārit i është dashur të zgjedhë mes dy mundësish, ai gjithmonë ka zgjedhur më të arsyeshmen’.”

 

A e patë këtë?!

 

Nëna e besimtarëve paralajmëron për veprimin kundër ‘Ammārit për shkak të thënies së të Dërguarit të Allahut (s) se “Saherë që ‘Ammārit i është dashur të zgjedhë ndër dy mundësi, ai gjithmonë ka zgjedhur më të arsyeshmen” e sakaq ngurron nga paralajmërimi kundër të vepruarit në dëm të ‘Alīut, që është vëllai i Profetit, Harūni dhe i besuari i tij, më i drejti në ummetin e tij, i pari që besoi në mesazhin e tij, personi me meritat më të shumta...! Thua se ajo nuk është e ndërgjegjshme për statusin e tij në sytë e Allahut, të Madhëruarit Fuqiplotë, ose pozitës së tij në zemrën e të Dërguarit të Allahut (s), apo statusit të tij në Islam, përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për përhapjen e tij, ndihmesat e tij të pashoqe.. Thua se ajo s’ka dëgjuar kurrë në Librin e Allahut e as Sunne-tin e të Dërguarit të Vet (s), ndonjëgjë në lavdërim të tij, që ta vendosë në një shkallë me ‘Ammārin!

 

Për Allah, mendja ime shastiset kur shqyrton pohimin e saj: “E kam parë Profetin (s), kur ishte mbi kraharorin tim, të kërkonte t’i sillnin një legen me ujë; unë as që e dallova sa shpejt u lëshua dhe vdiq; si mundet atëherë ai t’i ketë bërë wasijet ‘Alīut?”

Nuk e di cilin aspekt të pohimit të saj të kritikoj, hetuar kjo nga anë të ndryshme. Çuditem se si mundet dikush të pandehë që, ngase vdekja e tij (s) ndodhi ashtu siç e përshkroi ajo, ai s’mund të ketë lënë testament. A kujtoi ajo se lënia e testamentit vlen vetëm në çastin e vdekjes?! Jo, por ky është justifikimi i atij që lufton ndaj të vërtetës së pakundërshtueshme, kushdo qoftë ai ose ajo, e Allahu ka thënë në Librin e Tij Famëlartë, duke iu drejtuar të Dërguarit të Vet (s) të nderuar, {Ju është bërë obligim që kur ndonjërit prej jush i afrohet vdekja, nëse lë pasuri, të bëjë testament} (2:180, 5:106).

 

A e kishte parë nëna e besimtarëve atë (s) ndonjëherë të vepronte kundër urdhrave të Librit të Allahut, apo të neglizhonte udhëzimet e tij? EstaghfiruLlāh. Ajo e pa të ndiqte udhërrëfimin e tij, t’u përmbahej ajeteve të tij, tek nxitonte për t’iu bindur urdhrave e ndalimeve të tij, duke arritur skajin e përfundëm të kapjes pas tërë urdhëresave të tij. Nuk ka asnjë dyshim në mendjen time se ajo duhet ta ketë dëgjuar atë duke thënë: “Asnjë besimtar që e di se po lë diçka pas, nuk duhet të flërë as dy netë përpara se të shkruajë testamentin”, (Siç citon Bukhārīu në fillim të kaptinës së tij mbi wasijetet në Sahīh, f. 83, vëll. II. Ai citohet gjithashtu nga Muslimi në kreun e tij mbi regjistrimin e testamentit [të Profetit (s)], f. 10, vëll. II i Sahīh-ut të tij.)

 

  sepse udhëzimet lidhur me shkrimin e testamenteve kanë ardhur padyshim prej tij. Nuk i ka hije atij e as cilitdo profet tjetër, paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë, të urdhërojë diçka pa e bërë atë vetë, apo të ndalojë diçka e të bëjë të kundërtën; Allahu është përmbi të përzgjedhurit e individëve të tillë për ta përcjellë mesazhin e Tij.

 

Sa i përket asaj që Muslimi dhe të tjerët kanë cituar ‘Ā’ishen duke thënë:

“I Dërguari i Allahut (s) s’ka lënë as dinar e as dirhem, as deve mashkull e as femër dhe ai as që ka lënë ndonjë wasijet”, ky është tamam si “hadīthi” që i paraprin. Nuk është e saktë as të supozohet se ajo që ajo nënkuptoi ishte se ai nuk kishte lënë fare testament, por përkundrazi - se ai (s) nuk kishte pasuri që kërkonin testament, sepse vërtet ai nuk la shumë nga të mirat e kësaj bote, si personi më asket që ishte. Ai u bashkua me Zotin e tij, të Lartin e Madhërishëm, duke lënë ca borxhe të mëdha, (Mu’ammeri citon Katāden duke thënë se ‘Alīu ishte kujdesur, në emër të Profetit (s), për disa çështje pas vdekjes së tij, më e madhja e të cilave ishte një borxh i vlerësuar pesëqind mijë dirhemë; prandaj, drejtojuni këtij hadīthi në f. 60, vëll. IV i Kenz ul-‘Ummāl-it, me numër 1170.) si dhe pak sende, krahas gjërave që i ishin besuar nga njerëz të tjerë, të cilat kërkonin testament [se kujt i përkisnin]. Ai gjithashtu la nga prona e tij diçka që do të ndihmonte t’i shlyheshin borxhet dhe t’i plotësoheshin zotimet, me një mbetje që i lypsej dorëzuar trashëguesit të tij. Prova për këtë është ajo që Fātime Zehrāja kërkoi me të drejtë nga trashëgimia e të atit.

(Siç citon Bukhārīu në fund të kreut të tij mbi fushatën e Khajberit në Sahīh, f. 37, vëll. II.)

 

2) I Dërguari i Allahut (s) la gjëra të cilat kërkonin një testament, gjëra që asnjë qenie tjetër njerëzore s’i ka lënë ndonjëherë. Ju mjafton që ai la fenë e drejtë të Allahut, ende në fillimin e rritjes së saj dhe formimit të hershëm, dhe vetë kjo kërkonte një trashëgues shumë më tepër sesa ari e argjendi, një shtëpi apo një pronë e patundshme, tokat apo gjedhët. I tërë ummeti u bë jetimët dhe të vejat e tij, duke kërkuar strehim te mëkëmbësit e tij, që do ta zëvendësonin për t’i drejtuar ata dhe administruar çështjet e tyre fetare e sekulare. Është e pamundur që i Dërguari i Allahut (s) t’ia ketë besuar fenë e Allahut, akoma në djepin e saj, animeve dhe hamendjeve, apo t’ia ketë lënë mbrojtjen e legjislacionit të saj motiveve e interesave personale, pa një zëvendës që do të kujdesej për çështjet e saja fetare dhe sekulare, dikë mbi të cilin ai mund të mbështetej për ta përfaqësuar atë në publik.

Ai qëndron përmbi të lënit e jetimëve të tij, që banonin vise të gjera, si gjedhët e frikësuara në një natë dimri me stuhi, pa askënd për t’u kujdesur për ta. Ai është larg braktisjes së testamentit, veçanërisht pasi kishte marrë udhëzime për këtë nga Zoti i tij, duke e urdhëruar fuqimisht ummetin e tij të vepronte kësisoj. Arsyeja nuk e dëgjon pretendimin se nuk u la asnjë wasijet, edhe sikur një pretendim i tillë të vijë nga një person i nderuar.

 

Në agimin e Islamit, i Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të e familjen e tij, bëri një testament për ‘Alīun madje edhe përpara se misioni i tij të bëhej publik në Mekë, menjëherë pas shpalljes së ajetit: {Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit} (26:214) - siç shpjeguam në Letrën 20. Ai vazhdoi ta përsëriste testamentin e tij herë pas here, duke e theksuar atë përmes shumë zotimeve të cilave iu referuam. Kur, më në fund, ai dëshiroi, në orët e fundit, u flijofshin prindërit e mi për të, që të shkruante testamentin e vet për ‘Alīun për t’i theksuar zotimet e tij të mëparshme me gojë mbi këtë, ai (s) tha:

 

“Më sillni material shkrimi, që t’ju shkruaj diçka për t’ju mbrojtur nga rrëshqitja”, por ata u grindën, ndërkohë që në praninë e një Profeti nuk lejohet asnjë grindje, dhe thanë:

“I Dërguari i Allahut (s) flet përçart.”

 

(Kjo citohet shprehimisht nga Muhammed ibn Ismā’īl Bukhārīu në kreun e tij mbi dashamirësinë ndaj të deleguarve në Kitāb ul-Xhihād we’s-Sijer, f. 118, vëll. II i Sahīh-ut të tij.)

 

Në atë çast ai e kuptoi - pasi që ata i kishin thënë një fjalë të tillë - se nga urdhri i tij i synuar nuk do të mbetej asnjë gjurmë nëse zbatohej, veç trazisë; prandaj, ai u tha atyre të dilnin jashtë, duke u mjaftuar me zotimet gojore që i kishte bërë ‘Alīut.

 

 Prapëseprapë, megjithë tërë këtë, ai bëri tre rekomandime në prag të vdekjes: se ata duhet ta merrnin ‘Alīun zëvendës të tij; se duhet t’i nxirrnin politeistët jashtë Gadishullit Arabik; dhe se duhet t’i shpërblenin të deleguarit ashtu sikurse ai. Por diktatet e politikës së kohës s’i lejuan muhadīthët ta transmetonin kërkesën e tij të parë, duke pretenduar se e kishin harruar.

Bukhārīu, në mbylljen e hadīthit që përmban akuzën se i Dërguari i Zotit (s) ishte përçart, thotë:

“Dhe wasijeti i tij (s) përpara vdekjes përmbante tre urdhra: të nxirreshin politeistët nga Gadishulli Arabik, të shpërbleheshin të deleguarit ashtu siç i shpërblente ai... dhe e treta u harrua.”

(Drejtojuni atij në kreun mbi shpërblimin e të deleguarve në Kitāb ul-Xhihād we’s-Sijer, në f. 118, vëll. II i Sahīhut të tij.)

 

Kështu e formulon edhe Muslimi në Sahīh, e po kështu edhe tërë autorët e Sunen-eve dhe Musned-eve.

 

3) Pretendimi i nënës së besimtarëve se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, iu bashkua Zotit teksa ishte në gjirin e saj kundërshtohet nga hadīthi i vërtetuar, që pohon se ai (s) shkoi te Shoqëruesi Suprem duke qenë në gjoksin e vëllait dhe wali-ut të tij ‘Alī ibn Ebī Tālib, sipas hadītheve mutewātir të përcjella nga Imamët e pasardhjes së pastruar, të cilat mbështeten nga sahīh-ët sunni, siç dihet mirë nga studiuesit.

 

Sinqerisht,

Sh